Baca Adem Demaçi

Adem Demaçi: Një jetë e tërë sakrificë për të vërtetën, barazinë, të drejtën, njerëzinë dhe lirinë

Ditëlindjet e njerëzve që kanë bërë emër në historitë e kombeve, shënohen si ditë të veçanta për t’u ndalur pak dhe për të përkujtuar kohën, të kaluarën, prej nga u nisem e deri ku erdhëm, ku jemi dhe ku po vemi, me cilat vështirësi u ballafaquam dhe cilat janë ato që na presin…

Më 26 shkurt të vitit 1936 në një familje të varfër por të ndershme e bujare, në Prishtinë, u lind, Adem Demaçi. U lind shqiptari, i cili do të lërë gjurmët më të pashlyeshmet në historinë tonë kombëtare, në Lëvizjen e Rezistencës aktive si dhe në letërsi e publicistikë.

Jeta dhe vepra e tij lidhet me shqiptarët  e shumëvuajtur  dhe me aspiratat për liri e bashkim, ashtu sikur lidhet mishi me thoin. Veprimtaria e tij i përket kombit e atdheut, i përket pjesës më të  ndritur të historisë së rezistencës, por edhe  krijimtarisë së arrirë  letrare artistike.

Të flasësh e të shkruash për Adem Demaçin nuk është punë e lehtë.

Baca nuk i duronte fjalët e mëdha, nuk i duronte lavdet. Por  si mund të shkruhet për Adem Demaçin pa përkushtim, pa fjalët më të mira dhe pa sipërorët, të cilat, i ka shkruar vetë me jetën dhe veprimtarinë e tij atdhetare. Andaj të shkruash për Bacë Adem Demaçin, edhe kur të duket se e ke për detyrë, edhe kur mediumi në të cilin punon të kërkon një studim apo shkrim për përvjetorin e lindjes së tij, nuk del punë e lehtë. Dhe, nuk ka si të jetë e lehtë tërë kjo, kur Baca tërë jetën është sprovuar me të rëndat e vështirësisë e saj, është sakrifikuar për të vërtetën e të drejtën dhe është bërë zëdhënësi më i fuqishëm dhe më i përkushtuar i së drejtës, humanizmit dhe të vërtetës.

Duke qenë i çiltër si natyra pranverore në agim, humanist dhe i njerëzishëm deri në pakufi, i sprovuar në jetë nga forcat e errësirës sikur Prometheu, i rrahur me vaj e uthull nga të papriturat dhe rravgimet e jetës, Adem Demaçi ishte dhe do të mbetet  mishërim i sakrificës shqiptare për liri e bashkim, është vetë simboli i kësaj sakrifice, është alfa dhe omega e një drame kombëtare në shumë akte, një dramë në epilogun e së cilës ende nuk kemi arritur.

Në përpjekje për të përkufizuar më mirë dhe sa më realisht personalitetin e Adem Demaçit jam mbështetur në disa vlerësime të filozofëve të njohur, të cilët kanë shkruar për fenomenologjinë, tipologjinë dhe personazhet e veçanta të historisë së  qytetërimit njerëzor.

 

Adem Demaçi është emri i njohur i rezistencës shqiptare, një individualitet i llojit të vet, origjinal në jetë dhe në vepra, origjinal në tërë jetën e tij, në të gjitha periudhat e jetës së tij. Si i tillë ai është një fenomen,  nga ai lloj, të cilin duket se  Krijuesi e kishte përzgjedhur për të kryer një mision human, në dobi të njeriut dhe të njerëzimit. Njerëz të ë tillë, të përzgjedhur, ka pasur dhe ka edhe në mesin e kombeve të botës. Dhe të gjithë këta kanë shenjën e individualitet, e cila është e lidhur me principin e veprimit. I tillë ka qenë Sokrati, Xhordano Bruno, Galileo, Martin Luteri, Partis Llumumba, Nelson Mandela e shumë të tjerë. Demaçi qëndron në mesin e këtyre personaliteteve,  për nga principi i individualitetit, përkushtimi e sakrifica. Të gjithë këta, që nga Sokrati kanë sakrifikuar jetën për të vërtetën, “për atë të vërtetë që qëndron në ballë të Universit, si princip primar i jetës dhe i lëvizjes”, ashtu sikur ka thënë sundimtari i Prusisë, Frederiku i Madh.

Adem Demaçi, Idealizmi, atdhetaria dhe humanizmi  

Koha e patriotëve nuk mbaron  kurrë, ashtu sikur nuk vdesin kurrë të gjithë idealistët. Pavarësisht se bacë Adem Demaçi vdiq fizikisht, në moshën 83-vjeçare, (më 6 korrik 2018) patriotizmi dhe idealizmi i tij do të jetojnë përgjithmonë në mendjet dhe zemrat e atyre, që janë edukuar e frymëzuar me një idealizëm të tillë, sa real dhe i natyrshëm po aq edhe historik dhe vështirë i zëvendësueshëm.

Demaçi në vitet e pleqërisë kishte një ide tolstojane për ta vënë në shërbim të publikut, por sëmundja  bëri që atë të mos të mos e realizonte, edhe pse ideja e tij ka marrë rrugë dhe nuk do të ndalet. As Tolstoi i madh nuk arriti ta realizonte idenë e tij të madhe në shërbim të  përhapjes pa pengesë të ideve të humanizmit të tij, megjithatë vepra dhe jeta e  tij mbeti mesazhi më i mirë ndër shekuj, jo vetëm për atdheun e tij, por edhe për tërë botën përparimtare e demokratike, për idealizmin e vërtetë që ngrihet në ballë të universit njerëzor.

Filozofi më i madh idealist, gjerman, Georg Vilhelm Fridrih Hegel, në veprën madhore “Fenomenologjia e shpirtit” në kapitullin, “Perënditë dhe njerëzit”, ndër të tjera ka shënuar: “Forcat e përgjithshme disponojnë në vetvete shenjën e individualitetit, e cila është e lidhur me principin e veprimit. Nga kjo del se vepra e tyre manifestohen si veprim i lirë, i cili përgjithësisht rrjedhë prej tyre. Kështu kanë vepruar perënditë, kështu veprojnë edhe njerëzit*.( Hegel: Fenomenologjia e shpirtit, BIGZ 1974 faqe, 420.)

Ky përcaktim idealist i Hegelit për njerëz të caktuar vazhdimisht më ka sfiduar për të hulumtuar e zbuluar ata për të cilët flet filozofi i madh gjerman e botëror. Shenja e individualitetit e njerëzve të mëdhenj nuk lajmërohet spontanisht dhe nuk shfaqet krejt rastësisht, sikur kemi prirje të besojmë pa u thelluar sa duhet në këtë fenomen.

Kundruar nga ky aspekt, tërë jeta e Adem Demaçit ka qenë manifestim i  veprimit të lirë, i cili përgjithësisht ka  rrjedhë prej tij. Atë manifestim ai e ka shfaqur si kredo jetësore, si shembull unik të një idealisti, i cili me paramendim dhe vetëdije të lartë kombëtare, filozofike e politike e ka bindur veten të vetëflijohet në shërbim të kombit e atdheut, duke lënë anash obligimet e detyrimet e tjera, të cilat nuk i lënë shumica e njerëzve, por vetëm ajo pakica, që i beson sakrificës dhe që disponon  në vetvete shenjën e individualitetit, e cila është e lidhur me principin e veprimit. I tillë ka qenë dhe i tillë përgjithmonë do të mbetet, Adem Demaçi

Nëse problemin e trajtojmë në kohë dhe hapësirë, në sinkroni e diakroni të caktuar, në kuadër të një kombi, populli apo shoqërie, fenomene individualitetesh të tilla ka pasur kudo dhe do të ketë, por secili nga këta e ka shenjën dalluese të përcaktimit të individualiteti në jetë dhe veprimtari.

Duke medituar për shpëtimtarin dhe cilësitë e tij në kohën e apatisë jetësore, nën sundimin e autarkisë monarkiste, zogiste,  filozofi i madh shqiptar, Kristë Maloku ka shkruar: “Shpëtimtari i kombit duhet të ketë fantazi krijuesi si Platoni, … entuziazëm djalërie si Alkibiadi, vullnet vetëflijues si Sokrati. Por kësi shpëtimtarësh të kombit nuk mbijnë aq lehtë në Shqipëri e as tjetërkund, sepse Zoti i dërgon ata vetëm njëherë brenda qindra e mijëra vjetësh. Dhe, i dërgon vetëm si një kurorëzim të një pune të gjatë kombëtare, plot orvatje e mundime, si një lulëzim të shkëlqyeshëm mbi gjethe, gjemba e ferra të një kopshti të kulturuar kombëtar.” Krahasimet e tilla, në këtë mes, në raport edhe me Demaçin, janë të shumta me faktin se edhe paraqitjet e fenomeneve të tilla në botën njerëzore nuk janë të pakta.

Pavarësisht se besojmë apo jo në përcaktimin hyjnor, Adem Demaçi me jetën dhe veprën e tij misionare është një paraqitje e realizuar vegimtare, një personalitet i përmasave të historisë së përgjithshme njerëzore, ku bën pjesë edhe historia jonë kombëtare.

Për karakterin humanist të Demaçit, qoftë në jetën e tij, apo në krijimtari mund të flitet me shembuj të shumtë relevantë, edhe pse një pjese të njerëzve tanë nuk iu ka pëlqyer,  ky qëndrim i tij, të cilin janë munduar ta interpretojnë si një idealizëm internacionalist, madje edhe marksist. Pavarësisht nga kjo, Demaçi, mendoj unë, si në jetë e në vepër, ashtu edhe në krijimtari ishte dhe do të mbetet  një humanist i thellë, njeri i sakrificës, i krijuar apo i materializuar jo nga rastësia, por nga vetëdija e tij e thellë shpirtërore, mbase e trashëguar edhe nga ADN-ja, e pastër njerëzore e kombëtare. Dhe, shumë çka tjetër mund të thuhet dhe të dëshmohet me fakte për Demaçin, meqë e vërteta gjithnjë mbetet ajo që është, dhe në këtë rast, atë, as e zvogëlon, as e asgjëson, as e fsheh dot. Sepse e vërteta  është vetë principi, që qëndron në ballë të Universit, ashtu sikur është edhe arsyeja, e cila i udhëheq shpëtimtarët, idealistët e vërtetë, ata që kanë mbijetuar dhe janë prore të pranishëm në mendjen njerëzore, mbi të gjitha si misionarë e krijues.

 Ahmet Qeriqi

Kontrolloni gjithashtu

Posta e Kosovës ka emërtuar pullën postare me portretet e heronjve ë kombit, Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu në 29 vjetorin e rënies

Mehmet Bislimi: Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu

 (në 35 vjetorin e rënies së tyre heroike) Sa herë që vjen nëntori, malli më …