Zyra e Rregullatorit për Energji, ka reaguar ndaj deklaratave të deputetes së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, e cila pas një takimi me këtë institucion tha se “vetëm Qeveria mund ta shtyjë vendimin për shtrenjtimin e rrymës”. Në një reagim zyrtar të publikuar në faqen e ZRrE-së, theksohet se këto deklarata janë të pasakta dhe nuk qëndrojnë në përputhje me kornizën ligjore që rregullon sektorin e energjisë në Republikën e Kosovës. Sipas ZRrE-së, vendimet për tarifat janë kompetencë ekskluzive e këtij institucioni të pavarur, dhe asnjë organ tjetër, përfshirë Qeverinë, nuk ka mandat ligjor për t’i shtyrë apo anuluar ato. “Qeveria mund të ndikojë në uljen e ndikimit të faturave vetëm përmes mekanizmit të subvencionimit direkt te konsumatorët, por kjo nuk përbën vendimmarrje rregullative”, thuhet në sqarimin e ZRrE-së. LDK-ja kishte dorëzuar sot një kërkesë zyrtare në ZRrE për anulimin e vendimit për rritjen e tarifave të energjisë elektrike. Deputetja Bajrami, pas takimit, u shpreh se nuk kishte marrë një përgjigje pozitive për këtë kërkesë dhe se, sipas saj, vetëm Qeveria mund ta ndërhynte në shtyrjen e vendimit për çmimet e reja. ZRrE nënvizon se do të vazhdojë të monitorojë të gjitha proceset për të siguruar mbrojtjen e konsumatorëve dhe respektimin e standardeve ligjore dhe tarifore në fuqi.
