Më 25 gusht 2015, në Bruksel u nënshkruan katër marrëveshje të rëndësishme në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Nën praninë e shefes së atëhershme të diplomacisë evropiane, Federica Mogherini, delegacionet e të dyja palëve nënshkruan marrëveshjen për Telekomunikacionin, Energjinë, lirimin për qarkullim të urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë si dhe për asociacionin e komunave me shumicë serbe. Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, kishte theksuar se “Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk do të ketë asnjë kompetencë ekzekutive” dhe se të gjitha marrëveshjet janë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Në të njëjtën linjë, ishte edhe ish-ministri i Jashtëm Hashim Thaçi, ai kishte deklaruar se marrëveshjet nuk cenojnë rendin kushtetues të vendit. Megjithatë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kishte insistuar se asociacioni do të funksionojë si një strukturë me kryetar, nënkryetar, kuvend, këshill, stemë dhe flamur. Ai ka theksuar se kjo strukturë do të ketë rol vendimmarrës në fushat e shëndetësisë, arsimit, planifikimit urban dhe rural, si dhe zhvillimit ekonomik, ndërsa Serbia do të ketë të drejtë ta financojë pa paguar tatime apo taksa. Përkundër kalimit të një dekade, interpretimet e ndryshme mbi marrëveshjen për asociacionin vazhdojnë të mbeten një nga çështjet më të debatuara në dialogun Kosovë–Serbi.
