26 vjet nga Masakra e Stagovës – Kujtohen 13 civilë të vrarë mizorisht nga forcat serbe

Sot shënohen 26 vjet nga Masakra e Stagovës së Kaçanikut, një nga krimet më të rënda të kryera gjatë luftës në Kosovë. Më 21 maj 1999, forcat e regjimit serb të Sllobodan Millosheviqit vranë mizorisht 13 civilë shqiptarë, përfshirë edhe një fëmijë 7-vjeçar, Fitim Gudaqi. Të vrarët, të gjithë banorë të fshatit Stagovë, u masakruan pa mëshirë nga forcat paramilitare dhe policore serbe. Ndër viktimat e kësaj masakre janë: Hanife Jaha, Selvije Krivanjeva, Baki Bela, Hanife Gudaqi, Ramush Jaha, Ibush Rrushi, Ramadan Dashi, Fahri Mani, Bahrije Elezi, Sevdije Guri, Hamdi Dashi, Brahim Dashi, dhe dëshmori Ekrem Gudaqi, i cili ra duke mbrojtur civilët. Masakra e Stagovës konsiderohet ndër 15 masakrat më të tmerrshme të kryera gjatë luftës në Kosovë. Sipas hetimeve të Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, trupat e 10 viktimave iu nënshtruan autopsisë, duke konfirmuar aktin kriminal, por deri më sot askush nuk është dënuar për këtë krim. Përveç humbjes së jetëve, 21 maji 1999 solli shkatërrim masiv për fshatin. Më shumë se 50% e 180 shtëpive të Stagovës u dogjën dhe u rrënuan, ndërsa bagëtitë dhe pasuritë e banorëve u shkatërruan. Masakra dëshmon për qëllimin e qartë të regjimit serb për asgjësimin fizik dhe material të shqiptarëve, i përkufizuar si veprim me elemente të gjenocidit.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi është cituar të ketë deklaruar se komunat e Kosovës përkundër sfidave nga niveli qendror, kanë arritur të shpenzojnë 75 për qind të mjeteve të destinuara për investime kapitale. Ai ka thënë me këtë rast se viti 2024 do të jetë një ndër vitet me sfiduese për nivelin lokal sa i përket investimeve të reja kapitale, kjo pasi Parlamenti i Kosovës nuk ka marr parasysh fare propozimet e komunave për projekte të reja kur ka votuar buxhetin për vitin 2024, që sipas tij, do të ndikonin në zhvillimin ekonomik lokal. Përkundër sfidave që janë ballafaquar komunat në vitin 2023, sa i përket shpenzimeve në investime kapitale komunat kanë rezultate të jashtëzakonshme dhe nëse i krahasojmë me investimet kapitale të shpenzuara nga niveli qendror diferenca është dyshifrore mes nivelit lokal edhe nivelit qendror. Kjo do të thotë që komunat kanë punuar mirë, gjithashtu planifikimet buxhetore i kanë hartuar me seriozitetin më të madh të mundur por edhe zbatimi i tyre përkundër sfidave që janë shkaktuar nga niveli qendror, do të thotë jo vetëm nga ministrit por edhe nga institucionet e nivelit qendror, komunat kanë arritur që të bëjnë shpenzimet të mjeteve për investime kapitale me përqindje jashtëzakonisht të mirë, ka thënë mes tjerash Sazan Ibrahimi.

Sazan Ibrahimi: Qarkorja e Ministrisë së Financave është në kundërshtim me ligjin

Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi ka drejtuar kritika në drejtim …