Hazbije Sylejmani: Fjala si mision, arsimi si atdhe

Hazbije Sylejmani: Fjala si mision, arsimi si atdhe

Hazbije Sylejmani është profesoreshë e gjuhës shqipe, një emër i respektuar në arsim, e njohur për përkushtimin ndaj nxënësve dhe ruajtjes së identitetit kombëtar përmes gjuhës. E rritur në një familje me traditë atdhetare dhe e martuar me një ushtarak, pjesëtar i një familjeje të UÇK-së, ajo ka ndërtuar jetën mes librave, sakrificës dhe dashurisë për dijen.

RKL: Zonja Hazbije, na tregoni pak për fëmijërinë dhe origjinën tuaj. Nga vini dhe çfarë ndikimi ka pasur familja në formimin tuaj?

Hazbije Revuqi-Sylejmani: Vij nga një familje nga Prishtina, me origjinë nga fshati Revuç, komuna e Podujevës, e cila ka dhënë shumë për lirinë që gëzojmë sot.
Gjyshi im kishte tre vëllezër.
Gjyshi im, Shaqir Revuqi, së bashku me një nga vëllezërit e tij, Zeqe Revuqi, ishin të përkushtuar për të mbrojtur popullsinë shqiptare dhe për t’iu kundërvënë fuqive të huaja.
Serbo-jugosllavët këta luftëtarë i quanin “kaçakë”.
Kaçakët ishin shqiptarë të armatosur lokalë.

Gjyshi im u arrestua pabesisht nga qeveria e kohës, që ishte Mbretëria e Jugosllavisë. Ai u dënua me 3 vjet burg, gjatë së cilës kohë gjyshja ime tregonte se jo vetëm gjyshi im, por e gjithë familja u torturua. Nuk e di vitin e saktë, por ka qenë viti 1936 ose 1937.

Pas pushtimit të Mbretërisë së Jugosllavisë në vitin 1941, pjesa më e madhe e Kosovës, përfshirë Prishtinën, iu bashkëngjit Shqipërisë së kontrolluar nga Italia fashiste. Megjithatë, shqiptarët kishin një lloj lirie.

Në atë kohë, vëllai i vogël i gjyshit tim, Zenun Revuqi, ishte i punësuar si gardian burgu në Prishtinë. Në vitin 1945, pas hyrjes së forcave partizane jugosllave në Prishtinë, ai u arrestua dhe u pushkatua.

Më vonë, vëllai tjetër i gjyshit, Zeqë Revuqi, u vra gjithashtu në rrethana të panjohura, ku autori nuk u zbulua kurrë.

Nga viti 1945 deri në vdekjen e tij, gjyshi u angazhua si pleqnar tradicional, bazuar në Kanun dhe zakone. Këto pajtime nuk u regjistruan zyrtarisht, nuk u njohën nga shteti jugosllav dhe shpesh janë kryer fshehurazi, sepse sistemi komunist i konsideronte ato “zakone të prapambetura”.

Në vitin 1972, gjyshi im u vra së bashku me babanë tim nga një njeri i çmendur, i cili më vonë kreu vetëvrasje.
Unë dhe motra ime e madhe u rritëm nga gjyshja ime, e cila, megjithëse me një zemër të vuajtur, nuk u dorëzua që ne të mos e ndjenim kurrë mungesën dhe dashurinë e prindërve tanë.
Edhe pse ishte e paarsimuar, ajo ishte një njohëse e tre gjuhëve, një edukatore në kuptimin e plotë të fjalës.

RKL: Si ka qenë rrugëtimi juaj shkollor dhe pse zgjodhët pikërisht gjuhën shqipe si profesion?

Hazbije Revuqi-Sylejmani: Për t’u bërë arsimtare e gjuhës shqipe ishte zgjedhja e gjyshes sime. Ajo donte që unë të bëhesha mësimdhënëse.
Ëndrra ime e fëmijërisë ishte të bëhesha pilote. Kështu që, në moshën 16-vjeçare, u inkuadrova në Klubin e Parashutistëve në Prishtinë. Kërcimet me parashutë i kryenim në fshatin Dumosh, Komuna e Podujevës, në një pistë të vogël fushore që përdorej për aviacionin bujqësor.

Pasi mbarova kërcimet, mora një ftesë për të vazhduar në Zemun. Meqenëse ishte një qytet në Serbi, dëshira e gjyshes sime ishte që unë të mos vazhdoja. Fjala e gjyshes sime ishte ligj për mua, kështu që nuk vazhdova. Doja të plotësoja dëshirën e saj për të ushtruar profesionin si mësimdhënëse.

RKL: Ku keni punuar ndër vite dhe çfarë përvoje profesionale keni ndërtuar si mësimdhënëse?

Hazbije Revuqi-Sylejmani: Studimet universitare i kam përfunduar në degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin e Prishtinës, ndërsa disa vite më vonë kam përfunduar edhe studimet pasuniversitare, duke fituar titullin Master në Politika Sociale dhe Mirëqenien e Fëmijëve.

Nga viti 2002 deri në vitin 2015 kam qenë e punësuar si mësuese klase në SHFMU “Haradin Bajrami” në Magurë. Pas ardhjes në pushtet të LDK-së në Komunën e Lipjanit, jam larguar nga puna me pretekstin se nuk i përkisja drejtimit përkatës.

RKL: Jeni e martuar me një ushtarak dhe pjesë e një familjeje me histori në UÇK. Sa ka ndikuar kjo në jetën dhe formimin tuaj?

Hazbije Revuqi-Sylejmani: U martova në vitin 1990 me Muharrem Sylejmanin, i cili punonte si epror ushtarak në qytetin e Varažhdinit, Kroaci.
Pas fillimit të luftës në Kroaci, im shoq u largua nga Ushtria Jugosllave dhe filloi të bashkëpunonte me kroatët, ku siguroi armë, të cilat ne i sollëm në Kosovë në shtator të vitit 1991.

Ishte një udhëtim i papërshkrueshëm nga Kroacia në Kosovë, pasi me vete kishim edhe djalin tonë 2-muajsh, por vullneti i madh për liri i tejkaloi të gjitha ato shqetësime.

Pasi u kthyem në Kosovë, filloi persekutimi i im shoq nga pushtuesi jugosllav, kështu që u detyruam të emigrojmë në Gjermani.
Im shoq u kthye në Kosovë në vitin 1998, u inkuadrua në UÇK dhe u emërua shef i Operativës në Brigadën 121 “Kumanova”.
Pas përfundimit të luftës, u ktheva në Kosovë.

RKL: Si e balanconi jetën profesionale me jetën familjare?

Hazbije Revuqi-Sylejmani: Profesioni i mësimdhënëses është një mision i shenjtë, ndërsa dashuria për gjuhën shqipe është vetë jeta dhe historia jonë kombëtare.

RKL: Në studimet master, cilat kanë qenë sfidat më të mëdha në këtë rrugëtim?

Hazbije Revuqi-Sylejmani: Studimet master i fillova pasi u largova nga puna, e udhëhequr nga dashuria për arsimin dhe shpresa se, pas fitimit të një titulli më të lartë akademik, do të emërohesha në një vend pune.

RKL: Ku gjendeni sot profesionalisht dhe me çfarë po merreni konkretisht?

Hazbije Revuqi-Sylejmani: Aktualisht jam e papunë dhe qëndroj në shtëpi duke u kujdesur për mbesën dhe nipërit e mi.

RKL: Cila ka qenë periudha më e vështirë e jetës suaj dhe si e keni kaluar?

Hazbije Revuqi-Sylejmani: Periudha më e vështirë e jetës sime ka qenë kur jam përballur me drejtësinë për vendin e punës dhe nuk kam hasur në drejtësinë e Kosovës, pavarësisht të gjitha sakrificave që i kemi bërë për këtë liri. Megjithatë, jam mirënjohëse ndaj Zotit të Madhërishëm që më ka falur një familje të mrekullueshme dhe sot jetojmë të lirë.

RKL: Çfarë mesazhi do t’u jepnit vajzave dhe grave që duan të ndërtojnë karrierë në arsim?

Hazbije Revuqi-Sylejmani: Kushdo, pavarësisht nga gjinia, që dëshiron të punojë në arsim, para së gjithash duhet të ketë dashuri për fëmijët, durim dhe kapacitete edukativo-arsimore.

RKL: Nëse do ta përkufizonit jetën tuaj me një fjali, cila do të ishte ajo?

Hazbije Revuqi-Sylejmani: Në çdo situatë, e papërkulur, duke qëndruar gjithmonë vetvetja.

Kontrolloni gjithashtu

Zef Preçi - “Paqe fiskale”,  nismë që shërben si një lloj shtrati në të cilin ngjizet keqqeverisja, korrupsioni, kapja e shtetit, etj.

Zef Preçi – “Paqe fiskale”,  nismë që shërben si një lloj shtrati në të cilin ngjizet keqqeverisja, korrupsioni, kapja e shtetit, etj.

–“Paqja” e premtuar nga qeveria duket se do të funksionoje vetëm për disa biznese dhe …