Mehmet Bislimi: Jasharët, digë e pakalueshme në themelet e lirisë së Kosovës

(E padiskutueshme, lufta e vitit 1997-1999, ka protagonistët dhe liribërësit e vet!..).

 Tempulli i lirisë si kudo në botë, pa dyshim se ka një strumbullar, ka një Piemont shqiptar të kohës dhe këta kanë qenë dhe janë Jasharët e Pekazit.

Bacë Shabani, Ademi, Hamza dhe Rifati, në përgjithësi familja Jashari ishte humaniste dhe bamirëse, pra, ata ishin të edukuar nga vet bacë Shabani me atdhedashuri. Ata ishin konsekuent dhe të pa kompromis në qëndrimet e tyre, kur ishte në pyetje interesi madhor i atdheut, ata e dëshmuan këtë me angazhimin atdhetarë,  madje edhe me aktin e rënies së tyre heroike të pashëmbulltë për atdhe.

Familja Jashari, ka qenë dhe është e nderuar në mbarë Drenicën e më gjerë. Ka qenë dhe është ndër familjet më të pasura në ato rrethina. Ka qenë dhe është ndër familjet më atdhedashëse në mbarë trojet shqiptare. Ka qenë dhe është familje bukëdhënëse dhe shumë bamirëse. Ka qenë dhe është familje që ka bashkuar shqiptarët në çdo kohë. Ka qenë dhe mbetet simbol i lirisë e përkushtimit, prandaj meriton respekt të veçantë gjithëkombëtar!

 Shaban Jashari

I përkiste Lëvizjes Nacional Demokrate Shqiptare, një ndër aktivistët e hershëm të çështjes sonë të pazgjidhur kombëtare. Ai shumë herë na fliste për çështje angazhimi, me admirim fliste për figura të larta të NDSH-së të asaj kohe.

Bacë Shabani ishte mësuesi i parë i atyre anëve, ishte mësues i popullit, ishte i përndjekuri i parë politik nga regjimi titist. Baca Shabani, ishte i nderuar kudo që shkonte, atë e priste balli i oxhakut, në kuvendet e burrave, këshillat e tij dëgjoheshin me shumë vëmendje, ai ishte shembulli më unik i flijimit në altarin e lirisë, ai është flamuri i atdheut, ai është Prometheu i Shqiptarëve të ditëve të sotme, ai ishte babai i aradheve të para të çlirimtarëve që gjetën mbështetje, strehë, bukë, bujari dhe ngrohtësi në Kullën e tij Legjendare!

 Hamëz Jashari

Në fillim ka qenë pjesë e LDK-së, më pastaj kishte kaluar në Partinë Republikane. Atë kohë, kalimi nga një subjekt politik në një tjetër, sikur nuk akceptohej si duhet. Në Kosovë pluralizmi politik dhe sistemi shumë partiak ishte në hapat e parë të tij, një veprim i tillë, përbënte risi e cila nga elektorati shihej me një sy të hamendësuar!

Por Hamëz Jashari këtë e kishte kuptuar më kohë:
– Ishte ndër të parët në sistemin e ri pluralist në Kosovë, i cili shfrytëzoj të drejtën dhe vullnetin e tij të lirë për të vepruar lirshëm politikisht!
– Ishte ndër të parët që e kuptoj peshën e mendimit ndryshe!
– Ishte ndër të parët që kuptoj peshën e lirisë së mendimit të lirë!
– Ishte ndër të parët që e kuptoi drejt pluralizmin dhe formacionet politike!
– Ishte ndër të parët, që nuk shkeli mbi unin e vet politike e kombëtar!
– Ishte ndër të parët që kuptoi në esencë sistemin e pluralizmit dhe rolin e individit në shoqërinë pluraliste demokratike!
– Ishte ndër të parët, që shprehu gatishmërinë e sakrificës për t’i dalë zot atdheut!
– Ishte ndër të parët, që dha shembullin më të shenjtë personal, shembullin më biblik, shembullin me unik në Ballkan e rajon të sakrificës për lirinë e atdheut!
Hamzë Jashari, personalitet i papërsëritshëm- veç pararendësve tanë, si Oso Kuka, Sefë Kosharja, Mic Sokoli, Kamer Loshi, Tahir Meha e qindra bijë të tjerë të atdheut.

 Adem Jashari

Kjo figurë markante që i përkiste Lëvizjes Popullore të Kosovës, ishte fjalëpakë, ngase puna i fliste shumë… nuk i duronte fjalamanët, ishte i përkushtuar, fjala e tij nuk kthehej mbrapsht, ishte i rreptë dhe i pa kompromis kur ishin në pyetje interesat e atdheut, ishte modest dhe modestia e ngrittë atë në piedestalin e Hyjnisë. Adem Jashari, ishte figurë hyjnore e tokës dhe qiellit e hënës dhe diellit, natyra e kishte dhuruar të tillë!

Si të thuash; natyra e kishte krijuar të veçantë në mesin e njerëzve tjerë! Është trungu më autokton shqiptar, që interesave të atdheut nuk ua ktheu shpinën asnjëherë- Ademi, është vet liria, Ademi është Legjenda e lirisë së Kosovës, Ademi është Hyjni!

Pamja e tij ngjasonte me Gjergj Kastriotin, Zaharia Gropën, Gjergj Ballshin, Lekë Dukagjinin, Rrapo Hekalin, Zenel Gjolekën, Zeman Mashkullorin, Çerçiz e Bajo Topullin, Ademi ishte një figurë madhështore e papërsëritshme, ishte sublimin i të njerëzishmes!…

Ky portret, nuk të le indiferent, është portret i admirueshëm nga e gjithë bota liridashëse- edhe sot, provokon dhe le pa gjumë imagjinatën krijues të letrarëve, piktorëve, skulptorëve, poetëve, historianëve, filozofëve dhe strategëve të artit ushtarak… është figurë që mbushë sheshet me bronz, figurë që përflakë qiellin e lirisë sonë, figurë që shndritë rreze dielli!

Ai i dha emër lirisë sonë, është zemra e tokës mëmë, pa te, baladat, pikturat, skulpturat, poezitë do të ishin të zbehta, pa te bronzi, nuk do të kishte ku të derdhej, pa Ademin- Komandantin Legjendar, madhështia e shtatorëve do të ishte më e tkurrur, pa emrin e Ademit, sheshet do të ishin më të varfra, do të ishin më të zbehta!

 

–        Ai ishte një kokë lua.
Si ay, nuk lindë nana ma!…

 Rifat Jashari

Ishte dhe është personalitet i dalluar, mbështeti të gjithë ata që ishin të përkushtuar për çlirimin e atdheut, vepronte me shumë seriozitet, atë e nderojnë dhe respektojnë të gjithë. Interesat e atdheut për bacë Rifatin, gjithherë qëndronin mbi ato partiake. Nuk ka bashkatdhetarë në tërë rrethinën e Mynhenit e më gjerë, që nuk flasin me admirim për sjelljen dhe dashurinë njerëzore të Rifat Jasharit.

Rifati, ishte nder mërgimtarët e hershëm që kontribuoj për mirëqenien familjare e shtet ndërtuese. Pa asnjë ekuivok, ndihmonte njerëzit në nevojë, në veçanti, mbështeti fuqishëm lirinë e atdheut. Shembulli i veçantë i burrit, atdhetarit dhe njeriut modest, siç është ai!, Rifati, edhe kur mori kumtin e rënies së 20 anëtarëve të familjes së tij, nuk doli nga vetja e tij, ai, priti e përcolli mijëra bashkatdhetarë, duke dhënë shembullin ma të lartë sublim, se liria e atdheut është mbi të gjitha edhe mbi jetën, dhe këtë e dëshmuan katërçipërisht së jeta pa liri nuk ka kuptim, me rënien e tyre, ata i dhanë kuptim jetës dhe lirisë!…

Rifat Jashari, ka marrë pjesë në rezistencën për liri së bashku me vëllezërit Ademin dhe Hmzën si dhe me babanë Shabanin, me 30.12,1991, kur milicia serbe dhe njësitet elite të saj kishin rrethuar familjen Jashari. Rifati se bashku me vëllezërit dhe luftëtarët tjerë të lirisë kishin rezistuar përgjatë tërë asaj dite, kundër sulmit të forcave serbe, me këtë rast, liridashësit e Jasharajve pushtuesit Serb i dhanë një mesazh të qartë:
Shqiptarët e duan lirin, pavarësisht çmimit që do ta paguajnë- Liria mbi të gjitha!

Në vazhdim, këta janë anëtarët e familjes Jashari, që ranë për të mos vdekur kurrë, para të cilëve duhet të përkulemi me respekt të thellë.

1.         Shaban Murat Jashari (74-vjeçar), babai i Legjendarit

2.         Zahide Geci – Jashari (74-vjeçare), nëna e Legjendarit

3.         Zarife Jashari (49) gruaja e Rifatit

4.         Hidajete Rifat Jashari (18), vajza e Rifatit

5.         Valdete Rifat Jashari (15), vajza e Rifatit

6.         Igball Rifat Jashari (13), djali i Rifatit

7.         Igballe Rifat Jashari (11), vajza e Rifatit

8.         Hamëz Shaban Jashari (47), strategu i lirisë

9.         Feride Mecini – Jashari (43), gruaja e Hamëz Jasharit

10.       Selvete Hamëz Jashari (20), vajza e Hamëz Jasharit

11.       Afete Hamëz Jashari (17), vajza e Hamëz Jasharit

12.       Besim Hamëz Jashari (16), djali i Hamëz Jasharit

13.       Lirie Hamëz Jashari (15), vajza e Hamëz Jasharit

14.       Blerim Hamëz Jashari (12), djali i Hamëz Jasharit

15.       Fatime Hamëz Jashari (9), vajza e Hamëz Jasharit

16.       Blerinë Hamëz Jashari (7), vajza e Hamëz Jasharit

 17.       Adem Shaban Jashari (42), Komandanti Legjendar

18.       Adile Rama – Jashari (40), gruaja e Adem Jasharit

19.       Fitim Adem Jashari (17), djali i Adem Jasharit

20.       Kushtrim Adem Jashari (13), djali i Adem Jasharit

 

– Nga kjo plojë gjaku shpëtoi vetëm Besarta Jashari, vajza e Hamëz Jasharit e cila atë botë ishte vetëm 11 vjeçe.

 Të rënët tjerë po atë ditë nga lagja Jashari, Prekaz i Poshtëm janë:
Bahtije Jashari, Abdullah Jashari, Blerim Jashari, Bujar Jashari, Qazim Jashari, Nazmi Jashari, Sinan Jashari, Ali Jashari, Beqir Jashari, Halil Jashari, Sherif Jashari, Elheme Jashari, Murtez Jashari, Faik Jashari, Qerim Jashari, Hamit Jashari, Kajtaz Jashari, Hamide Jashari, Shahin Jashari, Sadik Jashari, Hafije Jashari, Hamdi Jashari, Elfije Jashari, Fatime Jashari, Ramiz Jashari, Mihrije Jashari, Sabrije Jashari, Hanife Jashari, Smajl Jashari, Ukshin Jashari, Hajrije Jashari, Ajvaz Jashari, Fatime Bazaj, Smajl Bazaj, Salë Jashari, Sadik Kaçkini, Fatime Gashi, Gazmend Gashi, Makfirete Gashi…

Përkulje të përjetshme familjes Jashari dhe të gjithë Jasharëve tjerë, toka shqiptare i mbanë përjetësisht në gjirin e vet. Numri i të rënëve në Lagjen Jashari- Prekaz i Poshtëm, është 59. Nga ky numër i përgjithshëm, 55 janë nga lagja e Jasharëve, 4 të tjerë kanë qenë mysafir nga fshatrat tjera. Në mesin e të rënëve në Prekaz të Poshtëm, 35 veta ishin meshkuj dhe 24 femra.

 Ndërkaq nga fshati Prekazi i Epërm kanë rënë 37 veta, prej të cilëve 28 meshkuj dhe 4 femra, një ishte mysafir, kemi edhe 4 të zhdukur- të gjithë të rënëve për liri të atdheut, përjetësisht Lavdi!

Ranë për të mos vdekur kurrë: Kadri Mehmeti, Driton Shabani, Muharrem Misimi, Ejup Behrami, Xhevxhet Maliqi, Agim Ramadani, në vazhdim Xhavit dhe Mexhit Bislimi, Sokol Rama, Miftar Avdullahu, Hysni dhe Hajzer Musa, Muhamet, Musli dhe Sokol Fazliu, Gani Haxha, Hajdin Rushiti, Sinan Dauti, Vesel dhe Refadije Fertai, Rexhë dhe Fadil Selmani, Sherif Neziri, Beqir Rrahmani, Fetije Bislimi (me të meta psikike, përson i handikepuar), Qerime Dauti, Fetije Selmani, Fadil dhe Arif Latifi, Xhemail dhe Ismail Bajrami, Selman Selmani, Bejtë Halimi, Kajtaz Muharremi, Eset Jetullahu, Vesel dhe Latif Maliqi, Fadil Seferi, Nazmi Beka- ishte mysafir. Kemi edhe 4 të zhdukur: Idriz Idrizi, Mexhit Rushiti, Emine Imeri, në mesin e të pagjeturve, janë edhe Muhamet e Musli Fazliu. Disa nga të rënët e fshatit Prekaz i Epërm, kanë rënë gjatë rezistencës  së tyre heroike edhe në fshatrat tjera.

CH-07-03-2026

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …