Zoja Pali, është këngëtarja, e cila i këndoi me përkushtim të jashtëzakonshëm, Enver Hoxhës I

Zoja Pali, është këngëtarja, e cila i këndoi me përkushtim të jashtëzakonshëm, Enver Hoxhës I

Në një intervistë për PanoramA, mësuesja këngëtare, Zoja Pali ka treguar historinë e saj të këndimit, veçmas të këngës,  “Fjalë prej zemre”, që i kushtohej, Enver Hoxhës, të cilën e kishte  kënduar në Festivalin e Gjirokastrës, në vitin 1983 dhe kishte marrë çmimin e parë.

Me këtë rast mbase edhe do t’ i besojmë intervistës së këngëtares, Zoja Pali, për faktin se nuk e ka kënduar me dëshirë këngën e Enver Hoxhës,  por  a duhet  t’ i besojmë edhe intervistueses, Ermira Isufaj, e cila konstaton se Zoja Pali paska qenë “e detyruar” t’i këndonte Enver Hoxhës në ditën e lindjes së tij, më 16 tetor të vitit 1983, pavarësisht se nuk ishte këngëtare.(!)

Të jesh këngëtar apo artist i nivelit më të lartë interpretues në kohën e Enver Hoxhës, ishte e arritura më e madhe jetësore. Gënjejnë dhe gënjejnë shumë ulët ata kameleonë që ndërrojnë ngjyrë për përfitime çasti, por çasti, cilido qoftë ai nuk të bën përnjëherë, artist apo krijues të njohur, përbeç se sharlatan,  pasi për t’ u bërë i njohur e për të arritur majat, duhet punë, mund, duhet të kalosh në sa e sa vështirësi me qëllim që t’ ia dalësh dhe janë krejt pak ata që ia dalin e shumë të tjerë që ngelin në rrugë.

Disa nga këngëtarët që i kanë kënduar me zemër e shpirt, Enver Hoxhës, të gjendur nën presion e kritikës fashiste e falangiste në vitet 90-të, e këndej  janë detyruar ta ulin kokën duke arsyetuar se kishin kënduar prej zori. Disa nga më trimat që i kishin shërbyer Enverit. Ashtu si  qeni padronit, donin të konvertoheshin  brenda natës dhe nga besnikë e ithtarë fanatikë  u kthyen në sharës e mohues, po aq fanatik.

Disa e mohojnë tani,  ashtu si Shën Pali kishte mohuar Krishtin, disa të tjerë e shajnë  dhe e fyejnë edhe pse i kishin kënduar me zemër e dashuri. Pak prej tyre kanë ruajtur burrërinë, nderin, respektin, njerëzinë dhe nuk e shajnë prijësin,  që kishte nxjerrë Shqipërinë nga errësira mesjetare dhe e kishte bërë evropiane në të gjitha segmentet. Vetëm një krahasim kalimthi.

Të shkrish sot të gjitha grupet e këngëtarëve të ka Shqipëria, nuk e nxjerrë dot  cilësinë e profesionalizmin e shfaqjes së një nate të vetme  të Festivalit të Gjirokastrës sa i përket profesionalizmit, përkushtimit të këngëtarëve për këngë, seriozitetit në këndim, përmbajtjes së këngëve, prezantimin madhështor  të skenave, entuziazmin e pa përmbajtur të publikut, për të cilin tani thuhet se paskësh improvizuar.

Mësuesja pukjane, Zoja Pali, pavarësisht intervistës të cilën duket sheshit, se 5 vjet më parë  e ka dhënë për të mos ia prishur qejfin intervistueses,  ndërsa  ajo për të mos ia prishur qejfin kryeredaktorit të gazetës,  PanoramA, kanë bërë qejf për vete, por të vërtetën e dinë më së miri vetë ata dhe të gjithë ata që mendojnë esëll dhe nuk gënjehen nga profkat e përpjekjet për ta deformuar kohën, historinë, të kaluarën.

Njeriu qan prej zori, bërtet, pisket, hakërrohet, shëmtohet, çirret por nuk këndon prej zorit, përveç kur improvizon. Mund të këndohet një këngë pa dëshirë, po atë e hetojnë  shikuesit e dëgjuesit, të cilët të fishkëllejnë të përbuzin, t’ i vënë brirët…

 

Por si kanë mundur të këndojnë këngë për partinë dhe Enver Hoxhën mijëra këngëtarë nga zori?

 

Po si mund të këndohet një këngë me krejt fuqinë e shpirtit, të zërit, të përkushtimit, pa pasur motiv, pa pasur  zemër, talent, arsimim përkatës dhe krejt kjo të bëhet prej zorit?.

Sipas këtij paragjykimi të çoroditur, del se krejt shqiptarët paskan kënduar prej zori. Nëse ka ndodhur kështu duhet pranuar edhe faktin tjetër, se krejt ata paskan qenë hipokritë dhe të pa ndërgjegje.

Nuk ka këngëtar serioz dhe i njohur në botë që pendohet për këngët që i ka kënduar, mund të pendohet vetëm nëse nuk ka kënduar, aq sa ka mundur e sa ka ditur.

 

Koment lidhur me konstatimet e intervistueses

Intervistuesja:

Historia e mësueses pukjane, e cila u detyrua të këndojë në Festivalin e Gjirokastrës së vitit 1983 me urdhër direkt nga Komiteti Ekzekutiv i Partisë së Punës së Shqipërisë. “Fjalë prej zemre”, kënga e shkruar enkas për udhëheqësin Enver Hoxha, u këndua ditën e lindjes së tij në Festivalin e Gjirokastrës, ndërkohë strofa e parë u ndryshua me “porosi nga lart”, vetëm dy orë përpara nisjes së aktivitetit artistik muzikor. Ndërsa një tjetër këngë e dedikuar për Ramiz Alinë trazoi ujërat e Festivalit Folklorik, çka më pas çoi deri në anulimin e transmetimit të saj në radio e televizione—-   

T’i thoshe “jo” një urdhri të partisë, duhej të merrje parasysh pasojat. Gjithçka politizohej dhe nga njëri moment në tjetrin e shihje veten atje ku nuk e kishe menduar. Nëse partia të thoshte të këndoje, atëherë ti do këndoje, pavarësisht në kishe apo nuk kishe zë. Aq më tepër nëse bëhej fjalë për ditëlindjen e diktatorit.

Kështu e fillon konstatimin gazetarja Ermira Isufaj për ta zbuluar  vetë më poshtë dilemën e saj  duke vazhduar se “I tillë duket të jetë” (jo ishte) edhe rasti i mësueses së ciklit të ulët, e cila u detyrua t’i këndonte Enver Hoxhës në ditën e lindjes së tij, 16 tetor të vitit 1983.

Gazetarja ka folur me hamendje, ka keqpërdorur profesionin, ka paragjykuar sidomos kur bën një krahasim krejtësisht të paqëndrueshëm…

Dhe nuk bëhet fjalë për një rast si ai i Marilyn Monroe, e cila i këndoi J.F. Kennedy-t: “Happy birthday mister President!”.

 

 Ja ku shkel në dërrasë të kalbur gazetarja,  e cila tregon për rastin e artistes së Holivudit  e cila kryetarit amerikan Xhon Kenedi i paskësh kënduar  këngën “Urime ditëlindja  z. kryetar”.

Zoja Pali nuk ishte si  zonja Monro,  as Enver Hoxha,  Xhon Kenedi. Duke u munduar të tregohet shumë e ditur gazetarja shëmton vetveten, sepse në të kaluarën nuk kishte vend në botë ku nuk i këndohej kryetarit.

Sipas saj, Zoja Pali ka gabuar rëndë që i paska kënduar Enver Hoxhës, por nuk paska gabuar fare aktorja, Merlin Monro që i kishte kënduar Xhon Kenedit  dhe  ishte edhe dashnorja, për të mos thënë prostituta e  tij.

Në rastin konkret kemi një mësuese, këngëtare shqiptare, me një histori të pastër familjare, e cila për kohën kur flet nuk mund të mos ketë pasur respekt për Enver Hoxhën, prijësin e Shqipërisë dhe të krejt shqiptarëve, që tani e quan diktator, sepse ashtu e quajnë profashistët e prosllavët, në Shqipëri, sepse kështu e kanë bërë modë ta quajnë  sharësit e hipokritët, që dikur vetëm  shtrëngimin në shumë çaste të rastësishëm  të dorës  së Enverit,  e shënonin si të arritur jetësore.

2.

Këngëtarja e talentuar pukjane, Zoja Pali, për dyzet vjet rresht  është këngëtarja ndër më të popullarizuarat në skenën e këngës shqipe,  ku nuk ka qenë përherë e pranishme. Ajo nuk ka kënduar vetëm një këngë (nga zori dhe pa dëshirë) dhe jo  vetëm për Enver Hoxhën.  Ajo ka kënduar këngë për Skënderbeun, për Pjetër Bogdanin për “Shqipërinë që i qofshim falë” e sa e sa këngë të tjera. Ka kënduar dhe këndon edhe me këngëtarin po ashtu shumë të talentuar,  Fran Pali.

Këngëtarja, Zoja Pali,  ka zërin si gurgullima e lumenjve që derdhën tërë energji nga Majat  e Apleve shqiptare. Këndon me tërë fuqinë e zërit dhe me  tërë përkushtimin e mundshëm që ia mundëson “aparati i të folurit”, nga ku buron edhe “aparati i këndimit”. Thellësitë e tingujve që nxjerrë ajo gjatë këndimit, janë të rralla dhe krejt të veçanta.

Zëri i saj  shkrihet me jehonën e tingujve të këngëve shekullore shqiptare, është zëri që ushton brigjeve e majave të larta, që mban jehun e  fushave e pllajave të Atdheut, është zëri që çan eterin dhe begaton zërat e natyrës që marrin  e japin, ashtu si kuantet, ashtu  si sinjalet elektronike.

Me fuqinë e zërit të lindur, me talentin e qasjes ndaj këngës, në momentin më sublimues,  ajo ka kënduar këngën, “Fjalë prej zemre”, për të cilën jam tepër i sigurt as e ka kënduar as mund ta këndojë me aq përkushtim,  ndonjë këngëtare apo këngëtar tjetër, qoftë shqiptare, greke apo e çfarëdo kombësie, përveç ndoshta Roza Eshkenazit, apo Marika Papagjikës po  të kishin qenë ishin gjallë. Zoja Pali  e ka shkrirë qenien e  shpirtin e saj gjatë këndimit, ka dhënë edhe pikën e fundit të atomit të zërit që del nga bronket, dhe që është njëzuar me këngën deri në ekstazë, gati-gati në dëlir dhe për ironi, krejt kjo paska qenë prej zori! Më vjen keq prej kësaj këngëtareje, nëse rastësisht i lexon këta rreshta, por dielli nuk zihet me shoshë… Ajo ka kënduar me zëmër një këngë “zemre” për Enverin dhe do të duhej të ndihej më krenare se kurdo të ketë qenë në jetë, por kjo është e drejta e saj të gjykojë, neve na mbetet të konstatojnë e të argumentojnë me gjuhën e fakteve me analizën profesionale e shkencore.

Është edhe këngëtarja mirditore, Mrika Trumshi, që këngën e këndon nga thellësia e shpirtit, me tërë qenien.  Por duket se Mrika  ka pasur “fat që nuk e kishin detyruar”  të këndonte këngë për Enver Hoxhën por e “kishin detyruar” të  këndonte “Xhamadanin e trimërisë” për Mic Sokolin. As Arif Vladi, që duket paksa i penduar që i ka kënduar Enver Hoxhës, nuk ka arritur të këndojë për Enver Hoxhën, ashtu sikur ka kënduar Zoja Pali. Edhe shumë këngëtarë të tjerë që i kanë kënduar me shiprt e zemër  Enver Hoxhës, si: Naile Hoxha, Drane Gega, Tomë Nikolla, Salih Mani, Frrok Haxhia, Feride Kurti, Fatime Sokoli dhe  disa qindra të tjerë, më pak të njohur, nuk kanë arritur dot nivelin fascinues, ekzaltues, mrekullues, sikur e ka arritur, Zoja Pali me këngën e “Zemrës”.

Ahmet Qeriqi

Prishtinë

  1. 12. 2o21

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Aeroplanët e NATO-s, gabimisht sulmojnë popullatën e dëbuar shqiptare në afërsi të Gjakovës (E enjte 15 prill, 1999)

Ahmet Qeriqi: Aeroplanët e NATO-s, gabimisht sulmojnë popullatën e dëbuar shqiptare në afërsi të Gjakovës (E enjte 15 prill, 1999)

Lajmet  që shkëpusim nga agjencitë e huaja dhe nga terreni bëjnë të ditur se edhe …