Komuna e Skenderajt po shqyrton mundësinë e themelimit të një dege të Shoqatës së Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim, me qëllim të forcimit të kapaciteteve lokale për përballimin e situatave emergjente.
Për këtë çështje, nënkryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, së bashku me drejtorin e Drejtorisë për Shërbime Publike, Arbër Geci, kanë pritur në takim kryetarin e Shoqatës së Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim, Mentor Maloku, dhe përfaqësues të tjerë të kësaj shoqate.
Gjatë takimit është diskutuar mundësia e themelimit të degës në Skenderaj, si dhe procedurat dhe hapat institucionalë që nevojiten për realizimin e kësaj nisme.
Sipas njoftimit të Komunës, krijimi i kësaj strukture do të ndihmonte në rritjen e kapaciteteve për kërkim dhe shpëtim, si dhe në përmirësimin e gatishmërisë për reagim në raste emergjente, në mbrojtje të jetës dhe sigurisë së qytetarëve.
Komuna e Skenderajt ka shprehur përkushtimin për të mbështetur iniciativa dhe bashkëpunime që synojnë rritjen e sigurisë publike dhe forcimin e mekanizmave lokalë të reagimit në situata emergjente.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
