Sabedin Sherifi: Horizonte të Ndryshme

Gjurmë gjaku në dëborë

Kanë kaluar tri ditë që shoku humbi në mal.
Bora e re ka mbuluar gjurmët e natës së llahtarshme,
atë natë ku u vranë shumë
dhe më shumë mbetën të plaguar.
Të gjithë i gjetëm…
veç Besi u zhduk pa asnjë shenjë,
si t’i kishte përpirë nata
dhe malet e heshtura.
Për të gjithë të rënët thirrëm lavdi,
por për Besin ende mbetëm në kërkim —
me shpresën që bora nuk e ka varrosur përgjithmonë,
me shpresën që zëri i tij
të na përgjigjej nga thellësitë e bardha të dimrit.
Por kur Prilli filloi të shkrijë borën e ftohtë,
papritur dëbora u skuq si flamur.
Dhe aty, nën dritën e pranverës që afrohej,
u duk Besi…
Ashtu i buzëqeshur,
sikur ftohti i malit të mos e kishte prekur kurrë.
Shkëlqente nën akullin e ngrirë,
si një rojtar i përjetshëm i shokëve të vet,
si një dritë që nuk shuhej dot.
Lavdia u ngrit për të gjithë,
por për Besin na ra heshtja mbi zemër.
Kërkimi mori fund,
dhe gjetja na dha dhimbjen më të rëndë —
atë të një heroi që u kthye vonë,
por u kthye me nder.
,………………………
Kur vdes poeti
 29/11/2025
Sabedin Sherifi
(Kushtuar Nijazi Ramadanit)
Kur vdes poeti,
shuhet dhe flaka, dhe kushtrimi,
shuhet dhe dashuria,
bie si një meteor
në det pa fund,
si dritë që s’ka më kë të zgjojë,
si zë që hesht
mes një bote që s’di të qajë.
Kur vdes poeti,
era ndalon paksa frymën,
qielli ul sytë,
edhe koha mban zi.
Sepse poeti s’është thjesht njeri—
ai është zemra që rreh
për të gjithë ne.
_______________________________
Zogun shtegtar po e pret foleja
S.Sherifi
Zogun shtegtar po e pret foleja,
me krahë të lodhur nga udhët e botës,
e gjen shtëpinë aty ku zemra rreh,
mes erës së dheut dhe aromës së votrës.
Ne mbushëm rrugën e botës me fëmijët tanë,
si yje që shpërndahen në qiellin e largët,
por rrënjët mbeten në pragun e vjetër,
si lutje e heshtur, si mall i pafjalë.
Foleja pret, nuk pyet për vite,
as për stuhitë që kanë tretur hapin,
se çdo zog kthehet tek vendi i tij,
kur shpirti i thotë se ka gjetur shpresën.
Dhe kur të kthehen një e nga një,
të rritur në botë, por me zemër këtu,
do të thonë se rruga ishte e gjatë,
por foleja i priti—
me krahë të hapur, me dritë në dritë.
_________________________
Alush Canaj – poeti që ngriti flamurin me varg
 23/09/2025
Me penë të zjarrtë e shpirt hyjnor, Alushi shkroi për Nanën, për Zanën, për Atdheun gjithmonë me norë.
Në fjalët e tij – një flamur, një lis, një betejë, një luftë pa hak, kundër ujqërve që kërkonin të shuajnë etjen me gjak.
Ai s’kishte pushkë, por kishte poezi,
dhe ato vargje ende sot buçasin në Iliri.
“Te Tirana” s’është veç mall – është plagë,
“Flamuri mbi kullë” – një thirrje që s’vdes as në zjarr.
I ndjekin ujqit, po nuk u tremb,
se rrënjët e lisit të tij ishin thellë – në gjak e në dhe.
U vra në pranverën e jetës, në lulëzim të mendimit, por u bë zë i përjetshëm në zemrën e atdhedashurisë.
Sabedin SHERIFI
Shtator 2025. Hanau
________________
Vjeshta në gurbet veç dhimbje sjell
 22/09/2025
Ra vjeshta ngadalë mbi tokë të huaj
Gjethet bien si lotët e shpirtit
Era më sjell aromën e dheut tim
Por unë jam larg, në gurbet i humbur.
Në degë të thata zogjtë s’këndojnë më
Si zemra ime që hesht e s’gjen prehje
Në dritare shoh shiun që troket me mall
Si një zë nga vendlindja që më flet pa fjalë.
Në rrugë të huaja hapat e mi lodhen
Çdo cep më duket i ftohtë, i zbrazët, i huaj
Ndërsa kujtimet më thërrasin në heshtje
Te oxhaku i vjetër, aty pranë mëmës.
Vjeshta më flet me gjuhën e mallit
Me ngjyrat që djegin si zemra kur qan
Oh, sa do doja të isha në atdhe tani
Të prek dheun, të shoh qiellin tim pranë.
Por jam këtu, në një vend të largët e ftohtë
Në krah të gurbetit që plagë më ka bërë
E shkruaj këtë varg me lot në shpirt
Se vjeshta pa atdhe veç dhimbje më sjell.
Sabedin Sherifi
Hanau, shtator 2025
_____________________________
SABEDIN SHERIFI
*Ymer Elshani – Poeti që nuk vdes*
Ai shkruante me gjak të zemrës vargun,
me shpirtin e popullit ngjiste çdo fjalë.
Një poet i heshtur, por zëri i tij
ishte kushtrim për liri, për tokën amë.
Në pranverën e vitit nëntëdhjetë e nëntë,
kur gjaku rridhte sikur lum
e vranë Ymerin me dorë krimi,
bashkë me fëmijë, bashkë me familje – një dhimbje pa kufi.
Por vjershat e tij s’i shkrinë plumbat,
as shtëpia e djegur s’e fshiu kujtimin.
Ai rron në librat, në tokën që deshi,
në sytë e atyre që drejtësinë presin.
Poeti u bë varg vetë – varg i përjetësisë,
që thotë:
“Kurrë më në gjunjë! Kurrë më pa liri!”
Ymer Elshani – penë e gjakut të pastër,
që frymëzon një komb të qëndrojë i pathyeshëm.
___________________________
Përqafimi i lirisë
 15/06/2025
Sabedin Sherifi
Në ditën që liria trokiti në prag,
me pushkën në dorë dhe zemrën plot plagë,
ai ushtar me sy të lodhur nga nata,
mbante fitoren — në krah, një fëmijë, jeta.
Në ballë i ndriçonte drita e lirisë,
buzëqeshja fëmijës si dhuratë e shenjtë,
në krahët e tij, historia fliste heshtur,
me gjak u shkrua, pa vdekur shpresa kurrë.
Pushka s’e trembi fëmijën e vogël,
se ai e ndiente: liria s’vjen kot,
është duar burrash, ëndrra e brezave,
është shikimi i nënave, lotët e plagëve.
Dhe kështu u kthye në rrugët e qytetit,
me aromë baroti, por pa frikë në hap,
se tashmë kjo tokë e gurtë dhe e shenjtë
kishte birin e saj, trim mbi të gjitha.
— Për çdo ushtar që jetën e dha,
liria flet me zë fëmije që thërret: *”Faleminderit, babë, Kosova u çlirua!”*
____________________________
Burgu i një vajze
 07/01/2025
(Kushtuar heroinave shqiptare)
Sa e gjatë ishe nata mbrëmë
mbetet për të mos u harruar
Në atë qoshen e errët
me qeben e leckosur isha mbuluar.
Si duket gardiani mbrëmë nuk ishte lodhur
se sot në qeli erdhi i qeflisur.
Edhe sonte sikur mbrëmë do bëjmë lojë
ndoshta sonte nuk do jesh e pagojë.
Mezi lëviza nga dhembja e prangave
që në qeli ishin shumën të randa,
zingjirët në betonin e ftohtë
kishin hyrë thellë, thellë në asht.
Mbrëmë shoku yt eci te varret
se përtonte të fliste për të marrët.
Sonte prapë do bëjmë lojë,
ndoshta ndërro mendjen zonjë.
Sa shumë egërsohej i pa shpirti,
kur nga plagët gjaku rrëshqiti.
Do të vras me këto duar
thoshte gardiani i tërbuar.
Sa natë e ftohtë sa natë e gjatë
në qoshen e birucit shtrëngoja plagët.
Krismat e e dyerve më nxorën kllapinë
zvarrë nëpër shkallë deri në hetuesi
aty zgërdhiheshin deri në pafundësi.
Ke dashur Shqipni, ke dashur flamur
o do flasësh sonte o do të bëjm gur.
Kisha dhanë besën atyre që ishin n’qeli tjera
se s’do flas deri të më prekë të ftohtë
nanë e mjera.
Sabedin SHERIFI /Janar 2025
________________________
Një këngë të pa kënduar
 31/05/2025
Në buzë më rri një këngë e heshtur,
si loti që s’del, por djeg thellë në shpirt,
është zëri i nënës në prag të natës,
është britma e tokës në një varr të zi.
S’e këndoi askush, por rri e gjallë,
në plagët që s’shërohen kurrë,
në sytë e fëmijës që kërkon babain,
në duart që dridhen mbi një flamur.
Një këngë pa fjalë, por me peshë shpirti,
e shkruar me gjak në gurë e në re,
e fshehur në heshtje, në zërin e erës,
që flet për ata që nuk kthehen më.
Kur nata bie, ajo këngë merr frymë,
si një lutje që s’arriti në qiell,
në çdo zemër shqiptari ajo rri zgjuar,
një këngë që hesht… por s’harrohet kurrë.
________________________
Sabedin SHERIFI
(Poezi për të pagjeturit e vitit 1999)
Enden hijet nëpër dhe,
pa varre, pa emra, pa atdhe,
lot i nënës në heshtje bie,
zemra pret – s’di ku je.
Në Kosovë lulëzojnë pranverat,
por plagët e shpirtit nuk shërohen,
emra të gdhendur në kujtesë,
në çdo natë prapë lotohen.
Të pagjetur, por jo të harruar,
dëshmitarë të dhimbjes pa zë,
mbi çdo gur e mbi çdo varr,
rri një lutje që kurr nuk shuhet.
O Zot, jep dritë në errësirë,
bëj që të kthehen ata që s’u kthyen,
nëna pret me duar të ngrira,
djemtë e saj që së paku ta kenë një varr.
_________________________
Puthje në kohë lufte
 30/05/2025 – 07:31
Sabedin Sherifi
Në gjunjë gjyshi, me sytë plot mall,
një puthje në faqe, e dhimbshme, e ngadaltë,
nipi i vogël, i pafajshëm në dorë,
nuk di se ç’pret, as se si do të ndodhë.
Është koha e dhimbjes, e frikës së madhe,
ku çdo ditë thërret humbja e padukshme,
një puthje, një premtim për jetën që vjen,
por era sjell zhurmën e armëve që vrasin.
Kjo foto flet më shumë se fjalët e shumta,
për dhimbjet e fshehta, për plagët e thella,
për fëmijërinë që u zhduk në heshtje,
dhe lotët që ranë mbi dhe të ngrirë.
Një kujtim i përjetshëm, një plagë e gjallë,
një puthje që mbetet si shenjë në murin e madh
gjyshi dhe nipi, në kohë lufte të egër,
një moment dashurie, në mes të erërave të zeza.
______________________
Në një rrugë pa emër, ajo ecën e heshtur…
 28/05/2025
Sabedin Sherifi
NËNA SHQIPTARE
Në një rrugë pa emër, mes tymit e pluhurit,
ajo ecën… e heshtur… me dy fëmijë në duar.
Në sytë e saj, nuk ka vetëm lodhje –
ka mall… ka dhimbje… por ka edhe një shkëlqim të rrallë.
Jo, nuk flet… s’ka kohë për fjalë,
por fjalët i thotë me hapin që s’ndalet,
me shaminë e bardhë mbi ballin krenar,
me sytë që kërkojnë dritën përtej errësirës.
Nënë shqiptare…
grua që mban në shpirt shtëpinë, flamurin, dhe varrin e burrit.
Grua që nuk dorëzohet – edhe kur qielli i përplaset mbi shpinë.
Nëse do ta shohësh qëndresën –
shiko hapat e saj në baltë.
Nëse do ta ndjesh lirinë –
shtrëngoje dorën e saj të tharë nga djersa dhe vuajtja.
Nënë shqiptare…
emër i gdhendur në gurin e historisë sonë,
ti nuk je vetëm figurë,
je betim që përsëritet brez pas brezi…
Ti je këngë, je lutje, je legjendë e gjallë.
Je ajo që nuk u përkul kurrë,
sepse e dinte…
se pas natës vjen drita,
pas dhimbjes… Liria.
___________________________
Gjyshja Shahë në ngricat e lirisë
 17/05/2025 – 07:35
(Poezi dedikuar gjyshes sime)
Nën qiellin e zi, në fshatin Parallovë
rrihej Shahja, me trup të drobitur, por shpirt të fortë.
