“Zija e urisë”, fragment nga romani: Koha e jeniçerëve

“Zija e urisë”, fragment nga romani: Koha e jeniçerëve

V.

Në vitin 1699 katundet e Drenisës i kishte përfshirë thatësira fatale, e cila nuk mbahej mend. Shumica e banorëve të Petrashit, Malmirit, Sadranit, Banjës, Ndrenikut, Konzharikës, Alpushit, Berishës, Trojës Karaxhetit, Dukasit, Sankovës, Korrotit, Çikatit e katundeve  të tjera kërcënoheshin për t’u shfarosur nga thatësira.

Astrologët kishin vërejtur një si skuqje të qiellit, e cila qe pasuar me rritjen jashtë normales së temperaturave.

Prej prillit, e deri kah fundi i gushtit të atij viti, i cili do të mbahej mend si viti më i rëndë i zisë së urisë, nuk kishte rënë asnjë pikë shiu. Elbi, gruri, tërshëra, meli,  ishin  djegur. Vetëm misri i mbjellë në arat, të cilat vaditeshin me ujët e lumenjve, kishte  arritur të merrte tek-tuk ndonjë tramak. Qenë djegur edhe kullosat. Thatësia kishte dëmtuar edhe pemët, rrushin, kumbullat, dardhat,  perimet, fasulen, kungujt. Gjithçka ishte djegur dhe kishte tretur. Edhe bari ishte djegur dhe lumenjtë kishin përgjysmuar ujin, disa kishin shterë.

Shumë pyje i kishte përcëlluar edhe flaka e zjarrit të vënë nga pakujdesia e njerëzve të papërgjegjshëm. Në vend mbretëronte një frikë e arsyeshme se shumica e banorëve do të vdisnin nga uria. Familjarët më të kujdesshëm kishin shitur, kush lopën, tjetri dhitë, delet, dhe kishin blerë misrin për të kaluar dimrin. Disa të tjerë rronin me zierjen e barishteve, duke iu shtuar barishteve të ndryshme fije  të rrajkuqeve, apo fletëve të ahut e ufullave  disa grushte  miell misri. Disa nga fshatarët kishin vjelë mollët dhe dardhat e egra, duke i rezervuar pastaj nëpër tavane dhe kthina të ndryshme, për të mos u kalbur….

Dikush kishte tubuar  breshkët nëpër bodrume, dikush kishte zënë vjedullat e iriqët për t’i pasur për ushqim gjatë dimrit, sekush vriste derrat e egër, kaprojtë, drenat. Mishin e thanin  duke tymosur në flakën e zjarrit.

Fshatarët që kishin arat e tyre të vadës, e ruanin misrin, meqë sapo kishte filluar të ndante kokrrat nga boça,  njerëzit e uritur i thyenin shtalbet, i piqnin në zjarr dhe i hanin. Frika nga uria kishte stepur çdo buzëqeshje. Fëmijët i tregonin njëri- tjetrit fjalët që dëgjonin nga të rriturit. Ata parashihnin se shumica e banorëve do të vdisnin, ndërsa fëmijët, pasi të vdisnin do të bëheshin engjëj dhe do të fluturonin në qiell me flatra, si ato të kerubinëve, që kishin parë në kishë.

Njerëzit e paditur, urinë ia përshkruanin largimit nga rruga e zotit. Të krishterët kritikonin dhe satanizonin njëri- tjetrin, sepse sipas bindjes së disa prej tyre, zoti i kishte dënuar me thatësirë, për shkak të heqjes dorë nga feja.

Plaka, Marie Leku e Ndrenikut kishte paraparë  vitet e urisë, pikërisht sikur  kishte ndodhur në kohën e Josifit, të birit të profetit Jakob. Të ikim nga ky vend i mallkuar, kishte lëshuar gjëmën, e sigurt se  do të vdiste urie, meqë ishte ndër familjet më varfanjake të fshatit.

