Zëvendëskryeministri dhe njëkohësisht kryeministri në detyrë, Besnik Bislimi, ka thelluar edhe më tej përplasjen institucionale me sistemin e drejtësisë, duke i cilësuar si “primitivë”, “të korruptuar” dhe “pa kredibilitet” dy prej instancave më të larta të drejtësisë në Kosovë – Gjykatën Supreme dhe Gjykatën Kushtetuese. Pas vendimit të Gjykatës Supreme që e shpalli të kundërligjshëm ushtrimin e funksioneve ekzekutive nga ministrat që janë njëkohësisht deputetë të certifikuar, Bislimi reagoi me një gjuhë të paprecedentë në profilin e tij privat në rrjete sociale. “Edhe një rast sa tipik ashtu edhe primitiv i luftës së hapur që gjyqësori i ka shpallur qeverisë dhe zhvillimit të shtetit. Një luftë që me siguri të plotë do ta humbë me shumë turp”, shkroi ai, duke përçuar një qasje alarmuese për raportin ndërmjet ekzekutivit dhe sistemit të drejtësisë. Kjo retorikë përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj rendit kushtetues dhe pavarësisë së gjyqësorit, që përbën themel të shtetit të së drejtës. Vendimi i Gjykatës Supreme është përfundimtar dhe mospajtimi me të nuk i jep të drejtë Qeverisë që të mos e zbatojë atë. Me këtë qasje, shteti i së drejtës në Kosovë vihet seriozisht në pikëpyetje. Kur një qeveri, veçanërisht në detyrë, refuzon të zbatojë aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës Supreme – atëherë rrezikohet ndarja e pushteteve, stabiliteti institucional dhe vetë kredibiliteti demokratik i vendit.
