leoni

A. Qeriqi: Arrestimi i Zana Marashit, fragmente nga romani në dorëshkrim, "Betimi i Motrës"

A. Qeriqi: Arrestimi i Zana Marashit, fragmente nga romani në dorëshkrim, “Betimi i Motrës”

Herët në mëngjes, togeri Janjiq kishte lajmëruar kryetarin, Aleksiq, se operacioni për zënien gjallë të Zanës së Murat Marashit ishte kryer me sukses të plotë dhe pa pësuar asnjë dëm. I kishte raportuar po ashtu se asnjëri nga xhandarët nuk kishte guxuar ta prekte trupin e saj, as e kishte poshtëruar apo qesëndisur. Ai po ashtu i kishte bërë të ditur se ajo, nuk nxirrte asnjë fjalë nga goja, as shqip as serbisht. Vetëm vështronte me urrejtje, por nuk fliste. Kishte kërkuar  informacione si të veprohej me tej…

Duke qenë ushtarak dhe i graduar me shumë dekorata për trimëri dhe guxim, Aleksiqi kishte shfaqur interesim për ta marrë vetë në pyetje, Zanën para se të dërgohej të gjykatësi hetues. Hetimet do t’ i zhvillonte në prani të togerit të xhandarmërisë Janjiq, të cilin e kishte besnik dhe kuadër të dëgjueshëm.

Pa vonuar, me përcjellësit e tij,  kishte hipur ne qeze dhe ishte nisur në drejtim të stacionit të xhandarmërisë, ku ndodhej edhe burgu.

Pasi hyn në zyrën e togerit Janjiq, kryetari urdhëron ta sjellin të arrestuarën. Janjiq i kishte ofruar gotën e rakisë dhe e kishte ftuar në dolli për kryerjen me sukses të aksionit.

Dy xhandarë të bëshëm kishin sjellë Zanën para kryetarit.

Ia kishin lidhur duart me litar. Edhe këmbët i kishte të lidhura me një litar, por në distancë sa për të lëvizur hapin, jo më shumë se gjysmë metri.

– Lirojani duart dhe këmbët, kishte urdhëruar kryetari.

– Mund të na befasojë ekselenca Juaj.

– Jemi dy burra bre, dy oficerë të Kralit, para një  arnauteje.

Xhandarët ia kishin hequr litarin nga duart e nga këmbët dhe ishin larguar nga zyra.

Zana ishte shtangur dhe nuk vështronte në sy asnjërin prej tyre. Nga pagjumësia dhe vuajtjet fizike e shpirtërore të tri ditëve të kaluara, ajo dukej sikur ishte ngurtësuar. Por nuri i saj i bukurisë dukej edhe më i shprehur. Flokët i kishte të shkapurisura dhe  të katranosura nga tymi.

– Shikoje çfarë rase, të lutëm, thotë Aleksiq dhe shton. Shikoje çfarë shtati të hedhur dhe tipare të femrës amazone. Vështirë që të ketë origjinë arnaute. Kjo duhet të ketë origjinën nga kombi ynë, nga ato gjenet tona të dikurshme të vajzës kosovare të kohës së mbretit Llazar, kur të gjithë këta arnautët ishin serbë, por pastaj u arnautizuan dhe humbën komb e fe.

– Nuk di Ekselencë sa e njihni terrenin, por shumica e femrave të kësaj ane janë malësore dhe shtathedhura, kështu si kjo.

– Shumica prej tyre kanë origjinë të pastër serbe, a më kupton? Ata nën presion dhe dhunë të arnautëve, e me përkrahje të turqve, u dyndën  nga Shqipëria në Kosovë  dhe i shkombëtarizuan me dhunë serbët. Dhe sot këta njërës të gjakut tonë të dikurshëm ne po i vrasim dhe këta po na vrasin, edhe pse raportet mbi humbjet janë shumëfish në dëm të tyre. Këta tashmë janë ndërruar përgjithmonë. Këta i kemi humbur për gjithmonë dhe duhet bërë përpjekje t’ i kthejmë në gjuhën dhe në fenë tonë, por shteti nuk po investon sa duhet në këtë drejtim.