Ata pak krishterë,  të cilët në dy tri vitet e fundit ndërruan fenë përhapnin fjalë se, Allahu i kishte dënuar me thatësirë  fe keqët, ata që nuk po pranonin ta ndërronin fenë e keqe me një fe të mirë, sikur kishin vepruar vetë.

Familja e Gjon Lekut dhe të vëllezërve të tij në Ndrenik, nuk ishte goditur gjithaq nga thatësia, por e keqja dhe e mira ishin të përbashkëta për të krishterët. Do të vinte koha kur fqinji të mbetej  te dera, i këputur nga uria, duke kërkuar një okë miell. Dhe ishte tepër e vështirë ta ktheje duarthatë, pavarësisht se për pak kohë rezervat do të mbaronin  dhe pastaj edhe mirëbërësi do të kthehej në lypës. Ishte sprovuar kjo edhe herëve të tjera, sepse vitet e urisë nga pasojat e thatësirës, ri përsëriteshin përafërsisht në çdo tridhjetë vjet. Dhe për më keq, periudha e thatësirës zgjaste, tri deri në shtatë vjet. Por sapo rifillonte jeta, njerëzia harronin zinë e urisë dhe sërish gjithçka niste nga e para.

Zija e përgjithshme e urisë paralajmërohej në çdo bisedë dhe ishte preokupimi i vetëm i të gjithëve, i varfanjakëve por edhe i të pasurve.

Si t’ ia bajmë?

Do t’ vdesim uje!

Do t’ shfarosemi!

Na ka denue Zoti!

Ky ansht ndëshkimi, me t’ cilin zoti i ka denue dikur moti faraonët e pafe!

Ishin ato ankimet e përditshme që paralajmëronin kob. Frika nga uria, për shkak të thatësirës fatale, i kishte kapluar edhe të pasurit. Pleqtë kishin rikthyer në kujtesë  vitet e zisë së urisë që mbanin mend dhe rrëfenin tregime të trishtueshme. Aleks Mati nga Malmiri  rrëfente për kohën kur kishte përjetuar zinë e urisë në moshën 10 vjeçare. Vetëm ai kishte shpëtuar nga e tërë familja, meqë e ëma ia kishte lënë në shtëpi vëllait të vet, në Petrash.

Nuk kishte më  se çfarë të dhjete, apo takse tjetër  t’iu  merrej fshatarëve të krishterë. Të pasurit mund të vileshin e të plaçkiteshin, por edhe ata do të rrezikoheshin të vdisnin urie. Vetëm Selim agai, çaushët, sejmenët dhe njerëzit e tij nuk brengoseshin për urinë. Ata do të përfitonin edhe shumë më tepër në fatkeqësinë e rajasë.

-Haznet e padishahut janë përplot për myslimanët! –thoshin disa.

-Le të vdesin kryçalitë!

-Ky është dënimi i zotit kundër fesë të tyre!

Pritej  të vinte koha, kur për një barrë miell misri, një familje e tërë do ta ndërronte fenë. Këtë llogariste Selim Agai, mirëpo ishte zotuar se asnjë  okë miell, nuk do t iu jepte kryçalive.  Madje kishte shkuar edhe më larg. Çdo familjar mysliman që hetohej se ndihmonte me bukë ndonjë familje të krishterë, atij do t’i merrej tërë pasuria. Selim agai dhe disa nga satrapët, një ditë të tillë kishin pritur. Të vdisnin të gjithë nga uria, për shkak se nuk donin ta ndërronin fenë e keqe me një fe të mirë.

Vetëm Hoxhë Ibrahimi nuk mendonte ashtu dhe mundohej të ndihmonte skamnorët e gjorë, por pa dobi. Në prag të fillimit të zisë së urisë, askush nuk mendonte më për Jezu Krishtin, as për Hazreti Muhamedin. Njerëzia në raste të tilla, sidomos ata që kishin përjetuar sëmundjet fatale, si murtajën, linë, kolerën, apo zinë e urisë, bëheshin bisha, dhe bisha si e tillë, nuk ndien më nevojë për Zot. Ajo  vetëm shikon si ta hajë bishën tjetër më të dobët, para se të bëhet  vetë pre e ndonjë bishe më të fortë.

