leoni

Mitrush Kuteli

A. Qeriqi: Monologu i shqiptarit në “Poemin kosovar” të Mitrush Kutelit, monolog i fenomenologjisë kombëtare

“Poemi kosovar” i shkrimtarit të madh shqiptar, Mitrush Kuteli është ndër krijimet antologjike të letërsisë shqiptare në përgjithësi. Në këtë krijim fenomenal, ai me një ndjenjë të thellë përkushtimi vëllazëror e kombëtar, ka përshkruar fatin e rëndë të shqiptarëve të Kosovës e më gjerë, të cilët praj vitit 1912 kishin ngelur nën kthetrat e fuqive të mëdha e nën mizorinë e shteteve fqinje, të cilat jo vetëm kishin pushtuar tokat shqiptare, por vepronin me të gjitha mënyrat për t’i shfarosur shqiptarët edhe  fizikisht. Po pavarësisht përgjakjeve, masakrave, shpërnguljeve të dhunshme e mizorive fashiste sllave e greke, shqiptarët mbijetuan, falë rezistencës dhe gjakut të derdhur për liri.

Kuteli në këtë poezi ka derdhur tërë fuqinë e tij intelektuale, fuqinë shprehëse të një krijuesi, që ndien thellë në shpirt fatin e gjysmës së kombit të katandisur buzë shfarosjes, i cili  fillikat vetë, pa asnjë ndihmë duhej të përballet me një botë të tërë të mizorive, që venin e vinin  nga të gjitha anët nga fqinjët grabitqarë, nga Rusia e nga të gjitha shtet e fuqishme të Evropës.

Shqiptari i Kosovës, pavarësisht uraganit shkatërrimtar, nuk ishte dhënë para barbarive e mizorive, por kishte qëndruar i fortë si stralli dhe ishte kalitur për të mbijetuar në çdo rrethanë me çdo kusht, duke i vënë gjoksin mizorive dhe duke përballuar të gjitha sulmet, me qëllim për të mbijetuar në trojet e veta historike, i lidhur tok me tokën, dheun, gurin, drurin dhe gjithçka që kishte qenë dhe ishte e vetja.

Monologu i shqiptarit të Kosovës në këtë krijim antologjik të Mitrush Kutelit, është i njëjtë me monologun e tragjedive antike, është monologu që buron nga shpirti i vrarë dhe i nakatosur i shqiptarit të Kosovës, por kurrë i dhënë, kurrë i dorëzuar. Është fati jetësor i njeriut për të mbijetuar mbi tragjeditë, dhunën e mizoritë e tërë një Evrope e tërë një Rusie e më herët e tërë një Turqie.

Ishte  diku, atje,

një Asim Qerim,

mbetur jetim që në vogëli,

kësulëbardhë e kryelidhë,

kryelidhë me një shami,

me tri shami, për trimëri!

Është një  eshtërmadh me sytë plot shkëndi,

si batërdi,

dhe  ka uri,

si s’ka njeri për drejtësi e për Liri,

si gjithë asimët e gjithë qerimët e vendit të tij.

Askush, asnjë krijues tjetër  deri te Mitrush Kuteli nuk kishte depërtuar aq thellë në psikikën dhe temperamentin e shqiptarit të Kosovës, askush nuk e kishte pasqyruar më mirë, shqiptarin e nëpërkëmbur gjatë shekujve, të cilin e kishin katandisur e nakatosur të gjithë pa dallim, por nuk e kishin zhbërë dot. Vetëm si i tillë, i gatuar nga  stralli, shqiptari i Kosovës dhe i trojeve të tjera  nën pushtimin serb e sllav, kishte arritur të mbijetonte.

Ai nuk ishte dhënë kur ia kishin vrarë babanë, vëllanë, as kur e kishin dëbuar nga toka e tij, as kur e kishin kthyer në lypës, apo me sharrë në krah, as kur e kishin torturuar mizorisht. Nuk kishte pranuar të tradhtonte njerëzit e tij, as të shkonte në ushtrinë e pushtuesit, as të ikte për në Anadoll, apo në “Albani” ku ishte krijuar “shteti i ri”, sepse Kosovari ishte i lidhur për tokën e tij. Ai kishte qëndruar, sepse ishte Zot në  vendin  e tij, qysh kur ishte Iliri dhe  askund në ato troje nuk kishte pasur shka të zi, sepse ishte zot në shtëpinë e tij ku kishin jetuar të parët, denbabaden. I tillë ishte, si Asim Qerim, si të gjithë të afërmit e bashkëkombësit e tij që i kishte katandisur shjaku i zi, me ndihmën e Rusisë dhe të Evropit, po aq hileqar e  të zi.

Kishte duruar shumë dhe po aq shumë iu kishte shtuar  etja për liri, për drejtësi, për ta punuar tokën e tij, për t’i parë fushat e mbjella me grurë e livadhet me barë shumë. Dhe kurrë nuk e kishte humbur shpresën, ndërsa  një ditë i doli shkakut të zi në kufi dhe ia prish kufirin ku me dhunë e kishte vendosur, ai, Mali i Zi.

Ta shemba shka kufirin,

që ngrite ti,

në vendin tim e përmbi varr të babës tim.

Ta shemba,

ta dogja,

me zjarrin e shpirtit, të  vuajtjes,

sepse ti shkja i zi ma bërë borxh këtë batërdi.

 

Poemi kosovar i Mitrush Kutelit përfundon me mesazhin historik të shqiptarit, me moton e tij  autentike që e kishte përcjellë duke qenë i kalitur gjatë shekujve, gjatë përleshjeve e katandisjeve nëpër epokat e tij heroike, sepse  këtu ka qenë dhe këtu do të jetë, sepse unë jam këtu, e do të jem denbabaden, sa mali të bëhet hi, e hiri mal përsëri.

Për kohën kur ishte shkruar dhe ishte botuar, “Poemi kosovar”, ishte një pasqyrim realist i rrethanave të kohës, sepse shqiptarët e Kosovës nën regjimin despotik e mizor të Jugosllavisë monarkike nuk kishin gëzuar as edhe një të drejtë të vetme, njerëzore as kombëtare, andaj çlirimi i trojeve shqiptare pas kapitullimit të Jugosllavisë më 21 prill të vitit 1941, ishte çlirim i vërtetë, në kushte dhe rrethana historike të kohës.

 

Ishte  hera e parë pas tridhjetë viteve që shqiptarët kishin filluar të marrin frymë dhe të gjezdisin nëpër tokat e atdheut prej Pazarit të Ri e deri në Janinë, Pargë, Prevezë e në Çamëri, prej Manastirit e deri në Ulqin, Plavë e Guci, që dikur kishte qenë vetëm, një copë Iliri.

Për shkaqe ideologjike, “Poemi kosovar” nuk u mësua nëpër shkolla në Shqipëri as në trojet e Kosovës e të Iliridës, por u lexua tinës, u shumëzua e shpërnda bashkë me poemën e Pirro Floqit, “Kosova e robnueme” poezinë e Asdrenit për bashkimin e Kosovës e Çamërisë me Shqipëri e poezi të  tjera.

 

Kontrolloni gjithashtu

Shqipëria fillon restaurimin e trashëgimisë kinematografike

Procesi i restaurimit të trashëgimisë kinematografike në Shqipëri ka një rëndësi të madhe për ruajtjen …