– Lartmadhëri, të mos harrojmë se kjo është një kriminele, është arnaute.

– Nuk e di, kjo do të provohet. Sipas bindjes dhe kulturës së saj të jetës e kombit, të cilit tash i  takon, kjo është një zbatuese e ligjit të vjetër, të pashkruar, por shumë të fortë dhe të aplikueshëm në çdo familje arnaute.

Pasi e kishte vështruar me qortim qëndrimin e saj, iu kishte afruar, i gatshëm për t’u mbrojtur në rast sulmi, meqë Janjiq i kishte treguar se tre xhandarë të rinj, mezi e kishin pushtuar me rastin e arrestimit.

Zana kishte tretur vështrimin e saj dhe nuk kishte nxjerrë zë nga goja. Ajo i dukej si një nga ato pikturat italiane të mesjetës. Bukuria dhe shtati i saj po e magjepsnin kryetarin epshtar, edhe pse e dinte se pozita e tij bënte që ai kurrë të mos e shijonte bukurinë magjepse, as trupin e saj. E tërhiqte sidomos kryeneçësia e lindur për të mos komunikuar me kundërshtarin, apo armikun.

– Përse nuk po flet, i drejtohet në gjuhën serbe, ndërsa Janjiq kishte përkthyer, meqë i kishin thënë se nuk dinte asnjë fjalë serbisht.

Ajo nuk e kishte luajtur qerpikun.

– Ku e merr këtë forcë statizmi kjo qenie, toger?

– Unë mendoj në egërsinë e racës së saj, në malokërinë e lindur dhe në disponimin tejet urrejtës kundër nesh, edhe pse koncepti juaj për racën duket disi ndryshe.

Aleksiq iu kishte afruar dhe befasisht i kishte rënë shuplakë të fortë fytyrës, për të parë reagimet e saj.

– Koka i kishte luajtur nga e rëna e befasishme, por nuk kishte nxjerrë zë.

– Ju thashë Ekselencë, se është e egër dhe e pandjeshme. Kjo nuk qan edhe trupin t’ia bësh  copa-copa.  Mbaj mend, kur keni hyrë në fshatin Talin, këtu afër dymbëdhjetë vjet më parë. U kemi prerë kokat para syve burrave  dhe djemve dhe këto gra nuk nxjerrin zë nga goja, nuk qajnë as nuk lemerisin para të huajve, ndërsa qajnë e lemerisin   kur vrasin njëri-tjetrin. Ky është shenj i një urrejtje patologjike kundër nesh.

– Shiko si na sfidon kjo bushtër! Mund t i heqim mishtë copë-copë dhe kjo as gëk as mëk nuk bën.

– Do t’ia thyej kokëfortësinë, po kam frikë mos ka rënë në ndonjë delir nga pasojat mendore,  që ka pësuar gjatë këtyre tre ditëve. Nga depresioni dhe traumat që ka përjetuar, kjo mund ta ketë humbur edhe të folurit. Janë momente psikike këto, të cilat është vështirë të kuptohen.

– E keni të kotë, Ekselencë. Kam shumë përvojë me këtë lloj grash të arnautëve, këto janë më kokëforta se burrat e tyre. Madje është një dukuri tjetër interesante. Në mesin e arnautëve mund të gjesh sa të duash denoncues, por në mesin e grave të tyre, nuk e gjen as edhe një për be. Nuk e di, e dini apo nuk e dini këtë të dhënë shumë interesante?

– Nuk ke zbuluar asgjë, toger. Këta arnautët i mbajnë mbuluar dhe të izoluara gratë, andaj ato nuk komunikojnë.

– Shumë prej grave të tyre shoqërohen me gratë tona, nga mesi  i rajasë, disa madje e dinë edhe gjuhën tonë, por për këto dhjetë vjet shërbim, unë nuk kam shënuar asnjë emër femre arnaute të ketë denoncuar te xhandarët, apo te gratë e xhandarëve tanë. Madje vajzat deri sa të fejohen shkojnë zbuluar, sidomos në fshatra, ku si shihet nuk kishte arritur ndikimin as mbretëria turke e Sulltanit.

Aleksiqi po habitej me observimet tejet të mprehta të togerit Janjiq, i cili ishte në mesin e kuadrove më besnike të regjimit. Edhe pse kishte bindje se i njihte arnautët, tani po zbulonte se përvoja e Janjiqit, po ia përmbyste disa nga konceptet.

Para tij qëndronte gruaja që dyshohej  se kishte mbytur me sëpatë serbin Mihajlo, sepse ai kishte bërë përpjekje për t’ia  dhunuar të ëmën. Atë faj do t’ ia falte, madje edhe do t’ia shtrëngonte edhe dorën. Pastaj kishte vrarë vëllezërit Cungu, meqë konsideronte se kishin gisht në vrasjen e vëllezërve të saj, dhe realisht ata kishin gisht, por dikush tjetër i kishte vrarë. Ajo, kishte nxjerrë hak sipas traditës. Me qëllim për të realizuar hakmarrjen, ajo kishte sakrifikuar rininë, bukurinë dhe ardhmërinë e saj, duke u martuar me një burrë të shëmtuar dhe plak. Kishte bërë roje në përpjekje për ta vrarë edhe burrin, vetëm sepse ai e kishte mashtruar, por e kishin zënë befasisht xhandarët dhe kishin pasur fat, që ajo nga pakujdesia kishte humbur armën, por ishte mbrojtur me sëpatë. Ajo po e injoronte atë, në radhë të parë si përfaqësues të shtetit, të cilin e konsideronte okupator. Edhe pse nuk ishte e arsimuar, ajo ishte kryelartë dhe ballëhapur, tejet e vendosur në bindjet, etikën dhe doket e kombit të vet. “Të falënderoj o Hristos”, që në këtë vend nuk ka shumë femra si kjo. Është edhe një tjetër edhe më e rrezikshme se kjo në rajonin e Drenicës, e cila futej tinëz në qytet dhe në pikë të ditës vriste madje edhe  komandantët e xhandarmërisë. E tillë do të ketë qenë edhe Zhan d’ Arka franceze, por asaj i kishte buzëqeshur fati historik në rrethana të një bote tjetër. Këto nuk do t’ i njohë  askush. Mirëpo kishte dëgjuar se arnautet trimave dhe trimëreshave u thurin këngë dhe vepra e tyre përjetësohet në apo atë këngë që përcillen nga brezi në brez. Kjo grua do të futej në këngë, mbase edhe për së gjalli, thoshte vet me vete. Ai kishte urdhëruar xhandarët ta dërgojnë në qelinë e burgut.

– Toger Janiq, si mendon ti se mund të nxjerrë dëshmi nga kjo gjykatësi hetues?

– Do të mundohet me të mirë, pastaj me kamxhik, por nuk besoj se kjo flet tani për tani. Pajtohem plotësisht me Ekselencën Tuaj, që konstatoni se  kjo tani për tani është në delir, por me kohë do t’ i dalë gjuha. Do ta fusim në qelinë e saj ndonjë grua serbe, që e din gjuhën shqipe dhe mbase do të kemi sukses. Serbet, nga mesi i rajës të gjitha pa dallim e flasin gjuhën e arnautëve, madje më mirë se burrat e tyre.

Aleksiqi shte zhgënjyer tejmase nga injorimi që kishte pësuar. Edhe pse ishte i martuar dhe kishte fëmijë, ai nuk ia fshehte dot vetvetes simpatinë që kishte për bukurinë, trupin por edhe egërsinë e saj.