Në fillim të krizës së urisë qenë shtuar hajnat, cubat, plaçkitësit, vrasësit. Edhe egërsirat sikur kishin nuhatur fatalitetin. Llavat e ujqve zdirgjeshin deri afër fshatrave dhe ulërinin deri në orët e vona të natës. Qentë lehnin të frikësuar, ndërsa frika në palcë iu kishte hyrë edhe disa familjeve të varfra që jetonin rrëzë maleve në kasolle të rëndomta. Ujqit kur mekeshin nga uria sulmonin edhe njerëzit…

Frika  e vdekjes   nga uria e  anëtarëve të familjes kishte kapluar edhe Ujkan Qirjaqin nga Malmiri. Ai kishte kushëririn e parë në Nish, për të cilin dinte se ishte gjallë dhe kishte grumbulluar pasuri, por nuk e kishte parë qysh prej disa vitesh. Atëbotë Ujkani kishte kundërshtuar largimin dhe ishte fjalosur me kushëririn e parë. Disa herë kishte menduar të shkonte dhe ta vizitonte, mirëpo nuk i bënin këmbët. Njëherë, i qe betuar në Krisht, Andre Mihalit se do të shkonte për vizitë, në kohën kur ai kishte kthyer për t’i parë të afërmit, por nuk e kishte mbajtur zotimin. Nëse atje nuk kishte zi urie, mendonte të shkonte me krejt familjen, sa për ta kaluar dimrin, por nëse e pranonin, mund edhe të mos kthehej. Njëjtë kishin menduar edhe  të afërmit e të ikurve në verë të vitit 1690, me rastin e dyndjes drejt veriut të një numri jo të vogël të krishterëve. Diçka duhej bërë para se të binte bora, në të kundërtën duhej të ushqeheshin me rrënjë bimësh, apo edhe të vdisnin urie.

Ujkan Qirjaqi kishte filluar të konsultohej me disa nga familjarët e Malmirit. Kishte biseduar me Raje Dimitrin, Todor Petrin dhe Simon Llukën, të cilët kishin po të njëjtat halle. Më tepër se gjysma e banorëve të fshatit, nuk kishin siguruar bukën, as për dy tre muaj. Gjysma tjetër mund ta shtynte pak më shumë, por do të rrezikohej nga të afërmit e tyre të varfër. Ishin vetëm tri katër familje që mund t` ia dilnin, nëse nuk iu jepnin të tjerëve.

Në fillim të tetorit të vitit 1699, Ujkan Qirjaqi dhe Raje Dimitri vendosin të bëjnë një vizitë te kushërinjtë, në koloninë e Nishit, për të cilën dinin se ishte diku në periferi të qytetit, por asnjëri nuk kishte qenë asnjëherë më parë. Me ta kishte shkuar dhe Gjuro Plaku i Ndrenikut dhe Damjan Grantulli i Sadranit. Katërshja e të krishterëve halleshumë nga Malmiri, Sadrani dhe Ndreniku, shkonin për të parë të afërmit e tyre, për të kuptuar dhe për t’u bindur  se a mund të shpresonin të kalonin atje dimrin me familjet e tyre….

Rrugën deri në koloninë e Nishit e kishin kaluar  me shumë vështirësi, duke kaptuar pyje e male dhe duke ikur gjithnjë larg e më larg kasabave apo fshatrave të mëdha, nga frika se mos autoritetet vendore mund të dyshonin se ishin cuba. Pas tri ditësh, duke fjetur nëpër male e shpella, katër shtegtarët e Drenisës arrijnë në Nish. Fillimisht qenë drejtuar te një farkëtar në periferi, të cilin e kishin pyetur për koloninë. Farkëtari, ishte një cigan, i cili  nuk e kuptonte gjuhën e shtegtarëve, por i drejton te një konak i Manastirit, që ndodhej afër. Raje Dimitri e dinte gjuhën e vendësve dhe kishte arritur të mësonte për koloninë, e cila ndodhej në pjesën e Epërme të Nishit, buzë Nishavës.

Prifti, një burrë i moshuar, lut një nga murgjit, që të merrte përsipër barrën për t`i drejtuar vëllezërit e krishterë në cakun e tyre. Pas tri orë rrugëtimi, nga periferia në hyrje të qytetit, katërshja shtegtare arrin në koloni, e cila shtrihej në dalje drejt veriut. Murgu i kishte përcjellë pikërisht në cak, në konakun e Andre Mihajl Qirjaqit, ku zakonisht në  mbrëmje tuboheshin shumica e burrave të kolonisë.

Sapo ishin panë, qenë përqafuar e puthur njerëzit e  gjakut e të fesë. Ujkan Qirjaqi nuk i kishte bërë zap lotët. Nga përmallimi kishin nxjerrë lot edhe të tjerët. Pa vonuar qe përhapur lajmi për arritjen e katër shtegtarëve nga vendlindja.           Ujkan Qirjaqi dhe Raje Dimitri nga Malmiri, Gjuro Plaku i Ndrenikut dhe  Damjan Grantulli i Sadranit, pasi qenë çmallur me të vetët zbulojnë edhe qëllimin e vizitës së tyre.

-Do ta  ndajë për gjys’ jetën e gjindjes ky dimën n’ trojet tona!- kishte thënë  Damjan Grantulli, një burrë i zeshkët, i thatë dhe i shkurtër. -Të lashtat dhe gjithë ç’ kishim na i mori thatësia. Rrugët tjera, mbyllun na i ka të gjitha,  Selim agai e semejnët e tij. Kemi mbetun si mos ma keq!

-Nuk na mjaftoi varfnia jon’ por Zoti na çoi edhe turkun qi përditë po na rjep, – vazhdon bisedën Gjuro Plaku i Ndrenikut.

-Sa për turkun, mor vlla, qe ku e kemi edhe këtu, ia kthen Andre Mihajli dhe vazhdon: edhe taksidarin e kemi, edhe sejmentë e çaushët e dreqit, tek i kemi ma të shumtë se ju atje, por falë Krishtit dhe Atit Atanasije, që ansht mbrojtësi ynë, ne u gjetme disi, dhe tash për tash nuk ka droje se do të vdesim nga uja. Por tekefundit si ka than’ Zoti, -thotë duke bërë kryq. Edhe  shtegtarët, duke aprovuar mendimin e  kushëririt të tyre kryqohen disi si me përtesë. Kjo i kishte bërë përshtypje të keqe Andre Mihajlit, i cili konsiderohej fetar i devotshëm, edhe pse nuk ishte ndër ata që shkonin rregullisht në kishë.

-Po si janë paria andej? Pyet Damjan Grantullin, Gjin Dhjaku, burrë me mustaqe dhe krejtësisht i thinjur, edhe pse s’ kishte më shumë se dyzet vjet.

-S’ka ma parsim. Gjon Lekun e Zahari Gashin i  dënuene me nga 20 vjet burg. Mark Sadranin, o e kanë varun, o e kanë internu në Besarabi, kështu flitet, po nuk di askush gjurmë të tij. Ndonji konvend t’ fshehun e mban Krap Leku, por ka frikë se mos e pësojë si i v’llai. Kishën e Ndrenikut na dogjne dhe na bane fajtorë. Në kishën e Sadranit sherben  murgu Samuil. Në Malmir vjen  njaj prift nga Kijena. Kisha e Petrashit mbeti pa sherbëtorë, sepse Dan Hazari, miku i Selim agait, nuk i duron dot kambanat e të krishtenve.  Fshatarët afër Komorës ku sundon Selim agai kanë filluar ta ndërrojnë fenë. Vetëm në Malmir asnjani prej banorëve nuk ansht ba turk…

-Po Dash  Dreni i Ndrenikut? -pyet sërish Gjini.

-Ai tashma ansht ba Abdullah, ka ndërrue fenë me krejt të vetet, por nuk na ban dam. Kqyr punet e veta, mirë me çaushat mirë me rajën.

-Po Serafim Leku?

