AAK përmes një kumtese për medie ka thënë se qytetarët e Kosovës meritojnë të trajtohen në mënyrë të barabartë me të gjithë popujt tjerë evropianë, dhe ata nuk mund të penalizohen për shkak të qeverisjeve të papërgjegjshme. Me rastin e Ditës së Evropës, AAK ka shprehur pakënaqësinë me trendet zhvillimore që janë parakusht i anëtarësimit të plotë të vendit në BE. “Fakti që Kosova, është e fundit në rrugëtimin e saj drejt Evropës së Bashkuar, e pamundëson çdo lloj ekzaltimi, edhe për rekomandimin e fundit për liberalizimin e vizave. Sot për sot, të vetmit faktorë të rëndësishëm në këtë rrugëtim, kanë mbetur vlerat evropiane dhe përcaktimi i palëkundur pro-perëndimor i qytetarëve të Kosovës, ndërkohë që “punët e shtëpisë” janë në shpërputhje me këtë përcaktim. Lufta kundër korrupsionit e krimit të organizuar dhe sundimi i rendit dhe ligjit, mbeten dy sfidat kryesore për institucionet e vendit”, thuhet në komunikatën e AAK-së.
