A. Q. Ligjet e jetës dhe e vërteta në librin me tregime, “Troja”, të autorit, Sadik Përvetica

Shkrimtari
dhe publicisti, Sadik Përvetica, është ne mesin e krijuesve të talentuar të
letërsisë sonë, i njohur kryesisht për prozën realiste dhe tregimin si gjini
letrare, të cilin e ka përvetësuar me kohë dhe tashmë ndihet krejt i lirshëm në
rrëfimet e tij, me tematikë jo vetëm nga përditshmëria, por edhe me tema sociale
dhe filozofike, të asaj filozofisë së përvojës që sjellë jeta për çdo njeri që
e merr seriozisht jetën dhe ligjet e saj, sepse ligji i jetës është unik,  dhe, kundër një ligji të tillë nuk mundet
askush, qoftë individi i vetmuar, qoftë sundimtari më i madh i botës.

Duke qenë
dëshmitar dhe vrojtues i realitetit dhe historisë, nëpër të cilën  ka kaluar Kosova në pesë gjashtë dekadat e
fundit, duke qenë edhe objekt dhe subjekt i këtij realiteti, si shumë e shumë
intelektualë të tjerë të vendit tonë, rrëfimtari i dalluar, Sadik Përvetica, ka
arritur që botën e tij të pasur meditative ta shpreh përmes prozës, poezisë,
dramës dhe gjinive të tjera letrare. 
Deri tani ka nxjerrë në dritë 13 vepra zhanresh të ndryshme, në të cilat
ka lënë gjurmë të pashlyeshme të pasqyrimit të realitetit në vendin tonë.

Gazetar me
përvojë të gjatë pune, profesor, pastaj lektor, redaktor në mediume, gazeta e
revista, mbi të gjitha krijues i talentuar, Sadik Përvetica  ka zbërthyer me sukses segmente të
ndryshme  të jetës dhe krijimtarisë së
tij, meqë ka arritur ta pasurojë atë me 
një përvojë të gjatë në krijimtari, të cilën edhe e vazhdon aktualisht.


përmbledhjen me tregime, titulluar, “Troja”, botuar në vitin 2010, janë
prezantuar 33 rrëfime temash e vrojtimesh të ndryshme. Janë këto rrëfime të
gjata e të shkurta, madje edhe skica të shkruara kohë pas kohe. Në radhë të
parë janë rrëfime të ftymëzuara  nga
realiteti i rëndë dhe tejet i vështirë 
nëpër të cilin ka kaluar Kosova dhe njerëzit e saj, fshatarët, njerëzit
e qytetit, intelektualët, atdhetarët por edhe gjysmë-intelektualët,
përfituesit, dhunuesit e së drejtës, mercenarët e të gjitha ngjyrave, hafijet e
të huajve dhe të “tanëve”, që ishin vënë në shërbim të të huajve, demonët e së
kaluarës, çlirimtarët  dhe plagprishësit
e sotëm. Rrëfimtari, në tregimet e tij ka pasqyruar shumë anë të një realiteti,
të realitetit të kombit, që padrejtësisht ka qenë i detyruar të jetojë nën
robërinë e gjatë shekullore, por që kurrë nuk është dorëzuar, sepse gjithnjë i
ka  besuar fitores, i ka besuar ligjeve
të pagabueshme të jetës, i ka besuar forcës së vetë, me angazhimin e së cilës
më në fund edhe e korri fitoren historike kundër robërisë dhe kolonializmit
shekullor serb e sllav përgjithësisht.

Tregimet e
Përveticës janë të thjeshta për nga ndërtimi, dialogu është i  qartë dhe i drejtpërdrejtë, përshkrimi i
thjeshtë, i kuptueshëm për çdo lexues. Në brendi shfletohen rrëfimet
kuptimplote me qasje nga përmbajtja e angazhuar, që ka një qëllim  dhe qëllimi parësor është përshkrimi besnik i
një realiteti të hidhur, një pjesë të të cilit 
e ka bartur mbi supe edhe ai vetë, pastaj bashkëmendimtarët e tij, të
njohur e të panjohur. Autori, mbi të gjitha i ka vënë vetes për detyrë ta
pasqyrojë  sa më shumë që është e mundur
realitetin ekzistues, dramën, që kishte përjetuar populli në robërinë e gjatë,
qëndresën e shumicës së liridashësve të vendit, nganjëherë luhatjet
individuale, nganjëherë edhe proceset e dështuara, pavarësisht qëllimit të mirë
apo të keq. Në këtë drejtim ai ka arritur ta shpalos porosinë e çdo tregimi dhe
të të gjitha tregimeve tok, që mund të përmblidhen edhe në fjalën e urtë: “Nëse
të çmendurit e marrin botën në duar, atëherë bota bëhet e çmendur dhe e
marrë”.  Troja f.F.87).

