Adil Fetahu: A po vetëzhdukemi gradualisht ne shqiptarët si komb dhe si popull?

Nga populli më i madh në Ballkan, u bëmë popull i vogël


Gjeografi i njohur Ami Bout, në analizën e tij për vendet dhe popujt e Ballkanit, thoshte se në gjysmën e parë të shekullit nëntëmbëdhjetë në Ballkan kishte më pak se 900 mijë serbë, kurse shqiptarë ishin mbi 1,6 milionë, të cilët shtriheshin në 180 mijë km/katrore hapësirë etnikisht të pastër shqiptare (Elena Kocaqi: “Planet për zhdukjen e shqiptarëve”, fq.174). Shkrimtari e politikani Ben Blushi, në librin e tij “Hëna e Shqipërisë”, shkruan se në vitin 1800, popullsia  serbe në Ballkan kishte 180 mijë banorë, ajo greke 630 mijë, kurse shqiptarë ishin afro 700 mijë. Në vitin 1900 kishte 3 milionë serbë, 2,6 milionë grekë dhe mbi 1,5 milionë shqiptarë. Blushi parashikon se në vitin 2100, Shqipëria do të ketë një milion banorë më pak se që ka sot (fq.7-11). Parashikime aspak optimiste. Gjatë një ndeje me shokët e mi të gjeneratës së ish-normalistëve të diplomuar në vitin 1961, disa prej të cilëve kanë punuar mbi 40 vjet në arsim, u bisedua me brengosje për rënien rapide të numrit të nxënësve të cilët regjistrohen në klasën e parë të shkollës fillore, që është tregues real i rënies së shtimit të popullsisë, dhe shprehëm habinë se si asnjë institucion shkencor a shtetëror, madje as mediat apo shoqëria civile nuk merren me analizën e shkaqeve dhe  masave që duhet të merren në politikën popullative për ndaljen e këtij trendi negativ.


Rënia e natalitetit në Kosovë e në Shqipëri


Është një keqkuptim i termit natalitet, madje edhe prej shumëkujt që nuk duhet ta keqkuptonte. Nataliteti ka lidhje të drejtpërdrejt me shtimin natyror të popullsisë, por ai vetvetiu nuk është shtimi. Nataliateti (fr.natalite – lindshmëri) tregon numrin e foshnjave të lindura gjallë në një shtet, krahinë, qytet, gjatë një periudhe të caktuar. Zakonisht llogariten lindjet që kanë ndodhur gjatë një viti, apo periudhe më të shkurtër apo më të gjatë, dhe krahasimet behën sa lindje (apo vdekje) kanë ndodhur në 1000 banorë (promila). Por, në shtimin e popullsisë  ndikon edhe mortaliteti (vdekshmëria), dhe vetëm kur nataliteti është më i madh se mortaliteti, ka shtim të popullsisë dhe ai shtim është për aq sa është norma e natalitetit më e lartë se ajo e mortalitetit. Sot në shumë vende të zhvilluara të Evropës, mortaliteti është më i lartë se nataliteti, prandaj ato vende nuk ka në shtim të popullsisë. Organizata “Human Life”, në raportin e vitit 2011, shkruante se në botë po vdesin 79 kombe, prej të cilave 35 në Evropë, dhe se vetëm Shqipëria dhe Malta kanë normën mbi nivelin e reproduksionit. Fakti se në Evropën e zhvilluar ka rënë shtimi, e demanton teorinë e cila arsyeton se gjendja e varfër ekonomike po ndikon në rënien e natalitetit te ne, gjë që s’është aspak e vërtetë. Sepse, përkundrazi, është e ditur se mu në vendet më të pa zhvilluara e të varfra të Afrikës, Azisë, Amerikës Latine, nataliteti është më i lartë.


