Bedri Halimi: PASQYRIM I QËNDRESËS PARA PADREJTËSIVE TË SHUMTA TË KOMUNIZMIT JUGOSLLAV

Adem Demaçi: Dashuria kuantike e Filanit, LSHK, 2012, Prishtinë

Romani i Adem Demaçit me titullin simbolik “Dashuria kuantike e Filanit”, është i karakterit historik (autobiografik) dhe hyn ndër librat më të realizuara të autorit. Në këtë libër përsonazhet që të gjitha janë reale, me emra dhe mbiemra real, përpos përsonazhit kryesor Filanit që në këtë rast është përsonifikimi i vet autorit.

Ngjarjet në këtë roman fillojnë që në kohën e mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, ku autori atë botë ishte fëmijë dhe si i tillë që nga ajo moshë ka përjetuar padrejtësi të mëdha, të cilat u janë bërë shqiptarëve në përgjithësi, si dhe vetë familjes së tij në veçanti, ku i torutohet vëllau dhe i mobilizohet për tu dërguar në front.

Skenat e tmerrit të shkaktuara nga partizanët, e në fakt këta ishin qetnikë të veshur me uniformë të partizanëve, të cilët në vend të kokardave qetnike e kishin vënë yllin e kuq, krijojnë skena të dhunës e pasiguri të madhe të të gjithë shqiptarët. Ishte koha kjo kur po tradhëtoheshin idealet dhe premtimet e pjesëmarrjes së shqiptarëve në Luftën e Dytë Botërtore në koalicionin antifashist.

Për shqiptarët atë kohë në vend të lirisë së premtuar, pason zhgënjimi i madh, sepse përsëri Kosova mbetët nën Jugosllavi dhe sërish ndaj tyre ushtrohet dhunë shtetërore. Të gjitha këto ngjarje do të piqen në kokën e përsonazhit kryesor Filanit, ngjarje këto që do të jenë motivi shtytës për t’u përkushtuar çështjes kombëtare, përkatesisht për të luftuar çdo padrejtësi kudo që paraqitej, nga kushdo që paraqitej dhe ndaj kujtdo që paraqitej, pa i marrë parasysh pasojat.

Thamë që përsonazhet kryesorë janë real si emri i mësuesës Vezire, mësuesve të tjerë si: Zekerija Rexha, Idriz Ajeti, pastaj Cvija Roksandiq, Esat Mekuli, Vojin Parliq etj. Gjatë tërë zhvillimit të ngjarjeve brenda romanit, autori përpiqet të jetë sa më objektiv për veprimtarinë e secilit personazh, qoftë ai pozitiv, qofshin edhe përsonazhe negative.

Rrefimi i ngjarjeve bëhet përmes një gjuhe të kuptueshme, për të gjitha shtresat e lexuesve. Autori mundohet të jetë sa ma objektiv në dialogjet e kohës, përmes frazave apo frazeologjive të caktuara.

Lexuesi sapo të filloj ta lexoj këtë libër, do t’i lind kërshëria për t’i shkuar deri në fund rrëfimeve të përsonazheve brenda këtij romani. Gjatë këtij rrugëtimi lexuesi kursehet nga detajet e tepërta, me qellim që të mos shkëputet nga vija bazë e ngjarjeve të zhvilluara brenda romanit.

Kështu lexuesi ka mundësi të njihet më në detaje rreth shkollimit të përsonazhit kryesor, shkuarjes së tij për të studiuar në Beograd në degën e letërisë krahasimtare; detyrimin për t’i ndërprerë studimet pas tri vitesh, për shkaqe ekonomike dhe punësimin e tij në kuadër të Rilindjes.

Gjithashtu lexuesi do të njihet më në hollësi edhe për krijimet e para të autorit të cilat fillojnë të botohen në revistën Jeta e Re dhe në revista tjera; pastaj insistimin e Esat Mekulit ndaj autorit që t’i lërë për një kohë tregimet e shkurtra dhe për t’iu rrekur shkrimit të prozës së gjatë, në këtë rast romanit. Sigurisht se Esat Mekuli, që në atë kohë, ka vërejtur talentin e rrallë krijues të shkrimtarit Adem Demaçi, dhe duke patur parasysh se Demaçi në shkrimet e shumta ka rrahur probleme ekzistenciale të popullit shqiptarë, sidomos të karakterit social, e në anën tjetër, duke pasur parasysh edhe moshën e re të autorit, ka qenë i bindur se ky autor i talentuar, do të ia dalë me sukses edhe në fushën e romanit.

Dhe pikërisht Adem Demaçi starton me romanin e parë ne letërsinë shqipe në Kosovë me titullin “Gjarpinjtë e gjakut”, i cili roman ishte botuar në dy vazhdime në revistën letrare Jeta e Re, kryeredaktor i secilës ishte Esat Mekuli.

Dalja e këtij romani bëri bujë të madhe në opinionin lexues të kohës. Në anën tjetër Adem Demaçi kudo që paraqitet nëpër takime e forume të ndryshme kulturore, e ku gjithkund kishte përfaqësues të politikës serbe si Dushan Mugosha e deri te Dobrica Qosiq, të cilët insistonin që shqiptarët në Kosovë të fillonin me krijimin e një letërsie të re, pra nga zeroja, e ku çdo gjë që do të shkruhej në gjuhen shqipe, do të bartte në vete frymën sërbe, përkatësisht frymën jugosllave.

Përsonazhi Filani, pra vet autori i romanit, në të gjitha rastet ku ishte i pranishëm, kur të gjithë të tjerët heshtnin, para padrejtësive evidente si dhe para këtyre kërkesave antishqiptare, Adem Demaçi qohet duke e marrë fjalën dhe me një oratori të rrjedhshme e me fakte historike i kundërshton tendencat e tilla shoviniste antishqiptare. Pas diskutimit të Demaçit, fshehtas nga të tjerët, merrte nga një “Bravo” nga secili shqiptar që ishte prezent, e ku asnjëri prej tyre nuk ishte denjuar që ta përkrahte publikisht fjalimin e Adem Demaçit.

Duke i patur parasysh këto ndërhyrje të Adem Demaçit, diskutimet e tij me shokë të ndryshëm, pastaj duke pasur parasysh refuzimin e Demaçit për tu antarësuar në parti, pra Partinë Komuniste të Jugosllavisë, si dhe duke pasur parasysh mesazhet e qarta të romanit Gjarpijtë e Gjakut, për të cilin siç thoshin vet pjestarët e pushtetit, “ky njeri po therr pushtetin”, të gjitha këto ndikuan që Adem Demaçi të arrestohej nga UDB-a dhe të dënohej me burg të rëndë.

Edhe momentet e arrestimit, edhe qëndrimin e tij në burg hetues e deri te përfundimi i mbajtjes së dënimit në burgun e Mitrovicës së Sremit, autori i përshkruan në hollësi disa nga ngjarjet më karakteristike që i ka konsideruar si: Bisedat e në hetuesi, dhe qëndrimin e tij përballë hetuesve. Pastaj bisedat me të burgosur të ndryshëm, qëndrimi i Demaçit ndaj kurtheve që i janë ngritur në burgje përmes të burgosurve ordinerë, përmes gardianëve; qëndrimin e tij në raport me gardianët e burgut dhe zyrtarët e tjerë që nga Prishtina e deri në Mitrovicë të Sremit.

Gjithkund përsonazhi kryesor ka arritur që t’i afroj e bashkoj mes vete shqiptarët pa marrë parasysh çfarë feje i përkisnin, dhe pa marrë parasysh për çfarë veprash ordinere ishin dënuar. Natyrisht në mesin e të burgosurve do të takoj edhe shqiptarë të dënuar për çështje politike, për bindje balliste, zogiste, NDSH-iste etj. Demaçi e kuptonte se të gjithë këta pavarësisht bindjeve politike ishin halë në sy të shovinizmit serb, prandaj insistonte që të gjithë këta t’i bënte bashkë në mënyrë që bashkërisht të ballafaqohehsin me sfidat e kohës, qoftë brenda burgut, qoftë edhe jashtë burgut, ku përsonazhe të tillë, të mishëruar tashmë me ndjenjën e bashkimit mes vete, pa ndasi ideologjike, të shikonin atë kryesoren, ideologjinë e shqiptarisë.

Gjithashtu është interesante që autori ndaj disa përsonazheve negative mundohet të jetë modest, të cilët edhe në rastet kur e kishin spiunuar, e ku me rastin e ballafaqimit para inspektorëve serbë të sigurimit, Adem Demaçi i nxirrte nga situata duke i bërë që të mos ndjehen të turpëruar, sepse vet Demaçi ndjehej keq, duke patur parasysh që jo të gjithë njerëzit ishin njëjtë të qëndrueshem para trysnive e shantazheve të ndryshme politike të UDB-së.

Nga përsonazhet negative shqiptare, përmend njërin që është lajmëruar për ta denoncuar Demaçin në UDB, e të cilit Demaçi megjithatë nuk ia përmend emrin. Ndërkaq të vetmin përsonazh negativ shqiptar që e përmend me emer e mbiemer është Mehmet Hoxha të cilin e quan “sahanlëpirës”.

Libri është i këndshëm për t’u lexuar, qoftë nga lexuesit që burgun mund ta imagjinojnë përmes këtij romani, qoftë edhe nga të burgosurit politik të periudhave të ndryshme, që gjithsesi do ta gjejnë vetën brenda këtij romani.

Padyshim se ky libër e pasuron fondin e librave jo vetëm të autorit, por edhe fondin e librave me vlerë të letërsisë shqipe.

Kontrolloni gjithashtu

Dr Fitim Selimi: Rasti Agon Zejnullahu – Një thirrje për drejtësi, jo heshtje institucionale

Vdekja tragjike e qytetarit Agon Zejnullahu gjatë një aksioni policor në përpjekje për arrestim, ka …