Zv.Ministri i Mbrojtjes Shemsi Syla, ka marr pjesë në Konferencën Ndërkombëtare “Mbrojtja dhe siguria kibernetike – Evropa Juglindore”, në Bullgari.

Me ftesë zyrtare të autoriteteve zyrtare të platformës së njohur izraelite “Improvate”, Zv.Ministri i Mbrojtjes Shemsi Syla, në emër të Ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka marr pjesë në Konferencën Ndërkombëtare “Mbrojtja dhe siguria kibernetike – Evropa Juglindore”, në Bullgari.

Zv. Ministri Syla në sesionin kryesor të konferencës, mbajti fjalimin e tij para audiences së gjerë, në mesin e të cilëve ishin personalitete e autoritete të larta zyrtare të shteteve të Evropës Juglindore, ndër ta edhe të ftuarit special, i famshmi Garri Kasparov si anëtar i Bordit këshillues të Improvate dhe ish- Presidenti i Bullgarisë, Rosen Plevneliev.

Në fjalimin e tij, Zv. Ministri Syla, ndër të tjera theksoi se “Kosova, ngjashëm me të gjitha shtetet e rajonit, ka parë nevojën e zhvillimit të kapaciteteve dhe procedurave për mbrojtje kibernetike, duke parë zhvillimet e fundit të teknologjisë dhe duke parë rreziqet që ju kanosen institucioneve dhe qytetarëve nga përdorimi në rritje i teknologjisë.

Ai gjithashtu, potencoi se agresioni rus në Ukrainë ka trazuar situatën gjeo-politike globale, me theks të veçantë në mbrojtje dhe kibernetikë.

“Ndryshimet gjeopolitike në vazhdën e luftës në Ukrainë dhe paqëndrueshmëria pasuese në Evropën Qendrore dhe Lindore kanë rezultuar në ndryshime të rëndësishme në politikat ushtarake të vendeve evropiane dhe një rritje masive të shpenzimeve të mbrojtjes. Qeveritë po i japin përparësi prokurimit në një sërë fushash, veçanërisht në aftësitë kibernetike dhe mbrojtjen”.tha ndër të tjera Zv. Ministri Syla.

Në margjina të konferencës, Zv.Ministri Syla, ka takuar pjesën më të madhe të autoriteteve më të rëndësishme të pjesëmarrësve, përfaqësuesve të lartë nga ministritë e mbrojtjes dhe ushtritë e vendeve të rajonit dhe Evropës, në konferencë si: Garri Kasparovin dhe ish –Presidentin bullgar Plevneliev, ish- ministrin e Punëve të Jashtme dhe ish-shefin e forcave izraelite, Gjeneralin Gabi Ashkenazi, zëvendësministrin e Mbrojtjes së Maqedonisë së Veriut, Bashkim Hasanin, ish-ministrin bullgar të mbrojtjes, Prof. Todor Tagarev, kryetaren e organizatës Improvate, Irina Nevzlin, komandantin e Marinës Bullgare, Kundëradmiralin Kiril Mihaylov, ish-kryeministrin e Maqedonisë së Veriut , Vllado Buçkovski, drejtorin ekzekutiv të Institutit për Politika dhe Strategjia (IPS) në IDC, Gjeneral Major Maj. Gen. (Res.) Amos Gilead, ministrin bullgar të Qeverisjes Elektronike, Bozhidar Bozhanov, kryetaren e Bashkisë së Sofjes, Yordanka Fandakova, ish-drejtoreshën e përgjithshme të Drejtorisë Kombëtare Kibernetike të Izraelit, Yigal Unna, Ambasadorja e Shqipërisë në Bullgari, Donika Hoxha etj.

Kjo konferencë u vlerësua shumë e rëndësishme në spektrin e angazhimeve të përbashkëta të vendeve të Evropës Juglindore dhe aleatëve në kuadër të masave të reja dhe sistemeve bashkëkohore që ofron industria izraelite e mbrojtjes në përballje me kërcënimet dhe rreziqet e mjedisit të sigurisë nga sulmet kibernetike.

Gjatë konferencës dyditore Zv.Ministri Syla u shoqërua nga ambasadori i Republikës së Kosovës në Bullgari, Delfin Pllana dhe oficeri i FSK-së, Kapiten Genti Koçinaj.

Kontrolloni gjithashtu

Shoqata “Kosova për Sanxhakun” e njofton opinionin publik dhe institucionet relevante për një rast të ndjeshëm kulturor dhe kombëtar që ilustron gjendjen e shqiptarëve autoktonë në Sanxhakun e Pazarit të Ri. Rrafshnalta e Peshterit, një trevë e rëndësishme në Sanxhak, me mbi 95 për qind të popullsisë myslimane me prejardhje shqiptare, u okupua nga Serbia dhe Mali i Zi në vitin 1912. Në më shumë se 200 vendbanime të kësaj zone, edhe sot në disa fshatra dëgjohet gjuha shqipe, e cila ka mbijetuar, pavarësisht mohimit të identitetit kombëtar dhe të drejtës për vetëdeklarim. Një rast i tillë është ky i fshatit Ugëll (Ugao), në kufi me Malin e Zi, ku banorët na kanë dërguar fotografi të të dy epitafeve të shkruara në gjuhën shqipe për Fatë Aliçkaj (1910–1966), e lindur në Jezgroviq të komunës së Tutinit dhe e vendosur në Ugëll. Epitafet janë përgatitur për të shënuar varrin e saj në varrezat e fshatit Ugëll, por për arsye ende të paqarta nuk janë vendosur kurrë. Dyshohet se për shkak të tekstit të epitafit në gjuhën shqipe, familjarët nuk kanë pasur guximin t’i vendosin ato. Kjo po ndodh pavarësisht faktit se në kohën e vdekjes së saj, gjuha shqipe flitej nga të gjithë banorët e zonës. Në emër të Kryesisë së Shoqatës “Kosova për Sanxhakun”, i drejtohemi Ministrisë për Evropë e Punë të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, respektivisht Ambasadës së Republikës së Shqiptare në Beograd, që ta vizitojnë këtë fshat dhe të njihen nga afër me gjendjen e të drejtave të shqiptarëve në Sanxhak. Shoqata jonë ka nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi me Këshillin Kombëtar Boshnjak (BNV), përmes së cilës ka status participues e konsultativ në këtë institucion dhe vepron në Sanxhak. Rasti i epitafeve është vetëm një nga qindra shembuj të diskriminimit që pengon zhvillimin e jetës normale në këtë krahinë të banuar me shqiptarë autoktonë. Ismet Azizi Kryetar i Shoqatës “Kosova për Sanxhakun”

“Kosova për Sanxhakun”: Rasti i epitafit në gjuhën shqipe në fshatin Ugëll të Peshterit në Sanxhak

Shoqata “Kosova për Sanxhakun” e njofton opinionin publik dhe institucionet relevante për një rast të …