Me 1 Gusht, shteti Helvetik Zvicra, kremton Ditën e saj Kombëtare ku jetojnë në harmoni të plotë etnitë e ndryshme si pjesë përbërëse të saj. Etnitë më të madha në numër janë gjermanofonet, pastaj frankofonet, italianofonët në vazhdim retroromanet si dhe etnitë e huaja (auslanderet, Fremde persona), me status të ndryshëm qëndrimi në këtë shtet dhe shoqëri. Nga etnitë e huaja në Zvicër prijnë Gjermanet, Italianët, Spanjollët, Portugezët, Turqit, shqiptarët etj.
1 gushti, është një akt historik që përkujton themelimin e Konfederatës Zvicerane siç e njohim sot Konfederatën Helvetike. Rrënjët e Zvicrës së sotme datojnë që në vitin 1291, kur tre kantone së bashku nënshkruan marrëveshje, besëlidhjen (Der Rütlischwur), në mes të tri Urkantone: Uri, Schwyz dhe Unterwalden.
Ky dokument u hodh në letër në një kohë kur këto tre zona kërkonin të mbroheshin nga kërcënimet e jashtme, si ajo e Perandorisë Romako- Gjermane, Römisch-Deutsches Reich e njohur si Altes Reich, Deutsche – Romanische reih.
Legjenda thotë (pra mbetet mes historisë dhe mitologjisë), se një grup burrash të vendosur dhe të përkushtuar ndaj lirisë, u mblodhën në livadhin e Rütlit, pranë liqenit të Lucernit, ku bënë Besëlidhjen, një betim ky për besnikëri dhe aleancë të ndërsjellë.
Edhe pse Karta Federale daton në fundin e shekullit XIII, ajo u zbulua vetëm në vitin 1758. Vetëm në fund të shekullit XIX, autoritetet zvicerane e shpallën këtë dokument si bazën mbi të cilën ishte ngritur shteti i tyre, pra që nga ajo ditë, 1 gushti në Konfederatën Zvicerane kremtohet si dita nacionale e këtij shteti.
Përfundimisht, në vitin 1993, qytetarët zviceranë votuan që kjo datë të shpallej festë zyrtare kombëtare dhe që nga viti 1994 ajo u njoh edhe si ditë pushimi në tërë territorin e Konfederatës Helvetike- Confederate Helvetik- CH.
Sot, kjo ditë festohet me shumë entuziazëm, si brenda kufijve të Zvicrës ashtu edhe nga komunitetet zvicerane jashtë vendit. Tradita të zakonshme përfshijnë ndezjen e zjarreve simbolike, hedhjen e fishekzjarrëve dhe përdorimin e fenerëve prej letre që ndriçojnë natën festive.
CH-01-08-2025
Mehmet Bislimi