Në një kohë kur numri i pacientëve me sëmundje malinje në Kosovë po rritet nga viti në vit, sistemi shëndetësor i vendit përballet me një situatë thellësisht shqetësuese dhe paradoksale, mungesë të theksuar të onkologëve në shërbimin publik, ndërkohë që disa specialistë të rinj të kësaj fushe vazhdojnë të mbeten të papunë.
Kanceri tashmë konsiderohet një nga sfidat më serioze për shëndetin publik në Kosovë. Rritja e numrit të rasteve kërkon më shumë kapacitete profesionale, diagnostikim më të hershëm dhe trajtim më të shpejtë e më cilësor. Megjithatë, realiteti në terren tregon se sistemi shëndetësor ende nuk po arrin t’i përgjigjet në mënyrë adekuate kësaj sfide.
Shërbimet onkologjike në vend mbeten kryesisht të përqendruara në Klinikën e Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Ky centralizim krijon mbingarkesë të madhe për stafin ekzistues dhe vështirësi të shumta për pacientët nga të gjitha rajonet e vendit, të cilët shpesh detyrohen të udhëtojnë qindra kilometra për të marrë trajtim.
Në këto rrethana, një onkolog përballet me një numër shumë më të madh pacientësh se sa rekomandojnë standardet evropiane, gjë që ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e shërbimeve shëndetësore dhe rrit lodhjen profesionale të stafit mjekësor. Kjo situatë krijon presion të madh si për mjekët, ashtu edhe për pacientët dhe familjet e tyre.
Ironikisht, në të njëjtën kohë kur ekziston kjo mungesë e theksuar e specialistëve, disa onkologë të rinj dhe të kualifikuar vazhdojnë të mbeten jashtë sistemit publik shëndetësor. Bëhet fjalë për profesionistë të trajnuar për vite me radhë, me investim të madh personal dhe institucional, të cilët ende nuk kanë mundësi të kontribuojnë në shërbim të pacientëve.
Mosangazhimi i këtyre specialistëve përfaqëson jo vetëm një humbje për profesionistët e rinj, por edhe një mundësi të humbur për sistemin shëndetësor dhe për pacientët që kanë nevojë për kujdes më të specializuar dhe më të shpejtë.
Në këto rrethana, ekspertët e shëndetësisë vlerësojnë se është e domosdoshme një analizë serioze e nevojave reale për onkologë në nivel kombëtar, si dhe një planifikim më i mirë institucional për integrimin e specialistëve të rinj në sistemin publik shëndetësor.
Për këtë situatë ka reaguar edhe Shoqata e Onkologëve të Kosovës, e cila ka ngritur shqetësimin për mungesën e specialistëve në shërbimin publik dhe për nevojën e integrimit të onkologëve të rinj në sistemin shëndetësor. Sipas kësaj shoqate profesionale, angazhimi i specialistëve të rinj do të ndihmonte në uljen e mbingarkesës së stafit ekzistues dhe në përmirësimin e qasjes së pacientëve në trajtim onkologjik.
Zgjerimi i shërbimeve onkologjike edhe në qendrat rajonale spitalore, hapja e vendeve të reja të punës dhe krijimi i politikave të qëndrueshme për zhvillimin e këtij sektori do të përbënin hapa të rëndësishëm drejt përmirësimit të kujdesit për pacientët me sëmundje malinje në Kosovë.
Në fund të fundit, çdo specialist i papërfshirë në sistem nënkupton më pak mundësi për diagnostikim të hershëm, trajtim më të shpejtë dhe më shumë vështirësi për pacientët që përballen me një nga sëmundjet më të rënda të kohës sonë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