Mos e kishim gjendjen ekonomike më të mirë, kur te ne ishte shtimi më i lartë? Dikush do thoshte, se është krijuar vetëdija e popullsisë, që planifikimin e familjes ta bëjnë në pajtim me kushtet ekonomike; të kenë sa më pak fëmijë që të mund t’i rrisin e shkollojnë me standarde sa më të larta. Mua kjo vetëdije më duket e çoroditur, derisa nga ana tjetër mungon vetëdija për rrezikun e vetëzhdukjes së kombit. Për të vërtetuar problemin e rënies së shtimit të popullsisë në Kosovë e në Shqipëri, po analizojmë të dhënat e statistikave zyrtare të lindjeve e vdekjeve të dy vendeve. Rezultati është dëshprues. Ndonëse statistikës nuk mund t’i besohet krejtësisht, sepse ajo është vetëm “mbledhje e saktë e numrave (të dhënave) jo të sakta”, megjithatë çdo analizë e fenomeneve shoqërore bazohet në statistikë. Dhe, në qoftë se për numrin e lindjeve e të vdekjeve mund të shprehet dyshim në të dhënat e statistikës, për numrin e nxënësve të regjistruar në klasën e parë apo në klasat e tjera të arsimit bazë, nuk duhet të dyshohet. Dhe ja se çfarë të dhëna na jep statistika për numrin e lindjeve e të vdekjeve dhe shtimin në Kosovë e në Shqipëri, në periudhën 2002-2013.


K o s o v a 


Vitet  Lindje  Vdekje   Shtimi 


 2002  36.136  5.654  30.482


2003   31.994  6.417  25.577


2004  35.063  6.399  28.664


2005  37.218  7.207  30.011


2006  34.187  7.479  26.708


2007  33.112  6.681  26.431


2008  34.399  6.852  27.547


2009  34.240  7.030  27.210


2010  33.751  7.234  26.517


2011  34.262  7.556  26.706


2012  34.532  7.839  26.693


2013  29.459  7.681  21.768


Nga norma vjetore e shtimit natyror të popullsisë së Kosovës prej 30.482 që ishte në vitin 2002, ka rënë në 21.768 në vitin 2013, dmth. se norma e shtimit  është 1/3 më pak se para vetëm një dekade.  Në projeksionet dhjetëvjeçare të popullsisë së Kosovës që e ka botuar Agjensia e Statistikave të Kosovës, trendi i variantit të mesëm të atij projeksioni parasheh, se në vitin 2061, dmth pas një gjysmë shekulli, Kosova do të ketë 1.743.470 banorë, apo 36.543 banorë më pak se që i kishte sipas regjistrimit të popullsisë në mars të vitit 2011 (1.780.021, duke mos llogaritur edhe nja 40.000 banorë serbë nga veriu i Mitrovicës).


Sh q i p ë r i a


1990  82.125  18.193  63.932


1991  77.361  17.743  59.618


1992  75.425  18.026  57.399


1993  67.730  17.920  49.810


1994  72.179  18.342  53.837


1995  72.081  18.060  54.021


1996  68.358  17.600  50.758


1997  61.739  18.237  43.502


1998  60.139  18.250  41.889


1999  57.948  16.720  41.228


2000  51.242  16.421  34.820


2001  53.205  19.013  34.192


2002  42.527  19.187  23.340


2003  45.313  21.294  24.019


2004  40.989  20.269  20.720


2005  38.898  20.430  18.468


2006  35.891  20.852  15.039


2007  34.448  20.886  13.562


2008  33.445  20.749  12.696


2009  34.114  20.428  13.686


2010  34.061  20.107  13.954


2011  34.285  20.012  14.273


2012  35.473  20.870  14.603


2013  35.750  20.442  15.308


Siç shihet nga tabela, shtimi natyror i popullsisë së Shqipërisë, në vitin 2013 ka rënë për afro pesë herë më i vogël në krahasim me vitin 1990 (63.932 : 15.308). A s’është kjo alarmuese?! Gjithsesi në rënien e shtimit të popullsisë ndikojnë shumë faktorë, jo vetëm natyrorë (lindjet, vdekjet, martesat), por edhe ata “mekanikë”, siç janë luftërat, emigrimi, shpërnguljet, asimilimi, etj, të cilat gjithmonë e kanë goditur në përmasa më të mëdha popullin shqiptar. Elena Kocaqi, në librin e përmendur, thotë se sikur të mos i kishin ndodhur këto tragjedia popullit shqiptar, me një shtim normal të popullsisë, sot do kishim 30 milionë shqiptarë në Ballkan.


Në natalitetin ndikojnë edhe numri dhe mosha e të martuarve, që kohëve të fundit për shkaqe të ndryshme po shkon në tendencë negative: gjithnjë e më pak martesa dhe më të vonshme, ndërsa martesat e mëvonshme janë më pak produktive. Ja tabela e numrit të kurorëzimeve e shkurorëzimeve në Kosovë në periudhën 2004-2013:


V i t i Kurorëzime Shkurorëzime


2004 16.298 1293


2005 15.732  1445


2006 15.825  1.480


2007 16.824  1.558


2008 17.950  1.026


2009 20.209  1.555


2010 18.289  1.453


2011 17.343  1.469


2012 18.174  1.328


2013 15.436  1.040


Gjithnjë e më pak nxënës në klasën e parë të shkollës fillore


Një indikator tjetër i rënies së shtimit të popullsisë në Kosovë dhe në Shqipëri, është numri gjithnjë më i vogël i nxënësve të regjistruar në klasën e parë të arsimit bazë, shkollës fillore. Nënkuptohet se në rënien e numrit të nxënësve në përgjithësi po ndikon edhe emigrimi i popullatës, por gjithashtu po ndikon edhe nataliteti (numri i lindjeve). Kështu, në Kosovë në vitin shkollor 2006/2007, në klasën e parë të shkollës fillore ishin të regjistruar 38.187 nxënës; në vitin 2011/2012 ishin 28.481, e në vitin 2012/2013 ishin regjistruar 28.285 nxënës. Kjo tendencë vazhdohet edhe në klasat e larta. Për shembull, në klasën e nëntë (IX) në vitin shkollor 2008/2009 ishin regjistruar 40.271 nxënës; në vitin shkollor 2009/2010  ishin 35.400; në vitin shkollor 2010/2011 ishin 34.935; në vitin 2011/2012 ishin 34.379, dhe në vitin 2012/2013 ishin 33.684 nxënës.


Kjo rënie e numrit të nxënësve në arsimin bazë në Shqipëri është edhe më e madhe. Ja të dhënat nga publikimi i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të RSh, për numrin e nxënësve të regjistruar në klasën e parë në serinë kohore 2004-2012:


Viti shkollor Numri i nxënësve


2004/5  54.542


2005/6  50.571


2006/7  49.743


2007/8  48.331


2008/9  39.466


2009/10 42.043


2010/11 39.360


2011/12 38.425


Absurdi: “Ekspansioni demografik” dhe rënia e shtimit të popullsisë


Të dhënat e më sipërme jo vetëm se i demantojnë teoritë raciste të demografëve, sociologëve, shkencëtarëve e politikanëve serbë e maqedonas për natalitetin e lartë dhe ekspansionin demografik të shqiptarëve (në Kosovë, në Maqedoni e gjetiu), por janë e kundërta e atyre teorive, dhe janë për analiza të mirëfillta shkencore dhe për projeksionet e politikës popullative të institucioneve kompetente shkencore e shtetërore të Kosovës e të Shqipërisë.


Derisa fqinjët tanë në të gjitha institucionet e shtetit, kishës, mediave e shoqërisë civile, alarmojnë për rënien e natalitetit (“mortajen e bardhë”, siç e quajnë ata), dhe nevojën e shtimit të popullsisë së tyre, propozojnë dhe zbatojnë masa e forma të ndryshme të stimulimit për natalitet më të lartë, ne sillemi me një komoditet të paarsyeshëm për këtë fenomen brengosës, madje në mënyrë të tërthortë destimulohet nataliteti: kufizimi i pushimit të nënave, rrezikimi i vendit të punës, mosstimulimi i lindjeve, nuk ka shtesa fëminore as ndihma tjera për fëmijët dhe nënat, nuk ka kapacitete të nevojshme në qerdhet e fëmijëve, çmimet e shtrenjta në to etj.etj. Sektori privat i ekonomisë nuk dëshiron të punësojë femra, për shkak të pushimeve të lehonisë dhe amësisë. Por, nga ana tjetër, në rininë tonë është bërë modë të kenë sa më pak fëmijë, të kenë sa më pak obligime e sa më shumë komoditet për jetën dhe avancimin e vet. Këtë e argumenton fakti, se ato bashkëshortët që kanë gjendjen më të mirë material, kanë një, dy ose asnjë fëmijë. Sipas të dhënave statistikore, derisa në vitin 1960 në Shqipëri kishte mesatarisht 5 fëmijë për një nënë, në vitin 2005 mesatarisht kishte 1,6 fëmijë për një nënë. Kështu është edhe në Kosovë. Fatkeqësisht!  

Kontrolloni gjithashtu

Komisioni për Politikë dhe Demokraci i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës miraton raportin për kërkesën e anëtarësimit të Kosovës

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka shënuar një hap të rëndësishëm në procesin e …