leoni

Zymer Ujkan Neziri: Një monument për Malësinë e Gjakovës dhe për Mulosmanët e Fangut të Krasniqes, nga Zog Hysenaj

Zymer Ujkan Neziri: Një monument për Malësinë e Gjakovës dhe për Mulosmanët e Fangut të Krasniqes, nga Zog Hysenaj

(Zog Hysenaj, Dy anët e kullës me dy anë: Kullat ku lexohet historia, triadë publicistike-letrare-historike, redaktor Halil Buçpapaj, recensues prof. dr. Zymer U. Neziri, ’’Kristalina-KH’’, Tiranë, 2017, 776 f.)

Një triadë qëndron në krye të veprës së Zog Hysenajt: skllavëria, gënjeshtra dhe protesta. Ato  janë në fillim të fillimit. Ashtu është nisja e librit të tij. Autori, ato ia qet përpara lexuesit. Vërtet, mbi disa triada është ndërtuar e tërë vepra, si koha historike, ashtu edhe personazhet kolektive dhe personazhet e mëdha kombëtare. Por, fillimi dëshmon se ai ka nisur një luftë për të vërtetën, një luftë që shtrihet në tërë librin, deri në përfundimin e tij, me titull Dy anët e kullës me dy anë: Kullat ku lexohet historia. Janë Mulosmanët në qendër të vëmendjes së tij, se ”çfarë bënë ata për kombin dhe pse pësuan disa herë ndarje krejt të pabesueshme”. Kjo e dyta ishte detyrë e vështirë për autorin, madje edhe shokë e miq, thoshte, më kanë këshilluar se është jo vetëm e vështirë por edhe e pamundur është shndritja e plotë e kësaj ane të dytë të Mulosmanëve të Fangut të Krasniqes të Malësisë së Gjakovës.

Autori, për hartimin e librit ka grumbulluar aqë shumë materiale dëshmuese: bibliografike, arkivore, hulumtime terreni, këngë e tregime popullore, si dhe të dhëna nga mbamendja personale, që janë aq shumë sa mjaftojnë edhe për disa monografi: materiale arkivore institucionale e familjare; dokumente të shek. XIX-XX; intervista dhe hulumtime në terren: Malësia e Gjakovës (Gash, Krasniqe e Bytyç), Nikajt e Mërturi, Dukagjini (Shalë, Shosh etj.), pjesërisht Kelmendi, si dhe Rrafshi i Dukagjinit, sidomos ana e sipërme e tij, kryesisht krahina e njohur e Rekës, po edhe pjesërisht Llapusha e Drenica; artikuj të botuar historik, publicistik, letrar, libra të botuar historik, publicistik, letrar; këngë popullore epike historike të periudhës së Rilindjes Kombëtare, të disa cikleve të shek. XIX-XX; tregime popullore nga Malësia e Gjakovës, Nikajt e Mërturi, Dukagjini dhe Rrafshi i Dukagjinit; anekdota, po ashtu nga Malësia e Gjakovës, Nikajt e Mërturi, Dukagjini dhe Rrafshi i Dukagjinit.

Para leximit të dorëshkrimit, të cilin e mora nga autori, më 3 shtator, në Institutin Albanologjik të Prishtinës, kam pritur se ai ka shkruar një monogarfi për Binak Alinë, atdhetar e pleqnar, dhe për brezin e tij. Por, posa e pashë librin dhe përmbajtjen e tij, vërejta se lloji i këtij  libri, aq i madh e me aq shumë të dhëna për Binak Alinë, për Mulosmanët edhe për Malësinë e Gjakovës e me gjerë, të jep pak siguri që të përcaktohesh se ku e ka vendin në llojet tipologjike të librave të këtillë. Tri javë pas përfundimit të leximit dhe të mbajtjes së shënimeve, si dhe nga vetë titulli i tij, po edhe nga përmbajtja, mënyra e stili i shkrimit, dukej se përcaktues i llojit del afërsisht se ai është kryesisht publicistik-letrar-historik. Një triadë, krahas emrit simbolik kullë, që në aspektin poetik del si një varg poezie nga titulli Dy anët e kullës me dy anë: Kullat ku lexohet historia.

 Nuk e di se kur e kam takuar së pari autorin Zog Hysenaj, ndonëse në Malësi të Gjakovës kam qenë aq shumë herë, sa nuk e mbaj mend, pra, rregullisht nga viti 2003, në shumë ekspedita kërkimore shkencore, po edhe për raste të tjera. Por, sivjet në takimin shkencor për Kcimin e Tropojës, në Bajram Curri, në dimër, e takova dhe biseduam më gjatë edhe për dorëshkrimin e tij, për Malësinë e Gjakovës e për Krasniqen,  për Binak Alinë e për Mulosmanët. Natyrisht, i premtova se dorëshkrimin do ta lexoj dhe do të shkruaj një recension për të, përkundër shumë punëve që kam nëpër duar. -Po, i pata thënë: do të bëhem me kënaqësi recensues i këtij libri. Së fundit, e takova në Prishtinë vetëm tri javë para se ta merrte vdekja e papritur.

Janë me interes për analizë triadat e autorit në këtë vepër, siç shihet edhe në fillim të librit, të ndërtuara mbi shtyllën e figurave të mëdha kolektive dhe të ngarjeve  të mëdha: triada e ndërtuar mbi shtyllën me tri figura të mëdha kolektive: Mulosmanët; Malësia e Gjakovës: Gash, Krasniqe e Bytyç; krahinat përrreth Malësisë së  Gjakovës, e dyta; pastaj, e treta, triada e ndërtuar mbi tri periudha të mëdha kolektive, ngjarje të Rilindjes Kombëtare: para Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, gjatë Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Dhe, në fund, triada, në përmbyllje të librit: ngjarje pas vitit 1912, ose triada e ndërtuar po nga tri periudha të rëndësishme të historisë sonë më të re: luftërat ballkanike; ngjarje ndërmjet dy luftërave botërore dhe koha e sundimit të mbretit Zog; ngjarje pas Luftës së Dytë Botërore dhe periudha e ndërtimit të socializmit.

Te autori Zog Hysenaj vërehet edhe një triadë e ndërtuar mbi shtyllën me persona të mëdhenj të historisë: Binak Alia me paraardhës e pasardhës; Mic Sokoli dhe brezi i tij; Bajram Curri dhe koha e tij. Te ndërtimi i personazheve ka portrete fizike, por  më shpesh janë portrete etike e morale, me përshkrime plastike. Gjuha e librit është e afërt, me renditje sistemore të mendimeve, nga hyrja e deri te përfundimi. Stili është i lehtë, i kuptueshëm, i arsyeshëm, madje edhe kur autori del meditues, e jo rrallë e dhe dyshues, por objektiv.

Vlerësimi i historisë dhe kriteret që i ka përfillur autori janë: realiteti, preokupim kryesor i tij; objektiviteti, parim kryesor i hartimit të librit; e vërteta, kriter themelor i pasqyrimit të personazheve e të ndodhive; qëndrimi kritik ndaj ngjarjeve dhe ndaj personaliteve; kritikues i vlerësimeve që duhen rivlerësuar. Vlen për të përdemendur edhe disa dilema e probleme të shtruara për zgjidhje: si u vra Bajram Curri, si u vra Jahë Salihi, sa çon peshë problemi i martesave te Mulosmanajt etj.

Autori, Zog Hysenaj, ashtu si në fillim të librit, Dy anët e kullës me dy anë: Kullat ku lexohet historia, ku kishte nisur një luftë për të vërtetën, një luftë, ku Mulosmanët janë në qendër, ata që kishin bërë aq shumë për kombin, por edhe që kishin pësuar disa herë ”ndarje krejt të pabesueshme”, në fund përfundon se ”gabimet, që i kanë kushtuar shtrenjtë familjeve të mëdha, apo fiseve e kombeve, duhet cekur dhe duhet thënë me guxim, e nëse bëhet kjo, historia do të jetë më reale.” Kjo, e dyta, ishte detyrë e tij. E vërteta është se ai deri në vdekjen e vet të papritur nuk iu nda kësaj detyre të vështirë. Ky ishte guximi i tij dhe synimi i tij intelektual. Libri ishte projekt i tij jetësor, prandaj kjo vepër nxit historianët, publicistët e letrarët, pasuron fondin e librave për Malësinë e Gjakovës dhe të historisë së saj në dy shekujt e fundit, sidomos për Binak Alinë dhe Mulosmanët e Fangut të Krasniqes të Malësisë së Gjakovës.

Prishtinë, më 15 nëntor 2015

Kontrolloni gjithashtu

Veterani i arsimit dhe i luftës së UÇK-së, Ramadan Rizani, nxori në dritë dy përmbledhje poetike: “Mos mi hap plagët e reja” dhe “Ç’faj kam unë”

Pas botimit të librit publicistik, “Krojmiri, strehë për mijëra të zhvendosur gjatë luftës”, në vitin …