Ismet Sylejmani: Nusret Pllana, folësi historik i Radios-Kosova e Lirë

21 maji do të mbetet në kujtesë. Kjo datë do të mbetet në historinë e lavdishme të popullit shqiptar sepse në vitin 1959 një nënë e thjeshtë shqiptare, Nëna Shefkije, e solli në jetë emrin e madh dhe të nderuar, i cili kulmin e madhështisë së tij do ta arrinte atëherë kur më 4 janar 1999, për herë të parë në jetën e tij, por edhe për herë të parë në historinë shumëshekullore të popullit shqiptar të Kosovës, thërriste nga malet liridashëse të Berishës heroike: “Ju flet ‘Kosova e Lirë’”.Pra, sot e ka ditëlindjen folësi historik i “Radios Kosova e Lirë”, Nusret Pllana. Sa do të ishin ata shqiptarë e shqiptare që do të dëshironin ta kishin pasur këtë fat, atë mundësi e të ishin në vend të folësit legjendar e historik të “Radios Kosova e Lirë”, Nusret Pllana? Shumë, shumë, tepër shumë, me qindra dhe me mijëra, e pse jo edhe me miliona pjesëtarë të popullit shqiptar.

E kush nuk do të ishte i lumtur dhe nuk do të ndjehej shumë krenar që t’i drejtohej popullit e atdheut të vet, të vuajtur e të robëruar, pjesëtarëve të ushtrisë së tij çlirimtare, me thirrjen liridashëse: “Ju flet ‘Kosova e Lirë’”.Kush ishte vallë ky njeri, do të kenë pyetur me qindra, me mijëra e me miliona shqiptare anekënd botës, por edhe miliona njerëz të popujve, kombeve e kontinenteve të tjera.

Sa shumë është punuar e vepruar, sa shumë është derdhur gjak, sa shumë kemi vuajtur, me qindra e mijëra vite burg janë mbajtur nga baballarët e nënat tona, nga vëllezërit e motrat tona, për të ardhur ajo ditë e ai moment historik, për të qarë mes për mes eterin e qiellit shqiptar, thirrja historike e folësit brilant Nusret Pllana: “Ju flet ‘Kosova e Lirë’”. Fliste nga mali, legjendari i “Kosovës së Lirë”. Nusret Pllana, zërin e të cilin e kërkonte me çdo kusht Serbia gjakpirëse për ta ngulfatur dhe orvatej ta mbyste me të gjitha mjetet këtë zë, që po ta kapte të gjallë, do ta vriste e do ta masakronte barbarisht.

Ushtria dhe policia gjakpirëse pushtuese serbe donte dhe dëshironte, por edhe ndërmerrte ofensiva shfarosëse dhe bombardonte nga qielli, që ta shkatërronte atë radio me tërë stafin e saj, e ta shuante atë zë që e mbante të pashuar flakën e luftës për liri dhe u bënte jehonë betejave titanike dhe luftës heroike e çlirimtare të UÇK-së dhe ua kallte tmerrin pushtuesve e tradhtarëve. Por, ishte e kotë, nuk mund të vritej dot e të asgjësohej “Radio Kosova e Lirë”, prandaj nuk vritej as folësi i saj historik, Nusret Pllana, sepse e ruante dhe e mbronte populli liridashës me ushtarët trima e sypatrembur të UÇK-së.

Kush ishte ajo gojë shqiptari, e ai zë aq i ëmbël prej burri e atdhetari, që i drejtohej me aq ngrohtësi e me aq dashuri, me aq kompetencë e me aq profesionalizëm popullit e atdheut të tij, që digjej flakë në çdo skaj e në çdo cep, nga flaka pushtuese dhe barbaria serbe.

Me gojën e kujt fliste ky bir i madh i atdheut?

Zëri i kujt gjëmonte e oshtinte nga bjeshkët dhe nga nëntoka shqiptare?

Në atë thirrje që vinte nga mali dhe thellësia e tokës së Arbrit, ishte zëri i heroit kombëtar Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, por edhe i luftëtarëve trima që mbronin me gjak e me jetët e tyre kalatë e pamposhtura nga hordhitë pushtuese osmane; ishte zëri i patriotit Abdyl Frashëri nga Dangëllia që thërriste për bashkim e çlirim të Atdheut në lidhjen shqiptare në Prizren; ishte zëri i Idriz Seferit dhe grykës së Kaçanikut; ishte zëri i plakut të pavarësisë së Shqipërisë Ismail Qemali; ishte zëri i Isa Boletinit dhe i Luigj Gurakuqit; ishte zëri i Hasan Prishtinës; ishte zëri i Azem e Shotë Galicës; ishte zëri i plakut të maleve Bajram Currit; ishte zëri i partizaneve trima të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare dhe ishte zëri i komandantit të tyre të përgjithshëm Enver Hoxhës; ishte zëri i patriotit Shaban Polluzha; ishte zëri i Tribunit të Kombit Ramiz Cernica; ishte zëri i Jusuf Gërvallës e Kadri Zekës; ishte zëri i çelikut të qëndresës Rexhep Malaj e Nuhi Berishës; ishte zëri i Afrim Zhitisë, Fahri Fazliut e Fadil Vatës; ishte zëri i mendjendriturit të kombit Ukshin Hoti etj.

Ai zë nga mali, ishte mal e shkëmb, ishte zjarr e fortunë, ishte istikam i pashkelur nga pushtuesi, ishte zëri i komandantit legjendar të UÇK-së Adem Jashari; ishte gjoksi mal i Hamëz Jasharit siç e thotë kënga; ishte zëri dhe e qeshura fisnike luftarake e gjeneral Fehmi Lladrovcit; ishte zëri i familjeve legjendare Jasharaj e Haradinaj.

Buçiste zëri heroik e historik i folësit legjendar të Kosovës së Lirë dhe aty bashkë me të thërrisnin të masakruarit e masakrave të Likoshanit, Qirezit, Prekazit, Izbicës, Krushës së Madhe e të Vogël, Mejes, Rezallës, Qyshkut, Reçakut etj. Thërrisnin me zërin e folësit të Kosovës së Lirë, të masakruarit dhe të burgosurit e burgut të Dubravës dhe burgjeve të tjera anekënd Kosovës dhe të burgosurit politikë shqiptarë nëpër burgjet e Serbisë fashiste.

Zëri që dëgjohej e jehonte në çdo shtëpi shqiptare, në çdo istikam lufte, në çdo spital ushtarak, në kampet ku qëndronte popullata civile e zhvendosur nga kriminelët serbë, që njoftonte për zhvillimet në frontet e luftës së armatosur çlirimtare, ishte zëri i folësit fantastik Nusret Pllana, i cili nëpërmjet valëve të “Radios Kosova e Lirë”, njoftonte opinionin brenda e jashtë atdheut për vendimet e Shtabit të Përgjithshëm, të Shtabeve të Zonave Operative e të Brigadave dhe njësive të tjera të UÇK-së, se lufta nuk do të ndalej deri në çlirimin definitiv nga pushtuesit serbë dhe veglat e tyre në Kosovë.

Të nderuar të pranishëm!

Nusret Pllana ky shqiptar i madh.

Nusret Pllana kjo krijesë njerëzore që populli e atdheu ynë e ka për fat dhe për nderë që e ka pjesëtar të vetin.

Nusret Pllana emri emblematik i atdhetarit të thjeshtë e të lavdishëm njëkohësisht, nuk është ndal tërë jetën e nuk po ndalet edhe në ditët kur Kosova jonë e dashur nuk shkelet më nga çizmja pushtuese kriminale dhe paramilitare serbe.

570 mijë shqiptarë të vrarë e të masakruar të përfshirë në librin e tij “Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët”, është dëshmia e gjallë, se ky djalë besnik i popullit e atdheut, e ka dërguar në çdo skutë të planetit të vërtetën e hidhur e tragjike mbi Kosovën dhe shqiptarët.

Është mirë që gjithçka e çdo gjë të këtij njeriu t’i nderohet, festohet e përkujtohet, sepse kështu do ta kemi mundësinë që në çdo rast ta nderojmë edhe njeriun që ka filluar i pari dhe i vetmi ta shpërndajë zërin e tij nëpërmjet valëve luftarake të “Radios Kosova e Lirë”.

Urime ditëlindjen i nderuar, folësi historik i Kosovës së Lirë, Nusret Pllana!

Lumë si Ti Nusret Pllana!

Të urojmë jetë të gjatë e të shëndetshme, me suksese edhe më të mëdha në shërbim të çështjes së popullit e atdheut!

 

Ismet Sylejmani

21 maj 2014

Kontrolloni gjithashtu

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Bab’, ma gjej “Hamletin” Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot …