MKRS investon 2,6 milion euro në komunën e Gjilanit

 

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka pritur në takim kryetarin e Komunës së Gjilanit Lutfi Hazirin. Gjatë këtij takimi u diskutua për bashkëpunimin mes MKRS-së dhe komunës së Gjilanit si dhe u nënshkruan dy memorandume bashkëpunimi në fushën e sportit, Renovimi i Stadiumit të Qytetit në Gjilanit dhe projekti për palestrën sportive në Zhegër të Gjilanit. Renovimi i Stadiumit të Qytetit në Gjilanit është projekt në të cilin MKRS-ja do të investojë mjete financiare në vlerë prej 1 milion e 950 mijë euro. Ky projekt do të implementohet gjatë viteve 2019 deri më 2021. Ndërkaq, për projektin Palestra sportive në Zhegër të Gjilanit, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të investojë rreth 650 mijë euro dhe projekti pritet të realizohet gjatë dy viteve 2019 e 2020. Ministri Gashi vlerësoi se investimet që MKRS-ja përkrah financiarisht në kuadër të avancimit të infrastrukturës fizike po bëhen nëpër tërë Kosovën. Ministri tha se me nënshkrimin e këtyre memorandume për komunën e Gjilanit, kjo e fundit do të ketë dy objekte të rëndësishme sportive.  “MKRS-ja dhe unë si ministër jemi të fokusuar që në kuadër të prioriteteve të kemi përmirësimin dhe avancimin e infrastrukturës sportive në Republikën e Kosovës dhe po punojmë me përkushtim që kjo gjë të arrihet”, u shpreh mes tjerash ministri Gashi. Ndërkaq, kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, e falënderoi ministrin Gashi për përkrahjen për komunën që ai udhëheq, si edhe për projektet që u nënshkruan. Ai e konsideroi se projektet në fjalë janë të mirëseardhura për të gjithë qytetarët e komunës së Gjilanit, e në veçanti ata që merren me sport dhe sportdashësit e kësaj komune.

Kontrolloni gjithashtu

Fillojnë vizitat sistematike të nxënësve të klasave të para dhe pesta të shkollave të komunës së Rahovecit 

Fillojnë vizitat sistematike të nxënësve të klasave të para dhe pesta të shkollave të komunës …