117 vjet nga Kongresi i Manastirit – Rama uron Ditën e Alfabetit: “Shqipja është univers identiteti e kulture”

Sot shënohen 117 vjet nga unifikimi i alfabetit shqip, një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë kulturore e kombëtare të shqiptarëve. Dita e Alfabetit, e cila lidhet me vendimet historike të Kongresit të Manastirit të vitit 1908, po përkujtohet sot në të gjithë hapësirën shqiptare. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka uruar Ditën e Alfabetit me një mesazh ku vlerësoi rolin themelor të gjuhës shqipe për identitetin e kombit. Ai e cilësoi këtë ditë si momentin që “vulosi shqipen” përtej funksionit gjuhësor, duke e shtrirë atë në dimensionet e identitetit, mendimit dhe kulturës. “Gëzuar Ditën e Alfabetit, ditën që vulosi shqipen jo vetëm si kod gjuhësor, por si një univers identiteti, mendimi e kulturash në rrugën drejt së ardhmes ku fjala shqipe vazhdon të ndërtojë historinë e një kombi që shpirtin e ka te gjuha”, shkroi Rama. Kongresi i Manastirit, i mbajtur mes datave 14–22 nëntor 1908, mblodhi 50 delegatë nga 26 qytete, si dhe përfaqësues të klubeve e shoqatave të kohës. Vendimi historik i këtij Kongresi ishte miratimi i alfabetit latin me disa përshtatje fonetike për gjuhën shqipe – një hap vendimtar drejt standardizimit, arsimit kombëtar dhe formësimit të identitetit modern shqiptar.

Kontrolloni gjithashtu

Marta Kos takoi liderët e vendeve të Ballkanit në Tiranë

Komisionarja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, takoi liderët e vendeve të Ballkanit për …