Mjerisht
çmenduria e marrëzia kanë qenë të pranishme me shekuj të tërë, në tokën tonë,
në botën tonë të pushtuar nga dhuna, mizoria dhe barbaria. Andaj mesazhi  që sjellë në rrëfimet e tij shkrimtari, Sadik
Përvetica është mesazh realist, i kuptuar 
në logjikën e rrjedhjes së historisë si shkak-pasojë, nga e cila  duhet të mësohet shumë, në mënyrë që njeriu
të gjejë shtigje për mbijetesë.

Njeriut
halleshumë i duhej shumë mund dhe shtegtim nëpër ecejaket e vështira të jetës
për të shpëtuar nga  Todor Pushka dhe
nga  soji i todorëve, të cilët nuk i
shqiteshin  dot popullit  të cilin e plaçkitin, e ndjekin, e dhunojnë
dhe nuk lënë metodë barbarie pa vënë në jetë me qëllim për ta mposhtur, për ta
dëbuar, në fund edhe për ta shfarosur, Por ja që çdo të keqeje i vjen edhe
fundi, sepse todorët kanë vitet e tyre por jo kohën e tyre, jo epokat e tyre,
sepse sipas ligjit të jetës, është parë dhe është kuptuar me kohë se  “zullumi këputet kur trashet, jo kur është i
hollë”.

Tregimet e
përmbledhjes “Troja”, nuk janë rrëfime moralizuese, edhe pse i përshkon fryma e
pastër morale, i përshkon optimizmi për jetën, ngadhënjimi i së drejtës, por
edhe pengesat e shumta, të cilat njerëzit e padijshëm  ia vendosin në rrugë njëri tjetrit, gjithnjë
duke u prirë nga interesi vetanak dhe duke dëmtuar tjetrin e më pas edhe veten.


Tregimi:
“Troja” i cili është vendosur në titull të librit, jo rastësisht është
përzgjedhur për të qenë njëlloj strumbullari i të gjitha rrëfimeve të lidhën me
Trojën, truallin e të parëve, truallin tonë, që nëpër shekuj kishte qenë pre e
lakmive të grabitqarëve dhe të gjithë pa dallim, prej kur mbajmë mend e deri në
ditët tona, kur për në “Trojë” u dyndën të gjithë, të ftuar e të paftuar, shumë
më shumë të paftuar, jo me qëllim për ta ngritur Trojën, për t’ia shëruar
plagët mijëvjeçare të barbarisë, sundimit e shfrytëzimit, por me qëllim për të
sjellë një model tjetër të jetës, një ushqim mish as peshk, një jetë endacakësh
të përjetshëm, sa të atyshëm sa të këtushëm, një Trojë të katandisur nga
babëzia të ligat, një vend për të eksperimentuar, eksperimentuesit e pa
prokopi. Troja do të vuajë krejt derisa t’ i mësojë mirë ligjet e jetës dhe ta
ndajë të mirën nga e liga, të bardhën nga e zeza, fisniken nga lapërdharja.
Ajo  për të mbijetuar nuk ka rrugë
tjetër, pos të mbështetet mbi të mirën, të njerëzishmen, në të drejtën e të
vërtetën, në atë të vërtetë që qëndron mbi ballë të Universit, sikur thoshte
mendimtari i Prusisë, Frederiku i Madh. 


Sadik
Përvetica pa dyshim se radhitet në mesin e krijuesve të njohur të Kosovës e më
gjerë.  Me veprat, punën dhe angazhimin e
deritanishëm, ai ka treguar se është mjeshtër i lakimit dhe i latimit  të fjalës, në të gjitha rasat, në të gjitha
format e pasqyrimit, mjeshtër   i
latimit  të fjalës për të shprehur sa më
me vërtetësi e realizëm realitetin në Kosovë, atë të kohës së kaluar dhe të
sotmin, i cili ende lëngon nga ndeshtrashat dhe mosmarrëveshjet që kanë lënë
trashëgimin regjimet shtypëse e shfrytëzuese.

Ahmet Qeriqi

10. 7. 2014


Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Nëpër shekuj kënga e popullit: Shaqir Cërvadiku, këngëtar i lindur në akordin e çiftelisë

Këngëtari, Shaqir Cërvadiku, ka kënduar e këndon  me tërë qenien, këndon me shpirt e zemër, …