A. Q: Kënga e trimërisë në margjinat e historisë ( Halil Arnauti dhe Musliu- Musa dhe Halili)

            Këngët historike, duke filluar prej këngës së Luftës së Kosovës të vitit 1389 e deri te këngët e dëshmorëve të UÇK-së, janë këngë që kanë pasqyruar dhe pasqyrojnë heroizmin shqiptar nëpër shekuj. Nga ky mes i këngëve kemi edhe këngët e trimërisë, të cilat jo doemos lidhen për personalitete të caktuara historike, por edhe këto këngë në të shumtën e rasteve kanë të bëjnë me ndodhi që janë bërë pjesë e kujtesës dhe historisë sonë tragjike dhe heroike.

           

               Folkloristika e kohës së komunizmit, ciklin e këngëve për Luftën e Kosovës e ka trajtuar si cikël të këngëve legjendare, edhe pse kemi të bëjmë me personalitete të caktuara historike, për të cilët ka qindra burime e fakte relevante historike, në historinë e popujve të Ballkanit, në Historinë e  Perandorisë Osmane dhe në shumë dokumente evropiane të kohës. Folkloristët tanë asnjëherë nuk kanë shpjeguar përse ky cikël i këngëve i takon legjendave kur dihet mirëfilli se ka ekzistuar Sulltan Murati, bijtë e tij Jakupi dhe Bajaziti, Milush Kolipiqi, Mbreti Llazar, Vuk Brankoviqi e personazhe të tjera të historisë së Mesjetës. Kjo qasje “shkencore” mbase ka ndodhur për shkak të elementeve legjendare, e fantastike që lajmërohen në rrëfimet komplekse të kësaj beteje të përgjakshme, fatin e së cilës e vulosi kryetrimi shqiptar i Mesjetës, Milush Nikollë Kopiliqi, i cili vrau Sulltan Muratin e Parë,  më 16 qershor të vitit 1389.

 

              Po kjo folkloristikë e ideologjizuar shqiptare, këngët për Skënderbeun i ka trajtuar si këngë historike, edhe pse ato kanë ruajtur po ato elemente legjendare e fantastike, sikur ato të Luftës së Kosovës, meqë edhe i takojnë po asaj periudhe historike. Cikli i këngëve për Skënderbeun, është ndërtuar po me ato veçori me të cilat është ndërtuar cikli i këngëve të Luftës së Kosovës. Ashtu sikur këngët për Luftën e Kosovës dhe ato për Gjergj Kastriotin-Skënderbeun, janë krijuar nga rapsodë anonimë popullorë. Vetëm në shekullin 19-të me rastin e fillimit të mbledhjes së lëndës folklorike nga atdhedashësit e arsimuar shqiptarë dalin  të shënuar edhe emrat e mbledhësve të kësaj lënde, e aty këtu edhe emrat e këngëtarëve apo rrëfimtarëve të caktuar.

 

               Prej Luftës së Kosovës, luftërave çlirimtare të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, për një kohë të gjatë  këngët historike humbin në mjegullën e dendur të kohës së konvertimit, të kohës sterrë të zezë nën robërinë turke, sllave e greke.

               Një këngë e tillë historike  do të “ringjallët” në kohën e kryengritjes së Halil Patronës, në Stamboll më 28 shtator të vitit 1730, për të vazhduar në mënyrë të pashkëputshme me këngët e Ali Pashë Tepelenës, Zenel Gjolekës e Rrapo Hekalit, Tafil Buzit këngët historike për bushatlinjtë e Shkodrës, Kënga e Hamëz Kazazit  kënga e Ibrahim Pashës së Moresë e për të ardhur deri në ditët tona.

 

                Këngët për Luftën e Kosovës, ato për Skënderbeun, Tanush Topinë, Lekë Dukagjinin e trimat e Mesjetës, për Vashat e Kurbinit, sado fragmentare  qofshin, ato kanë pikë referimi personalitete të caktuara të historisë dhe si të tilla janë përcjellë gojarisht brez pas brezi, duke arritur deri në kohën tonë, qoftë edhe në formë krejt fragmentare. Prania e këtyre këngëve është ruajtur sidomos te arbëreshët e Italisë, meqë atje kujtimi për Motin e Madh nuk ishte zbehur kurrë, ndërsa shqiptarët në Ballkan, në luftën e tyre  të vazhdueshme për mbijetesë kishin zgjedhur dy rrugë, të dyja të rrezikshme dhe ishin rreshtuar në dy taborë, në luftë kundër turkut dhe në luftë me turkun.

                 Prej kohës së Skënderbeut e deri te Ali Pashë Tepelena kemi jo më pak se tre shekuj dhe nuk kemi të shënuar asnjë këngë historike për ndonjë personalitet të caktuar, përveç këngës së Halilit dhe Musës, e cila në shumë segmente ndërlidhet me epokën e Halil Patronës dhe Musli Beshit dhe kryengritjes së Stambollit, të shtatorit të vitit 1730 nga jeniçerët shqiptarë, turq  e të tjerë.

 

Kryengritësi i Stambollit, Halil Patrona, Halil Arnauti nga Huprishti i Manastirit të Maqedonisë

 

                 Megjithatë, besoj se kujtesa e popullit nuk e ka anashkaluar Halil Patronën ndërsa  ka shënuar në memorie  edhe një këngë për dy personalitete historike, për kryengritësin më të madh shqiptar të kohës së Perandorisë turke, Halil Patrona dhe veteranin e  jeniçerëve në Stamboll, Musli Beshi, të dy shqiptarë, (arnautë) nga Hurpishti i Manastirit. Hurpishti ishte një kaza, në kohën kur e ka prezantuar në Enciklopedinë e tij, Sami Frashri, ndërsa sot nuk gjenden dot, jo vetëm gjurmët e fshatit, por as Kazaja e Hurpishtit. Shkaqet e vërteta nuk i dimë, por e marrim me mend se pas dështimit të kryengritjes dhe prerjes pabesisht të kokave të Halil Patronës, Musli Beshit dhe mijëra jeniçerëve shqiptarë, të njëjtin fat e kishin pësuar edhe hurpeshtalinjtë.

             Pas shuarjes së kryengritjes së Stambollit të vitit 1730, emri dhe nami i i Halil Patronës dhe i Musli Bashës doemos se ishte përhapur edhe në viset e Arnautistanit.

            Për t’i ndjekur kryengritësit kudo në Shqipëri  në pranverë të viti 1732 nga Stambolli ishte nisur një ekspeditë ndëshkuese ne krye me Osman Topall Pashën e Moresë. Historiani i madh austriak Jozef von Hammer thotë se Osman Topall Pasha ishte inkuizitori i madh, i cili kishte marrë përsipër detyrën që të zinte dhe të vriste çdo jeniçer shqiptar që kishte marrë pjesë në kryengritje dhe kishte arritur të ikte nga Stambolli. Ai kishte marrë për detyrë nga Sulltan Mahmudi që t’i ndiqte dhe t’i  vriste  të gjithë kryengritësit shqiptarë, jeniçerët  që kishin shpëtuar pas shuarjes me gjak  kryengritjes së 22 shtatorit të vitit 1730.

 

                 Duke analizuar të vërtetat historike për kryengritjen e Stambollit të vitit 1730 dhe variantet e shumta të ciklit të këngëve për Halilin e Musën, doemos se vërehen shumë elemente të përbashkëta në sinkroni dhe diakroni, por edhe në kohë dhe hapësirë.

Në radhë të parë kemi të bëjmë me motivin e njëjtë dhe që është prerja e mikut në besë, një akt i shëmtuar i dënuar ashpër në Kanunin e Maleve, në Kanunin e Skënderbeut dhe në kanunin e Lekë Dukagjinit.

Halilin dhe Musën i mashtron dhe i pret  në besë miku i tyre, Bejta syla, i shtyrë nga Avdi Pasha, apo Avdi Aga.

            Halil Patronën dhe Musli Beshin i vret tradhtisht Sulltan Muhmudi, i cili fillimisht jo vetëm që ua kishte falur kokat Halil Patronës dhe Musli Beshit, por në fillim të nëntorit të vitit 1730, u kishte caktuar edhe detyrat më të larta në komandën e kreut të luftës së jeniçerëve. Ai urdhëron që Halili, Muliu dhe 24 jeniçerët më të zë të shkojnë në pallatin Perandorak për t u veshur me rrobat prej lëkure. Aty, ndodhet një i quajtur Halil Pehlivani, rival i Halil Patronës, i cili prapa shpine vret një nga një të gjithë jeniçerët.

 

Mramori i Gollakut apo Deti Marmara?

 

                E kësaj kohe mund dhe duhet të jetë kënga e Halilit dhe Musës, këngë kjo që  gjatë shekujve është kënduar nga këngëtarët anonimë, të cilët për shkaqe dhe arsye të kuptueshme ua kanë ndërruar kohën e vendin në kushte dhe rrethana specifike, Ndodh që në një kohë të caktuar këngëtarët anonimë e kanë përshtatur, në analogji me ndodhi  apo  ngjarje të tjera. Prejardhja e Mustës e Halilit, sipas të gjitha varianteve që janë shënuar në Kosovë thuhet se kanë qenë nga Mramori, një fshat i njohur në Malësinë e Gollakut. Në brigjet e Stambollit, ndodhet Deti Marmara, ku banonte “admirali” Halil Arnauti, me flotën e tij të dikurshme, derisa ishte zënë rob në Budapest dhe nga atje kishte ikur me Musli Beshin për t’ u vendosur në qytetin e Nishit, ku kishte zhvilluar një kryengritje, për të cilën dihet fare pak.  Enciklopedia angleze.

 

Yskydari i Stambollit apo Shkodra jonë?

 

                 Kënga e Musës dhe Halilit, të cilët thuhet se i kishte prerë në besë Veziri i Shkodrës, sjellë disa fragmente që na bëjmë të besojnë se kjo këngë ka ndërruar përmbajtjen, por jo edhe emrat e dy trimave si dhe disa nga emrat e vendeve. Kryengritja e Halil Patronës është zhvilluar në Stamboll, në vendin e quajtur “Sheshi për Mish” aty ku tuboheshin jeniçerët sa herë që revoltoheshin. Ata u mëshonin  kazanëve të mishit si një paralajmërim për zemërimin dhe pakënaqësinë e tyre. Në Stamboll ndodhet edhe Sheshi i Yskydarit, atje ku qëndronin  vezirët dhe kreu i luftës. Shkodra e Shqipërisë, turqisht quhet Yskydar, latinisht Scutari, sllavisht Skadar).

Kënga e Halilit dhe e Musës, në variante Kënga e Musës dhe e Halilit, apo Kënga e Hajrie Garrisë, flet për prerjen në besë të dy vëllezërve nga miku i tyre, nga dhëndri,  Betash aga, herë Bejta Syla, një nëpunës apo çaush  në pallatin e Vezirit të Shkodrës. Në tekstet e historisë turke  Avdi Agai ishte veziri i Flotës Perandorake të Sulltan Admedit të Parë, në vitin 1730. Pozita e tij ishte Kapudan Pasha, njëri ndër katër vezirët e kreut perandorak, kokat e të cilëve i merr Halil Patrona gjatë kryengritjes në Stamboll.

 

Prerja në besë e Halil Patronës dhe Musli Beshit

 

                 Më 25 nëntor të vitit 1730, Sulltan Mahmudi i Parë, edhe pse kishte premtuar se nuk do të ndëshkohej Halil Patrona dhe asnjë nga kryengritësit pas arritjes së Marrëveshjes, e cila kishte plotësuar kushtet e kryengritësve, pas postimit të tij në vend të Sulltan Ahmedit të Parë, Sulltani i ri i nxitur nge vezirët kishte organizuar prerjen e kokave të Halil Patronës, Musli Beshit dhe tërë kreut kryengritës.  Nuk ishte prerë miku në besë, por ishte prerë komandanti i Jeniçerëve i cili kishte rrëzuar nga froni Sulltan Ahmedin e Parë  dhe kishte vendosur Sulltan Mahmudin. Ai  kishte kthyer fronin e babait të vrarë 30 vjet më parë nga Sulltan Ahmedi,  vëllai i tij. Sulltan Mahmudi kishte përfituar në kryengritjen e Halil Patronës dhe kishte përgatitur e kishte parë me sy prerjen e kokave të tyre pabesisht.

Duket se stigmatizimi i një Sulltani, në kohën kur është krijuar varianti i parë i këngës, ka qenë temë krejtësisht tabu, andaj edhe këngëtari duket se ka ndërhyrë me qëllim që kënga të mos e përmend Sulltanin gjakatar, i cili kishte urdhëruar vrasjen e 12.000 jeniçerëve shqiptarë, pesë mijë prej të cilëve kishin arritur të iknin nga Stambolli dhe ishin vendosur në viset e thella malore të Maqedonisë dhe Shqipërisë.

 

 

Kënga e trimërisë  për Halilin e Musën fillon me vargjet më të njohura të folklorit shqiptar

 

Fryni era u çil taraba,

çohu Halil se Avdi aga.

Me treqind sejmenë për mbrapa

Të tanë në opinga, pa çorapa.

 

                Në tekstet e historisë turke prezantohet fakti se  Avdi Agai ishte Kapidani  i Flotës Perandorake të Sulltan Admedit të Parë, në vitin 1730. Pozita e tij ishte Kapudan Pasha, njëri ndër katër vezirët e kreut perandorak, i cili kishte shfaqur gatishmëri për ta shuar me gjak kryengritjen, me ushtarët e florës së tij,  por ndërhyrjen e tillë nuk e kishte pranuar Sulltan Ahmedi. Avdi agai, ishte në mesin e katër vezirëve të mëdhenj, së bashku me vezirin e Madh, Damad Ibrahaim, myftiun e Stambollit dhe kryeqehajanë, kokat e të cilëve i kishte kërkuar dhe i kishte marrë Halil Patrona.

Treqind sejmenët e Avdi Pashait, nuk ishin nisur në rrethim të dy vetave, aq më tepër këmbëzbathur, meqë nuk kishin pasur kohë të mbatheshin.

                   Këtë fakt e përforcon edhe një element tjetër. Të gjithë jeniçerët e Hail Patronës ishin këmbëzbathur, jo sepse nuk kishin këpucë, por ishte ky një shenj i solidarësisë së tyre me turmat e varfra të Stambollit, të cilët në kryengritjet e tyre mbështetnin jeniçerët,  për të thyer e për të plaçkitur të kamurit e Stambollit. Edhe në kohë kur Halil Patrona fill i vetëm shkon për ta uruar hipjen në fron të Sulltan Mahmudit, sipas kronikave të Stambollit të vitit 1730 dhe historianit, Jeozef Von Hammer, ai kishte shkuar këmbëzbathur, madje edhe pa shpatë, pa shpresë se do të kthehej gjallë. Sulltani jo vetëm e kishte pranuar por ia kishte plotësuar kushtet për heqjen e tatimeve të përjetshme, “malikaneve”  dhe prishjen e plaçkitjen e 130 shtëpive të kurvërisë në Stamboll të cilat i kishin ndërtuar inxhinierët e Francës, në kohën e Sulltan Ahmedit të Parë, epshtar dhe degjenerik.

 

                   Kjo këngë shumë e njohur në traditën e dasmave shqiptare është kënduar si “këngë majekrahi” po thuajse në të gjitha trevat e Shqipërisë veriore dhe verilindore deri në kazanë e Nishit.

Këngën e këndonin dy apo tre krushq, ose këngëtarë, pikërisht në kohën kur krushqit i afroheshin shtëpisë, ku do ta merrnin nusen. Kënga kishte një mesazh të qartë dhe shumë kuptimplotë. Ajo i përkujtonte mikut se në rast tradhtie, në rast të prerjes së mikut në besë, ishte vetë nusja, ajo që do të duhej të merrte gjak për vëllezërit, duke mos e ndalur dorën as në pjellën e tradhtisë, në bijtë e saj.

                  Kjo këngë ka mbijetuar deri në fillim të viteve 70 të shekullit të kaluar, kur qerret e nuses, “kerri i kuq” ishte zëvendësuar me automobilin e nuses dhe kur krushqit nuk shkonin këmbë apo hipur mbi kuaj, për ta marrë nusen por shkonin hipur në vetura e traktorë.  (Nuk ka shqiptarë që të ketë kaluar moshën 50-60-vjeçare dhe të mos e ketë dëgjuar  këngën “majekrahi”, “Fryni era u çil taraba”,  të kënduar nga krushqit dasmorë, e sidomos nga këngëtarët, këngë kjo që këndohet edhe sot e kësaj dite kudo në Kosovë e në treva të tjera të Shqipërisë.

 

                 U ndala në këtë motiv për të konstatuar se prerja e mikut në konak, në besë,  ishte akti më i pafalshëm, më i papranueshëm dhe më i ndëshkueshëm për moralin dhe traditën e shqiptarit. Nëse kënga e Halilit dhe Musës, dikur kishte të bënte me Halil Patronën e Musli Beshin, stigmatizimi që i bëhej tradhtisë, doemos se prekte fronin perandorak, Sulltan Mahmudin, i cili kishte prerë në besë, Halil Patronën dhe Musliun dhe mbase pikërisht për këtë hartuesi i parë i këngës, ndonjë dervish bektashi shqiptar, këngën e kishte konvertuar dhe ngjarjen e kishte vendosur jo në Stamboll, ku kishte ndodhur kryengritja por në Kosovë dhe në Shkodër.

Nuk përjashtohet as mundësia e një koincidence në emrat e heronjve, por nuk mund të kemi koincidenca në emrat e tjerë të personazheve, as në emrat e vendeve, Yskydar-Shkodër, Marmara-Mramor etj.

 

Hakmarrja e motrës

 

                 Kënga e Halilit dhe Musës ka edhe katarzën shpirtërore, pikërisht atë katarzën Aristoteliane, e cila te ne quhet hakmarrja e motrës për vëllanë. Në tragjeditë antike, është e njohur tragjedia Antigona e Sofokliut, e cila varros vëllanë, Polinokin,  kundërshtar të mbretit, i cili kishte urdhëruar që trupi i tij të lihet mbi dhe pa u varrosur për shkak se kishte luftuar në radhët armike të mbretit. Meqë kishte thyer urdhrin ajo vritet, ndërsa te varri i saj vetëvritet edhe i dashuri i Antigonës, djali i mbretit Kreon, që kishte dhënë urdhrin e mbytjes së Antigonës. Tragjedia arrin kulmin kur nga dhembja për djalin, vret veten edhe mbretëresha Eurudiqi.

Hajria e traditës dokesore shqiptare, ka diçka të ngjashme me Antigonën. Ajo vret burrin,  i cili verbërisht apo për shkaqe përfitimi kishte kryer detyrën ndaj pashait duke vrarë, miqtë dy vëllezërit e bashkëshortes. Hajria po ashtu është e përkushtuar për vëllezërit. Ajo shkon më larg se Antigona. Ajo vret burrin por edhe djalin e vet,  birin e burrit tradhtar, edhe pse ishte e  vetëdijshme se do të mbytej nga Pashai.

                  U zgjerova në këtë temë për të sjellë disa elemente interesante nga Kronikat e Stambollit të vitit 1730, në të cilat është bazuar seriali filmik i Turqisë, i transmetuar ne TRT1: “Bir zamanlar osmaly kijam” seri filmike me 20 epizode ku trajtohet koha e Sulltan Ahmedit dhe Halil Patronës, si dhe seriali tjetër, “Osmanly darin devlet” me 12 epizode ku trajtohet pjesa e dytë e po të njëjtës seri  filmike dhe ku figura e Halil Patronës paraqitet si një monstrum i veçantë, i papërsëritshëm në 700 vitet e Perandorisë Osmane. (Të dy seritë filmike mund të shikohen përmes Joutube në internet). Kliko: Bir zamanlar osmanly kijam dhe Osmanly darin devlet.

 

               Në serialin “Bir zamanlar Osmanli Kiyam”, vëllai i Halil Patronës, Gjergjezi, apo Gjergji i Zi, paraqitet si vrasës me pagesë. Duke vepruar sipas porosisë së  kreut të shërbimit sekret iranian, i cili vepronte dhe kruente diversione  në pallatin perandorak, ai vret gruan me barrë të Murat Solakbashit, të besuarit të Sulltane Hatixhesë, motra e Sulltan Ahmetit e njohur për qëndrimin e saj kundër vëllait. Ndërkohë, vëllai i Halil Patronës  kapet dhe varet në litar, me një ferman special të Damad Ibrahimit. Ai urdhëron që kufoma e tij të qëndrojë e  varur një javë në qendër të një sheshi të Stambollit.

            Halil Patrona, paraqitet edhe si vrasës i fëmijës shtatë-vjeçar të Ispiri Zades, meqë ai fillimisht e kishte rekrutuar në kryengritje kundër Perandorisë e pastaj e kishte denoncuar vetë, meqë nuk e kishte përballuar dhunën fizike të ushtruar ndaj tij. Të dy këto motive, nuk kanë asnjë element të përbashkët me Historinë e kohës së Sulltan Ahmedit, ndërsa në të dyja serialet, Halil Arnauti dhe tërë arnautët e asaj kohe paraqiten si përbindësh, si mosntrumët e filmave horror.

 

               Kam prirje të besoj se këngën e Halil Patronës, e kanë sjellë nga Stambolli dervishët shqiptarë, gjithnjë bektashi,  të cilët u këndonin bëmave dhe trimërive të heronjve të kohës. Është i njohur fakti se dervishët gjatë fushatave luftarake të Perandorisë këndonin këngë me qëllim për ta mbajtur moralin e ushtarëve. Shumë nga këngët e periudhës së sundimit turk në Kosovë i kanë sjellë këngëtarët dervishë, të cilat janë kënduar edhe nga rapsodët shqiptarë. Duke kaluar nga brezi në brez, në rrethana të ndryshme historike, këto këngë kanë pësuar edhe ndërrime e modifikime të shumta. Modifikimet e tilla i hasim në variantet e shumta të këngëve për një ngjarje të caktuar. Dervishët bektashi me origjinë shqiptare i kanë sjellë në Arnmautistan edhe këngët për Osman Pashën, Për luftërat shqiptare-malazeze, për Zenel Gjolekën, për luftërat e Maliq Pashës dhe të shumë pashallarëve të tjerë.

Mendoj se edhe këngën e Halit dhe Musës (Halil Patronës dhe Musli Beshit) e kanë kënduar në tokat shqiptare pikërisht dervishët shqiptarë, bektashinj, ashtu sikur ishin edhe Musa e Halili.

Gjatë viteve kjo këngë mori karakter rajonal, duke u kufizuar vetëm në dënimin moral të tradhtisë, ashtu sikur dënohej në traditën dokësore shqiptare, në Kanunin e Lekë Dukagjinit

 

Kënga e Musës dhe Halilit, në variante edhe kënga e Hajrie Garrisë është shënuar në Visaret e Kombit, në Shkodër në vitin 1937.

 

Fryni era u çil taraba

Çou Halil se Avdi aga,

Me treqind sejmenë përmbrapa,

Të gjithë n’ apanga pa çorapa.

 

300 vet treqind dai,

Te Halili ia kanë  msye

E zeza nane na i paska ndie,

 

I ndien motra e zeza nanë,

– Çou Halil o gjumi o randë,

-Ku i ki arme e jataganë-

-Mi ka fshehun miku mbramë,

-S e ka mendjen me na dhane,

-E ka mendjen me na zanë.

 

-Bejta syla, qen,  çka t baba

-Tu dhimt buka qi ta ngrana

-S’ mu dhimt buka as rakija,

-Plot dukat mu ka mbushe shpija,

-Nuk po dhimbet miqësia,

-Miqasine do ta lame,

-Motren tane nuk e domë.

Bejta Syla qen qafiri.

Bani gost e qoj na thirr

Qoj për muzhde te Veziri,

Tu zu Musa tu ka zanë Halili

-Mori moter e zeza moter,

-Kurr mos t lefte nji djalë në votër!

-Na tradhtove na shtine n Shkoder,

-Mos m’ lefte djalë, vlla, mos m lefte çike

-Ket punë motra s’e ka ditë,

Shkoj nji muaj e shkuen do ditë,

Preu të shoqin me dy bijtë.

-Kur ja vuna thikën burrit

-Si me i nxjerrë vllaznitë prej burgut,

-Kur ja vuna thikën djalit

-Si me i nxjerrë dy sytë e ballit.

 

               Pas shuarjes së kryengritjes së Stambollit të vitit 1730, emri dhe nami i i Halil Patronës dhe i Musli Bashës doemos se ishte përhapur edhe në viset e Arnautistanit.

Për t’i ndjekur kryengritësit kudo në Shqipëri  në pranverë të viti 1732 nga Stambolli ishte nisur një ekspeditë ndëshkuese ne krye me Osman Topall pashën e Moresë, edhe ky me origjinë shqiptare. Ai kishte marrë për detyrë nga Sulltan Mahmudi që t’i ndiqte dhe t’i  vriste  të gjithë kryengritësit shqiptarë, jeniçerët  bektashi që kishin shpëtuar pas shuarjes së kryengritjes së 22 shtatorit të vitit 1730.

 

               Këngëtari popullor shqiptar, historinë e para 280 viteve e këndon edhe sot, por me ndryshime të mëdha.

Kënga është rikrijuar në situata dhe rrethana të reja, të përshtatura për kohën, ashtu sikur  kënga “Maliq Pasha në kali t bardhë”, të cilën  disa këngëtarë të bashkim vëllazërimit e kishin kënduar në stilin, “Marshall Tita n kali t bardhë” , apo Oj dragane iza Brega. “Trazhi majka svoga” e të tjera. Këngëtari popullor nuk ka qenë kurdoherë konsekuent në misionin e tij, sikur është krijuar dhe deri dikur edhe ekziston një bindje romantike e shumë hulumtuesve të folklorit. Ai shpeshherë iu ka përshtatur rrethanave dhe ka kënduar sipas kërkesave të publikut.

 

              Në Kosovë dhe kudo në trojet e veriut të Shqipërisë Janë të shumta dhe mjaft të përhapura variantet e këngëve për Mustën e Halilin, Hajrie Garrinë, apo Halilin e Musën.

Në të shumtën e varianteve, Halili dhe Musa paraqiten si dy trima të Gallapit apo të Llapit, të cilët i pret në besë miku i tyre në Shkodër. Prerja në besë, mbase ishte bërë për motiv hakmarrje, sikur evidentohet në këtë variant të kënduar në Drenicë.  Në fillim të këngës, Veziri i Shkodës, kërkon nga Bejta Syla që t i denoncojë dhe t i zë miqtë e tij, të cilët si duket paraprakisht i kishin vrarë dikë të afërm.

 

Në Shkodër te zezë u ba beteri,

Na u kanë rrokë bejlertë ndër veti,

Briti e foli, Rrustë Rexhepi.

Vezir Pashë t’ka hup’ gajreti

Bejta Syla t’ ka ba për veti.

Vezir pasha, ne kambë na u çue,

Bejta Sylës fjalë i ka çue,

-Miqtë e ty në Shkodër i ke  prue

-Zemren teme, ma kanë shkrumue

-Pre m’i kanë, djalë e grue!

Bejta Syla, çka ka punue

-Vezir pashë, pse s’ me ke kallzue

-Se lidhë në Shkodër, t’ i kishna prue

-Si ke dashtë ti  kisha punue.

 

Bejta Syla n’ shpi ka shkue

-Eja ketu e jemja grue

-Gjithçka t veti, ki mem kallzue

-Ku i ki vllaznit, ku janë tue rrnune

-Fort për ta, jam përmallue

-Fort për ta, malli më ka marrë

Kqyr e shoqja, çka i ka thanë

-N ma dhash besën me ma dhanë,

-Ti vllazninë qi s’ m i trashton

-Gruja jote po t’ kallon.

Ja dha besën, Bejta n dine e imane

-Ty vllaznine, s’ kam me ti zanë,

Mire ja nisi, shoqja po me i kallzon

-Aj Halili ne Mramuer   jeton

-Musa i vogë asht rrogëtar,

-N Bajçinë të vogël po i ruan gjanë,

-Pa plis n krye pa opanga n kambe.

 

Bejta Syla çka po ban,

Merr një leter e po e shkruen

Se n’ Mramur Halilit ja çon.

Kqyr ne leter shka i ka thanë:

-E ke motren ne dyshek

-Malli juaj s’ pe len me vdeke

Letra djalit na i ka shkue

Merr Halili ka nise me kendue

Lot për faqe i kan’ shkue

Lot per faqe po i shkojnë

Jalla bajke na u çojka n kambe,

Fill te Musa ai po m shkon.

Musa i vogel po i kish lshue gjanë

Ja kisht dhanë shpinën një qarri

 E po i rajke ai kavallit,

-Bre kavall kavall pa  tela

-A thue din ajo motër mjera,

-Që po i ruaj 100 dhi e edha,

Me Halilin janë takue,

Të dy vllaznit kanë bisedue,

-Çou bre vlla, Halili i ka thanë,

-Motra leter na ka çue

-Motra e smutë ka qillue,

-Motra smute ka ra ne dyshek.

-Pa  mallë tonin nuk po vdes.

Musa i vogël shka ka thanë,

-Ngo bre vlla i paska thanë,

Me m ngue mue na nuk shkojmë,

Motra smute nuk ka qillue

Po don miku me na tradhtu.

Motra e smutë o Musë ka qillue

Me ba motra, ajo me vdekë

S sahat dekes shpirti s m’del.

 

Se dy djemtë kanë fillue,

Se n  tasjan kur  kokan shkue,

Musa veten e kish vajtue,

Musa veten po vajton

-Oj Kosove  ai paska thanë,

-Moj Kosovë, oj  Kosovë shkreta

-Me kto kambë une ma nuk t’ shkela

-Kam i lan’ ne Shkodër krye e eshtna,

-Ka me na pre,  ai Vezir Zeza.

 

Po shkojnë djemtë  sikur fryn era,

I kanë shkue mikut te dera.

Një za t’ vogël ia kanë lshue,

Motra e vet i ka hetue

Turr po bajka te dyert me shkue,

Bejta syla iu kish ngërmue

-Ku po  don ti mori grue?

-Zani i bacit mu dok mue!

Ktheu n shpi ti moj grue

Shpejt diçka me na gatue

Darkë të mirë me na gatue,

Do shokë të moçm m’ kanë ardhë mue

Bejta Syla  bajke darkën,

Me la n gjak  Halil at Halil agën

Bejta Syla qen qafiri,

Bani gostinë e miqtë na i thirri,

Çoj për muzhde te Veziri,

-Ardhë na kanë Musa e Halili,

-Na dash po i presim,  n dash po i lidhi.

 

Fryni era u çil taraba,

Shpejt ja mrrini Vezir Pasha,

Me treqind sejmene përmbrapa,

-Hej,  ku je ti o Halil aga?

-Hajde hajde Vezir Pasha!

-Hajde shlirë, jena n’ qorapa.

 

Musa i vogël foli një fjalë

-Ku na mbeten armët mramë?

-Na i ka fsheh haxhuzka plakë,

Po therret Halili, ori  plakë!

-Dheu brenda ty mos të lashtë!

-Fort t u dhimt’ ty  ajo darkë,

-Që na fshehe armët mbramë.

-Jo, mor bir i tha hallokja

-U ka marr ne qafe e zeza, motra,

E herret Hali e jemja motër,

-Ty  mos të lefte nji djalë n’ votër

-Mos m lefte vlla, as djalë as çike

-Kto punë motra s’ i ka ditë,

-Hajt Halil, o vlla i motrës

-Ti pret motra qentë e Shkodrës.

-Tre qen te Shkodër na i ka thanë.

-I mjeri unë, Musa po ban

-I mjeri unë per nji jatagan

-Paç me lanë n Shkodër një nam

-O mjeri per një pale pishtole,

-Paç me i lanë dy teste vorre.

 

Atëherë djemtë po i qesin prej sobe

Halil aga  trim belaja,

-Sot  bashkohen krejt dynjaja,

-Ishalla luten për ne, ulemaja.

Shehrit të Shkodrës po shkojnë tue knue,

Xhalatxhija po shkon tue ngue,

Kush janë këta, qi po vinë tuj kendue?

Kush janë keta që nuk po me tuten mue?

Xhelatxhija prehka shpatën,

Musa i vogël ja zgjati qafën,

-Më prej mue mos ma prej bacën

-Mos ma prej Bacin ma parë

-E kam pasë unë vlla e babë.

Unë me pa shpirti tuj i dalë,

Jam i ri mendt kan me m’ lane.

 

Te dy djemtë na i kanë pre

Xhelatxhja po ban be

-Unë ksi trima kurrë s’ kam  pre,

 

Nanës t’ zezë lajm i ka shke,

Fill te djemtë ajo ka shkue,

Kryet e musës në prehen e ka vnue.

Ja nis  nana po e vajton

O musa o jemi djalë

Kish mbvtetë veç pak gjallë

Veç hallallin me ua marrë

Ke hjekë keq bir deshe e dathe,

Kur don Zoti mallim me ia hjekë

Me izë të Zotir në prehen po flet

Nana ime mos ki dert

Kurrgje s ish kane kjo dynja e shkretë

Tri ditë ymër për gazep

Tri ditë yem mori nanë

 

Bija e Kastrati u qojka n kambë

Ne shpi t vet drejt po shkon

Eja shoqe na i ka thanë

Eja eja ti moj grue

Bejta syla po e therret oj grue

Eja diçka me t kallzue

Te dy vllaznit t i kena shkurtue.

Ani, ani Bejtë i ka thanë

A di çfarë bese me ka dhanë,

Une per ta gajle nuk e kam

Me pasë dashtë unë nanë e babë

Kisha ndejtë te baba në shpi

S kishna ardhe ne Shkoder me t marrun ty.

 

Te dy djemtë medet i ka marrë

Po shkon udhës  me ta po llaf po ba

Djalit t’ madh çka i paska thanë,

A dashte babë bir a po do nanë

Unë e due nanë at të mirin babë

Po rrin baba me pashallarë

Po shkruhet libra por kdnohet n kangë

E pi duhanin në qelibar.

 

Djalit të vogël shka i ka thanë

-A deshte babë bir a do naë

-Nuk e du babën, tha, mori nanë

Se pa dajë baba, ne na ka lanë

Jemi mbetë n Shkodër pa askend.

 

Motra Halilit, Hajria shka po ban

Me dy djem te shpija po shkon

Darkë të mirë ajo po gatuen

Aksham  Zoti kur pe e ban,

Per me fjetë në soba po shkojnë

Bija Kastrati me pa shka po ban,

Ajo në oborr, fill  paska dalë

Një sopatë e ajo n dorë e ka marrë.

Drejt te burrë në sobë po shkon

Sakicë në krye Bejtës po i mshon,

E mbyti burrin e po i shkon vjehrës

-Ah bre vjehërr kaurresha plakë

-Bash si nanën tu t kam dashtë

-I ra sakicë deri në dërrasë.

 

Motra e Halilit ne oborr koka dalë

Me pre djalin po i vjen shum’ randë

Per pa e pre, hiq nuk po ban

Po i ngjet Bejtes, ai rezil na ban

Deri në Kosovë marre ai na  çon

Shkoj me thikë po e helmon

 

Ajo e shkreta çka paska thanë:

-Kur i rashë sakicë burrit

-Si me u çue vllaznit prej burgu

-Kur i rashë sakicë vjehrrës

-Si me i ra Musa derës,

-Kur i rashë me thikë djalit

-Si me i nxjerrë sytë e ballit,

Na dash’ të jetë marre e n dash’ njerëzi

Tre unë i mbyta për të mij vllazni,

Keshtu me ba, nuk jam kanen razi,

Burri i keq ne ket rrugë m ka shti,

Tash kam mbetë qyqe pa vllazni,

Tash kam mbetë me Aline vogël,

Si vejushë me  cubat n Shkoder.

 

 

Literatura:

 

Josef Von Hamer’ Istorija Turskog Osmanskog Carstva, I. II. III. Zagreb, 1978.

Visaret e kombit, Shkodër 1937.

Sami Frashëri, Fjalori enciklopedik, Kamus-al alam, Shkup 2004.

Jokai Mor, “A feher rusza”, Budapest 1853.

Jokai Mor, “Trëndafili i bardhë”, përkthim, Prishtinë 2013.

Fjalori Enciklopedik shqiptar, Tiranë 1985.

Enciklopedia turke-Halil Arnaut, Aranut Halil, Patrona Halil…

Enciklopedia angleze, Patrona Halil,

Seria filmike turke TRT 1, “Bir zamanlar osmanly kikam”  20 episode.

Seria filmike turke TRT 1, “Osmanly darin devlet” 12 episode.

Kënga e Musës dhe Halilit, rapsodët shqiptarë.

Kënga e Halilit dhe Musës së Vogël

(jotube https://www.youtube.com/watch?v=UX5tG_sBRxY)

Kënga: Fryni era u çil taraba”…

 

 

 

Kënga e Halil Patronës

 

Se n’ Stamboll ushton jehona

Luftë po ban Halil Patrona

Po ban luftë po ban kërdi

Kundra Mbretit në Turqi,

Për liri, për vegjëli.

 

Rrept po pvet’ Damad Brahimi,

-Ku i ka çadrat Halil jetimi?

-Ku i ka çadrat ku i ka t’ partë?

-Më ka çu mreti me ja çartë,

-Me ja hjekë kryet me shpatë!

 

N’ Atmejdan në mes Yskydarit

Po qon fjalë zogu i shqiptarit,

Po i çon fjalë Sulltan Ahmetit,

-Dorzo krenat e memleqetit,

-Ose kokën e Dovletit!

 

Haj medet po ban Sulltani

Në mes t’ Stambollit krisi nami,

Në mes zemrës së Turqisë,

Halili e Musa luftë kanë nisë

Për idare të vegjëlisë.

 

Ditë e premte në fund të shtatorit

Me  një mijë e shtatë qind e tridhjetë

Dridhet çallma e Sulltanit

Dridhen vezirë e bejlerë

Nga 7000 trima jeniçerë.

 

Në kryengritje në mes Stambollit

Ushton zani i Halil Sokolit:

-Ndigjo mbret, Sulltan Ahmedi,

-Krejt miletin  e kam me veti,

-Nuk të la vend, në tokë as n deti!

 

Sulltan Ahmeti asht ngushtue

Hasan Zulalin e ka çue,

-Thuj Halilit mos derdh gjak,

-Kater vezirat i ke hak,

-Merrja krenat la me gjak.

 

Se n’ Stamboll na u ba nami

E la fronin Ahmet Sulltani

Fjalë po çon Sulltan Mahmuti,

Hajde Halil arnauti,

Po të baj be kryet s’ ta hupi.

 

Po t baj be n’ dinë e imanë

Fukaranë s’ e marr për kambë,

Rumelinë kam me ta lanë

Me sundue anë për anë

Me xhihan e myslimanë.

 

Po Sulltani ngrehu tradhtinë

Thirri Halilin dhe Muslinë,

Në Pallat pritat na i kanë za

Pas shpine shpata u kanë ra

Krenat me gjak ua kanë la.

Kontrolloni gjithashtu

Zymer Mehani: Iku në përjetësi penë arti Fadil L. Curri

Më 6 prill pushoi zemra e shkrimtarit, gazetarit dhe intelektualit të shquar, Fadil L. Curri …