Tema të tjera...
Një grup prej 52 organizatash të shoqërisë civile në Kosovë, përfshirë organizata me përvojë në fushat e drejtësisë dhe demokracisë, ka dalë me një deklaratë të përbashkët ku i bëjnë thirrje institucioneve të respektojnë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Organizatat e konsiderojnë këtë aktgjykim si një sqarim të domosdoshëm procedural dhe një rikujtim të kufijve kushtetues që ndalojnë çdo devijim nga rregullorja dhe praktikat e vendosura parlamentare. Sipas tyre, devijimi i kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, nga rendi i dakorduar, krijimi i një komisioni pa bazë ligjore dhe mungesa e përfaqësimit të drejtë të partive parlamentare, përbëjnë instrumentalizim të papranueshëm politik dhe shkelje të neutralitetit institucional. Organizatat theksojnë se standardet demokratike nuk mund të ndryshohen njëanshëm dhe se votimi për Kryetarin e Kuvendit duhet të jetë i hapur, në përputhje me Kushtetutën dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të datës 26 qershor 2025. Në deklaratë thuhet se përpjekjet për të imponuar votim të fshehtë përmes mjeteve procedurale të kontestuara po thellojnë bllokadën, ndërsa 39 tentativat e dështuara për konstituim e kanë kthyer Kuvendin në një skenë të krizës institucionale, duke pamundësuar përfaqësimin demokratik dhe ushtrimin e funksioneve kushtetuese të deputetëve. Organizatat kërkojnë përgjegjësi nga të gjithë aktorët politikë dhe angazhim për rikthimin e funksionalitetit të plotë të Kuvendit, në përputhje me Kushtetutën, rregulloren dhe standardet demokratike.