Sadik Halitjaha: AKADEMI NË NJË VJETORIN PËR AHMET QERIQIN

Sadik Halitjaha: AHMET QERIQI – NJË JETË NË VEPRIMTARI KOMBËTARE

Të nderuar të pranishëm
. . . . . .

Për biografinë e profesorit, bashkëveprimtarit dhe bashkëluftëtarit foli luftëtarja e lirisë, znj. Elmie Plakiqi.

AHMET QERIQI – NJË JETË NË VEPRIMTARI KOMBËTARE

Kur flasim për njeriun shumëdimensional që në vetvete ka të gjitha virtytet që mund t’i ketë njeriu i veçantë, siç ishte Ahmet Qeriqi!

Me kalimin e tij nëpër etapa të ndryshme jetësore, Ahmeti ishte shembull i edukimit, i besnikërisë dhe i veprimeve sfiduese kundër pushtuesit me këmbëngulësinë e tij.
Që në moshë të rinisë së shkollimit e të veprimtarisë kombëtare në organizatat e fshehta atdhetare, për këtë shkak edhe u burgos nga pushtuesi, vuajti në burgje e kazamate të ndryshme. Ahmeti edhe pas krejt këtyre vuajtjeve mbeti i pathyeshëm, tre herë i burgosur, më 1964–1975 edhe pas demonstratave të pranverës 1981. Ahmeti ishte shumë aktiv, pastaj jeta e fshehtë në bunker tregon përcaktueshmërinë e mosdorëzimit e të rezistencës. Qëndroi i strehuar nga 3 prill 1981 deri më 10 maj 1982, pra më gjatë se një vit, pastaj e burgosin dhe e dënojnë me 8 vite burg.

Që në fillim dua ta them: Ahmeti, në të gjitha rrethanat, në të gjitha etapat e jetës, në të gjitha vështirësitë që shumë herë gati dukeshin të pamundura, të patejkalueshme, që mund të sfidoheshin këto vështirësi me të cilat u përball, shumë herë u përball me vdekjen. Por Ahmeti e pati mençurinë, guximin dhe kurajon si askush tjetër. Ngadhënjeu dhe i fitoi të gjitha betejat në jetën e tij, me dinjitet e i pathyeshëm: veprimtarinë e fshehtë, burgun, luftën për çlirim, pasluftën që ishte shumë e vështirë, ishte luftë speciale!

Unë do të ndalem kryesisht në rolin e Ahmet Qeriqit gjatë luftës së UÇK-së.

Nuk ishte vetëm i kyçur, por ishte edhe organizator i luftës. Nga viti 1997 filloi.

Tregoi vlera të mëdha, sidomos me themelimin e Radios Kosova e Lirë, me operimin e saj gjatë luftës, por me theks të veçantë edhe pas lufte.

Nisma për ta hapur një radiostacion të luftës doli nga disa anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Rreth kësaj nisme u angazhua zëdhënësi i SH.P. të UÇK-së, Jakup Krasniqi, ndërsa idenë e përkrahën shtabi në mbledhjen e muajit nëntor të vitit 1998. Në këtë mbledhje, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së vendosi ta themelojë Radion “Kosova e Lirë” dhe Agjencinë e lajmeve “Kosovapress”, dy institucione informative të UÇK-së. Përgjegjës për radion u caktua Ahmet Qeriqi, ndërsa për agjencinë Berat Luzha.

Më 4 janar 1999, në malet e Berishës, jehoi zëri i luftës – zëri i luftëtarëve të lirisë, i ushtarëve të UÇK-së. Deri më 21 qershor të vitit 1999 radio funksionoi dhe dha lajmin nga malet për çlirimin e Kosovës. Kjo është meritë e të gjithë atyre që ishin pjesë e Radios Kosova e Lirë.

Kur dëgjohej zëri i RKL-së dhe informonte për betejat dhe fitoret ndaj armikut, ai ishte shumë inkurajues dhe madhështor. Mu në vlugun e luftës, ky zë ishte një ndikim i madh shpirtëror dhe moral.

Punët drejtuese dhe përgjegjësinë për stafin i mbante Ahmet Qeriqi, i cili përgatiste kronikat e lajmeve, bashkëpunonte me reporterët e zonave dhe i shpaloste betejat dhe luftën që zhvillohej në terren. Ahmeti ishte i palodhshëm dhe vazhdimisht në terrenin e luftës. Shumë nga ngjarjet i pa vetë dhe ishte edhe protagonist i ngjarjeve e betejave.

Kur flasim për luftën, duhet theksuar se Ahmeti që nga ditët e para e kishte filluar aktivitetin qysh në vitin 1997. Gjatë luftës ai drejtoi Radio Kosova e Lirë dhe argumentoi luftën, duke shpalosur çdo ditë betejat dhe luftimet.

Ahmeti ishte një luftëtar lirie, jo vetëm drejtues i radios, por edhe i pushkës. Së bashku me stafin ishin ndër më të rrezikuarit, edhe për shkak të pozicionit që kishin, por edhe për shkak të shënjestrimit të armikut ndaj vendit nga ku dilnin valët dhe zëri i lirisë.

Po e përshkruaj vetëm betejën e fillim-prillit, kur mësymja armike me të gjitha armët dhe me mijëra ushtarë e paramilitarë iu drejtua Kleçkës, përkatësisht majave të Berishës, aty ku ndodheshin mediat dhe organi më i lartë i UÇK-së – Shtabi i Përgjithshëm.

Pak ditë më parë, Shesheli deklaroi përmes mediave serbe se do ta pinte kafen në Kleçkë dhe se më pas nuk do të ekzistonte më UÇK-ja.

Pas pesë ditësh filloi ofensiva – një mësymje e përgjithshme nga të gjitha anët. Kleçka u sulmua me të gjitha llojet e armatimit: me tanke, praga, minahedhës, aeroplanë me raketa, si dhe me këmbësori në tri brigada. Luftimet ishin të pandërprera dhe vijat e frontit u ngushtuan aq shumë sa që distanca me armikun u bë shumë e afërt.

Te Guri i Gradinës u hodhën edhe bomba dore, madje luftëtarët përdorën edhe gurë për të mos i lejuar armiqtë ta merrnin majën.

Ndërkohë fluturonin raketat nga aeroplanët, si dhe granatat e tankeve dhe të minahedhësve 120 mm.

Brigada jonë 121 dhe njësitë tjera përforcuese e rrëzuan aeroplanin armik MiG-29 mbi Terpezën e Ultë, i cili ra në Zabel. Piloti arrin të shpëtojë, pasi që forcat serbe ishin më afër se tonat.

Ne ishim mbi Tërpezën e Epërme, ndërsa armiqtë në rrugën kryesore të Lozicës i kishin tanket dhe tërë arsenalin artilerik, kurse këmbësorët e tyre dy herë u afruan deri afër fshatit Tërpezë e Epërme në distancë me ne 200 deri 300 metra.

Ne i zmbrapsëm forcat armike pa i lëshuar pozicionet tona, duke u shkaktuar humbje në luftëtarë dhe në teknikë luftarake.

Edhe nga ana jonë pati humbje. Në këtë betejë ranë katër dëshmorë dhe me dhjetëra luftëtarë u plagosën.

Radio Kosova e Lirë shpëtoi pa u dëmtuar, edhe pse përreth saj ranë shumë granata e raketa që rrëzuan edhe lisat përreth. Stafi i mediave u shndërrua në luftëtarë aktivë me armë në vijat rreth vendit (bunkerit) ku ndodhej RKL.

Vlen të theksohet trimëria dhe strategjia e luftëtarëve të komanduar nga Tahir Sinani, komandant i ZOP-it, si dhe nga komandanti i Brigadës, Haxhi Shala.

Duhet theksuar se mediat dhe Shtabi i Përgjithshëm gjithmonë kishin qëndrim në ZOP dhe mbroheshin kryesisht nga brigadat e ZOP-it, e sidomos nga Brigada 121.

Pasi pushuan armët, u zmbraps ushtria armike. Mediat serbe proklamuan se UÇK-ja ishte asgjësuar dhe se ishte shkatërruar edhe Radio Kosova e Lirë.

Në këtë rast, Martin Çuni nguli këmbë që lajmet të jepeshin në të njëjtën kohë si çdo ditë tjetër – në orën 16:00 – për t’i sfiduar lajmet armike dhe për t’i bërë ato të rreme para opinionit.

Dhe kështu u veprua: u dëgjua zëri i Radios Kosova e Lirë në ditën më kritike.

Por unë dua të flas më shumë për kontributin shumëdimensional dhe të pakontestueshëm të Ahmet Qeriqit edhe pas luftës. Në paqe duhej vazhduar luftën: organizimin, funksionimin, si dhe për pengesat e telashet që ai kaloi.

Gjatë 26 viteve sa ishte drejtor i kësaj radioje, ai e mbajti gjallë zërin e çlirimtarëve, zërin e atyre veprimtarëve e luftëtarëve, përjetësinë e dëshmorëve që mediat e tjera i kishin anatemuar e injoruar.

Ky zë i çlirimtarëve, edhe pas luftës, u godit me “predha” e “mortaja” të padukshme, por shumë të dëmshme, nga mendje shqipfolëse të paguara e të robëruara nga forca antikombëtare. Por këto goditje ishin të mbushura me shpifje, me fjalë të idiotësisë dhe të qyqarisë poshtëruese, të cilat me kohë u avulluan dhe do të hidhen në mbetjet e së kaluarës.

Radio Kosova e Lirë u godit sepse nuk pranoi të bëhej kameleon i politikave ditore, nuk pranoi të bëhej vasale e hej­sllokëve, të cilët kishin kërkuar të ndaloheshin transmetimet e emisioneve për dëshmorët e kombit, për personalitetet kombëtare dhe për krimet serbe në Kosovë.

Ata madje kishin kërcënuar edhe me ndalimin e plotë të valëve transmetuese. Më vonë edhe vepruan kështu. Frekuencat në të cilat kishte transmetuar radioja iu morën dhe iu dha një frekuencë tjetër, 94.2 FM, me një transmetues të vogël prej 250 wattësh, i cili nuk e mbulonte dot as Prishtinën.

Në pamje të parë kjo mund të duket si një çështje teknike, por ka një detaj domethënës: pranë kësaj frekuence funksionojnë radiot serbe, maqedonase dhe turke, gjë që krijon ndërhyrje të qëllimshme në transmetim.

Megjithatë, falë vendosmërisë dhe këmbënguljes së Ahmetit, transmetimi u rikthye përsëri në Berishë dhe u bë i mundur zgjerimi i valëve transmetuese. Po ashtu u ndërtua edhe Muzeu i Radios, i cili edhe sot gjendet aty dhe pret vizitorë nga të gjitha anët.

Asnjë organizatë ndërkombëtare nuk e ndihmoi këtë radio, madje as me një mikrofon të thjeshtë. Por Ahmeti dhe Radio Kosova e Lirë i qëndruan besnikë amanetit të Legjendarit Adem Jashari, sakrificës atdhetare 28-vjeçare të Adem Demaçit dhe mësimeve gjithmonë të mençura të profesor Rexhep Qosjes.

E gjithë kjo u arrit me këmbënguljen e Ahmet Qeriqit, duke u përballur madje edhe fizikisht me tentimet e UNMIK-ut dhe të KFOR-it suedez për ta shembur shtëpinë-muze dhe antenën transmetuese, me arsyetimin absurd se aty kishte varreza masive. Ata hapën shumë gropa dhe në fund morën vetëm fletoren e përshtypjeve të vizitorëve të muzeut.

Radio Kosova e Lirë vazhdoi gjithnjë me moralin e luftës dhe me vlerat e saj. Kronikat e shkruara gjatë luftës nga Ahmeti, shkrimi i biografive të dëshmorëve dhe përshkrimi i mënyrës së rënies së tyre janë dëshmi të çmuara historike. Po ashtu janë me mijëra emisione tematike, kulturore, arsimore, kalendari historik kombëtar, emisione speciale etj., të përgatitura nga Ahmeti, të cilat edhe sot transmetohen në radio dhe televizion.

Radio Kosova e Lirë nuk u dorëzua, sepse Ahmeti nuk u dorëzua. Dhe kurrë nuk do të dorëzohej një medium si ky, që nuk ishte dorëzuar para armëve dhe të gjitha ofensivave vrastare serbe, për mbrojtjen e zërit të së cilës kishin rënë shumë dëshmorë, madje edhe reporterë të saj gjatë tri luftërave çlirimtare.

Po ashtu, së bashku me simbolin e rezistencës Adem Demaçi, themeloi edhe Televizionin Dielli në vitin 2016, përmes të cilit u realizuan shumë intervista, akademi dhe dokumentarë për dëshmorët, sipas regjisë së Ahmet Qeriqit.

Ahmeti punoi pa u lodhur deri në fund. Ai shkroi, përktheu dhe la shumë dorëshkrime, të cilat sot po botohen nga pasardhësit e tij – djemtë dhe vajzat – që e përkrahën si në luftë, ashtu edhe pas lufte dhe vazhdojnë ta mbështesin rrugërrëfimin e tij edhe sot.

Ndër këto vepra janë edhe librat që po promovohen sot:
“Saga e Malmirit” dhe romani “Vegimtari”.

Këta libra po promovohen pikërisht sot, më 7 mars, në Ditën e Mësuesit – një simbolikë e veçantë për profesor Ahmet Qeriqin, mësuesin dhe pedagogun e çështjes kombëtare.

Ai mbetet një shembull se si duhet të jetë një atdhetar.

Ne jemi krenarë që bëmë një pjesë të rrugëtimit të përbashkët me të, që e patëm mik, shok dhe rrugërrëfyes drejt së ardhmes.
Jemi krenarë edhe për pasardhësit e tij, të cilët me përkushtim vazhdojnë rrugën dhe amanetin e tij.

Lavdi jetës dhe veprës së njeriut shumëdimensional, të pavdekshmit Ahmet Qeriqi.

07.03.2026
Sadik Halitjaha

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …