Prof. Dr. Hivzi Muharremi: FJALA IME NË PROMOVIMIN E MONOGRAFISË, EDI RAMA - NEUROESTETIKA E NJË ARTISTI, AUTOR OLTSEN GRIPSHI

Prof. Dr. Hivzi Muharremi: FJALA IME NË PROMOVIMIN E MONOGRAFISË, EDI RAMA – NEUROESTETIKA E NJË ARTISTI, AUTOR OLTSEN GRIPSHI

Me kënaqësi të madhe e kam pranuar ftesën nga autori, pedagogu dhe kritiku i artit Oltsen Gripshi qe me rastin e promovimit të monografisë kushtuar piktorit-artistit të respektuar Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë Zotëri Edi Rama ti shprehi opinionet e mia rreth shkrimit eseistik të Monografisë nga autori Oltsen Gripshi. Përzemersisht e përshendes dhe e përgëzojë për monografinë, Neuroestetika e një artisti.

Autori Dr. Scc. Oltsen Gripshi është kritik i arteve pamore dhe pedagog në  universitetin shtetëror te Durrësit dhe të Shkodres. Është njohës i rrjedhave zhvillimore të arteve moderne si kombëtare poashtu edhe ndërkombëtare, i cili i takon brezit të rinj të artistëve, ku krahas artit me përkushtim të madh i është qasur edhe fushës eseistike të arteve pamore.

Monografia “Neuroestetika e një artisti”, e autorit Gripshi është një vepër që ngrihet mbi një mision të dyfishtë: të afirmojë krijimtarinë e Edi Ramës si artist pamor dhe njëkohësisht ta vendosë atë brenda një kornize teorike moderne, ku psikologjia, filozofia dhe neuroshkenca bashkohen për të shpjeguar përvojën estetike. Ky libër paraqitet si i pari studim i plotë mbi artin e Ramës, duke u përqendruar në pikturën e tij dhe duke e interpretuar atë jo thjesht si shprehje individuale, por si produkt i një ndërthurjeje komplekse midis imagjinatës, pavetëdijes dhe perceptimit njerëzor.

Për lexuesin artdashës, libri është një udhëtim që e afron me laboratorin e brendshëm të një artisti bashkëkohor, ndërsa për studiuesit e artit e kritikës vizuale, ai është një kontribut metodologjik: Gripshi sjell neuroestetikën si mjet për të analizuar artin, duke e pozicionuar Ramën në një traditë të re të abstraksionizmit lirik pasbashkëkohor.

Vepra është e ndarë në tetë kapituj, secili prej të cilëve i qaset një dimensioni tjetër të artit të Ramës: nga konteksti i krijimit deri te roli i pavetëdijes, nga semiotika vizuale deri te funksioni i kujtesës. Në vijim do të ndjekim këtë ndarje për të evidentuar pikat kryesore të monografisë. Pra, Monografia sipas konceptit të autorit mbarshtrohet përmes këtyre kapitujve duke filluar nga: 1. Parathëniet e një pikture; 2. Psikologjia si psikika e imazhit fenomenologjik; 3. Neuroestetika: sinteza e imazhit arketipal mendor; 4. Estetika semiotike: thelbi gnoseologjik përtej formave; 5. Imagjinata, përjetimi krijimi;     6.Trupi: celësi i ontologjisë së imazhit; 7. Krijimi si shëmbëlltyrë antropike e realitetit; 8. E pavetëdijshmja si paradigmë e gjuhës pamore; 9. Imazhi mneomonik përtej  psikologjisë dhe estetikës bashkëkohore; 10. Biblografia; dhe 11. Fjalorthi;

1.1.         Parathëniet e një pikture

Gripshi nis monografinë me një reflektim mbi parathëniet – domethënë kushtet paraprake, historike e psikologjike që ndihmojnë lindjen e një vepre arti. Ai nënvizon se asnjë vepër nuk është e izoluar nga koha dhe përvoja e artistit; çdo vizatim është i ngarkuar me kujtime, gjurmë kulturore dhe shenja të botës së brendshme. Në rastin e Ramës, këto parathënie shfaqen si ndërthurje midis biografisë personale (nga formimi në Akademinë e Arteve të Tiranës, deri te përvoja e tij e hershme si pedagog dhe ekspozues), dhe ndikimeve të mëvonshme politike që, ndonëse nuk shfaqen drejtpërdrejt në pikturë, e formësojnë ndjeshmërinë e tij estetike.

Autori na kujton se çdo pikturë është edhe një “testament i kohës” në të cilën është krijuar. Ky këndvështrim e vendos Ramën në një linjë me traditën ekzistencialiste të artit evropian, ku arti shihet si pasqyrim i materies së jetuar dhe jo thjesht si lojë formash e ngjyrash. Kështu, “parathëniet” e Ramës nuk janë vetëm një kornizë e jashtme, por pjesë integrale e përvojës së tij krijuese.

  • Në kapitullin: Psikologjia si psika e imazhit fenomenologjik.

Në ketë kapitull autori Oltsen Gripshi kryesisht përqendrohet mbi një estetikë të re stilistike me një konotacion ndaj qasjeve të reja perceptuese konceptuale dhe gjithnjë e më shumë i shmanget anës tradicionale, standarde të frymëzimit për realizim të veprave artistike dhe gjithnjë e vë në spikam përballjen psikologjike e cila sendërton raport të ngusht mes shpirtit dhe materies. Andaj, edhe artisti-krijuesi Edi Rama me një intuitë dhe njohje të thellë të vokacioneve artistike të lëvizjeve bashkëkohore të artit, veçmas të asaj konceptuale në opusin e kompozimeve të veta shpërfaq, përkatësisht mbështet nën gjurmët e psikiatrisë fenomenologjike, ku truri në vetvete nuk është më objekt studimi, por subjektivizmi i emocioneve që ai prodhon. Apo sic  thotë autori i monografisë  Oltsen Gripshi:…..” Imazhi përfundimtar në pikturën e Edi Ramës vjen si rezultat i kërkimit dhe thellimit psikologjik. Ai është një sintezë e ndikuar fuqishëm nga psika-dinamika e së përditshmës dhe aty nuk mungon irracionalja psikike në formëmësimin apo konkretizimin e Imazhit Fenomenologjik mes stimulit skajor dhe stimulit proksimal, të cilët janë të lidhur ngushtë mes tyre në dhënien apo paraqitjen perceptuese të objekteve formë-vëllim”. Autori i monografisë Gripshi me një sens dhe në mënyrë inventive i qaset trajtimit të imazheve apo imazhit të veprave të piktorit gjithnjë duke u mbështetur në raportin mes tyre, përkatësisht mes stimulit skajor dhe atij proksimal.

Në sistemin skajor kryesisht bëhet fjalë për shqyrtimin e pranisë fizike, materialeve të objekteve, pra, përceptimi vizual i realitetit. Ndërsa stimuli proksimal gjithnjë synon për mbledhjen e të dhënave për të arritur tek stimuli skajor. Për analizën psikologjike të imazhit fenomenologjik është më së i domosdoshëm stimuli skajor në veprën e Edi Ramës. Meqë raporti mes dy stimujve është shumë i ngusht ashtu sic shprehet edhe autori:….”kalimi i stërholluar perceptivo- ndjesor nuk përshkohet gjithmonë në mënyrë korrekte në psikologjinë e individit-artistit, shpeshherë ndodhë e kundërta. Sistemi perceptues  gabon në përcjelljen e të dhënave të njëllojta të mbledhura nga realiteti fizik, për në psikologjin e individit, ku shkaktohet një tjetër dinamikë brenda procesit perceptues-në iluzion psikik”. Iluzioni si nocion tek artistet dhe krijuesit e fushave të ndryshme është pasqyrim i një imazhi të gabuar të objekteve reale.

Tek veprat e Edi Ramës këto qasje psikologjike në mes vete janë të harmonizuara dhe paraqesin një tërësi kompozicionale e kjo tërësi padyshim, reflekton në veprat të cilat spikasin frymën e Abstraksionizmit-Lirik. Në këto rezultate  autori i Monografisë Oltsen Gripshi është mbështetur edhe në teoritë e njohura si: teoria e Helmholtz-it mbi perceptimin dhe teoria e perceptimit dhe e psikologjisë së Gestalt-it. Të dyja këto teori kanë qenë tejet të rëndësishme për ndihmës dhe thellim në brendësi të imazhit Fenomenologjik.

Instikti është një ndër elementet kyce në leximin psikologjik të pikturës së Edi Ramës apo sic  shprehet autori:…”Instikti përfaqëson bërthamen lëvizës në thellësi të pavetëdijës së qenies, nga kjo bërthamë lind edhe instikti i jetës, si pjesë e strukturës konceptuale të instiktit, në analizimin e pikturës së Edi Ramës nuk mund ta lemë pa përmendur edhe instiktin e vdekjës.  Që sipas Frojdit ka të bëjë me nevojën për të shkatërruar, shpërbër, vrarë dhe ripërtrirë të gjitha ato ndjesi trishtimi, melankolie dhe dhimbjeje të cilat vlojnë në arteriet e qenies.

Në këtë kapitull, Gripshi fut lexuesin në një qasje fenomenologjike të artit. Ai argumenton se piktura e Ramës është një pasqyrë e psikikës, jo thjesht e realitetit vizual. Në vend të një riprodhimi të botës së jashtme, Rama pikturon atë që përjeton: gjendje emocionale, ndjesi të brendshme, kujtime.

Në veprat e tij, ngjyra dhe forma nuk janë të përzgjedhura për të riprodhuar realitetin, por për të prodhuar një emocion të caktuar. Gripshi e lidh këtë proces me psikologjinë e perceptimit: çdo shikues i përjeton pikturat në mënyrë të ndryshme, pasi ato lidhen me kujtesën dhe përjetimet individuale.

  • Neuroestetika: sinteza e imazhit arketipal mendor

Ketë kapitull autori e fillon me rolin e teorisë gestaltiske me studimin e saj dhe karakteristikat parësore në ndikim të drejtëpërdrejt të krijuesit artistik. Ajo studion tërësinë e marrëdhënies midis njeriut dhe formave, apo ate se si perceptimi i formave rrjedh nga përvoja psikologjike për t’ i njohur ato si të tilla. Në bazë të kësaj teorije psikofilozofike që synon në të kuptuarit më mirë të strukturimit të këtij përceptimi psikologjik i cili ndjek ligjet universale me të cilat  qenia njerëzore arrinë të konceptojë realitetin, ku rrethi si një formë gjeometrike përcjell ndjesinë e rrumbullakët e njëjta gjë ndodhë edhe me elementet tjera të artit si: midis ngjyrave, formave dhe formave apo midis formave e ngjyrave. Këto tipare autori në mënyrë të detajiuar dhe konciz e shpërfaq në këtë kapitull monografik ku në mes tjerash cek: ….” Syri, përmes veprimit perceptiv, përcjell në brendësi të qenies njerëzore esencën e formave dhe ngjyrave të përthithura nga realiteti, duke i thjeshtësuar dhe përpunuar sipas mekanizmave të ndryshëm psikologjik. Këta mekanizma shpërfaqin aftësin e artist për të interpretuar gjërat konkrete që ai shikon, duke i dhënë atyre një kuptim tjetër, pavarësisht se cfarë ato përfaqësojnë në të vërtetë. Estetika e imazhit abstrakt-lirik në pikturën e Edi Ramës, sic thotë autori lundron midis dy brigjeve, atij të interpretimit sipas psikologjisë gestaltiske ekszistenciale dhe atij të psikologjisë neuroestetike të Semir Zekii-t. Autori Gripshi gjithashtu nje rëndësi të vecantë i kushton edhe nocionit e të bukurës dhe trajtimit të saj nga piktori në veprat e tija. Ku në mes të tjerash shprehet:…..”Bukuria si ndjesi subjektive dhe bukuria si element i rikrijuar nga artisti Edi Rama, kalon nëpër një labirinth të ndërlikuar mendor, përmes këtij procesi, ajo arrinë të filtrohet për tu derdhur më pas në një imazh i cili është tërësisht pjesë e një arketipi mendor.”

