leoni

Veton Surroi

Prof. Jeton Kelmendi PhD: SINEKUR E VETON SURROIT

Në vend të reagimit ndaj kuazi intelektualit që flet keq duke e quajtur shtet aksidental Kosovën. Në fakt jo për tu marrur me ketë specie politike, por për ta trajtur si dukuri e cila edhe pas kaç vitesh po vazhdon të jetë prezente në shoqërinë tonë.

Çfarë është një sinekurë?

Në origjinën e vet latine “sine cura”, fjala do të thotë “pa kujdes” apo “pa barrë”. Në kontekstin politik, sociologjik dhe administrativ, një sinekura është një pozitë ose rol që ofron përfitime materiale ose simbolike (si paga, ndikim, prestigj), pa kërkuar përgjegjësi reale apo punë substanciale. Ajo lidhet shpesh me përfitime nga afërsia me pushtetin, pa u bërë ndonjëherë pjesë e përpjekjeve konkrete për të ndryshuar, ndërtuar apo përmirësuar një realitet politik. Në shoqëritë post-konfliktuale ose tranzicionale, si ajo e Kosovës, sinekurat marrin trajtën e pozitave kulturore, këshillimore, diplomatike apo mediatike që prodhojnë autoritet pa llogaridhënie. Ato përforcohen nga sistemet mediatike dhe diskursi elitar, duke i bërë figurat e tillë zëra “të pakontestueshëm”, ndonëse ata janë jashtë çdo procesi real të reformimit të shtetit.

Veton Surroi si përfaqësues i sinekurës politike në Kosovë

Veton Surroi është ndër figurat më të njohura publike në Kosovë, me një biografi të lidhur ngushtë me gazetarinë, publicistikën dhe për një kohë të shkurtër edhe politikën. Ai ka qenë themelues i gazetës Koha Ditore dhe më vonë lider i partisë ORA, një përpjekje politike që nuk arriti kurrë të depërtojë përtej elitës urbane të Prishtinës. Në vend që të futej në betejat e vërteta të ndërtimit të institucioneve të brendshme, Surroi zgjodhi një rol periferik, por të privilegjuar: komentues i përhershëm i politikës kosovare, shpeshherë me një ton përçmues ndaj shtetit të Kosovës dhe aktorëve të tij politikë. Në këtë mënyrë, ai ka zënë një sinekura të padukshme, një vend të mbrojtur nga kritikat, ku ka marrë legjitimitet moral dhe kulturor për të komentuar çështjet më të mëdha të shtetit, pa qenë ndonjëherë përgjegjës për rrjedhën reale të gjërave. Ai ka ruajtur distancën e një “inteletuali neutral”, ndonëse ka pasur qasje të privilegjuar në politikë, diplomaci dhe media.

Pse flet për Kosovën si “shtet aksidental”?

Veton Surroi është ndër ata që e ka quajtur Kosovën “shtet aksidental” — një frazë që përmban në vetvete një diskualifikim të thellë të legjitimitetit historik, institucional dhe popullor të Republikës së Kosovës. Sipas këtij këndvështrimi, pavarësia e Kosovës nuk është produkt i një përpjekjeje të organizuar kombëtare, por rrjedhojë e “aksidenteve gjeopolitike”, ndërhyrjeve ndërkombëtare dhe rrjedhës së rastësishme të historisë. Pikërisht siç po thonë në Serbi…

Ky narrativ shërben në mënyrë të përkryer për të justifikuar pozicionin e tij si kritik permanent: nëse Kosova është një projekt aksidental, atëherë asnjë institucion nuk ka vlerë reale dhe çdo veprim politik është i komprometuar. Kjo i jep Surroit lirinë që të mos jetë pjesë e asnjë strukture ndërtuese, por gjithmonë mbikëqyrës moral i atyre që përpiqen.

Mirëpo ky është një pozicion i rrezikshëm. Këtu me ndihmen e parties së Albin Kuktit, Ai minon themelin e shtetit të Kosovës si projekt kolektiv, si amanet i historisë dhe si rezultat i sakrificës popullore. Dhe më keq akoma: ky pozicion artikulohet nga dikush që ka përfituar nga vetë ky shtet — qoftë përmes rolit të tij në procesin e Vjenës, procesit të Rambujesë, qoftë përmes kanaleve të diplomacisë dhe mediave që financohen nga burimet shtetërore ose ndërkombëtare.

Surroi dhe “surrojat”: një klasë e privilegjuar mendimtarësh

Veton Surroi nuk është rast i vetëm. Ai është prototipi i një kategorie më të gjerë të ashtuquajturës elitë kulturore në Kosovë, që qëndron jashtë sistemit politik, por ushqehet prej tij. Këta individë nuk bëjnë asnjë përpjekje për të hyrë në institucione, për të ndryshuar ligje, për të kontribuar në sistemin e drejtësisë apo edukimit, por janë të parët që flasin në forume ndërkombëtare për “dështimin e shtetit”. Ata i gjejmë në konferenca, panele, organizata joqeveritare, ku ftohen jo për atë që kanë bërë, por për mënyrën si dinë të flasin — shpesh në gjuhë të huaja, duke kritikuar vetë vendin e tyre në emër të “objektivitetit”. Ky është një luks që i lejohet vetëm atyre që kanë ndërtuar një sinekura të fjalës, jo të veprës. Për më tepër, këta njerëz rrallëherë marrin përgjegjësi për narrativën që përhapin. Ata nuk mbajnë përgjegjësi as para publikut, as para shtetit, sepse nuk janë të zgjedhur dhe as nuk kërkojnë të zgjidhen. Ata janë “qytetarë të përjetshëm të ndërgjegjes kombëtare”, por pa asnjë obligim ndaj realitetit institucional.

Keqpërdorimi i shtetit në vend të shërbimit

Argumenti kryesor që del nga kjo analizë është i qartë: Surroi dhe të ngjashmit e tij nuk i kanë shërbyer kurrë realisht shtetit të Kosovës. Ata e kanë përdorur atë si platformë për ndërtimin e karrierave personale dhe si trampolinë për përfshirje në qarqe ndërkombëtare. Kjo nuk është thjesht mungesë e kontributit direkt, por është keqpërdorim i një realiteti të ndjeshëm për përfitime personale. Për shembull, roli i Surroit në negociatat e Vjenës nuk ka prodhuar ndonjë qasje strategjike për shtetin, përkundrazi ai është tërhequr menjëherë pas përfundimit të atij procesi dhe ka vazhduar të luajë rolin e komentatorit — jo të projektuesit. Ai ka refuzuar angazhimet konkrete që kërkojnë ndotje me realitetin, për të ruajtur pastërtinë morale të figurës së tij publike. Në këtë mënyrë, Surroi nuk është thjesht një analist kritik. Ai është një figurë që refuzon përgjegjësinë politike, por nuk heq dorë nga përfitimi simbolik dhe material i afërsisë me shtetin. Ai është sinekura perfekte: nuk punon për shtetin, por flet në emër të tij; nuk e ndërton, por e interpreton; nuk e mbron, por e relativizon.

Dhe krejt për fund është koha që shoqëria kosovare të vendosë një kufi të qartë mes kritikës së ndershme dhe nihilizmit të qëllimshëm. Veton Surroi dhe të ngjashmit e tij nuk mund të qëndrojnë përjetësisht në rolin e “intelektualëve të pavarur”, kur në fakt kanë përfituar nga çdo fazë e shtetit që e quajnë “aksidental”. Vlera e një figure publike matet jo me fjalët që thotë në tribunë, por me ndikimin që lë në strukturën e shtetit, në vetëdijen qytetare dhe në ndërtimin e së ardhmes. Nëse dikush nuk e pranon Kosovën si projekt serioz, nuk mund të pretendojë të jetë zëri më i besueshëm për të ardhmen e vendit. Koha e sinekurave po mbaron. Shteti i Kosovës ka nevojë për ndërtues, jo komentues. Ka nevojë për njerëz që rrinë brenda strukturave dhe luftojnë për to, jo për ata që rrinë jashtë dhe hedhin gurë e baltë drejt shtetit.

Kontrolloni gjithashtu

Dr Fitim Selimi: Rasti Agon Zejnullahu – Një thirrje për drejtësi, jo heshtje institucionale

Vdekja tragjike e qytetarit Agon Zejnullahu gjatë një aksioni policor në përpjekje për arrestim, ka …