Antigona Shestani: Një ëndërr dhe një jetë me dinjitet

U desh një fshat njerëzish e pese shtete (Kosova, Amerika, Turkia, India,dhe Srbia) që t’ia mundësojnë Sylë Kodrës ecjen dhe pavarësinë

Sylë Kodra, 45 vjeçari nga Prizreni me aftësi të kufizuar, sapo u kthye nga India ku iu dhanë protezat e këmbëve falas nga organizata Spitali BMVSS Jaipur Foot, në Jaipur, Indi.

Si ndodhi ky rast aq i rrallë dhe gati i mahnitshëm? Gjatë vizitës së Shqipe Malushit nga SHBA më 2014, ajo mbajti në Prizren një seminar për lumturinë, ku u takua me Sylë Kodrën i cili kërkoi ndihmë për t’u angazhuar dhe të gjejë fonde për të blerë një palë proteza në Kosovë,e të cilat kushtonin 15,000Euro nga klinika Gjermane.

Organizuesja e OPMDK-së Antigona Shestan shpjegoi se Syla ka qenë në organizatë për një kohë të gjatë duke kontribuar, dhe se organizata nuk ka mundur t’ia sigurojë fondet për proteza.

Sylë Kodra i ka pasur dy palë proteza në të kaluarën të dhëna nga Ministria e Shëndetësisë. Por të parat janë prishur brenda 3 muajve, kurse të dytat, të shtrenjtat (15,000Euro) janë prishur brenda dy viteve. Dhe poqëse Syla nuk do t’i gjente protezat e reja, ai do të duhej të mbetet në karrocë, e kjo do t’ia vështirësonte punën dhe mbajtjen e familjes.

Pengesat ishin të shumta për shkak të kostos së lartë, kështu që shpresat u shuan pasi fondet nuk vinin nga askund. Shqipe Malushi, anëtare e Shoqatës së Gruas Shqiptaro-Amerikane të Chicagos, u angazhua me bordin e Shoqatës dhe presidenten Lydia Memetin të gjejnë një rrugëdalje. Ata i shkruan 30 organizatave në SHBA që japin proteza si donacion mbarë botës,ku kërkuan protezat për Sylën. Por Kosova nuk ishte në asnjë hartë të shërbimeve të tyre. Përgjigja ishte negative.

Pas një viti Shqipe Malushi e viziton Indinë dhe aty nga miqtë e saj Anand dhe Rekha Bhaiya mëson për spitalin BMVSS-Jaipur Foot dhe Dr. Mehten, themeluesine këtij spitali,që i kishte rehabilituar mbi 1,45 milionë individë me aftësi të kufizuara pa asnjë kosto.

Shqipja ra në kontakt me doktor Mehten, dhe ai e ftoi Sylë Kodrën në Jaipur për t’i rehabilituar këmbët e tij falas. Për të shkuar në Indi nuk ishte lehtë. Syla duhej të merrte vizën për Indi. Asnjë ambasadë nuk ia mundësonte vizën. Shoqata e grave Shqiptaro-Amerikane nga Chicago-ja u shkroi të gjitha ambasadave në rajon, por përgjigja ishte negative. India nuk e njihte shtetin e Kosovës, nuk kishte marrëdhënie diplomatike me të, andaj nuk kishte viza për qytetarët e saj.

 

E vetmja mundësi shihej që të merrej pasaporta e Serbisë, dhe vetëm atëherë mund të merrej viza në Beograd.

Sylë Kodra u detyrua të merr pasaportën e Serbisë, ku ia ndërruan identitetin dhe emrin, ku nga Syla u bë Suljo, vetëm e vetëm që të qohej në këmbët e veta e të mos varej nga askush.

Udhëtimet në Beograd nuk ishin të lehta. Së bashku me zonjën Antigona Shestan udhëtuan disa herë, sepse Ambasada e Indisë pasi që e pa pasaportën me identitet të ndërruar kërkonte të gjitha dokumentet me identitet tëri. Edhe një herë gjithçka u nis nga fillimi. Dhe pas kompletimit të dokumentacionit, Sylë Kodrës iu dha viza.

Sa i gëzuar që ishte Syla që e morri vizën aq dhe i frikësuar ishte, sepse fondet për ta realizuar këtë udhëtim nuk gjendeshin ende askund.

Pra nën iniciativën e Shqipe Malushit dhe Shoqatës së Grave Shqiptaro-Amerikane nga Chicago-ja,në dhjetor 2015 filloi fushata për të mbledhur fonde, sepse viza e Sylës ishte një mujore dhe afati i kalonte më 24 janar 2016. Falë festave të fundvitit, 33 donatorë, shumica anëtarë të Shoqatës së gruas Shqiptaro-Amerikane, dëshironin ta shihnin Sylën duke ecur, dhe kontribuan për këtë projekt. $4810 u mblodhën duke iu falënderuar donacioneve, që mbuluan harxhimet $4209.25.

Më 1 janar 2016, kur aeroporti i Stambollit ishte mbyllur nga bora dhe fluturimet ishin anuluar, Shqipe Malushi fluturoi nga Amerika për ta takuar Sylë Kodrën në Stamboll dhe ta sjellë atë në Jaipur për këmbët e tij të reja. Pas orëve të tëra të vonesës së aeroplanëve nga New Yorku dhe nga Prishtina, në fund Shqipja takohet me Sylën në Stamboll. Aty me zemër bujarinë e bashkëatdhetarëve tonë, si Faik Bukletës, Alp dhe Mustafë Kajmollit, Syla dhe Shqipja u ftuan të pushojnë në rezidencën e tyre. Bujarë u treguan dhe miqtë nga Turqia si Ahmet Firat,i cili i priti në aeroport dhe e solli Sylën në rezidencë.

Syla dhe Shqipja udhëtuan 3 ditë që të arrijnë në Indi. Ata shkuan kah Kazakistani. Linja e re e posa hapur “Al Astana”, kur e dëgjoi tregimin e Sylës, e vendosë atë në klasën e biznesit që të pushonte deri në Indi.

Në qytetin Jaipur, Sylës i ishte siguruar Hoteli Shyam Paradise, por kur Syla arriti aty dhe ata e panë gjendjen e tij, i treguan se hoteli për Sylën ishte falas për shtatë ditët e qëndrimit të tij. Z. Mangal Kumar Madhup iu vu Sylës në shërbim për çfarëdo kërkese që kishte.Z. Anand dhe Rekha Bhaiya organizuan transportin çdo mëngjes dhe mbrëmje.

Arritja në Spitalin Jaipur Foot ishte një surprizë e pa pritur. Aty kishte qindra njerëz me aftësi të kufizuara: njerëz pa këmbë, pa duar, njerëz me gjysmë trupi që zvarriteshin nëpër tokë, por asnjëri nga ata nuk e përdorte karrocën. Ata pritshin për gjymtyrët e tyre pa u ankuar. Fytyrat e tyre ishin të vuajtura, ishin të varfër, dhe dhembja pikonte nga qeniet e tyre. Përnjëherësh Sylë Kodra nuk e ndjeu veten të kufizuar, ai ishte i fuqishëm, kishte vullnet për jetë, e kishte zemrën shumë të pastër. Duke i shikuar ata njerëz që kurrë nuk ankoheshin, Sylë Kodra tha “unë më kurrë nuk do të ankohem, dhe kurrë nuk do të ndalem të eci përpara”.

Ishte z. Shri. D.R. Mehta, themeluesi dhe udhëheqësi kryesor i Bhagwan Mahaveer Viklang Sahayata Samiti/BMVSS(emri i plotë i spitalit Jaipur Foot), në qytetin e Jaipurit, shtetin e Rajastanit, në Indi,që e priti Sylën dhe Shqipen me një mirëseardhje të pa parë. Ai e ftoi mjekun e tyre me të mirë Dr. Om Prakash Sharma, i cili u morr me Sylën ku për 3 ditë ia punoi dhe vendosi këmbët e reja. Syla me një ndjenjë mirënjohjeje shumë të madhe dhe falënderime të pandërprera iu bëri me dije se ai kurrë nuk do t’i harrojë ata e as mikpritjen e tyre. Dr. Mehta jo vetëm që ia dhuroi këmbët Sylës, por e ftoi në shtëpinë e tij për drekë, si dhe e përcolli me ëmbëlsira për familjen e tij.

Pastaj Syla morri pjesë në një konferencë shtypi dhe të gjitha gazetat e Jaipurit shkruan për tregimin e tij, kosovarin që nuk u dorëzua dhe sakrifikoi aq shumë për t’i marrë këmbët e reja me garanci jetësore.

Dr. Mehta, 77 vjeçar, që punon pa u ndalë, dhe i cili i ka mbi 50 kampe në 28 shtete të botës,iu mundëson këtë shansë të gjithë atyre që kanë nevojë për këmbë dhe duar. I frymëzuar nga Sylë Kodra,ai propozoi që të hapë kampin një  mujor në Kosovë,ku brenda 25 ditëve teknikët e Spitalit MBVSS do t’i punojnë 500 këmbë për njerëzit me nevoja të kufizuara vetëm për $500 për një këmbë. Pra për çmimin e një këmbe të klinikës Gjermane 16 njerëz do të fitojnë këmbët e tyre.

 

Falënderimet e Sylë Kodrës i shkojnë shumë njerëzve:

Në Kosovë Antigona Shestani dhe familjes sëvet;

Në Turqi Faik Bukletës, Alp dhe Mustafë Kajmollit, si dhe Ahmet Firat.

Në SHBA Shqipe Malushit, Shoqatës së gruas Shqiptaro-Amerikane nga Chicago dhe presidentes Lydia Memeti, 33 donatorëve për zemërbujarinë e tyre, si dhe teqesë Jerrahi Order of America.

Në Indi Anand dhe Rekha Bhaiya, Hotel Shyam Paradise, Shri D.R. Mehta, Dr.Om Prakash Sharma, si dhe Sujata Prasad dhe Hoteli NLC në Neë Delhi.

Sylë Kodra ishte ambasadori më i mirë i Kosovës ku e përfaqësoi vendin dhe kombin me bujari dhe dinjitet. Ai u betua se do të bëhet avokues për njerëzit me aftësi të kufizuara, të tregojë se jeta është e bukur përtej kufizimeve, dhe se të gjithë mund të ngriten e të pavarësohen me dinjitet, sepse të gjithë pa dallim janë qenie njerëzore.

Kontrolloni gjithashtu

Memli Krasniqi kritikon ashpër Vetëvendosjen për kandidaturën e Haxhiut: “Shkelje kushtetuese dhe përçmim ndaj qytetarëve”

Kryetari i PDK, Memli Krasniqi, ka reaguar me tone të ashpra pas insistimit të Lëvizjes …