A. Qeriqi: Këngëtari, Gjin Dona, përçues i ideve naimjane e fishtjane për tolerancën dhe harmoninë fetare të shqiptarëve

Ahmet Qeriqi: Këngëtari, Gjin Dona, përçues i ideve naimjane e fishtjane për tolerancën dhe harmoninë fetare të shqiptarëve

Këndoj për Pashkë e për Bajram,

Se një Zot kemi të tanë,

Të krishterë e myslimanë,

Lindën vëllezër e vëllezër janë.

Këto vargje të një kënge të cilën e këndon rapsodi i mirënjohur,  Gjin Dona, (pavarësisht se i ka krijuar këngëtari, apo ndonjë autor tjetër),  përçojnë porositë e rilindësve tanë sidomos frymën e pastër kombëtare të poetit të madh shqiptar, Gjergj Fishta dhe përgjithësisht të shqiptarëve të përgjegjshëm e të ndërgjegjshëm,  që kanë vënë njërin prej bazamenteve më qendrore të shqiptarisë, të dikurshme dhe të sotme. Kjo është diga që mbanë gjallë idealin kombëtar e fetar të shqiptarëve, të mbjellë me tolerancë, mirëkuptim, harmoni dhe dashuri vëllazërore. Dhe çuditërisht, pavarësisht sa e sa forcave rrënimtare nga lindja e perëndimi nga veriu e jugu, ky mirëbesim vëllazëror shqiptar po i përballon çdo furtune e cunami, që po vë në lëvizje babëzia e brendshme dhe e jashtme.

Këngëtari, Gjin Dona i përket shkollës folklorike shqiptare të Veriut, të trashëguar nga këngëtarë të njohur si: Simon Tuçi, Tomë Nikolla, Frrok Haxhia, Sali Mali, Drane Gega, Mark Nikolla, Fatime Sokoli, Fatmira Breçani, Paulin Përvathi, Gjovalin Prroni, Zoja Pali, Mrika Trumshi, Dava Gjergji, Prena Beci, Anjeza Ndoj, Vida Kunora e të tjerë, shumë prej tyre të dalë  nga shkolla folklorike, kombëtare e autorit të këngëve, Gjokë Beci.

Në nektarin e pasur, të pastër e gjithnjë frymëzues të këngës rapsodike shqiptare, Gjin Dona ka vjelë tingujt e natyrës malore të alpeve shqiptare, ka vjelë oksigjenin e tyre duke i dhënë këngës zërin e fuqishëm e të papengueshëm deri në re  të malësorit, i cili  ka mbijetuar shekujt përballë pushtimeve e mizorive dhe gjithnjë i lidhur ngushtë me trojet e  veta, ai kurrë nuk e ka ndalur këngën, sepse ajo ka qenë dhe është burimi i jetës  dhe i shprehjes shpirtërore.

Kënga e fisnikëron jo vetëm atë që e këndon por edhe atë që e dëgjon, sepse asnjë art tjetër si muzika  nuk i referohet thellësive të shprehjeve të shpirtit të njeriut.

Kënga është burim frymëzimi, sidomos kur ajo ka një porosi, një porosi njerëzore në shërbim të njerëzores, porosi në shërbim të kombit e atdheut, porosi për jetën e lirë dhe të  begatshme, për lirinë e dashurinë mes njerëzve  të një gjuhe e të një gjaku dhe njerëzores përgjithësisht.

Shumë nga këngët e këtij rapsodi i kanë këto porosi dhe pikërisht për këtë, këngët e Gjin Donës janë të pranueshme për të gjithë shqiptarët e trojeve etnike, sepse ato janë mobilizuese, integruese, këngë tipike të botës së fisnikëruar shqiptare.  Gjin Dona i jep vrull këngës, ashtu si Migjeni që i jepte vrull fjalës së lirë të rinisë, për pushtimin e botës së vet, botës së rinisë.

Këndon Gjin Dona për Pashkë e për Bajram, për Bibël e Kuran, për katedrale  e xhami, këndon nga shpirti e zemra për njerëzit e këtyre trojeve,  që mbi të gjitha janë vëllezër të gjakut, të gjuhës, të besës, të mikpritjes, mirëbesimit sikur janë shtyllat e kombit që nuk i kishte ndarë dot, Roma as Bizanti, Turku as sllavi, që nuk i ndanë as sot unitarizmi e globalizmi lindor apo perëndimor.  Shqiptarët janë “të gjykuar të jetojnë bashkë” edhe me kufij mes për mes, sepse atë që nuk e ndanë dot shekujt e perandoritë më të fuqishme dhe më të përgjakshme të botës, nuk e ndajnë dot as  ata shpirtvegjël që e duan vetëm Gjergj Kastriotin,  pa Skënderbeun, as ata që e duan Skënderbeun, pa Gjergj Kastriotin.

 

Këndoj për Pashkë e për Bajram,

Se një Zot kemi të tanë,

Të krishterë e myslimanë,

Lindën vëllezër e vëllezër janë.

 

Kontrolloni gjithashtu

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Bab’, ma gjej “Hamletin” Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot …