Arsim Bajrami: Sfidat dhe prapaskenat e shkrimit të Nenit 1 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës

Sot, gjatë një debati me studentët e Fakultetit Juridik për procesin e hartimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ndjeva nevojën të ndaj me ta disa kujtime nga periudha e vështirë dhe vendimtare e shkrimit të Nenit 1 të Kushtetutës – nenit që përkufizon shtetin dhe përcakton identitetin kushtetues të Republikës së Kosovës.
Në atë moment më erdhën në mendje 23 takimet e gjata e të lodhshme që kisha zhvilluar në Vjenë me ekipin e juristëve të Martti Ahtisaarit. Për më shumë se një vit, ne negociuam çdo detaj të përmbajtjes kushtetuese që më pas u përfshi në Aneksin I të Propozimit Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës. Ky dokument do të bëhej më vonë baza themelore për hartimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Këto negociata nuk ishin aspak të lehta; përkundrazi, ishin ndoshta më të ndërlikuara sesa ato të Rambujesë. Ashtu si atëherë, edhe në këtë proces unë kisha rolin e kryesuesit të Komisionit Kushtetues, të emëruar nga Grupi i Unitetit, me dy detyra kryesore:
të përgatisja draftin e Kushtetutës që do të shpallej në ditën e pavarësisë; dhe
të negocioja me ekipin e Ahtisaarit për përmbajtjen dhe parimet themelore të saj.
Nga pala kosovare isha i vetmi përfaqësues, ndërsa ekipi i Ahtisaarit përbëhej nga një numër i madh juristësh ndërkombëtarë, disa prej të cilëve kishin punuar më parë në Bosnje, në procesin e Dejtonit. Ata sillnin me vete një përvojë të rëndë nga modeli i dështuar i shtetit multietnik me tri kombe shtetformuese.
Delegacioni serb, si gjithmonë, luante rol destruktiv. Për çështjet kushtetuese kishin angazhuar ekspertin zviceran Flajar, njohës i spikatur i federalizmit, i cili për më tepër kishte lidhje të ngushta me qarqet akademike serbe – pasi ishte i martuar me profesoreshën e njohur të Fakultetit Juridik të Beogradit, Lidija Basta.
Pothuajse tre muaj me radhë diskutimet tona u përqendruan rreth formulimit të Nenit 1 të Kushtetutës së Kosovës, i cili është zemra e aktit kushtetues, pasi përkufizon natyrën dhe identitetin shtetëror të vendit tonë. Eksperti serb Flajan, i përkrahur nga një pjesë e ekspertëve ndërkombëtarë, kishte propozuar këtë tekst:
“Kosova është shtet multietnik, i përbërë nga shqiptarët, serbët dhe bashkësitë e tjera etnike që jetojnë në Kosovë.”
Ky formulim ishte kopje e drejtpërdrejtë e Kushtetutës së Bosnjës, e cila e përcakton atë si shtet multietnik dhe federativ, të përbërë nga dy entitete – Federata Boshnjako-Kroate dhe Republika Serbe – dhe tri kombe shtetformuese: boshnjakët, kroatët dhe serbët.
Ashtu si në Rambuje, edhe në Vjenë e kundërshtova fuqishëm këtë formulim. E refuzova konceptin e shtetit multietnik dhe përmendjen e serbëve si komb shtetformues bashkë me shqiptarët. Një formulim i tillë, përveçse i padrejtë politikisht, do të nënkuptonte në mënyrë të tërthortë njohjen e së drejtës për vetëvendosje të serbëve, përfshirë edhe të drejtën e shkëputjes dhe bashkimit me Serbinë.
Pas shumë takimeve personale me Ahtisaarin, ai u bind se një formulim i tillë do të rikthente rrezikun e konfliktit të armatosur. Në fund, ai më përkrahu që paragrafi i parë i Nenit 1 të kishte këtë formulim:
“Republika e Kosovës është shtet sovran, i pavarur, demokratik, unitar dhe i pandashëm.”
Në paragrafin e dytë, në vend të konceptit të “shtetit multietnik”, u pajtuam të fusim formulimin evropian:
“Republika e Kosovës është shtet i shetasëve të saj…”
Ky ishte një moment i madh fitoreje për Kosovën, sepse shmangu modelin boshnjak dhe hapi rrugën për një koncept modern të shtetit qytetar, që garanton të drejta të gjera për komunitetet joshumicë, por pa i bërë ato bashkëbartëse të sovranitetit. Në vend të një “shteti multietnik”, Kosova u përcaktua si shoqëri shumetnike, e bazuar në parimin e diskriminimit pozitiv dhe të barazisë qytetare.
Më kujtohet se kur filluam hartimin e tekstit final të Kushtetutës, me ndihmën e tre ekspertëve amerikanë që kishin vetëm rol këshillues, u thashë kolegëve të Komisionit me humor se “23 nenet e Parimeve Themelore do t’i mbyll në kasafortë, që të mos ketë më diskutime e as kompromis”. Kështu bëra, dhe për fat të mirë ato mbetën të paprekura deri sot – përjashtuar paragrafin e tretë që u hartua nga NATO për çështjet e sigurisë.
Ky rrëfim që ndava sot me studentët e mi është një dëshmi reale për sfidat e shkrimit të Kushtetutës së Kosovës, por edhe një mesazh për ata që sot trumbetojnë se Kosova është shtet multietnik, duke i dhënë pakicës serbe status shtetformues.
Në fakt, Kosova është dhe duhet të mbetet shtet unitar e i pandashëm, që promovon diversitetin etnik si vlerë, garanton të drejtat e njeriut për të gjitha komunitetet, madje përtej standardeve të Konventës Evropiane, por nuk mund të jetë shtet multietnik. Edhe struktura demografike e vendit e kundërshton këtë koncept: 93% e popullsisë janë shqiptarë etnikë, ndërsa vetëm 7% i përkasin komuniteteve të tjera.
Le ta kujtojmë me këtë rast edhe pozitën e vëllezërve tanë në Maqedoninë e Veriut, të cilët, ndonëse përbëjnë rreth 35% të popullsisë, ende nuk e kanë fituar statusin e kombit shtetformues, sepse shteti maqedonas vazhdon të refuzojë ta përcaktojë veten si shtet multietnik.
Ky është realiteti që duhet ta kuptojmë e ta mbrojmë me dinjitet: Kosova është shtet i qytetarëve të saj, por me identitet të qartë kombëtar, me shumicë shqiptare dhe me respekt të thellë për të gjitha komunitetet që jetojnë në të. Komunitet jo shumicë, e në veçanti komuniteti serb gëzon të drejta të gjëra të përfaqësimit politik në të gjitha institucionet e Kosovës përmes vendeve të garantuara në Parlament, Qeveri, Gjyqësor, Gjykatën Kushtetuese, diplomaci, sektorin e sigurisë, dhe pushtetin lokal, si dhe të drejtën e votimit të dyfishtë (shumica e Badinterit), për disa ligje që kanë karakter të interesit vital per ta. Ky status i komunitetit jo shumicë serb, ka qenë kompromisi i madh që ka bërë Kosova me bashkësinë ndërkombëtare dhe partnerët e saj për njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Përkundër këtij trajtimi afirmativ të komuniteteve jo shumicë, Kushtetuta e Kosoves garanton qeverisjen e shumices shqiptare, dhe nuk njeh asnje mekanizem bllokues, apo te drejt vetoje qe komunitet pakice mund te perdorin per te bllokuar funksionimin e sistemit kushtetues te Republikes se Kosoves.

Kontrolloni gjithashtu

Arbanë Qeriqi-Gashi Televizioni Dielli dritare ditore për historinë, kulturën, traditën shqiptare të shumë shekujve

Arbana Qeriqi-Gashi: Kur fushata politike hyn në amfiteatër

Kosova po hyn në ditët e fundit të një fushate zgjedhore që ka rrënuar çdo …