Brickos

Adem Demaçi

Kultura shqiptare në Kosovë përballë hegjemonizmit kulturor serb e jugosllav IV

(Adem Demaçi, ideologu i çlirimit dhe i bashkimit, shkrimtari  dhe intelektuali më i merituar i kohës sonë)

Përderisa në Kosovë pati shkrimtarë që mbështetën orientimin ideologjik të Lidhjes Komuniste Jugosllave, idenë e patriotizmit dhe kozmopolitizmit jugosllav, pati edhe disa oportunistë të cilët bënë përpjekje që në krijimtari të dalin nga suazat ideopolitike të ditës, Adem Demaçi ishte dhe mbeti i vetmi shkrimtar i Kosovës i cili tërë krijimtarinë e tij e drejtoi në shërbim të kombit dhe kundër politikës hegjemoniste jugosllave. Veprimtari a tij krijuese në tregime, poezi, roman, dramë, publicistikë,  është krejtësisht e veçantë sa i përket qasjes ndaj problemeve ekzistenciale të shqiptarëve nën robërinë jugosllave. Derisa, Esad Mekuli do të shkruante një poezi për Titon apo revolucionin jugosllav, për t’i botuar pastaj dhjetë poezi me përmbajtje sociale, Adem Demaçi nuk shkroi as edhe një varg të vetëm, as një tregim apo novelë të vetme ku do të lavdërohej regjimi. Ai ishte nisur në një rrugë tjetër, në rrugën plot rreziqe e sfida drejt çlirimit dhe bashkimit të shqiptarëve.

Jemi mësuar që Demaçin, me të drejtë ta vlerësojmë në radhë të parë si Simbolin e gjallë të Rezistencës Kombëtare, shqiptarin e pathyeshëm dhe më meritorin ndër të gjallët për lirinë e Kosovës. Jemi mësuar tashmë me  paraqitjet e tij realiste, qëndrimet e tij të drejta, shpeshherë të ashpra, por gjithherë  të vërteta, të shëndosha, të pastra  dhe pa paragjykime.

Të rrallë janë ata shqiptarë, që duke përcjellë paraqitjet e tij në opinion nuk kanë pyetur, se ku e merr tërë atë energji ky kalorës i fjalës dhe i mendimit të lirë? Çuditërisht, Demaçi ka manifestuar dhe manifeston një energji të brendshme e të thellë shpirtërore, e cila e ka përcjellë gjatë tërë jetës, në trajtën e një  dhuntie hyjnore, si virtyt universal, si fenomen i llojit të vet. Demaçi, në botën e tij të pasur me energji krijuese e meditative, duket se është po ai i moshës rinore. Gjithnjë  energjik, i paepur, i sinqertë por edhe i ashpër, sipas momentit dhe rastit, kurdoherë i dashur për popullin, të cilit shpeshherë ia qan hallin, duke ia kujtuar vuajtjet shekullore dhe duke ia fshikulluar lehtë të metat e babëzitë. Dhe, duke e parë Demaçin si “homo politicus” në njëfarë mënyre krijimtaria e tij letrare artistike ka mbetur nën hijen e kësaj, edhe pse është krijimtari e thellë dhe e mirëfilltë artistike, dhe tërësia e saj e deritanishme, nga të gjitha pikëpamjet ideore, artistike, stilistike e gjuhësore, e radhit në “sofrën” e parë të krijuesve kombëtarë  e më gjerë. Tregimet, romanet dramat  e Adem Demaçit janë po aq të veçanta në letërsinë tonë, sa është i veçantë edhe vetë autori, në jetën dhe disidencën politike të tij.

Dikur shkrimtar i ndaluar dhe i persekutuar nga regjimi jugosllav, Demaçi ka qenë shkrimtari më i lexuar për afër 30 vjet në Kosovë e më gjerë, deri në vitet ‘90, kur u lirua nga burgu dhe kur vepra e tij kishte filluar të ribotohej.

Ishte kështu, në një masë, ndoshta edhe për faktin se veprat e tij ishin të ndaluara, por nuk është vetëm ky fakt, sikur pretendojnë ta interpretojnë  disa kritikë hileqarë dhe hipokritë. Tregimet e përmbledhjes “Kur Zoti harron”, pastaj romani antologjik “Gjarpinjtë e gjakut”, romani “Libër për Vetë Mohimin”, “Heli e Mimoza” “Tung, vargu im” “Dashuria kuantike e Filanit” dhe veprat e tjera të përfshira në kompletin e botuar në vitin 2012,  përbëjnë një opus tërësisht origjinal krijues, në të gjitha segmentet e krijimtarisë letrare, artistike.

Demaçi në letërsi ka ecur  me kohën. Ai ka filluar të shkruajë tregime me temë sociale, pikërisht në akord me periudhën e vuajtjeve të mëdha dhe katrahurës së varfërisë, që i kishte pllakosur shqiptarët, ndërsa në romanin, “Dashuria Kuantike e Filanit” ai ka shkruar një roman modern, një roman të personazhit, duke thyer klishetë e ndërtimit të romanit tradicional.

Përmbledhja me rrëfime “Kur Zoti harron” e autorit të mirënjohur të letërsisë shqipe, Adem Demaçi, e botuar në vitin 1990 gjithsesi se është një vepër antologjike e prozës sonë, e cila kishte filluar të krijohej në Kosovë në vitet 50 të shekullit të kaluar.

Po bëhen 61 vjet qyshkur Adem Demaçi e ka shkruar tregimin e tij të parë, “Te xha Sakipi”, botuar asokohe në revistën letrare “Jeta e re”. Dhe prej vitit 1953, kur u botua rrëfimi i tij i parë, në historinë e Kosovës do të shquhej ky emër i veçantë, i cili do të bëhet i njohur jo vetëm në Llap, ku kishte lindur apo në Prishtinë ku ishte rritur, shkolluar dhe frymëzuar, por ky emër i veçantë dhe shumë meritor i kombit tonë do të bëhet shumë i njohur për të gjithë shqiptarët dhe jo vetëm për ta.  Rrëfimet e shkruara nga Adem Demaçi në vitet 50 të shekullit XX shënojnë fillimin e prozës realiste shoqërore në Kosovë, e cila burim frymëzimi kishte fatin e katandisur të shqiptarit të trojeve të robëruara të atdheut. Ashtu si dikur Migjeni, Nonda Bulka, Sterjo Spasse, Karl Gurakuqi, Demaçi e fillon krijimtarinë e vet letrare e artistike duke marrë pozicion realist, meqë në shpirtin e tij të ndjeshëm, më vonë revolucionar, ai do të brumoset me idealet e shenjta të çlirimit, për të mos u pajtuar kurrë me dhunën, robërinë, shfrytëzimin dhe denigrimin.

E shihte, e ndiente dhe e përjetonte rëndë pabarazinë shoqërore, e cila kishte goditur në radhë të parë shqiptarët. Dhe pikërisht këtu ai do të ndalej, jo vetëm për të menduar e për të konstatuar, por edhe për të vepruar fillimisht duke shkruar rrëfime, duke nxjerrë në sipërfaqe shembuj konkretë, të veshur me petkun dhe metodat shprehëse të letërsisë, e më vonë duke hartuar edhe plane e duke bërë organizime për rezistencë, liri dhe bashkim kombëtar.

Rrëfimi antologjik “Kur Zoti harron”

Tregimi i tij antologjik, “Kur Zoti harron” i botuar në vitin 1954 në revistën letrare “Jeta e re” ishte më shumë se një akuzë e rëndë shoqërore drejtuar jo vetëm rendit shtypës, por edhe mungesës së shprehur të solidarësisë njerëzore për ata që vuanin dhe vdisnin duke u përballur me skamjen e mjerimin.

Në këtë rrëfim dramatik, rrëqethës e tragjik, Demaçi ka sintetizuar historinë e shqiptarit të nëpërkëmbur brez pas brezi. Është fati i njeriut të lënë në mëshirë të kohës, të cilin e kanë harruar të afërmit, shoqëria, të gjithë, e ndoshta edhe vetë Zoti. Duke mos përjashtuar Migjenin, nuk ka në letërsinë shqipe një tregim tjetër, i cili pasqyron aq thellë realitetin makabër të njeriut të nëpërkëmbur. Vetëm te Dostojevski, Mopasani, Çehovi apo Gogoli hasim në rrëfime të tilla, tronditëse.

Përshkrimi i fatalitetit të tillë, i frymëzuar nga realiteti faktik, doemos se nga shkrimtari ishte menduar për të qenë protestë letrare, në dukje e heshtur, por e temperuar për të goditur në një kohë të caktuar, në një kohë të volitshme. Demaçi dinte për çka shkruante dhe dinte çka donte. Andaj edhe i mbeti besnik Atdheut dhe vetvetes.

Të tilla për nga përmbajtja janë edhe rrëfimet: “Një natë Bajrami”, “Vegjëtarja në treg”, “Llustraxhiu”, e sidomos “Pizh Magjupi” që është një rrëfim tjetër antologjik, i frymëzuar me ndjenja të larta fisnike dhe njerëzore, për të gjithë njerëzit e vuajtur pa dallim kombi, feje apo race…. Demaçi, përmes këtyre rrëfimeve kishte depërtuar thellë në paraqitjen lakuriq të realitetit.

Për dallim nga Migjeni i cili hapur kishte manifestuar zërin kryengritës, Demaçi rezervohet nga tonet e tilla, i vetëdijshëm se rrëfimet diskrete migjeniane nuk do të shihnin dritë.

Dhe për të parë dritë rrëfimet e tilla, të cilat kanë ngelur si vula më autentike e një kohe, ai zgjodhi rrugën autentike të përshkrimit. Tregimi “Kur Zoti harron” jo vetëm ngjall zemërim e mllef kundër pushtetit antipopullor por ngjall edhe mëshirë humane te njerëzit, me qëllim për të ndihmuar të afërmit dhe skamnorët, me qëllim për të mos anashkaluar ata, sepse epilogu i lënies anash është tejet tronditës.

Në këto rrëfime, në dukje fragmentare Demaçi ndërton filozofinë e tij kryengritëse, duke bërë përshkrime të një realiteti makabër, ku ishte nëpërkëmbur njeriu deri në nivelin më brutal dhe më çnjerëzor, ku ishin shkelur të drejtat elementare për ekzistencë.

Në të gjitha rrëfimet e veta Demaçi ka hartuar me një kujdes të veçantë sidomos në perceptimin e realitetit, duke e pasqyruar rrëfimin në këndin epik dhe tragjik, në trashëgiminë jetike të varfërisë, duke u rezervuar nga manifestimi i kritikës diskrete kundër regjimit, e cila zakonisht sillte pasoja, e pak më vonë do t i sjellë pasoja edhe vetë autorit.

Në rrëfimet e mëvonshme për vetveten, në mbrojtjen e tij para gjyqeve, Demaçi ka treguar dhe ka pranuar se dhuna që është ushtruar kundër shqiptarëve, nga regjimi titist, sidomos aksioni i dëbimit të tyre për në Turqi, aksioni armëve i vitit 1956, i kanë mbetur në kujtesë si veprime tejet të shëmtuara, antishqiptare dhe pikërisht për këtë ai do ta marrë rolin e opozitarit dhe të kundërshtarit të fuqishëm të regjimit.

Edhe pse të thjeshta në dukje dhe në ndërtim, rrëfimet me temë shoqërore të Demaçit janë shumë të arrira në të gjitha aspektet. Me përmbajtjen e rrëfimeve sikur janë” “Kur Zoti harron” “Burrëria”, “Toka nuk sillet vetëm rreth boshtit të vet” etj. mund të shkruhen novela të gjata, romane, drama dhe mund të bëhen filma të shkëlqyeshëm artistikë.

20 tregimet e para të Adem Demaçit kanë ndikuar në publikun lexues të kohës më shumë se veprat e 20 shkrimtarëve dhe rrëfimtarëve të tjerë të cilët burim frymëzimi kishin “jetën e re” në Jugosllavinë e Titos.

Për të pasqyruar në tërësi ndikimin që ushtroi Demaçi pothuajse i vetëm në krahasimin me bashkëkohësit, duhet të shfletojmë shtypin e kohës dhe të zbulojmë sesi në këtë kohë të vuajtjeve të rënda për shqiptarët, zëdhënësit dhe skribët besnikë të regjimit pasqyronin realitetin e imagjinuar të jetës në harmoni dhe begati, por në asnjë mënyrë realitetin faktik. Tregime me një përmbajtje të tillë sociale pak kush shkruante në Kosovë. Në kohën kur Demaçi shkruante e botonte tregime sociale, falë edhe shkrimtarit Esad Mekuli i cili pati guxim për t i publikuat ato, shkrimtarë e tjerë shkruan për bashkim vëllazërimin, për Titon e Fadil Hoxhën, për “rrushin që kishte fillue me u pjekë” e për pranverën e socializmit e cila ishte vonuar, për “fëmijët fatkëqij të lumit tim” e për “njerëzit” që kishin mbetur në veriga të fatit, disa madje thurnin himne për Sutjeskën e Kozarën, për legjendat partizane jugosllave, për Sava Kovaçqviqin e për kovaçë të tjerë të përbashkësisë jugosllave. Demaçi nuk shkroi as një tregim të tillë, madje asnjë varg të tillë. Cili shkrimtar apo poet tjetër në vitet 50-60 nuk ka shkruar për bashkim vëllazërimin? Mendoj asnjë. Cili prej atyre poetëve njohur  për mbështetje të regjimit, prej Ali Podrimes e deri te ata që kanë shkruar e botuar qoftë edhe vetëm një tufë poezish, nuk ka shkruar një poezi apo tregim për Titon e bashkim-vëllazërimin?

Demaçi, ishte bota tjetër, bota ndryshe, që ishte nisur në rrugën plot pengesa të historisë, për ta realizuar qëllimin e tij të vetëm jetësor, çlirimin dhe bashkimin e shqiptarëve.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Fshatrat rreth Kozmaqit po digjen flakë. Nuk dihet për fatin e popullatës. Po zgjerohet fronti i UÇK-së, në Koshare ( E martë 13 prill, 1999)

Ahmet Qeriqi: Fshatrat rreth Kozmaqit po digjen flakë. Nuk dihet për fatin e popullatës. Po zgjerohet fronti i UÇK-së, në Koshare ( E martë 13 prill, 1999)

Burimet e ndryshme të lajmeve nga Drenica Qendrore bëjnë të ditur se atje ka ndodhur …