– Si t’ ia bëjmë pra, pyet togeri Janjiq

– Të mos ngutemi. Derisa nuk nxjerrim ndonjë të dhënë konkrete unë e ti, të mos e dërgojmë të gjykatësi hetues. Është një rast shumë interesat dhe dua të eksperimentojmë, për qëllime që do të duhen rreth njohjes sa më të thellë të mentalitetit të arnautëve, në mënyrë që të marrim masa adekuate për asimilimin, apo ndërrimin deri në një masë të identitetit të tyre. Krali, duhet të investojë shumë me qëllim për të ta shortuar një identitet të ri të këtyre njerëzve, meqë janë shumë dhe as mund t’ i vrasim të gjithë, as mund t i dëbojmë të gjithë, për në Turqi e në Shqipëri. Më mirë do të ishte sikur njerëzit tanë të ditur të ndërmarrin diçka serioze në ndërrimin gradual të identitetit dhe shartimit të tyre. Këta janë nga gjaku ynë i dikurshëm dhe nuk kanë faj pse janë ndërruar. Të parët tanë kanë ikur përtej Tunës, këta kanë qëndruar dhe në pamundësi për të rezistuar kanë ndërruar komb e fe.

– Po këta nuk janë turq, ekselencë. Këta kanë urryer dhe kanë luftuar  turkun më shumë se ne! Ky është vetëm një rast dhe unë them të mos ekzagjerojmë. Madje turkun e kanë luftuar arnautët qe kanë pranuar fenë e turkut. Kjo është e çuditshme. Pikërisht ata e kanë luftuar turkun më shumë se ne. Në kohën kur ata por përzinin turqit, ne me lehtësi u vendosem në këto troje, ata nga padituria u bënë aleatët tanë më të mirë.

– Ky është një rast tejet tipik, që vlen më shumë se njëqind raste të tjera. Ti vetë the se në mesin e femrave arnaute nuk ka denoncuese. Duhet ta zbërthejmë këtë fenomen, në mënyrë që të marrim masa adekuate. Qëllimi ynë historik dhe strategjik është që Kosovën ta ribëjmë Kosovë serbe, sipas synimeve dhe strategjisë sonë, sipas së drejtës sonë historike, forcës dhe përkrahjes që e kemi nga vëllezërit rus por edhe të gjitha shtetet e Evropës. Arnautët nuk i do askush, nuk i do as Turqia, për të cilën u vranë me qindra mijëra. Lehtë do të bëjmë me ta, sikur ka bërë Amerika me indigjenët. Nuk do t’ i japim llogari akujt, sepse askush në Evropë nuk kërkon llogari për shfarosjen e tyre. Këta tashmë kanë vetëm dy rrugë. Të ikin në Turqi e në Shqipëri, ose të asimilohen për mes shkollave që kemi hapur dhe ndalimit rigoroz të mësimit të gjuhës së tyre, në shkollë, por edhe në vendet publike.

– Si të urdhëroni ju do të bëhet Ekselencë.

– Fillimisht le të qëndrojë vet dhe pastaj dërgo ndonjë serbe që e din gjuhën, po ama ndonjë serbe që i njeh mirë arnautët.

– Do të kem kujdes Shkëlqesi.

4.

Zanën e kishin ngujuar në një kthinë të veçantë të burgut. Aty kishte dy shtretër me kashtore dhe përmbi mbuluar me  një pjesë cerge të palarë e të zgjyrosur. Qelia kishte një dritare të vogël me pamje nga  korridori, pastaj një qyp për të kryer nevojën, një ibrik për ujë, dy kalanicë  nga qeramika e kuqe dhe dy lugë druri. Shallteri i vogël në derën e dhomës hapej dy herë në ditë, me rastin e marrjes së ushqimit. Meqë dhoma ishte në katin e epërm, bënte vapë e padurueshme, deri natën vonë. Në fillim, Zana   kishte ngrënë vetëm bukën ndërsa gjellën jo, por më vonë nga uria e padurueshme kishte filluar të hante edhe gjellën, që ia jepnin.

Gardianët kishin urdhër të silleshin mirë ndaj saj.

Tri ditët e para nuk e kishin nxjerrë në shëtitore, ndërsa në ditën e katërt në qelinë e saj kishin futur një grua të panjohur rreth të dyzetave.

Ishte një grua bjonde me shami në kokë dhe e veshur si femrat myslimane të qytetit.

– Zana nuk kishte folur, edhe pse ajo i kishte treguar emrin e vet. Ajo po ashtu i kishte thënë se kishte vrarë burrin, meqë e kishte zënë në flagrancë me një femër tjetër.

– Je memece ti, apo?

Zana  vetëm e kishte shikuar, pa vëmendje.

– Fol moj motër. Nëse je memece më vjen keq, po nëse nuk je memece, duhet të kesh frikë nga Allahu, se nëse  nuk flet, ai ta merr gojën.

Meqë kishte kaluar disa ditë pa nxjerrë asnjë fjalë nga goja, ajo ishte turbulluar paksa nga fjalët e gruas, që ia kishin sjellë në dhomë, por ishte fare e sigurt se nuk e kishte humbur të folurit, meqë fliste vet me vete.

– O Allah i Madh, më kanë ngujuar me një memece. Si i bëhet hallit?

Ndërkohë gardiani kishte hapur deriçkën  dhe kishte urdhëruar të burgosurat ta marrin ushqimin.

Gruaja që ishte prezantuar si Belkize Hanëmi, kishte kërkuar nga gardiani që ta dërgonin me një dhomë tjetër, meqë nuk donte të rrinte tërë ditën me një grua memece.

– Nuk është memece, por nuk do të flasë me askënd, sqaron gardiani.

– Njësoj është, derisa nuk flet.

– Mbylle gojën atëherë, këtu je në burg, jo në shtëpinë tënde, thotë dhe mbyll deriçkën me rrëmbim.

– O Allah, sa të egër janë këta shkie, o Allah faroji këta dushmanë. Qe katër vjet jam në burg, kam edhe pesë vjet të tjera, o Allah më ndihmo!

Ajo ishte shtrirë  në shtratin e saj duke u ankuar për të ligat që e kishin pllakosur.

Zana kishte marrë bukën dhe kishte filluar të hante.

 Ndërkohë krejt papritur iu kishte drejtuar të sapoardhurës.

– Haje bukën se po të ftohet gjella. Ishte habitur me zërin e vet, disi si të çjerrë, ndërsa Belkizeja kishte kërcyer nga shtrati dhe e kishte përqafuar fort.

– O Allah, sa më gëzove, i thotë dhe ulet në shtatin e saj.

– Përse të kanë burgosur katilët? – i drejtohet ajo

– Sepse, kam marrë hak për vëllezërit.

– Ashtu ë, i ke vrarë vetë apo me ndihmën e ndokujt?

– Jo besa, me ndihmën e askujt, por me dorën time.

– Të lumtë moj motër. Motra për vëlla digjet e qet edhe pushkë, por unë kam dy vëllezër dhe po bëhen tri vjet që asnjërin nuk e kam parë, nuk më kanë ardhur kurrë në vizitë.

– Vëllezërit kanë qenë pa martuar, ata m’i vranë, më vdiqën edhe prindërit dhe unë mbeta vet.

– Po prej nga je, ku ke jetuar?

Zana kishte rrëfyer shkurt të kaluarën.

– Eh moj motër. Je e re dhe Allahu ishalla e bën mirë. Do të dënojnë qyfarët, por do të mbash burg vetëm aq sa e ka shkruar Zoti, jo sa të cakton gjyqi.

– Nuk më frikon burgu, unë edhe ashtu nuk kam tjetër qëllim në jetë, as kam ku të shkoj.

– Ti je e re, e pashme, kur të kryesh burgun e merr një burrë të moshës tënde.

– Ku di a dal gjallë prej burgu, mund të më dënojnë 101 vjet.

– Jo moj motër, të garanton motra, ti nuk i mbanë as pesë vjet, veç duhet ditur si të sillesh…

– Çka po mendon, nuk po të kuptoj?

– Do të më kuptosh lehtë. Në fillim, më dënuan 20 vjet burg. Pastaj erdhi një avokat dhe më tha të ankohem. Avokati ishte një burrë i dukshëm dhe ma shkeli syrin. Edhe unë i dhashë të kuptonte diçka. Pastaj vinte më shpesh dhe një ditë më dërguan në dhomën e tij të punës…

– Pastaj?

– Pastaj ti ke qenë vetë e martuar dhe e di çka bëjnë burri e gruaja kur janë vetëm. Pastaj u shpeshtuan vizitat dhe më në fund dënimi u zbrit në 8 vjet.

Zana nuk kishte folur, por kishte ulur kokën. Dinte ajo për sjelljet e femrave të përdala, por tërë ajo për të ishte një botë e panjohur dhe e paprovuar.

– Ti nuk qenke grua e mirë, pra?

– Pse pra, moj motër?

– Mos më thuaj motër, unë nuk bëhem motër me një grua si ti.

– Po kë kam tjetër, unë e mjera. Ti vetë e the se ke marrë një burrë plak, i cili të ka mashtruar. Të gjithë burrat janë të poshtër. Ata mendojnë se ne na shfrytëzojnë, por edhe ne duhet t i shfrytëzojmë ata.

Femra që ishte prezantuar si Belkize hanëmi ishte një gardiane serbe, që e zotëronte mjaft mirë gjuhën shqipe. Ajo kishte jetuar në mesin e shqiptarëve dhe dinte të gjitha zakonet e sjelljet e tyre. Togeri, Janjiq i kishte caktuar si detyrë që të qëndronte disa ditë në burg, me qëllim që të zbulonte fshehtësitë e Zanës, meqë ajo nuk fliste dhe nuk dihej a do të pranonte se kishte mbytur serbin, që mendohej se i kishte dhunuar nënën. Ky rast nuk kishte dëshmitar të drejtpërdrejtë, por vetëm dëshmitarë me të dëgjuar.

Në ditët vijuese, Beklize hanëmi kishte bërë përpjekje ta bindte Zanën që të pranonte veprën dhe të kërkonte falje, mirëpo nuk kishte zbuluar asgjë lidhur me rastin tjetër, meqë dyshohej se ajo edhe nëse  e kishte vrarë serbin Mihajlo, e dinte se kush e kishte vrarë.

– Unë e kam pranuar se i kam vrarë hasmit, por unë kam marrë hak për vëllezërit.

– Por ama ti vetë the se burri dhe daja yt kanë arritur të pajtohen.

– Ata janë pajtuar dhe më kanë prerë në besë. Pikërisht për ata unë jam ngutur dhe kam kryer hakmarrjen.

– Ti the, je nga fshatit Saraj?

– Po nga Saraji jam.

Ky avokati im, shka,  kishte një shok të vetin, një kurvar, i cili i vinte rreth e rrotull çdo femre. Thonë se e kanë vrarë tinëz, në Saraj, ku i kanë gjetur edhe kalin dhe vrasësit ia kanë djegur kufomën. Ke dëgjuar gjë për të?

Zana fillimisht ishte gjendur e papërgatitur dhe gardiania serbe e kishte vërejtur turbullimin.

-Ku di unë, kam dëgjuar, është folur…, por nuk është e vërtetë kjo. Këtë lajm e përhapi Brahim Cungu për ta përçarë fshatin.

– Kush është ai farë Brahim Cungu, që paska një mbiemër të çuditshëm.

Zana  kishte rrëfyer versionin e saj. Në moment sikur kishte kuptuar se shoqja e burgut po interesohej tepër për rastin e saj. Filloi të dyshonte dhe mallkonte veten, që kishte folur.

Ndërkohë gardianët kishin hapur derën e dhomës dhe i kishin bërë me dije Beklize Hanëmit se i kishte ardhur avokati në vizitë. Pas dy orësh ajo ishte kthyer me një shportë me ushqime dhe ëmbëlsira. I kishte rrëfyer Zanës, se kishte biseduar  gjatë me avokatin, i cili i kishte premtuar se do t’ ia zbriste edhe ndonjë vit nga burgu që i kishte mbetur.

– E di çka, avokati im ka dëgjuar për rastin tënd dhe ka pranuar të të marrë në mbrojtje.

– Nuk dua avokat, i kishte thënë ajo prerë.

– Pa avokat të dënojnë 20 vjet, je në mend ti apo jo?

– Le të më dënojnë 100 vjet.

– Moj Zanë, je e re moj motër, nuk bën që ky trupi yt i bukur të kalbet nëpër këto qeli ku të mbysin, morrat,  mizat dhe pisllëku. Pale kur të dënojnë e të dërgojnë në Serbi apo në Kroaci.

– Ku bren miza hekur le të më dërgojnë!.

– Mos moj motër, mos u bëj kokëfortë. Uh, harrova. Avokati më tha se dje kanë burgosur edhe njëfarë, Januz Muhaxhirin nga Saraji, a e njeh? Ai kishte pranuar se kishte vrarë atë serbin dhe dy shqiptarë të tjerë. Sot krejt qershia po flasin për të. Derisa e kanë arrestuar ai ka vrarë edhe dy xhandarë. Do të përgjigjet për 5 vrasje. Avokati më tha se ai do të luajë në litar, ende pa u bërë muaji. Përmendja e emrit të Januz Muhaxhirit i kishte rënë krejt papritur Zanës, e cila ishte ngritur nga vendi dhe kishte filluar të endej nëpër dhomën e ngushtë. Me instinktin e saj kishte filluar të dyshonte në fjalët e shoqes së burgut.

– E ke njohur atë Jonuzin dhe sigurisht të dhimbset i gjori.

– Me siguri të ka mashtruar ai avokati yt.

– Çfarë arsye pati të më mashtrojë. Kur i tregova për rastin tënd, ai më beri me dije edhe për një të arrestuar tjetër në Saraj.

– E ke dashur atë Januzin apo e ke të afërm, meqë u turbullove kështu?

– E kam fqinj dhe më dhimbet shumë, sepse është i pafajshëm.

– Ku di ti që është i pafajshëm, kur ai ka pranuar vetë se ka vrarë tre veta e dy xhandarë?

– Ai ishte shoku më i ngushtë i vëllezërve të mi.

– O Allah, po qysh nuk po ngopen këta shkie. Ndoshta edhe e kanë marrë në qafë pa pikë hakut, moj motër.

Zana ishte turbulluar. Dyshimet që kishte në fillim te Belkizeja, sikur po i zbeheshin. Filloi të besonte se vërtet e kishin arrestuar Januzin, i cili mbase për t’ia zbutur veprën asaj kishte pranuar edhe vrasjen e shkaut, nga frika se mos ia ngarkonin Zanës.

                                                      ***

Ndërkohë, togeri Janjiq e kishte marrë në pyetje Zanën, i bindur se ajo tashmë do të fliste. Ai e zotëronte gjuhën shqipe dhe fillimisht kishte biseduar me denoncuesen serbe.

– Ditën kur të morëm në pyetje me kryetarin e nderuar, ti u tregove e papërfillshme. Mua më vjen keq për fatin tënd, por ti ke rënë pre e ligjeve të vjetra dhe të egra. Ne kishim dyshime se ke vrarë edhe serbin, Mihajlo, por ndërkohë zbuluam se atë e kishte vrarë Januz Muhaxhiri, i cili është kapur dhe ndodhet në burg. Ai ka pranuar veprën. E kishte vrarë për t’ ia marrë paratë dhe pastaj trupin e kishte djegur dhe kishte humbur gjurmët.  Mirëpo, ti ngarkohesh edhe për një vrasje tjetër. Ditën kritike, kur të kemi arrestuar, ti ke vrarë dhe ke varrosur shemrën, tënde, me emrin Emine.

– Nuk është e vërtetë. Atë e gjeta të vdekur dhe e varrosa. E kam dashur si nënën. Ajo nuk ishte grua e Lilës, por një shërbëtore plakë.

– Ashtu a?- po kush mund ta ketë vrarë?

– Nuk e di, ajo ka vdekur befasisht.

– Lilë Bagra thotë se ti e ke vrarë, meqë ajo ishte gruaja e dytë e tij.

– Rren Lila, ai është njeri i poshtër. Çka i duhejt gruaja më plakë se vetë kur unë jam 20 vjet më e re se ai. Unë u ktheva në shtëpi me qëllim që ta vrisja, po të kthehej, por nga e papritura dhe në terr të natës e humba revolen.

– Ashtu, a? Po ta kishte revolen a do të shtije në xhandarët?

– Revolen ia kam marrë  Lilës shumë kohë më parë dhe atë doja ta vrisja, sepse më mashtroi dhe ma prishi ardhmërinë.

– Dëgjo grua. Rasti yt për ne është i veçantë. Ti sipas ligjeve të fisit tënd ke nxjerrë hak, por ne sipas ligjeve tona mund edhe të dënojmë, mund edhe të falim. Krejt kjo varet nga qëndrimi yt. Është me rëndësi që ti nuk e ke mbytur, Mihajlon.

Zana sërish ishte turbulluar. Togeri ishte bindur se ajo edhe po ta  kishte kryer krimin, kurrë nuk do ta pranonte veprën, meqë ashtu do të nënkuptohej se serbi ia kishte dhunuar të ëmën. Atë po e vriste ndërgjegjja meqë besonte me të vërtetë se ishte burgosur, Januz Muhaxhiri, i cili sapo kishte dëgjuar se Zana  kishte marrë hak  për vëllezërit, kishte ikur nga shtëpia dhe askush nuk dinte se ku ndodhej, apo çka po planifikonte të bënte.

Togeri Janjiq ia kishte arritur qëllimit. Gardiania serbe kishte luajtur rolin për mrekulli. Ai kishte biseduar me kryetarin Aleksiq, i cili e kishte përgëzuar për zgjuarsinë në veprimet hetuese.

– E ke pikasur toger. Mentaliteti i saj i pa zhvilluar më lehtë pranon ta varin sesa pranon që ia kanë dhunuar nënën. Këtë e kam vërejtur edhe gjatë luftës sonë çlirimtare. Mijëra femra arnaute u dhunuan, por askush nuk u ankua. Thjesht, arnautet bën të dhunohen, sepse ato kurrë nuk pranojnë se janë dhunuar, meqë kjo iu vë damkë për tërë jetën. Gratë tona janë ndryshe, ato  nganjëherë të padisin për dhunë, nëse nuk i dhunon, nganjëherë  vetëm nëse u afrohesh, pale…

– Sipas kësaj që thua ti, nëse të kam kuptuar drejt….

– Jo i nderuar, jo!. Jam njeri me ndikim dhe respekt në popull. Nuk lëshohem në raste të tilla, por ta them të drejtën kam një simpati dhe një respekt për qëndresën dhe moralin e saj. Të tilla dikur duhej të kishin qenë nënat e gjyshet tona. Tani që po civilizohemi, po i flakim vlerat tona tradicionale.

– Ajo, as para gjykatësit hetues nuk do të pranojë vrasjen e Mihajlos.

– Punë e madhe, ajo do të dënohet se ka vrarë me qëllim dy njerëz dhe kjo mjafton të marrë dënimin deri 20 vjet burg, edhe pse ka rrethanë lehtësuese vetë ligjin e popullit të vet, të cilit i bindet dhe  e respekton.

– Mund të shpallet fajtore për vrasjen e plakës?

– Po nëse duam ne, për ndryshe ajo atë e ka dashur shumë, dhe në rrethana të tilla ajo nuk do ta bënte kurrë një vepër të tillë. Nga befasia kur kishte parë kufomën ajo kishte humbur  mendjen dhe revolen, përndryshe do të na dëmtonte. Revolja u gjet në varrin e asaj plakës, që ajo e kishte varrosur gjatë natës. Atje i kishte rënë  arma nga habia e pikëllimi dhe kjo  ishte për fatin tonë.

– Gjithsesi është qenie enigmatike dhe e çuditshme.

– E mbi të gjitha shumë e bukur dhe femër shkuar femrës, shton togeri Janjiq.

– Mbi të gjitha të tjerat një qenie fatkeqe e një populli shumë fatkeq por edhe shumë të prapë, i cili më së miri është që të zhduket në tërësi për të mirën e vet  dhe të ardhmen tonë, në këto troje ku kemi luftuar dhe kemi humbur para pesëqind viteve dhe tani po kthehemi ngadhënjimtarë.

Kontrolloni gjithashtu

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Bab’, ma gjej “Hamletin” Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot …