A. Q. Të djathtët e të majtët dhe manipulimi me frazeologjinë politike

Edhe pse kanë kaluar 15 vjet pas luftës, partitë politike në Kosovë, dhe  përgjithësisht ndër shqiptarë, ende nuk janë profilizuar në pikëpamje ideologjike, madje nuk kanë fare orientime bazë në të djathtë apo në të majtë, kuptohet me disa përjashtime.

Pretendimet për t’ u profilizuar në të djathtë, apo në qendrën e djathtë, shpeshherë janë qesharake, kur dihet jo vetëm prejardhja ideologjike e partive të caktuara, të cilat me mjetet e metodat e veprimit dhe perceptimit të realitetit janë krejtësisht të majta, pavarësisht sesi reklamohen në opinion.

Partitë më të mëdha në Kosovë: PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja  pretendojnë të jenë parti të djathta, edhe pse djathtizmi i tyre përveç në letër dhe herë-herë në ndonjë deklaratë publike, nuk shihet dhe nuk ndihet në asnjë formë veprimi konkret.

Të gjithë këta djathtistë të vetë-proklamuar të  qendrës, jo vetëm që kanë prejardhje të majtë, komuniste, socialiste, por kanë trashëguar mentalitet dhe ideologji të tillë, të reformuar në formë, por aspak në brendi, në përmbajtje.

Si mund të konvertohet në të djathë zyrtari i cili ka stazh afër 40 vjet në Partinë Komuniste të Jugosllavisë, apo në Partinë e Punës së Shqipërisë si Salih Berisha. Edhe kuadro e reja në PDK, LDK, AAK kanë prejardhje ideologjike socialiste komuniste me përjashtime të rralla.

Të burgosurit politikë të Kosovës, të cilat janë të pranishëm po thuajse në të gjitha partitë politike në Kosovë dhe në Maqedoni, madje pa asnjë përjashtim i përkasin të majtës, madje edhe të majtës ekstreme, e cila barazohet me komunizmin, pavarësisht si mund të deklarohet ndonjëri prej tyre.

Aleanca Kosova e Re, është po ashtu një parti e majtë në formë e prejardhje, por e pa profilizuar, për faktin se deri tani kjo parti me qëllim për të ekzistuar është deklaruar herë majtas herë djathtas, gjithnjë duke ruajtur “qendrën”, ashtu sikur partitë e tjera, të cilat më si miri ndihen kur përmendet “qendra” qoftë e majtë apo e djathë, sepse ajo përmban strumbullarin, ku ata kapen fortë, meqë nuk kanë guxim të deklarohen hapur dhe pa paragjykime lidhur me të kaluarën dhe realitetin ideologjik.  Kryetari  i kësaj partie është një komunist tipik i proveniencës jugosllave lindore, ndërkohë që edhe krerët e kësaj partie kanë prejardhje ideologjike komuniste, jugosllave,  me ndonjë përjashtim.

 

Partitë me orientim të djathtë në Kosovë janë disa parti të vogla, të cilat kanë prejardhje nga Lëvizja nacional-Demokratike Shqiptare, LNDSH-ja, apo NDSH-ja dhe të cilat nuk kanë arritur të konsolidohen, meqë trashëgimtarët e kësaj Lëvizje, e kanë pasur të ndaluar organizimin dhe veprimtarinë politike deri pas luftës dhe fitores kundër pushtuesit serb, në qershor të vitit 1999. Edhe ato parti që pretendojnë se i përkasin “Ballit Kombëtar” në Kosovë, nuk janë parti të mirëfillta balliste, për faktin se në programin e NDSH-së, në Kongresin e Lypovicës, më 25 korrik 1946 iu kishte bërë vërejtje Dekalogut të Ballit Kombëtar dhe NDSH-ja  ishte ndarë ideologjikisht nga Balli për faktin se si organizatë kishte bashkëpunuar me forcat fashiste.

Në fjalën e tij para hetuesisë, në Prishtinë ideatori dhe kreatori i NDSH-së, Gjon Serreçi, më 10 prill të vitit 1947, në zyrën e hetuesisë së OZN-së në Prishtinë, i pyetur për qëllimin e organizmit të Lëvizjes së rezistencës ka deklaruar:

Kam thënë se duhet të formohet Organizata, dhe se kjo nuk është organizatë balliste, por është Organizatë Nacional Demokratike Shqiptare, e cila ka për qëllim luftën kundër rendit ekzistues shoqëror në Jugosllavinë e sotme dhe në Shqipërinë e sotme, për krijimin e Shqipërisë etnike duke e bashkuar Kosovën në kufijtë e saj etnikë, që do t’i bashkoheshin Shqipërisë së tillë, me rendin që do ta krijonim ne. Ndërrimin e rendit shtetëror e kemi planifikuar ta zbatojmë me intervenimin e fuqive të mëdha, të jashtme siç janë: Anglia dhe Amerika dhe me ndihmën e fuqive të armatosura, që ishin në male, të cilat do të ngriheshin për ta marrë pushtetin në duart e veta…. ( Gjon Serreçi, gjatë hetimeve para inspektorëve të OZN-së në Prishtinë, 10 prill 1947).  

Ky është programi më i qartë  dhe i vetmi i LNDSH-së, i cili nuk gjeti shprehje të duhur deri tani në organizim politik të vendit, ose gjeti fare pak, edhe pse ekzistojnë disa parti që bartin këtë emër, por nuk kanë arritur të unifikohen, meqë nuk janë tejkaluar kontradiktat e thella mes NDSH-së dhe ish-forcave balliste.

 

Partia e Drejtësisë në Kosovë mëton të jetë parti e djathtë vetëm për faktin se interesohet të vihet në jetë drejtësia shoqërore, në raport me fenë, konkretisht me fenë islame. Kjo parti nuk ka program të qartë ideologjik, ashtu sikur shumica e partive të tjera në vend, edhe pse profilizimi i saj është i rreshtuar në të djathtë, por pa ndonjë trashëgimi të mirëfilltë apo prejardhje nga e djathta. Lidhja me një fe të caktuar, nuk do të thotë detyrimisht se një parti e tillë është e djathtë, përderisa nuk përkufizohet qartë në programin zhvillimor, politik dhe ekonomik. Po ashtu e majta e reformuar asnjëherë nuk ka qenë e orientuar kundër fesë, as ka program antifetar, sikur është krijuar bindja e paqëndrueshme, duke u bazuar në komunizmin e majtë dhe në diktaturën e proletariatit të Enver Hoxhës.

 

Nuk është parti e djathtë as Partia Demokristiane e Kosovës, me faktin se është parti e krishterë, sepse që nga themelimi e deri tani ajo udhëhiqet nga një komunist ende i pa konvertuar në të djathtë, dhe aspak i krishterë në pikëpamjet dhe bindjet e tij ateiste, komuniste. I tillë ka qenë dhe po mbetet edhe elektorati i kësaj partie, pavarësisht deklarimit në të djathtë duke u mbështetur në partitë simotra të disa vendeve evropiane.

 

 

Të majtët në Kosovë  ekzistojnë  dhe janë në rrugë për konsolidim

 

Partia e vetme, e fuqishme  me orientim të majtë, në Kosovë, është Lëvizja Vetëvendosje, pastaj Partia Social Demokrate e Kosovës, e cila ka pak elektorat  dhe ndonjë parti e vogël, që ka arritur të grumbullojë numrin minimal të anëtarësisë, për afishim para opinionit.

Vetëvendosja ka profil dhe program të qartë qytetar, i cili i korrespondon të majtës së reformuar, që grumbullon në vete forcat heterogjene nga pikëpamja e trashëgimisë politike, por   që janë konsoliduar drejt një programi të qartë, realist dhe me perspektivë. Në mesin e të majtëve të Kosovës, të grumbulluar rreth Vetëvendosjes ka kuadro me orientim të qartë politik dhe ideologjik dhe në këtë segment është e vetmja parti politike, e cila nuk fshihet nga opinioni, me qëllim të kalkulimit politik, por deklamon hapur vlerat e së majtës së qendrës, të cilat janë realitet faktik në një shoqëri të varfër, e cila qeveriset nga një oligarki e korruptuar dhe vasale, krejtësisht e nënshkruar nga politika kolonialiste të Bashkimit Evropian në Kosovë.

Kjo është edhe arsyeja pse Vetëvendosja po arrin të depërtojë te të gjitha shtresat e shoqërisë, duke unifikuar një qendër të mirëfilltë organizative mbi principe dhe parime të qytetarisë së reformuar. Po ashtu Lëvizja Vetëvendosje si organizatë e masave, (jo populiste, në kuptim komunist të fjalës), ka arritur të fitojë besimin e shtresave më përparimtare, edhe për faktin se kjo forcë politike është bërë pjesa më korrektuese e shoqërisë dhe pjesa më kundërshtare e katandisje së vendit nga oligarkia sunduese, e zgjedhur dhe e përzgjedhur nga një segment i ambasadave të huaja, të akredituara në Prishtinë dhe nga selia e BE-së, në Bruksel.

Edhe pse e orientuar në të majtë, programi kombëtar i Vetëvendosjes është program realist që mbështetet  fuqishëm në të drejtën e Kombeve për vetëvendosje, proces historik dhe i natyrshëm i shqiptarëve,  i cili ende nuk është konsumuar, për shkak të rrethanave të pafavorshme ndërkombëtare.

 

Partia më e re në vend, Nisma për Kosovën, nuk ka profilizim të caktuar ideologjik, sado që  në ardhmen parashihet të jetë parti me orientim të majtë, meqë mbështetet në programin e barazisë sociale.

 

E djathta  e vetë-deklaruar në Kosovë u shërben politikanëve të caktuar për ta manipuluar elektoratin, sipas kohës dhe kutit, sipas preferencave të caktuara me qëllim për t’i bindur syleshët se akëcili politikan qenka i djathtë, do të thotë nuk qenka komunist, apo socialist. Dhe si mund ta besojë këtë njeriu që mendon esëll?

Duke folur për të manipuluarit dhe të paditurit, enciklopedisti shqiptar, Sami Frashëri thoshte. “Mos i trego përralla atij që beson shumë, sepse i merr për të vërteta”. Duket se disa politikanë shqiptarë e kanë pasur dhe e kanë parasysh këtë mençuri të iluministit tonë të nderuar, të cilën e shfrytëzojnë pikërisht në të kundërtën e mesazhit. (Kjo gjendje kaotike  na sjellë në kujtesë një anekdotë të kohës kur Fatos Nano dhe Sali Berisha ishin pajtuar që kryetar i vendit të emërohej, Alfred Mojsiu. Me atë rast Mojsiu iu kishte drejtuar dy shkapërdarëve të Shqipërisë, Nano dhe Berisha me fjalët: -Tash që më zgjodhët kryetar, kërkoj  të ma dëgjoni fjalën, e jo ndonjë p… të mundshme nga prapanica. Nano ia kishte kthyer: -Këtë të dytën do ta dëgjojmë, sa për fjalën, kot pret).

 

Si mund të shpjegohet fakti, kur për dy tri mandate qeverisje i njëjti lider premton sërish atë, që  kishte premtuar më parë, por nuk e ka realizuar.  Mjerisht, duket se një pjesë e njerëzve tanë u besojnë përrallave për t’u bërë milionerë, duke investuar votën në piramidat politike të djathta, për të cilat mendojnë se  vendit i sjellin begati, pa krijuar vende punë, por duke u ndarë lëmoshë nga buxheti i vendit, sidomos në kohë fushatash para zgjedhore.  Me premtime të tilla, e djathta e vetë-deklaruar po tregon mirëfilli se i mungon orientimi, natyrisht  edhe veprimi qartë politik, edhe pse aktualisht mungon baza e nevojshme kapitaliste për ta zhvilluar ekonominë. Por kapitalistët e rinj të Kosovës, të cilët fitimet e tyre i kanë qind për qind nga politika, ende ndodhën në fazë të pasurimit për veten e tyre dhe të klanit të ngushtë, por nuk kanë guxim që kapitalin e tyre ta investojnë në projekte për zhvillimin e vendit.

Pikërisht për këtë, kapitalistët aktualë që janë pjellë  trafiqeve dhe të favoreve që gëzojnë nga nënshtrimi e vasaliteti, nuk janë as të djathtë, as të majtë por janë thjesht ushejza dhe  kurrizi i dalë në shpinën e kombit,  që i mbanë mbi shpatulla dhe mbi supe ky popull i mjerë dhe i katandisur me shekuj, si nga sundimtarët e huaj gjakësorë, ashtu edhe nga sundimtarët e sotëm, me dallime që kuptohen në rrethana të caktuara politike.   

Ahmet Qeriqi

20.5. 2014

Kontrolloni gjithashtu

Enver Hasani: Kryetarja e shkeli Kushtetutën, por mos dekretimi i Blerim Isufajt nuk mund të rrëzohet

Profesori i së drejtës kushtetuese, Enver Hasani, thotë se Asociacioni është obligim ndërkombëtar i Kosovës që do të përmbushet

Profesori i së drejtës kushtetuese, Enver Hasani, ka thënë se Asociacioni është obligim ndërkombëtar i …