Ramush Haradinaj, për vizitën e studentëve serbë: Disa prej tyre është dashur të arrestohen

Ish kryeministri Ramush Haradinaj, ka kritikuar mënyrën se si institucionet e Kosovës e kanë trajtuar vizitën e përfaqësuesve të Listës Studentore nga Serbia, duke vlerësuar se hyrja dhe aktivitetet e tyre në vend është dashur të përcillen me më shumë kujdes institucional. Para fillimit të seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, Haradinaj ka kërkuar që autoritetet të mos lejojnë që vizitat e përfaqësuesve politikë nga Serbia të shndërrohen në platformë për deklarata dhe mesazhe që bien ndesh me rendin kushtetues dhe sovranitetin e Kosovës. Ai ka përmendur edhe vizitën e mëhershme të Ivica Daçiqit në Prizren, duke e lidhur atë me deklaratat e përfaqësuesve studentorë serbë gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë. “Ardhja e politikanëve nga Serbia duhet me u bë me kujdes, dhënia e lejes. Kujdes edhe në porositë që ata përhapin”, ka deklaruar Haradinaj. Ai ka shkuar edhe më tej në kritikën e tij, duke thënë se institucionet është dashur të ndërmarrin masa ndaj atyre që, sipas tij, kanë shkelur rregullat e vizitës. “Ata që i thyejnë rregullat e një vizite, ose duhet me u përballë me ligjin e Kosovës dhe disa nga ta është dashtë me u mbajtë në arrest”, ka thënë Haradinaj. Deklaratat e tij rikthejnë në vëmendje përgjegjësinë e institucioneve për mbikëqyrjen e vizitave nga Serbia, veçanërisht kur ato shoqërohen me deklarata politike që prekin çështjen e shtetësisë dhe sovranitetit të Kosovës. Megjithatë, çdo masë ndaj vizitorëve duhet të mbështetet në shkelje konkrete dhe në procedurat e përcaktuara me ligj.

Kontrolloni gjithashtu

FSK avancon kapacitetet mjekësore drejt standardeve të NATO-s, në proces validimi ekipet ROLE 1

Forcimi i kapaciteteve profesionale dhe operacionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës po vazhdon përmes …