170-vjetori i lindjes së Naim Frashërit, ideolog i Rilindës Kombëtare, atdhetar, poet, veprimtar… (video)

Sot në 170-vjetorin e lindjes së Naim Fshashërit  njërit ndër ideologët kryesorë të Rilindjes Kombëtare përkujtojmë Naimin e shqiptarizmës, Naimin e madh e të pazëvendësueshëm, për të cilin, me rastin e vdekjes, Andon Zako Çajupi pati shkruar:

Vdiq Naimi, po ç’ të gjeti,

O moj Shqipëri e mjerë,

Vdiq Naimi, po kush mbeti,

Si Naimi s’ ka të tjerë.

Në këtë 170-vjetor Naimin e përkujtojnë shkollat e shumta kudo të trojet shqiptare që mbajnë emrin e tij, por jo edhe Ministria e Kulturës, apo e Arsimit  në Tiranë e në Prishtinë, jo Akademitë e shterura e të zvetënuara, as Institutet e Albanologjisë e Historisë.

Vepra e Naimit, gjuha e tij, janë brumi me të cilat është gatuar gjuha jonë letrare. Fjalët e tij të qiriqit, lulet e tij të verës, ëndërrimet e dëshirat, historitë e bëmat, fjalët fluturake e mendimet filozofike,  janë pjesë përbërëse e arsimit dhe kulturës sonë kombëtare. Ato  tashmë janë ushqimi ynë i përditshëm shpirtëror, arsimor, kulturor, letrar. Naimin e kemi brenda nesh, andaj edhe na duket aq i afërt, jo vetëm në përvjetorët e harruar. Megjithatë,  ai ishte dhe  mbetet i pavdekshëm me veprën e tij, u kujtuam apo nuk u kujtuam për jetën e tij.

I  pajisur me nivelin më të lartë të diturive për atë kohë, Naim Frashëri rrugën e tij jetësore në krijimtari e kishte orientuar, në drejtim të hapave të parë, që duhej të merrnin shqiptarët, për ta ribërë Shqipërinë. Ishte tejet i ndërgjegjshëm se kombi ishte nisur në rrugën vendimtare të rizgjimit dhe ai do të  përparonte vetëm nëse arsimohej,  nëse në rrugën e tij drejt qytetërimit do të ruante vlerat autentike, si nderin, besën, respektin, mikëpritjen dhe tëra vlerat pozitive dokesore, morale e fetare.

I bindur se rruga ishte e gjatë dhe me shumë pengesa, ai do të tretej si qiriri duke bërë dritë për të tjerët. Dhe, në këtë drejtim arriti më shumë se të gjithë bashkëkombësit. Naimi, edhe pse i sëmurë botën e tij të pasur shpirtërore e emancipoi duke përhapur rreze drite, duke i kënduar gjuhës shqipe, shkollave shqipe, që po hapeshin, dhe në çast po mbylleshin nga Porta si shkolla të rrezikshme, sepse po t’ i shkëputej Shqipëria Turqisë, Stambolli e dinte se çfarë e priste.

Naimi, ishte përfaqësues i vërtetë dhe i denjë i kohës së tij. Njohës i shkëlqyer i gjuhëve dhe u kulturave evropiane dhe atyre të Lindjes, përfaqësues tipik i rrymave iluministe e romantike, fetar tejet tolerant dhe liberal në kuptimin më të mirë të fjalës, ai i sintetizoi të gjitha këto veçori në unin e tij krijues, duke u bërë rreze drite jo vetëm për kohën e tij.

Jo rastësisht, por pas  një përvojë të gjatë  hulumtuese, shkencore, albanologët dhe krijuesit meritorë të kombit, zgjodhën si bazament  për krijimin e gjuhës së njësuar kombëtare, pikërisht gjuhën e Naimit dhe të trevës ku ai u lind dhe u rrit.  Dhe, kjo gjuha jonë, e ëmbël, e mirë, e bukur dhe e vlerë, po i përballon me sukses ndeshtrashave dhe thirrjeve të hapura për dezintegrim dhe përçarje kombëtare e gjuhësore të qarqeve pro serbe e progreke, në Prishtinë dhe në Tiranë. Përpjekjet për ta prishur gjuhën letrare nuk po reshtin, por trimëron fakti se në të gjitha shkollat shqipe mësohet sot gjuha e njësuar letrare. Të gjitha tekstet shkollore janë të hartuara  në këtë gjuhë, 98 për qind e medieve të shkruara dhe elektronike emetojnë dhe shkruajnë në këtë gjuhë, kudo në trevat shqiptare dhe në diasporë. Në dy përqindëshin e përçudnuar gjendet ndonjë paçavure e shkruar, në “gege dialekat”, apo ndonjë përpjekje e mjerë dhe e gjorë e pseudo-gjuhëtarëve dhe pseudo- intelektualëve që i kanë vënë vetes për  qëllim deformimimin e  gjuhës së unifikuar të mbarë kombit.( Ahmet Qeriqi)

 

Kontrolloni gjithashtu

Albert Zholi

-Albert Z. ZHOLI: Flasin për Ditën e Verës: Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka

Flasin Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka -Dita e Verës nuk …