-Edhe ai  ka ndërrue fenë, Sahit i thonë.

-Po Joakim Mhilli?

-Joakimin dhe të vllanë, Jakun, i kanë vrarë sejmenët e çaush Hasanit, nji besnik i Selim agait. —Po Shtefan Plaku

-Ai tashmë asht Sylejman Plaku.

-Duket se veç ju katër ende nuk e paskeni ndërrue fenë!- konstaton Andre Mihajli. Ndoshta edhe  juve ju kanë vue emna të tjerë, sepse pak ma parë si me dyshim keni ba kryq.

-Jo, mor vlla, nuk ansht qashtu!- ia kthen Damjan Grantulli. Në fatkeqësinë tonë të skajshme  Krishti ynë i lumnuom na ka dërguo njaj hoxhë, qi ma tepri na duket kshtenë, sesa musliman. Ansht njeri i urtë dhe  mundohet me bindje të na kthejë në fenë e tij, e kurrsesi me dhunë. Dhe, qe besa,  krejt ata qi ndërruene fenë, në radhë të parë e bane, per me perfituo, per t’ mos paguomun taksat e detyrimet, e per m’i shpëtuo kamxhikut të Selim agait. Taksat na shkretuene, e  përmes tyne na morën krejt pasuninë. Sa për fe, nuk merakoset fort turku. Veç ai, gjakatari, Selim agai na ban  jetën ferr. Po na kem hallin e zisë së ujes, qi na ka trokitun te dera.

 Derisa katër shtegtarët po hanin me padurim ushqimin, që iu kishte shtruar para Andre Mihajli, në Han kishin arritur edhe prifti Mikail, Jovan Plaku, Lizavete Dreni, Vasile Zogu e të tjerë. Të gjithë ishin përshëndetur me lot në sy dhe kishin pyetur për të vetët. Ku ishin, sa ishin, cili  kishte vdekur, cili ishte martuar, sa fëmijë kishin, sa pleq e plaka kishin tretur në botën tjetër, e të tjera. Të gjithë dukeshin të përmallur. Ata pyesnin për kishat, malet, brigjet krojet, bjeshkët, për gjënë e gjallë. Qenë përmalluar për të parë edhe gurët e vendlindjes së tyre.

Në emër të katër shtegtarëve,  Damjan Grantulli i jep sa e sa informacione atit Mikail, i cili mbante shënime për banorët e fshatrave të Drenisës jugore, ndërsa në një fletë të vjetër, me mereqepin e tij të sajuar nga lëngu i rrushit të egër, shkruante emrat e atyre familjarëve që kishin ndërruar fenë. Ai shënonte kohën, rrethanat, mënyrën e ndërrimit të fesë, me dëshirë apo me dhunë e të dhëna të tjera. Ati Mikail pyeste për mizoritë e Selim agait dhe të sejmenëve të tij, për kishat, për Manastirin e Deviqit, për ndonjë prift apo murg që e kishte njohur dhe për shumë gjëra të tjera. Ai po ashtu kishte  dëgjuar dhe donte të vërtetonte se a lejohej rrahja e kambanave në fshatrat ku kishte të krishterë, apo e kishte ndaluar turku.

Damjan Grantulli ishte përgjigjur në të gjitha pyetjet e atit Mikail.  I kishte bërë me dije se qeveritarët turq nuk e ndalonin rajën të shkonte në kishë, por kishin sjellë një ligj lidhur me kumbimin e kambanave. Nuk lejohej të binin  kambanat në fshatrat ku kishte pjesëtarë të fesë islame, Ndalohej kumbimi e kambanave gjatë muajit të shenjt të myslimanëve, në ramazan, dhe në disa raste të tjera.

Ndërkohë, pasi kishte biseduar gjerë e gjatë me atin Mikail, Damjan Grantulli kishte paraqitur një kërkesë për strehim të disa familjeve nga fshatrat e Drenisës jugore, të cilat nuk mund ta mbijetonin dimrin. Ati Mikail, por as të pranishmit nuk kishin treguar ndonjë gatishmëri të duhur për të pranuar disa familje të varfra, të cilat nga skamja nuk do të arrinin të dilnin në pranverë. Kolonët sikur ishin rezervuar, dhe për një veprim të tillë, ata shpjegonin se duhej të merrnin leje nga Ati Atanasije, e mbase edhe nga Sinodi i shenjë, meqë tokat dhe pronat e tyre ishin dhënë në shfrytëzim nga kisha.

-Ne s’ kërkojmë të ngulemi këtu, vetëm sa për ta kalue dimnin, thotë Raje Dimitri.

-Ashtu ansht or vlla, ju kuptojmë, por mos harroni se ndë tokën e huej jemi ne, -thotë me bindje Andre Mihajli, i cili tregohet tejet i rezervuar, për të pranuar kushërinjtë e rrezikuar nga uria.

-Po shoh se ket rrugë e paskemi ba kot o kusho!- i thotë Ujkan Qirjaqi.

-Nuk ansht rrugë e kotë, ju keni ardhun edhe per me na pa e per tu shmallun. Epo të njaj gjaku, gluhe, e të njaj feje jemi, nuk bahemi dot t’ huej per njani-tjetrin. Nuk ndahet thoni nga mishi, as gjaku  s bahet ujë. Mund të rrini sa të doni, në shpenzime të mia jeni. Tash për tash s’  jemi në pozitë per me iu gjegjun kërkesës. Apor ne do të pyesim Atin Atanasije dhe si t’ thotë ai, ashtu ka mu bamun.

Dy nga shtegtarët, Ujkan Qirjaqi dhe Raje Dimitri, ditë më vonë në përcjellje të Mark Qirjaqit kishin shkuar për vizitë  në fshatin Starova, në afërsi të Rashës, fshat në të cilin jetonte Uranie Qirjaqi me familjen e vet.

Urania, me të marrë lajmin e arritjes së kushërinjve nga Malmiri qe gëzuar pa masë, meqë nuk i kishte parë shumë kohë. Ajo kishte ngritur një pasuri të madhe në fshat. Duke qenë punëtore e nikoqire e mirë, Urania kishte përparuar falë edhe bashkëshortit,  Radomir, i cili punonte natë e ditë. Kishte blerë disa hektarë tokë e vreshta dhe kishte marrë në shërbim shumë rrogëtare femra të fshatit. Ndihmonte kishën, ndihmonte të varfrit. Ishte në mesin e çifligareve që kishte përparuar për një kohë shumë të shkurtër.  Nëna i kishte vdekur, ndërsa  ajo i kishte ngritur një muranë te varrezat e kishës. Vëllai, Marini, po i bëhej krah i djathtë edhe pse ende ishte i ri. Bijtë po i rriteshin të shëndoshë.  Urania, për pesë vjet pas vdekjes së burrit të parë kishte arritur jo vetëm të mëkëmbej, por kishte ngritur më shumë pasuri sesa të gjithë të shpërngulurit e Drenisës në brigjet e Nishavës.

Pasi mëson qëllimin e ardhjes së kushërinjve, ajo pranon të marrë në sigurim katër familje të varfra sa për ta kaluar dimrin, Përveç dy kushërinjve nga Malmiri, ajo pranonte të merrte edhe dy familje të tjera skamnore të fshatrave, Sadran e Ndrenik. Ujkan Qirjaqit i kishin shpëtuar lotët  nga ngashërimi. Më në fund kishte siguruar jetën e tetë anëtarëve të familjes. Kishte falënderuar kushërirën, të cilën e kishte përqafuar si motër, kishte bërë kryq sa e sa herë dhe nuk arrinte të ndalte lotët e përmallimit. Urania, për  atë vendim bamirësie, nuk kishte pyetur burrin, as kishte marrë fare pëlqimin e tij. Kjo tregonte se ajo ishte çifligarja e vetme, zonja e vetme e një çifligu, të cilin e drejtonte me shumë sukses.

Kontrolloni gjithashtu

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Bab’, ma gjej “Hamletin” Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot …