Tefta Cami Cani: “INFORMACION” lidhur me pritjen zyrtare të Jugosllavisë për 29 nëntorin”-Nga Sokrat Plaka, ambasadori i RPSSH në Jugosllavi III

Tefta Cami Cani: “INFORMACION” lidhur me pritjen zyrtare të Jugosllavisë për 29 nëntorin”-Nga Sokrat Plaka, ambasadori i RPSSH në Jugosllavi III

     Në pritjen zyrtare të Jugosllavisë për 29 nëntorin, m’ u dha rasti të takohem me Fadil Hoxhën dhe pata një bisedë, të cilën na e ndërprisnin njerëz të ndryshëm që takonin Fadilin ose mua. Kryesisht Fadili preku tri çështje:

1.Fadil Hoxha tha se marrëdhëniet kulturore, arsimore e shkencore të Kosovës me Shqipërinë po ecin mirë, po shkojnë përpara dhe të vazhdojnë kështu sepse ësht mirë. Vizita e shoqes Tefta Cami në Kosovë përfundoi me sukses, udhëheqja e Krahinës ka bërë një raport të mirë. Tani duhet të zhvillohen marrëdhëniet ekonomike ( mendoj se e ka të drejt sepse pa lidhje ekonomike nuk mund të sigurohet uniteti kombëtar i kombit). Ne kemi qenë bashk nën sundimin e Turqisë, pastaj na ndanë dhe kështu kemi dhjetra vjet; koha ka bërë punën e vet, prandaj është e nevojshme të forcohen lidhjet midis Atdheut amë dhe popullsisë shqiptare në Kosovë e viset. Ne këtu në Jugosllavi deri më 1963, kur Kosova ishte nën Serbinë nuk ishte mirë, kurse qysh nga ajo kohë riafirmimi kombëtar i popullsisë shqiptare ka ecur. Detyra jonë kryesore këtu është të formojmë ndërgjegjen kombëtare të shqiptarëve, dhe në këtë proces kemi nevojë të madhe  për përkrahjen e Shqipërisë, për përkrahjen e saj morale e të gjithanëshme. Fjalimi i shkut Enver (Hoxha) në Bajram Curr ka një rëndësi të madhe. Politika që keni adoptuar për të kërkuar respektimin e të drejtave që garanton kushtetuta jugosllave ndaj popullsisë shqiptare është një gjë e mirë, e drejtë dhe nuk mund ta kundërshtojë kush. Edhe Jugosllavia e kërkon një gjë të tillë për pakicat e saja në vendet e tjera.

      Procesi i riafirmimit kombëtar të shqiptarëve në Jugosllave, edhe tani pas Titos, do të vazhdojë, kjo tashmë nuk mund të kthehet mbrapsht. Megjithatë ne shqiptarët këtu kemi shumë nevojë për përkrahjen tuaj, pa të cilën nuk mund të ecë siÇ duhet forcimi i ndërgjegjes kombëtare. Ne kemi njerëz në Kosovë që janë shqiptarë dhe rregjistrohen turq, kanë humbur ndërgjegjen kombëtare nga pushtimi turk, etj. Në Shqipëri ndodhi ndryshe, ndërgjegja komëtare u formua më shpejt, ndërsa në Kosovë edhe pas Turqisë shtypja vazhdoi.

     Një rol vendimtar për ne luajnë lidhjet e popullsisë shqiptare të Kosovës me Shqipërinë. Por këto forcohen ose dobësohen në vartësi gjendjes së marrëdhënieve të Shqipërisë me Jugosllavinë. Këto tani janë të mira dhe kanë dhënë rezultate edhe në marrëdhëniet e Kosovës me Shqipërinë.

           Në të vërtetë, kontaktet e popullsisë së Kosovës me Shqipërinë filluan më 1971. Deri në atë kohë, vetëm llafe thuheshin këtu, por në fakt nuk i lejonin kosovarët të shkonin në Shqipëri. Kjo u bë e mundur vetëm pas takimit tim me Titon. Kur kam nisur grupin e parë të shqiptarëve për të vizituar Shqipërinë i kam porositur që të mos bëjnë provokime atje duke shitur mend e duke dhanë dhurata këmisha najloni, etj., dhe këtë e kan bërë sepse Çeshtja e lidhjeve të popullsisë sonë me atë të Shqipërisë ka një rëndësi të madhe për ne.

       2).Fadili tha se interesat e popullsisë shqiptare në Jugosllavi e kërkojnë që marrëdhëniet e Shqipërisë me Jugosllavinë të mos kufizohen vetëm me Kosovën dhe viset shqiptare. Ka njerëz në Jugosllavi që mendojnë se Shqipëria mendon vetëm për shqiptarët, ndërsa ne duhet të krijojmë një atmosferë sa më të favorëshme për zhvillimin e marrëdhënieve të Kosovës e të viseve të tjera shqiptare me Shqipërinë. Por edhe si dy vende fqinje kemi interesa të kemi marrëdhënie të mira. Në në mbledhje të shtabit të përgjithshëm ushtarak para disa vjetësh, ku isha edhe unë, Titua bëri vërejtje për raportin e paraqitur nga gjeneralët mbi strategjinë dhe taktikat e mbrojtjes së Jugosllavisë, duke thënë se aty ishte harruar një faktor i rëndësishëm dhe pikërisht Shqipëria, e cila në rast të një agresioni kundër Jugosllavisë duhet llogaritur si aleatja jonë.Titua theksoi se se një sulm kundër Jugosllavisë përbën rrezik për Shqipërinë, dhe anasjelltas, një sulm kundër Shqipërisë përbën rrezik për Jugosllavinë. Qysh atëhere në planet ushtarake të Jugosllavisë Shqipëria konsiderohet si një faktor i rëndësishëm si aleate e Jugosllavisë në luftë kundër agresorëve.

      Branko Popovi (Kryeministri i Maqedonisë) ka bërë një raport të mirë mbi vizitën e tij private në Shqipëri. Mirë keni bërë që e Çuat të vizitonte minoritetin maqedon në zonën e Prespës, kjo dhe zhvillimi i marrëdhënieve me Maqedoninë do të ndihmojnë në pozitën e popullsisë shqiptare në Maqedoni. Edhe ju bëtë mirë që shkuat për vizitë në Kroaci.

       Biseda e shokut Mehmet Shehu me ambasadorin jugosllav është pritur shumë mirë nga udhëheqja jugosllave. Aktualisht marrëdhëniet midis dy vendeve po ecin mirë, ky është edhe mendimi i udhëheqjes jugosllave, këtë e patë që e tha edhe Peter Stamboliçi, anëtar i kryesisë së Jugosllavisë dhe i kryesisë së KQ të LKJ ( i cili kaloi pranë nesh, na takoi dhe vlerësoi se marrëdhëniet me Shqipërinë janë të mira).

        3).Së fundi, tha Fadili, do të jetë mirë po të bëhet e mundur që edhe ne politikanët të bëjmë ndonjë vizitë në Shqipëri. Sigurisht, pikëpamjet tona politike dhe ideologjike janë të ndryshme, por le të shkëmbejmë mendime për ato çështje që kemi interes.

         Në kushtet e Jugosllavisë, ne shqiptarët mundëm të bëjmë kaq sa bëmë, le të na gjykojë koha. Unë do ti heq kapelen me kënaqësi kujdo qoftë që do ta bënte detyrën tonë këtu më mirë se sa e kam bërë unë dhe shokët e mi, dhe do t’ia lija me gjithë qejf pozitën time. Sot në Kosovë ka 50.000 studentë, nga të cilët 37.000 shqiptarë, një gjë të tillë do të ishte vështirë ta imagjinonin 30 vjet më parë. Vetëm, zhvillimi i Kosovës në planin kombëtar duhet të ecë me zhvillimin e Shqipërisë. Ju keni arritur rezultate shumë të mira në arsim, kulturë, etj., Kosova duhet të përfitojë nga ky zhvillim.

        4).Në këtë bisedë, sipas Çështjeve dhe nevojës, unë ndërhyra ose bëra vlerësime lidhur me marrëdhëniet me Kosovën ose Jugosllavinë, ose për probleme të tjera në përputhje me qëndrimet tona. Ndër të tjera mund të përmenden këto:

          a).Në një moment kur unë i thashë se kisha dashur t’i bëja një vizitë, Fadili tha se do të ishte mirë t’i shkoja dhe mundësisht të ngrehë ndonjë çështje. Nga kjo krijova përshtypjen se pozita e shqiptarëve mbetet e lëkundur dhe ndoshta kjo është arsyeja që Fadili e theksoi disa herë “ që ne shqiptarët këtu kemi nevojë për përkrahjen e Shqipërisë”.

           b).Duke biseduar për vizitën e B. Popovit në Shqipëri, unë i fola edhe për gjendjen e popullsisë shqiptare në Maqedoni e veçanërisht për prishjen e kompaktësisë si edhe për rolin që mund të luajë Kosova dhe udhëheqësit shqiptarë në kuadër të të drejtave kushtetuese jugosllave. Fadili tha se Kosova po punon, por ndërhyrja e tyre nuk pritet mirë nga maqedonët, etj.

            Krijova përshtypjen se nuk e kuptonte siç duhet rrezikun e prishjes së kompaktësisë së popullsisë shqiptare në Maqedoni  ose kjo i vinte se e ndjejnë veten të pafuqishëm. Por edhe urrejtje për maqedonët kishte. “Këta maqedonët janë ata që ne në Shqipëri u thonim bullgarë, dhe pas luftës së dytë u bënë maqedonas”, tha ai në një rast. Fadili tha se në Maqedoni kanë sjell 30.000 maqedonas të Egjeut, por theksoi se megjithatë nuk kanë ç’të na bëjnë, për 10 vjet shqiptarët do të jenë kombi i tretë në Jugosllavi, nga numri i popullsisë.

        Indirekt ai vuri në dukje edhe vështirësitë që kanë. Ai tha: Kur u shpallën rezultatet e regjistrimit të popullsisë në Kosovë më 1971, më thirri Titua dhe më tha se në Kosovë janë bërë falsifikime në regjistrimin e popullsisë në favor të popullsisë shqiptare. (Dhe për këtë ishin ankuar serbët e malazezët). Unë i thash Titos se kjo nuk ishte e vërtetë, regjistrimi i popullsisë u drejtua nga Këshilli Ekzekutiv i Kosovës, dhe në atë kohë kryetar i këshillit ishte Ilia Vakiçi që është serb, dhe nga LSK që kryesohej nga një serb, dhe atëherë i hodhi poshtë kërkesat dhe rishikimin e regjistrimeve”.

   Gjithë bashkëpunimi dhe veprimtaritë e përbashkëta në fushën e arsimit e kulturës, të arteve e shkencave albanalogjike dhe të sporteve midis Shqipërisë dhe Kosovë ndikuan drejtpërdrejtë në ringritjen e vetëdijes kombëtare dhe për parashtrimin e kërkesave për liritë e të drejtat e barabarta me të gjitha kombet e kombësitë e tjera në Jugosllavinë Federale. Shqiptarët nuk mund të pranonin më dhunën e shtypjen e Serbisë. Pabarazia e padrejtësitë e dhuna dhe terrori, që është ushtruar nga regjimi titist e shovinistët serb, janë shkaqet kryesore të shpërthimit të demonstrative të mars-prillit 1981, të cilat qenë si një uragan i madh, që tronditi themelet e RFSJ dhe të teorisë fallso të bashkim-vëllazërimit. Me 20 korrik 1981 pësova një aksident të rëndë automobilistik dhe kam bërë tri operacione të rënda nga professor Roya Camile në Paris, që nuk u zbardh se si dhe pse ndodhi ai aksident?

Në Çdo vizitë në Kosovë kam shkuar në Prekaz tek Kulla e Adem Jasharit dhe kam bërë homazhe tek 58 të rënët me Adem Jasharin në krye kundër forcave ushtarake të blinduara serbe. Heroi Adem Jashari ka qenë komandanti i parë i UÇK-ës, ku është projektuar strategjia e taktikat e luftës kundër pushtimit serb. Jeta e veprimtaria atdhetare dhe qëndresa e Adem Jasharit në kullën e tij, janë dhe do të mbeten një Altar Kombëtar i Qëndresës Mbarëkombëtare dhe i dëshmisë të krimeve të Serbisë, që duhen mësuar e kujtuar brez pas brezi, që të mos përsëriten më masakra të tilla ndaj shqiptarëve! , Tek Kulla e Adem Jasharit s’duhet të mbetet shqiptarë pa e vizituar e pa bërë homazhe dhe pa u përkulur me nderim e respekt për atdhetarin e flaktë e trimin zemërzjarrtë!

    Heroin Adem Jashari s’mund ta zënë në gojë ata që e burgosën në Shqipëri dhe e quajtën UÇK-ën terroriste, ata që furnizuan makinën vrastare e grupet kriminale të Serbisë me armë e karburante, për të  vrarë vëllezërit tanë, kur BE kishte vendosur embargon për Serbinë. Dhe ky ishte z.Sali Berisha, që theu embargon, që burgosi Adem Jasharin, etiketoi UÇK- ën si terroriste dhe tani po na paraqitet si patriot i madh!!!??? Politikanët vlerësohen jo vetëm nga deklarimet si patriot, por nga veprimet se sa veprimet e tyre janë në interes të vendit e të popullit? Kam besim tek politikanët shqiptarë të Kosovës, që të qëndrojnë larg tij, sepse përbaltin veten e tyre padrejtësisht.

Ato demonstrata frymëzuan edhe popujt e tjerë të Jugosllavisë, të Ballkanit dhe të vendeve ish-socialiste të Lindjes dhe u tregoi, se u ka ardhur fundi shteteve federative e konfederative, ku ekzistojnë kombe të privilegjuara e kombe të shfrytëzuara.

 

Tefta Cami-ish-ministre e Arsimit dhe Kulturës së Shqipërisë Socialiste

Tiranë, më 16 prill, 2021

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një rrugëtim i gjatë nëpër shi (E premte 23 prill 1999)

Ahmet Qeriqi: Një rrugëtim i gjatë nëpër shi (E premte 23 prill 1999)

Gjatë tërë natës dhe paradite ka rënë shi pa ndërprerë. Binte sikur me rrëshek. Frushkujt …