Në ditën e 132-të, të bllokadës institucionale, partitë politike ende nuk kanë dhënë sinjale për tejkalim të krizës. Në selinë e Partisë Demokratike të Kosovës në Prishtinë është mbajtur një mbledhje disa orëshe e kryesisë dhe e grupit parlamentar, por pa ndonjë vendim që do të mund të ndryshonte qëndrimet. Deputetja Vlora Çitaku deklaroi se nuk pritet ndonjë befasi në vazhdimin e seancës konstituive. Nga ana tjetër, Lëvizja Vetëvendosje ka akuzuar PDK-në, se po përdor pretekste për të penguar zgjedhjen e krye parlamentarit dhe konstituimin e Kuvendit. Deputeti i VV-së, Adnan Rrustemi, tha se PDK-ja është në koordinim me Listën Serbe, me synim që të bllokojë këtë proces dhe të krijojë mundësinë për një qeveri të pakicës. Deputetët kanë edhe 24 ditë afat kushtetues për të përmbyllur konstituimin e Kuvendit. Sipas aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, votimi për krye parlamentarin duhet të jetë i hapur dhe i njëjti kandidat nuk mund të propozohet më shumë se tri herë.
