A.Q: Shqiptarët në Ballkan dhe në rajon drejtojnë katër kuvende të katër shteteve

A.Q: Shqiptarët në Ballkan dhe në rajon drejtojnë katër kuvende të katër shteteve

Shqiptarët në trojet e tyre në Ballkan, edhe pse të ndarë e të copëtuar në gjashtë shtete, në saje të numrit të madh dhe përfaqësimit të tyre në institucionet shtetërore, kanë arritur të emërohen në nivelet më të larta të qeverisjes, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë dhe në Maqedoni e më gjerë. Po ashtu, sa për kuriozitet, edhe kryetari i Kuvendit të Turqisë, Mustafa Shentop thuhet se ka origjinë shqiptare, por ai nuk përfaqëson deputetët shqiptarë të Turqisë.

Edhe në Kuvendin e Greqisë ka më shumë se 12 deputetë me prejardhje suliote dhe arvanitase, por ata përfaqësojnë interesat e Greqisë dhe jo të etnisë, të cilën nuk e përmendin më.

Dëshmia e argumentuar  për praninë e tyre në Kuvendin grek është deklarata e deputetit revolucionar, mikut të madh të shqiptarëve, Manolis Glezos, tani i ndjerë, i cili në një reagim disa vjet më parë në Kuvendin e Greqisë, duke folur për fqinjët shqiptarë u kishte përkujtuar deputetëve grekë, me emër e mbiemër veç e veç përkatësinë e tyre kombëtare, tani të mohuar.. Ai u kishte kërkuar nga ata që kur t iu përmendte emrat, mbiemrat ta shikinin drejt në sy dhe të demantonin nëse nuk ishte e vërtetë. Por asnjëri nga ata nuk kishte pranuar të polemizonte me Manolis  Glezon, luftëtarin revolucionar grek, i cili ishte shpallur deputet i përjetshëm i Kuvendit të Greqisë, pasi në fund të luftës, në vitin 1945,  kishte hequr flamurin gjerman nga godina e Akropolit.

Kuvendi i Shqipërisë ka 140 deputetë shqiptarë.

Kuvendi i Kosovës 120 deputetë, 2o nga këta janë përfaqësues të pakicave kombëtare.

Kuvendi i Maqedonisë ka 34 deputetë shqiptarë.

Kuvendi i Serbisë ka tre deputetë shqiptarë dhe

Kuvendi i Malit të Zi të paktën pritet të ketë dy deputetë shqiptarë.

Janë të shumtë edhe shqiptarët në Mërgatë, të cilët drejtojnë institucione në vendet përkatëse ku punojnë dhe jetojnë.

Për nga numri i përgjithshëm i deputetëve, shqiptarët në Ballkan mbajnë vendin e parë dhe kanë më shumë deputetë se cili do shtet në Ballkan, veç e veç.

Ky fakt tregon se shqiptarët janë gjallë në trojet e tyre edhe pse të ndarë në gjashtë shtete. Fakti i pranisë së tyre nuk mund të injorohet më, as mund të tjetërsohet edhe pse si komb numerikisht ndër më të mëdhenjtë në rajon, nuk përbëjmë një fuqi, një faktor, ekonomik, ushtarak as politik, sepse jemi të ndarë e të përçarë edhe brenda shteteve ku jetojmë, sepse por jemi kështu si jemi.

Ky “konfiguracion” i deputetëve shqiptarë dhe i atyre me origjinë të mohuar apo të vet-mohuar, sikur është rasti me arvanitasit, jep për të kuptuar se konturat e trojeve shqiptare të pushtuara nga fqinjët, në një mënyrë ose tjetër dalin në sipërfaqe, pavarësisht se injorohen, apo edhe mohohen.

Duhet pasur parasysh edhe faktin tjetër se krahina e Sanxhakut, ka vetëm 10 për qind popullatë serbe e malazeze, por është rajon i ndarë në mes të Serbisë dhe Malit të Zi. Dihet mirëfilli se cila ka qenë dikur përkatësia e tyre kombëtare. Tani shumica dërrmuese në Sanxhak i përkasin përkatësisë kombëtare boshnjake, e cila ka zbuluar dhe ka pranuar rrënjët e vjetra ilire, por me kohë është asimiluar gjuhësisht e fetarisht.

Vetëm në Kuvendin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të vitit 1878, Sanxhaku ishte përfaqësuar me gjashtë delegatë, po me aq delegatë ishte përfaqësuar edhe në Kuvendin e Prevezës së vitit 1879.

Shqiptarët në Ballkan për nga numri i përgjithshëm i popullatës numerikisht janë pas grekëve dhe bullgarëve dhe para serbëve e gjithë popujve të tjerë të rajonit. Serbët që pretendojnë se janë mbi tetë milionë, realisht janë shumë më pak. Ata i llogarisin si serbë qindra mijëra boshnjakë të Sanxhakut, vllehët e Krahinës së Timokut dhe pjesën dërrmuese shumë-etnike të banorëve të Vojvodinës, përveç hungarezëve, numri i të cilëve vazhdimisht është shuar dhe është asimiluar krejt qetas.

Edhe pse realiteti është i tillë, edhe pse jemi në pozitë të faktorizohemi dhe të unifikohemi rreth idesë së bashkimit, këtë nuk e bëjnë krerët tanë politikë, sepse më shumë duan feudin e tyre politik, sesa interesin mbarëkombëtar. Prania e numrit më të madh të deputetëve të kombit shqiptar në Ballkan, është një fakt kokëfortë, të cilin duhet ta kenë më mendje fqinjët, por edhe Evropa, sepse ky fakt flet vetvetiu, por duhet dikush ta thotë këtë të vërtetë edhe në Parlamentin e Evropës, në mënyrë që eurodeputetët të ballafaqohen me këtë fakt, meqë numri i përfaqësuesve shqiptar atje, është më pak se ai i deputetëve kroatë  apo një ndonjë shteti tjetër më të vogël në Ballkan.

Politikanët shqiptarë me mendësinë bajraktare, njëdimensionale, preferojnë më mirë të jenë kryeparë në një krahinë, apo në një parti, sesa i dyti  apo i treti në një kryeqytet, apo në institucion.

Kryekuvendarët e tri shteteve të Ballkanit, Gramoz Ruçi, Talat Xhaferi dhe Vjosa Osmani do të mund të takoheshin bashkë dhe do të mund të bisedonin për një lidhje kryekuvendarësh shqiptarë, duke  ftuar në atë lidhje edhe kryekuvendarin e Turqisë, Mustafa Shentop. Tekefundit është një lidhje, gjuhe, gjaku, tradite, historie, e cila nuk do të duhej ta pengonte askënd. Po shtrohet pyetje, cili prej këtyre kryekuvendarëve do të pranonte të hiqte dorë nga posti i kryetarit të Kuvendit,  nëse shqiptarët bashkohen në një shtet dhe krijojnë vetëm një Parlament.

Dua të besoj me këtë rast se Talat Xhaferi dhe Gramoz Ruçi nuk do të hezitonin, sa për Vjosa Osmanin mendoj se ajo edhe kështu po e mbanë postin, duke qenë e “larguar politikisht” nga partia së cilës i takon.

Tri kuvende të tri shteteve të Ballkanit, të udhëhequra nga tre shqiptarë, prania e deputetëve shqiptarë apo me prejardhje shqiptare në gjashtë Kuvende, të gjashtë shteteve të Ballkanit janë fakte, janë argumente që flasin vetë, janë zëra që duhet t i thërrasin ndërgjegjes së kombit, të ndarë në pesë shtete dhe që duhet ta pyesin njëri tjetrin, duhet  të pyesin të gjithë tok:

Deri kur kështu?

Kontrolloni gjithashtu

Ylli Mece

YLLI MEÇE: POLITIKANËT TANË ME “TANGA ROZË” DHE….  GJYSËM EFENDIKO BEJLERI

Një prej problematikave që kanë zënë faqet e shtypit të përditshëm është dhe ngelet, për …