Ky kapitull përbën thelbin e monografisë. Neuroestetika, si disiplinë, studion mënyrën sesi truri i njeriut reagon ndaj imazheve artistike. Gripshi e aplikon këtë qasje mbi veprat e Ramës, duke shpjeguar se ngjyrat e forta, format e lira dhe abstraksionet e tij aktivizojnë mekanizma të trurit që lidhen me emocionin, kujtesën dhe arketipat kolektivë.

Në këtë kuptim, pikturat e Ramës funksionojnë si imazhe arketipale mendore: ato i flasin shikuesit jo përmes një gjuhe të përpunuar, por përmes reagimeve të thella dhe universale të trurit ndaj formave e ngjyrave. Ky interpretim i jep artit të tij një dimension më të gjerë: ai nuk është thjesht një produkt individual, por një përvojë që komunikon me çdo njeri në nivel biologjik dhe psikologjik.

  • Estetika semiotike: thelbi gnoseologjik përtej formave

Gripshi shpjegon se arti nuk është vetëm një përjetim estetik, por edhe një gjuhë. Në këtë kapitull ai aplikon teorinë e semiotikës, duke parë pikturat e Ramës si sisteme shenjash që mbartin kuptime. Një vijë, një formë ose një shpërthim ngjyre nuk janë të pafajshme; ato përfaqësojnë diçka përtej vetes, duke krijuar një komunikim simbolik mes artistit dhe shikuesit.

Ky dimension gjuhësor e bën artin e Ramës një fushë interpretuese ku çdo element vizual mund të shihet si metaforë apo metonimi. Kështu, Gripshi i jep veprës së tij një rol gnoseologjik: arti nuk është vetëm ndjesi, por edhe dije, një mënyrë për të kuptuar botën përmes shenjave vizuale.

  • Aliquid stat pro aliquo; midis imagjinatës dhe reales

Këtu, autori zhvendos vëmendjen te marrëdhënia mes imagjinatës dhe realitetit. Gripshi përdor shprehjen latine aliquid stat pro aliquo – “diçka qëndron për diçka tjetër” – për të shpjeguar se në artin e Ramës çdo element vizual është gjithmonë përfaqësim i diçkaje më të thellë.

Pikturat e tij janë krijime hibride: ato marrin elementë nga realiteti i përditshëm, por i transformojnë në forma imagjinare. Rezultati është një botë vizuale ku reale dhe imagjinare nuk dallohen qartë, por ndërthuren për të formuar një realitet të ri artistik. Kjo qasje e vendos Ramën pranë traditës së surrealizmit dhe abstraksionizmit evropian, por me një ngjyrim personal që lidhet me eksperiencën e tij shqiptare.

  • Imagjinata, përjetimi, krijimi

Imagjinata është themeli i procesit krijues. Gripshi argumenton se Rama nuk pikturon sipas një modeli të paracaktuar, por ndjek fuqinë e imagjinatës së tij. Çdo vepër është produkt i një përjetimi të brendshëm – një ndjenje, një kujtese, një emocion – që materializohet në formë pamore.

Kjo qasje e bën artin e tij një “imazh mnemonik”: një shenjë vizuale që bart kujtesën e një përvoje. Shikuesi nuk sheh vetëm një kombinim ngjyrash; ai përballet me gjurmën e një përjetimi njerëzor që merr jetë përmes pikturës.

  • Trupi: çelësi i ontologjisë së imazhit

Gripshi i kushton një kapitull të veçantë rolit të trupit në përvojën estetike. Ai argumenton se arti nuk perceptohet vetëm me sy, por edhe me trup. Gestet e artistit, lëvizjet e brushës, ritmet që krijon dora e tij, janë të gjitha pjesë e ontologjisë së imazhit.

Brenda artistit si qenie ekzistojnë dy entitete: trupi dhe shpirti, i pari ka të bëjë me ekzistencën fizike, ndërsa i dyti me atë qiellore. Të dyja këto ndërlidhin dy fuqi madhore: atë gravitacionale, tokësore dhe atë hyjnore apo sic thotë autori Gripshi: “…. Dy përmasa këto sa simbolike, aq edhe kozmogonike; të qenësishme për ekzistencën e artit, i cili është një lloj demiurgu i krijimeve të Zotit në tokë, “Anima Mundi” (Term filozofik për herë të parë i përdorur nga Platoni-…referim për shpirtin universal)

Nga ana tjetër, edhe shikuesi e përjeton pikturën me trupin e tij: ngjyrat dhe format nuk ndikojnë vetëm syrin, por edhe reagimet emocionale, fiziologjike dhe trupore. Në këtë kuptim, trupi është çelësi që e lidh pikturën me ekzistencën tonë të përditshme.

  • Krijimi si shëmbëlltyrë antropike e realitetit

Në këtë kapitull, krijimi artistik shihet si një shëmbëlltyrë antropologjike e realitetit. Gripshi argumenton se arti i Ramës është një mënyrë për ta rikrijuar botën sipas përvojës njerëzore. Nuk bëhet fjalë për një kopje të realitetit, por për një përpunim të tij që reflekton përmasën antropike – pra, mënyrën sesi njeriu e percepton, e ndien dhe e imagjinon botën.

Kjo qasje i jep artit të Ramës një dimension humanist: çdo pikturë është një dëshmi e përvojës njerëzore, një shëmbëlltyrë e asaj që është universale tek njeriu.

  • E pavetëdijshmja si paradigmë e gjuhës pamore

Gripshi shkon më tej duke e analizuar rolin e pavetëdijes në artin e Ramës. Ai argumenton se shumë prej formave, ngjyrave dhe strukturave të pikturave të tij nuk burojnë nga një planifikim i vetëdijshëm, por nga shtresat e pavetëdijshme të psikikës.

Ky dimension e lidh artin e tij me psikoanalizën dhe me teoritë e artit modern që theksojnë rëndësinë e të pavetëdijshmes në krijim. Në këtë kuptim, Rama nuk është vetëm një piktor që zgjedh vetë elementët e veprës së tij; ai është një kanal që përçon impulse të thella psikike që shpërthejnë në formë artistike.

  • Imazhi mnemonik përtej psikologjisë dhe estetikës bashkëkohore

Kapitulli final e vendos artin e Ramës në një dimension më të gjerë: ai e sheh pikturën si imazh mnemonik, një kujtesë vizuale që tejkalon psikologjinë individuale dhe bëhet pjesë e estetikës universale. Gripshi argumenton se arti i tij flet përtej kufijve personalë dhe kohorë, duke u shndërruar në një përvojë të ndarë që prek çdo shikues.

Kjo e bën monografinë jo vetëm një analizë të një artisti të veçantë, por edhe një reflektim mbi rolin e artit në përgjithësi: arti është një mënyrë për të ruajtur, përpunuar dhe komunikuar kujtesën njerëzore në formë të ndjeshme e universale.

Përfundim

Monografia “Neuroestetika e një artisti” është një vepër që tejkalon kufijtë e një studimi të zakonshëm. Ajo është një sintezë e shkencës dhe artit, e psikologjisë dhe estetikës, e teorisë dhe përjetimit. Përmes saj, Profesor Gripshi i jep krijimtarisë së Edi Ramës një status të ri kritik dhe e vendos në qendër të diskutimit akademik mbi artin bashkëkohor shqiptar.

Libri ka vlerë të shumëfishtë: për artdashësit është një udhërrëfyes për të hyrë në botën e brendshme të një artisti, për studiuesit është një model metodologjik, dhe për kritikën e artit është një hap drejt konsolidimit të estetikës bashkëkohore shqiptare. Në fund, Gripshi arrin të tregojë se arti i Ramës nuk është vetëm një pasqyrë e shpirtit të tij, por edhe e shikuesit – një përvojë e përbashkët ku ndërthuren imagjinata, pavetëdija, trupi dhe kujtesa

Kontrolloni gjithashtu

Arbana Qeriqi: 7 muaj pa ty, BABI

Shtatë muaj që çdo mëngjes fillon njësoj — hyj në radio, e ndiej sikur TI, …