Prof. dr. Hysen Matoshi: Hapësira etnike kulturore shqiptare dhe Kisha Ortodokse Serbe II

Prof. dr. Hysen Matoshi: Hapësira etnike kulturore shqiptare dhe Kisha Ortodokse Serbe II

 Konvertimi si formë e zhbërjes etnike të shqiptarëve

E vetëdijshme se potencialet njerëzore të shteteve ballkanike, veçmas ato të Malit të Zi, ishin të pamjaftueshme për t’i populluar dhe veçmas për t’i mbajtur nën kontroll tokat e pushtuara, Kisha Ortodokse Serbe dhe udhëheqja politike e kohës e Serbisë dhe e Malit të Zi filluan konvertimin masiv të shqiptarëve të Kosovës Perëndimore. Duke zbatuar të gjitha mjetet represive që kishin, konvertimi i shqiptarëve myslimanë dhe katolikë në ortodoksë, madje duke ua ndryshuar edhe emrat, ishte një përpjekje për ta ndryshuar përgjithmonë strukturën etnike të tokave shqiptare. Ushtria pushtuese, e udhëhequr nga barinjtë shpirtërorë, priftërinjtë ortodoksë, u jepte ultimatum banorëve të vendbanimeve shqiptare që ta pranonin fenë ortodokse, në të kundërtën, alternativë e vetme për ta mbetej pushkatimi. Ndërkaq, në arenën ndërkombëtare dhe para përfaqësive të ndryshme diplomatike, veçmas para atyre austro-hungareze, tentohej që konvertimi të paraqitej si kthim i vullnetshëm i shqiptarëve në besimin e të parëve, pikërisht sikundër provohej dekada më parë të imponohej bindja se ishte “vullnetare” edhe shpërngulja e shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit, pas Kongresit të Berlinit. Fillimisht, për ta qartësuar situatën në të cilën ndodhej popullata shqiptare, po zë ngoje dëshminë e kapitenit Vujosheviq lidhur me atë se si i trajtonte pushtuesi vendësit autoktonë në Guci: “Popullata e këtushme muhamedane nuk gëzon kurrfarë të drejtash dhe lirie, madje as lirinë e jetës. Ja pse: sepse i nxjerrin natën nga shtëpitë e veta dhe i rrahin për vdekje me pushkë e me bajoneta nëpër rrugët e fshatrave; sepse ua zënë rrugën dhe, duke shtënë me pushkë mbi kokat e tyre, i plaçkitin dhe i grabisin; sepse natën goditen shtëpitë dhe faltoret e tyre (xhamitë)…”16. Ja në këtë atmosferë pretendohet se shqiptarët dhe boshnjakët po e pranonin vullnetarisht ortodoksinë. Ky pranim bëhej në situatën kur tellalli urdhërohej që të bërtiste rrugëve të Beranës që “muhamedanët t’i mbajnë detyrimisht pakicat malazeze dhe të kryqëzohen, se në të kundërtën do të vriteshin…”17 Se i gjithë ky proces orkestrohej nga Kisha Ortodokse Serbe dëshmi është edhe fakti se udhëheqësit ushtarakë, bazuar në dokumentet – raportet e kohës, që ua dërgonin urdhërdhënësve të tyre, gjithnjë kërkonin këshillat e organeve të kishës, ose ishin në pritje të personelit përkatës kishtar, duke preferuar që për këtë punë të kishin më shumë priftërinj të cilët e dinin shqipen, me qëllim që procesi i konvertimit, i cili në raporte identifikohet si kthim në fenë e të parëve, të përfundonte me sukses. Interesant në këtë drejtim është dokumenti sekret nr. 7775, dt. 21.12.1912/3.1.1913, i ministrit Jovan Plamenac, të cilin ua drejtonte “Organeve të pushtetit në viset e sapoçliruara” mbi konvertimin e shqiptarëve, e ku thuhej: “Duke u bazuar në raportet e disa organeve policore se sa myslimanë në viset e sapoçliruara deklarojnë se duan të kalojnë me familjet e tyre me vullnet në fenë ortodokse të stërgjyshërve, i nënshkruari i është drejtuar Mitropolisë së Hirësishme me lutje që t’u japë udhëzime organeve kishtare të dioqezës së saj, prandaj ajo drejtori, secilin që paraqitet për këtë qëllim le ta udhëzojë te kleriku kompetent, i cili do ta kryejë detyrën e tij. Ministri J. Plamenac”18.

Përveçse në dokumentet e dëshmitë e tjera të shkruara të kohës, konvertimi i shqiptarëve në ortodoksë, me qëllimin përfundimtar të shndërrimit të tyre në element etnik serbo-malazias, ka mbetur si ngjarje e shënuar dhe e dhimbshme edhe në kujtesën tonë popullore19. Lidhur me këtë ngjarje janë ruajtur dhjetëra këngë e variante këngësh, në të cilat kanë gjetur vend trajtimi mizoritë e pushtuesit drejt realizimit të këtij qëllimi ogurzi, por spikatin edhe qëndresa e heroizmi i paparë i popullatës shqiptare në kundërshtim të imponimit të një identiteti të huaj e në mbrojtje të dinjitetit kombëtar. Gjithsesi këngët më të njohura të kësaj periudhe, ndër më të zezat e historisë sonë, janë ato që u kushtohen të bëmave të dy protagonistëve famëkëqij, pa dyshim zbatuesve më të egër të konvertimit, sikundër ishin Avro Cemi dhe Savë Batarja. Mundësia e vetme për të mbetur gjallë, sipas vargjeve të këngës popullore, të cilën ua ofron Avro Cemi shqiptarëve është që të pranojnë ndërrimin e fesë dhe të kombësisë:

-Ju shqiptarë idikatli,

Të gjithë n’ kishë due m’u shti,

Me ja u vu shishakt’ e zi,

Besë e fe aty me nrrue

Ose të gjithë kini marue!

Natyrisht, edhe kënga popullore shqipe konstaton faktin e rezistencës së madhe në të cilën hasi kjo ndërmarrje e turpshme e serbo-malazezve. Pushkatimet masive, prej qindra vetash që nuk e pranuan konvertimin, pushteti okupator mundohej t’i arsyetonte me faktin se kinse bëhej fjalë për komitë – kryengritës që ua kishin kthyer pushkën organeve të tij.

Po ashtu, lidhur me konvertimin e shqiptarëve në ortodoksë, do të shkruante edhe shtypi kishtar serb. Natyrisht, edhe me këtë rast do të hetohet përpjekja e qartë për shtrembërimin e fakteve, duke bërë përpjekje që konvertimi i shqiptarëve katolikë, për të cilët kishte reaguar ashpër Austro-Hungaria, të paraqitet si akt vullnetar i kthimit në grigjën e vet: “Gjakova sot përjetoi një pamje të pazakonshme e të rrallë. Në shtypin austriak kishin gjetur vend thashethemet se si nga Gjakova po marshojnë 30 000 shqiptarë në ndihmë Shkodrës së rrethuar, por ne nuk pamë asnjë gjurmë të kësaj ushtrie të fuqishme. Pamë diçka tjetër: pamë se si fshatra të tëra, të katolikëzuara dhe të shqiptarizuara, erdhën në Gjakovë që të kalojnë në ortodoksi.”20  Ky është një trillim i paqëndrueshëm i Kishës Ortodokse Serbe, ngase Atë Luigj Palaj21 nuk u vra nga forcat serbe për shkakun se dëshironte të kalonte në besimin ortodoks, duke mohuar fenë dhe kombin e vet, por, përkundrazi, ai u pushkatua vetëm për faktin se, me gjithë presionet e shumta e torturat që iu bënë, nuk e pranoi një gjë të tillë.

Gjithsesi edhe burimet e palëve që nuk ishin të përfshira në këto zhvillime, përveç burimeve shqiptare dhe serbo-malazeze, e konstatojnë konvertimin si një fakt të pamohueshëm historik e tronditës për ndërgjegjen e njerëzimit. Udhëpërshkruesja dhe njohësja e shkëlqyeshme e rrethanave në Ballkan, Mis Edit Durham, do të bëhej njëra ndër dëshmitaret e veprimeve barbare serbo-malaziase. Përshkrimet e saj lidhur me pasojat e konvertimit dhe të kundërshtimit të tij nga ana e shqiptarëve janë vërtet rrëqethëse: “Në mbarim të gushtit shkova në Malësitë e Shkodrës, kur pashë refugjatët e Krahinës së Gucisë që i kishte grabitur Mali i Zi, se si po vinin në gjendje të mjeruar. Këta qenë ata që mbeten nga masakrimet që bëheshin në emër të krishterimit. Pyeta dëshmues të vërtetë, katër batalione malazeze kishin kallur tmerrin në atë anë. Myslimanët ose duhej të pagëzoheshin ose i priste vdekja. Të luturit në mënyrë islame që ndaluar. Qenë therur plot njerëz, grave të të cilëve ua kishin zbuluar fytyrën, i kishin pagëzuar e në disa raste edhe çnderuar.”22

Nga kjo që u tha më lart, del se konvertimi me dhunë i shqiptarëve në ortodoksë në këtë periudhë kohore bëhej nga Kisha Ortodokse Serbe për qëllime të pastra politike, ndërsa të gjithë mekanizmat e tjerë pushtetarë ishin vënë në shërbim të kësaj ideje çmendurake dhe krejtësisht të papranueshme për parimin e shenjtë, sipas të cilit, në fe nuk ka dhunë.

Akti i tretë: Toka e djegur shqiptare – tokë e lirë serbe

Megjithëse dhuna e pushtetit okupator serb mbi popullatën shqiptare nuk pushoi në asnjërën nga fazat vijuese të zhvillimeve gjatë shek. XX, një kthim më të fuqishëm të Kishës Ortodokse Serbe në këtë proces e ndeshim në vitet 80. Deri në këtë kohë rolin e ideatorit të shtypjes së shqiptarëve dhe të mohimit të vlerave të tyre kulturore e kishte luajtur Lidhja e Komunistëve të Jugosllavisë. Shkasi i kushtimit të vëmendjes më të madhe rolit të Kishës në shoqërinë serbe u mor nga përvjetori i 600-të i Luftës së Kosovës dhe nga e ashtuquajtura shtypje e serbëve të Kosovës që kinse u bëhej nga shqiptarët shumicë, kurse shkaku i vërtetë është se kjo strukturë nuk kishte pushuar së vepruari në projektin e saj në asnjë fazë historike dhe, sidomos, në kohën e relativizmit të rolit të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë (Serbisë) si forcë përcaktuese e zhvillimeve shoqërore, kisha po rishfaqej edhe më fuqishëm për ta përmbushur hapësirën mobilizuese që po e linte ajo në shoqërinë serbe. Propaganda e paparë mbi shqiptarët si elementë ekstremistë, pastaj mbi autonominë e pamerituar të Kosovës, të cilën, sipas saj, ia kishte dhuruar Titoja, ishte e orkestruar në bashkëveprim me faktorët politikë të Serbisë dhe me Akademinë e Shkencave të Serbisë. Kisha do të dilte në krah të liderit të fortë Slobodan Milosheviq, pikërisht për faktin se ai kishte shprehur vendosmëri që çështjen e shqiptarëve të ish-Jugosllavisë ta zgjidhte sipas recetës qindravjeçare kishtare serbe. Që nga mitingjet e famshme të jogurt-revolucionit e deri te vendosja e pushtetit absolut të Milosheviqit, në të gjitha manifestime e rëndësishme popullore e institucionale, kleri ortodoks serb do të shfaqej si një komponent i pashmangshëm i rreshtit të parë të auditorëve. Kisha Ortodokse Serbe ia dha bekimin e saj Milosheviqit, duke besuar te vendosmëria e tij për ta çuar deri në fund projektin për Serbinë e Madhe, pjesa kryesore e së cilës projektohej të ngrihej mbi lëkurën e shqiptarëve, pa mohuar këtu faktin se jo më mirë do të duhej të kalonin edhe kroatët, boshnjakët, maqedonasit etj. Kisha, si institucion fetar, nga natyra e saj do të duhej të ishte diçka tjetër krahasuar me aparatin pushtetor dhe sidomos me dhunën, do të duhej të shquhej për një qasje më humane e më morale karshi problemeve shoqërore, karshi shtypjes policore e ushtarake, shkeljes së të drejtave elementare të pjesëtarëve të shoqërisë…, por jo Kisha Ortodokse Serbe kishte zgjedhur që ta mbronte aparatin e fuqishëm e të dhunshëm shtetëror dhe nomenklaturën politike në krye të tij, gjithnjë duke shpresuar se do ta realizonte projektin e saj shovinist. Në këtë pikëpamje, për një dekadë dhune sistematike të Serbisë mbi shqiptarët, nuk mbahet mend që Kisha Ortodokse Serbe ta ketë ngritur zërin për asnjërin nga veprimet që cenonte të drejtat elementare të njeriut, ndaj shkeljes së të cilave, vërtet, sot askund në botë nuk heshtet. A mund ta shohë një bashkësi fetare shkatërrimin total të vlerave të një bashkësie tjetër, me të cilën bashkekziston për shekuj të tërë (e në saje të tolerancës së të cilës ka mbijetuar në tokat shqiptare) dhe të bëhet sikur nuk po ndodh gjë? Po shkatërrimi i 218 xhamive në Kosovë23, a nuk ishte edhe kjo një arsye që të ngrihej zëri?! Përkundrazi, nëse mbështetemi në faktet e padiskutueshme, të përfshira në monografinë Barbaria serbe ndaj monumenteve islame në Kosovë (shkurt ’98- qershor ’99), do të vërejmë se si në përdhosjen e këtyre monumenteve bëjnë pjesë edhe grafi e mbishkrime karakteristike për Kishën Ortodokse Serbe dhe për kulturën serbe përgjithësisht, sikurse janë kryqet e bëra mbi muret e xhamive, pastaj katër “s” që simbolizojnë bashkimi serb etj. Madje, një xhamie në hyrje i ishte vënë mbishkrimi përbuzës e ironizues Crkva svetog mačka. Numri i objekteve të tjera kulturore, sikundër janë shkollat, bibliotekat, shtëpitë e kulturës, monumentet e shpallura kulturore të trashëgimisë shqiptare, sikundër janë kullat e lashta etj. të shkatërruara ishte po ashtu i madh. Janë djegur me qindra biblioteka private, pastaj dorëshkrime me vlerë të papërsëritshme etj.

Falangat “çlirimtare” serbe, në marshin e tyre vdekjendjellës, kishin vënë në thumb çdonjërin që nuk ishte serb, çdo shenjë kulturore që nuk ishte serbe e ortodokse; rrjedhimisht u vranë e masakruan mbi dhjetë mijë shqiptarë, u dogjën qytete, fshatra të tëra, por në mënyrë të veçantë u atakuan objektet e kultit dhe klerikët e devotshëm në to. Përvoja e fundit e kësaj mësymjeje të përgjakshme tregon se si forcat serbe e fillonin sulmin mbi një vendbanim, duke u përqendruar rrënimin e shenjës më identifikuese kulturore e fetare, mbi minaret e xhamive, për të përfunduar me shkrumbimin e tyre total, që nga këto forca do të konsiderohej çlirim territori. Krahas shkatërrimit në masë të objekteve fetare islame, forcat pushtuese serbe nuk ngurronin që mllefin e tyre ta shfrynin edhe mbi udhëheqësit fetarë, duke ushtruar një dhunë të paparë, fizike e psikike, një dhunë që kapte përmasat e cenimit të rëndë të dinjitetit njerëzor e fetar, që në mjaft raste kishin si përfundim edhe vdekjen. Përveçse nga urrejtja e tjetrit, i cili në aspektin fetar e kombëtar dukej ndryshe, represioni i forcave okupatore serbe mbi hoxhallarët motivohej edhe nga veprimtaria që kleri ynë realisht e bënte në drejtim të mbrojtjes së identitetit fetar e kombëtar të shqiptarëve. Numri i imamëve tanë pjesëmarrës në luftërat e fundit çlirimtare e dëshmon më së miri kontributin që e dhanë ata për mbrojtjen e qenies sonë kombëtare e kulturore. Sakrifica e dëshmorëve si Jonuz efendi Zejnullahu, Arben efendi Hyseni, Selim efendi Selimi, Sami efendi Plakolli, Fadil efendi Rashiti e shumë e shumë të tjerëve është prova më e mirë se si udhëhiqet shpirtërisht kombi në rrugën e lavdishme të lirisë. Këta dëshmorë nuk u vranë në luftë për tokën e tjetrit, për lakmi territoresh e pronash të huaja; përkundrazi, u vranë në mbrojtje të vlerave kulturore e qytetëruese të kombit të tyre, të dinjitetit të vëllezërve të tyre… Vlera morale e kësaj kategorie për luftën çlirimtare ishte e jashtëzakonshme, ngase ata, me sakrificën e me përkushtimin paparë liridashës, u kthyen në një forcë motivuese për t’i vazhduar përpjekjet kundër okupatorit shumë herë më të përgatitur ushtarakisht. Prandaj, jo rastësisht, forcat serbe i vunë imamët në shënjestër si njërën ndër forcat motivuese të luftës sonë. Mbase këtë, simbolikisht, më së miri e dëshmon fakti se forcat serbe teksa po tërhiqeshin me turp nga Kosova, pak kilometra para se ta kalonin pikën kufitare, bënë aktet e fundit të dhunës  mbi shqiptarët. Objekti i fundit që e dogjën ishte një xhamia pesëshekullore e fshatit Dobërçan dhe shqiptari i fundit që e vranë ishte imami i saj, Nysret efendi Hajdari. Ky akt i fundit në fakt dëshmon për qëllimin përfundimtar të politikës gjenocidiale serbe ndaj kombit shqiptar dhe ndaj vlerave kulturore-fetare të tij. E gjithë kjo ishte vetëm një përbërës i veprimit të gjithanshëm të Serbisë për të mohuar ekzistimin e një kombi tjetër dhe për t’i çrrënjosur gjurmët e një kulture e të një besimi tjetër në tokat etnike shqiptare.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një rrugëtim i gjatë nëpër shi (E premte 23 prill 1999)

Ahmet Qeriqi: Një rrugëtim i gjatë nëpër shi (E premte 23 prill 1999)

Gjatë tërë natës dhe paradite ka rënë shi pa ndërprerë. Binte sikur me rrëshek. Frushkujt …