leoni

Blerim Muriqi

Blerim Muriqi: ARTI I VRASJES SË VOTËS

Sikur gjithë ju lexues, sado të gëzuar të jeni për fitoret elektorale dhe sado të hidhëruar për humbjet e ngushta të balotazhit, secili nga ne ka një brengë përtej zgjedhjeve.

Çfarë na treguan këto balotazhe? Cili është lajmi i tyre?

Gjëja e parë që më shkoi ndër mend pas balotazhit ishte pyetja me të cilën po përballem tash e ca kohë: a ka ende kuptim dhe peshë vota ime si qytetar? Ndokujt mund t’i duket kjo pyetje një ekzagjerim vetëvlerësues, por jo – nuk ka të bëjë me këtë. Ajo lind nga vetë pamja e shifrave.

Dalja kaq e vogël në zgjedhje (rreth 32% në shkallë vendi), dhe fituesi që në rastin më të “mirë”, si në Pejë, ka arritur rreth 60% të votave, na futin në një labirinth numrash nga ku nuk dalim dot të kënaqur, as si votues “pro” e as si “kundër”. Sepse, vota na është bërë e pavlerë që në momentin e mosdaljes.

Në këtë logjikë, fituesi më i madh i këtyre zgjedhjeve (ai që do të duhej të përfaqësonte shumicën), është në fakt fitues me shumicë numerikisht të vogël dhe politikisht të zbehtë. Edhe sikur ta marrim rastin e Pejës si shembull të “fitores më të thellë”, në thelb bëhet fjalë për një mandat të ndërtuar mbi rreth 20% të elektoratit të regjistruar. Në shumë komuna të tjera, kjo përqindje është edhe më e ulët.

Prandaj, pyetja për kuptimin e votës nuk është ekzagjerim, por pasqyrim i gjendjes sonë reale: një fitore që s’ka pasion votuesish pas vetes, sado legale të jetë, është politikisht e vakët. Dhe një votë që nuk jepet, është një heqje dorë nga pjesëmarrja në kuptimin e vetë sovranitetit qytetar.

Pse po shuhet pjesëmarrja?

Nëse dikur mosdalja në zgjedhje shihej si shenjë pasiviteti apo dembelizmi qytetar, sot ajo është bërë një akt i heshtur mosbesimi. Shumë njerëz nuk dalin në votime jo sepse s’u intereson politika, por sepse nuk besojnë më se vota e tyre ndryshon diçka. Ky është rreziku më i madh që përballet çdo demokraci: jo humbja e një partie, por shuarja e ndjenjës se zgjedhja ka kuptim.

Në Kosovë, pas më shumë se dy dekadash pluralizëm, qytetari është përballur me një cikël të përsëritur: premtime të mëdha, zhgënjime të shpejta, dhe rikthim i të njëjtave figura nën emra të rinj. Kjo ka prodhuar një kulturë mosbesimi, ku çdo fitore shihet thjeshtë rotacion interesash, jo ndërrim kursi.

Partitë e Lëvizjet që dikur u shfaqën si shpresë, sot perceptohen si pjesë e të njëjtit establishment.
Pushteti, hera herës ka ndërruar duart, por jo shprehitë e pushtetit. Qytetari e ndien se, kushdo që fiton nuk do zgjidhë asnjë prej problemeve themelore, sikur janë: padrejtësia, punësimi, nepotizmi, korrupsioni, paaftësia institucionale.

Në këtë klimë, mosdalja në votime nuk është neglizhencë: është refuzim politik.

E megjithatë, ky refuzim, përkundër arsyes që ka, nuk e ndëshkon sistemin, sepse sistemi i rënë në duart e padijes dhe kapjes ushqehet pikërisht nga indiferenca. Një pushtet i zgjedhur nga 20% e elektoratit nuk shqetësohet për 80% e tjerëve që heshtin; përkundrazi, heshtja e tyre është komoditet. Dhe ky është paradoksi i demokracisë sonë: sa më pak të marrim pjesë, aq më të qetë janë ata që qeverisin.

Në këtë kuptim, balotazhi i sivjetshëm nuk është thjesht garë komunash. Ai është pasqyra e një shoqërie që po humb besimin te mekanizmi i përfaqësimit. Ky është lajmi i vërtetë i këtyre zgjedhjeve.

Së shpejti ne do shkojmë në zgjedhjet e përgjithshme dhe bazuar në ato të shkurtit të sivjemë bashkë me këto të balotazhit, gjithçka na thotë se atje do thurim lakun e kurthës së madhe. Fitorja e tri subjekteve të mëdha me nga 7 komuna dhe të katërtit me pesë të tilla na thotë se pa marrëveshje politike edhe pas një cikli zgjedhjesh nuk do ia dalim ta mbajmë tetëdhjetësin në kuvend për presidentin.

Rreziku që u shfaq në fjalimin e KM Kurti në Mitrovicë

Uniformiteti i rrugëtimit populist

Kur partia e Hitlerit arriti të nxjerrë një duzinë deputetësh në Reichstag — dymbëdhjetë gjithsej, ai, nga burgu ku ndodhej pas puçit të dështuar të Mynihut, dha urdhër që deputetët e tij të paraqiteshin me uniformë ushtarake në sallën e parlamentit. Ishte një gjest simbolik dhe i kalkuluar: ata nuk shkonin atje për të qenë pjesë e lojës, por për ta përqeshur atë. Uniforma ishte deklarata e tyre politike: “ne jemi ndryshe, ne jemi kundër të gjithëve.”
Në pamje të parë, kjo ishte një shfaqje e guximit kundër sistemit; në thelb, ishte fillimi i një shndërrimi – mënyra si një lëvizje që ushqehej nga përjashtimi filloi të përvetësonte format e sistemit që pretendonte ta rrëzonte.

Kjo lloj “dëshmie e ndryshimit” është thelbi i çdo lëvizjeje populiste që lind nga kundërshtia.

Në mënyrë të ngjashme për të mbajtur gjallë frymën e njëjtë, sonte nga Mitrovica, pas rezultateve të balotazhit, Albin Kurti përdori retorikën e të qënit ndryshe: “fituam kundër të gjithëve.” Kjo është një gjuhë që dikur, në kohën kur Vetëvendosje ishte lëvizje opozitare, përçonte një energji të vërtetë qytetare, revoltën e atyre që ndiheshin të përjashtuar nga vendimmarrja politike. Por sot, kur e njëjta lëvizje mban pushtetin qendror dhe kontrollon shumicën e institucioneve, fraza të tilla tingëllojnë si jehonë e vetvetes, jo si shenjë e ndryshimit.

Ashtu si uniforma në Reichstag që nga simbol i përjashtimit u bë veshje e sistemit, edhe retorika e Vetëvendosjes për ndryshim po rrezikon të kthehet në gjuhë ‚rituale të pushtetit‘,  një mënyrë për të ruajtur imazhin e “ndryshimit” në një realitet që është bërë tashmë pjesë e së njëjtës strukturë që dikur e kundërshtonte.

Çdo ideal që mbërrin në pushtet përballet me tundimin e madh: të mbijetojë. Në fillim, çdo lëvizje nis me një betim moral për drejtësi, për barazi, për ndryshim. Por pushteti, me gjithë rutinën e tij, me privilegjet, me kompromiset e domosdoshme dhe mekanizmat e vet të vetëmbrojtjes, fillon ta gërryejë ngadalë këtë betim. Kështu, ajo që dikur ishte ideal, bëhet identitet institucional; ajo që ishte revoltë, kthehet në rregull; ajo që ishte mjet i çlirimit, bëhet gjuhë e sundimit.

Vetëvendosje, që dikur i fliste qytetarit me tonin e ndershmërisë, sot rrezikon t’i flasë me tonin e vetëbindjes.
Nëse dikur kishte nevojë të tregonte se është “ndryshe”, sot ka nevojë të bindë veten se ende është.
Në këtë kalim të padukshëm — nga lëvizje që kërkon drejtësi, në pushtet që kërkon justifikim — ndodh drama e çdo ideali politik. sepse në fund, asnjë sistem nuk i deformon idealet me dhunë; ato shuhen nga përshtatja.

Dhe ky është mësimi që vjen jo vetëm nga historia e largët e uniformës në Reichstag, por edhe nga fjalimet e sotme në Mitrovicë.

Vrasja e votës deri në këtë masë ka hapur shumë shtigje. Megjithatë, na presin zgjedhjet e reja! U përdorën marifetet e nominimit të dytë sa për t’i çuar zgjedhjet në vigjilie të vitit të ri, kur mërgata zakonisht vjen në atdhe për fundin e vitit. Tendenca e përdorjes së këtij elementi nga pushteti për të rritur frymën është një përpjekje e pashpresë, sepse ruajtja e pushteit dhe mbjellja e shpresës rrinë dy anë të ndryshme të medaljes.

Rikthimi i besimit për peshën e votes do frymë e dëshmi potenciali për ta ndryshuar shoqërinë.

Ndoshta ka ardhur koha e një bashkimi antiestablishment që do qonte te besimi qytetar për peshën e votës të secilit prej nesh!

Kontrolloni gjithashtu

Karderinis Isidoros

Isidoros Karderinis: Palestina – një tragjedi e pabesueshme

Kanë kaluar dy vjet që nga 7 tetori i vitit 2023, dita kur filloi kjo …