Me duar që dridhnin për bukën e fëmijëve,
me zemër që flakëronte si diell në acar.
Burri i saj – dëshmor i një bote në flakë,
ra në Luftën e Dytë, për gjithë jetën me mall
Ajo mbeti nënë, mbeti burrë, mbeti krah,
një mal i heshtur, i thyer, por që kurrë s’u dha.
E kërkuan armët, të burrit të saj,
UDB-ja serbe e kuislingë shqiptarë, me duar të zeza mbi plagë.
E morën në natën e ftohtë, në lumin e Parallovës,
e futën në akull, për ta thyer, për ta shuar.
Por ajo s’u thye, s’u lut, s’u dorëzua,
as kur uji e kafshonte si bishë,
as kur nata i bëhej ferr mbi trup.
Në heshtje fliste me dheun, me burrin, me Zotin.
Donin t’ia merrnin fëmijët, vajzat t’ia shesin,
pronën t’ia ndanin si plaçkë të përbinin.
Por ajo, Shahja, ruajti nderin e shtëpisë,
si grua, si nënë, si dëshmi e një historie. /Sabedin SHERIFI/
_________________________
Zadja mbeti…mes dhimbjes dhe lirisë
 14/05/2025
Sabedin Sherifi
(Poezi kushtuar vajzës së Tahir Mehës)
Zadja
Në natën e errët me zjarr e britma,
kur plumbi kafshonte murin e shtëpisë,
u fikën yjet në sytë e një fëmije,
Zadja mbeti… mes dhimbjes dhe lirisë.
Ra babai – legjendë e atdheut,
ra gjyshi – shtyllë e fisit të lashtë,
e ajo, një zog me krahë të thyer,
u tret në kohë, në heshtje, në natë.
S’e qau fëmijërinë me lodra e pranverë,
por me britma e lot që s’u thanë kurrë,
me një shpirt që endet nëpër kujtime,
me një zemër që rreh nën plagë të shumtë.
Sot, Zadja nuk flet me zë të lartë,
por zëri i saj është kushtrim që zgjat.
Në sytë e saj – Kosova e djegur,
në zemrën e saj – flamuri i larë në gjak.
Mos e quani të thyer, ajo është gur,
i përjetshëm në themelet tona.
Martire për së gjalli, dëshmi që s’vdes,
bijë e Tahirit – bijë e Dardanës.
Nëna Stane
 31/03/2025
Aty pranë maleve të Peshterrit
pranë kishës së Gjeçovit tonë
që mbanë derën hapur për një front
Nëna Stanë të gjithë i thonë.
Natë e ditë nuk bënte gjumë
deri në mëng mbante duart në brum,
kam frikë më mbesin djemt pa bukë
se të gjithë janë në front.
Natën vonë erdhën e janë shumë
të lodhur,
Plagët u rrjedhin gjak e ngrirë këmb e duar
nëna Stanë i priste duke uruar.
Ejani fëmijët e mijë u past nana të bekuar.
Nëna Stanë nëna e luftarëve
Qoftë me jetë sa ato male.
Qofsh e bekuar si Shën Tereza
për atdhe bëre shumë në ditë të rënda.
………………………..
Sabedin SHERIFI
Mars 2025
Sot do ju këndoj këngën e fundit
 18/03/2025
Bilbili në kafaz
(Rizah Strellci)
Sot do ju këndoj këngën e fundit
se shpirti po më djeg për këtë liri
i lidhur këmbë e duar në të errëtën qeli
ma jep vëlla në dorë atë çifteli.
Duart dhe gishtat nuk më bëjnë
se fortë më kanë torturuar
që nga nata e parë në këtë kafaz
aq shumë hasmi më ka munduar.
Gjithë jetën i këndova shqipes sonë
që sa bukur tingëllon në atë agim
që dhe të vegjlit në atë djep druri
i zgjon me gëzim.
Vëllazën qëndroni kështu bashkë
se veç hasmi na do në gjak.
Unë më nuk kam më fuqi të këndoj
tash veç mbetet zemra të vajtoj.
Bilbili me këngë në buzë mbylli sytë
fjalët e fundit mos ma ndalni këngën
amanet për fëmijët ruani abetaret
se kështu e gëzoni nanën.
Mars 2025
Sabedin SHERIFI
Bardhi shpirtbardhi
 18/07/2024
(Dëshmorit të Kombit Enver Miftari-Bardhi)
Bardhi ishte një trim me flet
Bardhi ishte djalë që strembej lehtë.
Bardhi ishte i pari në çdo agim
Bardhi ishte kudo në veprim.
Thonë se kur lindi Bardhi
moti gjithë ditën ishte trazuar
legjendat thonë kështu ndodhë
kur vjen në jetë një drangua.
I rritur në prehërin e babait
gjithmonë me dashuri.
Ai e mësoi se atdheu
është më e madhja dashuri.
Në ditët e vështira në luftë
kishte dhënë besën e burrit
deri në çlirim armët në duar
i gatshëm për flijim.
Krejt në fund të luftës
kur shokët ishin në rrethim
ishte Bardhi që për ata ishte shpëtim.
Ishte pushka e Bardhit
që jehoi në në çdo mal
ndali armiqtë të mos na shkelin në prag.
Aty në fushë me shumë plagë
bie në fushë të nderit krismat pa ndal
Ti Bardh nderove familjen e fisin
nderove flamurin e babait plisin.
Lavdi ushtar i Kosovës
Qoftë për jetë kujtim vepra jote
Nëpër stinë e mot për mote
sa të ketë shqipe mbi këto male.
Sabedin Sherifi
Korrik 2024
Unë do kthehem në çdo pranverë
 02/06/2024
Mësuesit hero
(Bahtir Jahiri)
Nxënës të dashur kam një lajm për ju
nga nesër mësimet do mbani pa mu.
Mësuesi u ngrit nga karrigia, zgjati duart drejt nxënësve dhe nuk foli asnjë fjalë
por vetëm na shtrëngoi duart sikur merrte mall.
Shikimi i tij si çdo herë buzqeshje
sikur thoshte mësoni se unë dua vetëm pesëshe.
Unë do kthehem në çdo pranverë
me plot lule me shumë erë.
Lulet tek ne janë ngjyrë të kuqe
mbulon nanat shami kuqe.
Dhe kaluan ca javë nga beteja vjen haberi se ra mësuesi e ra trajneri.
Nxënësit pikuan librat me lot
për mësuesin që ra këtë mot.
Çdo prill kujtojmë e këndojmë
poezi më të bukura për ty recitojmë.
Ti mësues hero i ri mbete gjithmonë.
Sabedin SHERIFI
Qershor 2024 Hanau
Sot, mermerin e ftohtë e lava me lot
 01/06/2024 – 13:02
Nënës
Pranë guri të merrmertë qëndroj pa fjalë duke pritur kot ndonjë fjalë.
Djali i im kishe qejf të më thërrisje
sa herë ndonjë lajm të mirë prisje.
Eh, sa herë ke prishur gjumin për mua oj nanë, gati bukë e ujë kisha pranë.
Kishe frikë nga ujqit dhe qentë që lehnin çdo ditë se do më hanë
se dilja herët e ktheshesha me Hënë.
Eh, ato duar me plot vrraga
Sa në brum e sa në ara
Kurrë nuk the se je lodhur
as në të ëmblën sofër.
Sa të shkëlqente fytyra nga mirësia
kur tregoja mësimet e mia.
Por qentë lehnin, lehin e do lehin
ata edhe të ngordhur do lehin.
Eh, sot mermerin e ftohtë
e lava me lot, unë biri yt
e shtrenjta nanë.
Sabedin SHERIFI
Maj 2024, Hanau
Sot të pash, komandant
Sot të pash, komandant,
në udhën ku dikur na prinje,
tash ecje mes hijesh të liga,
mes fytyrash që fshijnë dritën e burrnisë.
Na harrove, komandant…
Ne që dikur t’i ngritëm duart drejt qiellit,
ti na i puthje si vëllait plagën,
e sot kalove pranë nesh
si era që s’kthen kokën pas.
Por s’ke faj…
Koha na rrudhi,
plagët u bënë gurë mbi supe,
hapat na u tretën, u bënë të rëndë,
u bënë tapall prej viteve të varfra.
E prapë, kur të pash…
zemra ime u drodh si dikur,
jo për ty, komandant,
por për ditët kur besonim
se nderi nuk shkelet,
e shokët nuk harrohen kurrë.
(Sabedin SHERIFI – kushtuar shokëve që ende rrënkojnë nga plagët)

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI: Veprimtari mbresëlënëse në promovimin e dy librave të Meri Mezinit

–    Para disa ditësh  Shoqata Labëria “Nderi i Kombit” dhe Shoqata “Shqipëria e hapur”   …