Adil Fetahu: Ka apo nuk ka piramida ilire në Bosnje?

Informacionet për ekzistimin  e piramidave nën kodrat malore afër Visokos,
në Bosnje, nuk janë të reja. Së paku ka dhjetë vjet që është shkruar për to,
veçse në mënyrë më të pasigurt e të paqartë. Këto ditë “lajmet” për piramidat
ilire janë më të dendura në shtyp dhe në portale të ndryshme të përditshme
lokale e ndërkombëtare, dhe paraqiten më sensacionale për madhështinë,
lashtësinë, përbërjen, prejardhjen, rëndësinë historike dhe karakteristika
tjera, dhe me një “siguri” më të madhe për ekzistimin e tyre. Bile, piramidave
iu kanë vu edhe emrat, si: piramida e Diellit, piramida e Hënës, piramida e
Kulçedrës, piramida e Tokës, piramida e Dashurisë. Nuni (kumbara) i emërtimit,
dhe hulumtimit të këtyre piramidave është arkeologu boshnjako-amerikan Semir
(Sam) Osmanagiq. Janë mbajtur pesë konferenca ndërkombëtare, nga të cilat kanë
dalë përfundime se piramidat në Bosnjë janë fakt, dhe se duhet të zhvillohen
gërmime e hulumtime.

 

Shumë
ekspertë pohojnë ekzistimin e piramidave në Bosnjë

Michael Telinger, një hulumtues nga Afrika e Jugut,
thotë se “Piramidat në Bosnjë ekzistojnë me siguri”. Kllaus Dona, nga Austria,
hulumtues i artefakteve më të vjetra se Homo sapiensi, pas incizimeve të bëra
ka thënë se ekzistojnë disa tunele brenda Piramidës së Diellit. Dr Paul La
Violette nga ShBA ka deklaruar se atë që ka parë me sytë e tij, tunelet dhe
elemente tjera, pa dyshim janë krijuar nga dora e njeriut, dhe ka shpjeguar se
si ka ardhur deri te mbulimi i tyre gjatë kohës. Valerij Uvarov, hulumtues i
piramidave të Egjiptit ka thënë për piramidat e Bosnjës, se janë ndër ndërtimet
më të vjetra në botë. Dy akademikë rus: prof.dr Oleg Khavroshkin, kryeshef i
Laboratorit Jolinear Seizmologjik të Institutit për Fizikën e Tokës, të
Akademisë Ruse të Shkencave në Moskë, dhe prof.dr Valerij Tsyplakov, në korrik
të vitit 2007 kanë qëndruar dy javë në “Luginën e Piramidave të Bosnjës”, kanë
bërë një sërë matjesh e incizimesh të të gjitha piramidave dhe të kompleksit të
tuneleve nëntokësore. Pas përpunimit të të dhënave dhe krahasimit me piramidat
e Egjyptit, akademikët rus kanë ardhur në përfundim se të dy këto komplekse
piramidash kanë karakteristika të njëjta gjeofizike. Fjala është për strukturën
gurore të ndërtuar nga dora e njeriut, me fusha të dallueshme sizmike akustike.
Piramidat e Bosnjës kanë tunele të brendshme. 
Raportin mbi rezultatet e hulumtimit në piramidat e Bosnjës, akademikët
rus e kanë paraqitur në Kongresin Ndërkombëtar të Gjeologëve, të mbajtur në
Osllo  (Norvegji) më 6-14 gusht 2008.
Edhe ekspertët egjiptianë të Universitetit të Kairos kanë vërtetuar se në Bosnje
gjendet ndërtimet e piramidave më të mëdha në botë (www.piramidasunca.ba).  Në Konferencën Ndërkombëtare për Luginën e
Piramidave të Bosnjës, e mbajtur në Sarajevë më 15-26 gusht 2008, prof.dr Nabil
Swelin ka pohuar se piramidat ekzistojnë dhe se këtë fakt askush nuk mund ta
kontestojë.

 

Institucionet
e mohojnë ekzistimin e piramidave në Bosnje

 

Përkundër ekspertëve e shkencëtarëve  me kompetencë profesionale, të cilët pohojnë
se piramidat  ekzistojnë, nga ana tjetër
jo vetëm njerëz të painformuar, por edhe institucione kompetente nga fusha e
monumenteve të kulturës, kategorikisht e mohojnë ekzistimin e piramidave në
Bosnjë. Qëndrim mohues ka Instituti Arkeologjik i Bosnjes. Një delegacion i
Asociacionit Evropian të Arkeologëve (EAA), gjatë një qëndrimi në Bosnje, ka
mohuar ekzistimin e piramidave. Bile, ai Asociacion ka kërkuar nga autoritetet
e Bosnjës të ndërpriten hulumtimet për piramidat “të cilat nuk ekzistojnë”(?!).
Në stilin e mohimit të punës që po bënë Osmanagiqi me bashkëpunëtorët, e
sidomos me funksionimin e Fondacionit për piramidat, dikush këtë po e quan
fantazi, e dikush po e quan si biznes për të afirmuar vetveten e për t’i shitur
librat e tij. Sa për tunelet nëntokësore që janë zbuluar deri më tash, thonë se
ato janë nga ndonjë minierë e mesjetës (?). Në temën e shpotitjeve lidhur me
piramidat në Bosnjë, është shkruar edhe një roman satirik, dhe thurën lloj-lloj
shakash. Dikush ka publikuar shpalljen me përmbajtje: “E ndërroj Piramidën e
Madhe të Bosnjës, për dy më të vogla të Egjyptit”. Shakaja tjetër thotë se “Në
Bosnje nuk ka faraonë, prandaj nuk ka as piramida”.

 

Hulumtimet
vazhdojnë

 

Dilema, se a ka apo nuk ka piramida në Bosnjë, do të
jetë edhe për shumë kohë temë e informacioneve dhe propagandës mediale,
profesionale e shkencore. Përkundër mospërkrahjes, bile edhe pengesave që
institucionet zyrtare vendore e ndërkombëtare i bëjnë ideatorit dhe realizuesit
të këtij projekti për zbulimin e të vërtetës për piramidat në Bosnjë, arkeologu
boshnjako-amerikan Samir Osmanagiq, jo se e ka ndërprerë punën, por e ka
vazhduar me ritme më intensive, në aspektin e informimit dhe propagandimit
përmes mediave, librave, konferencave ndërkombëtare dhe ekspozitave të
artefakteve të gjetura, por edhe përmes gërmimeve dhe hulumtimeve në terren.
Duke mos pasur përkrahje financiare nga shteti i Bosnjës as nga burime tjera,
Osmanagiqi në vitin 2005 e ka themeluar Fondacionin e quajtur “Parku
Arkeologjik – Piramida e Diellit në Bosnje”, i cili merret me organizimin e
punës hulumtuese dhe propaganduese. Për çdo vit vijnë qindra vullnetarë nga
vende të ndryshme të botës, 
cilët  punojnë në gërmimet dhe hulumtimet
që organizon Fondacioni. Osmanagiqi thotë se “Piramida e Diellit” është e lartë
220 metra, dhe e vjetër rreth 30.000 vjet; se është më e larta dhe më e vjetra
në botë, të cilën e kanë ndërtuar Ilirët. Duke e konsideruar atë vend si një
qendër e vendbanimit të lashtë ilir, ai thotë se më se 50% e popullsisë së
Bosnje-Hercegovinës, Kroacisë dhe Sllovenisë – janë me origjinë ilire (?!). Ai
llogaritë se në 10 apo 20 vjetët e ardhshme do të arrijë ta zbulojë piramidën
më të madhe, dhe se kjo do të ndryshojë rrënjësisht botëkuptimet e deritashme
mbi historinë e njerëzimit, dhe se “Lugina e Piramidave të Bosnjës” do të bëhet
qendra turistike më e vizituar në botë.

 

Sidoqoftë rrëfimi për piramidat: vizion apo fiksion,
projekti i Osmanagiqit qysh tash e ka ngjallë turizmin dhe se vitin e kaluar
atë vend pasiv e kanë vizituar më se 30.000 turistë, shumë prej të cilëve kanë
kaluar nëpër tunelet nëntokësore të zbuluara deri më tash, dhe thonë se kjo po
ndikon pozitivisht në disponimin dhe shëndetin e njerëzve, për shkak të
koncentrimit të madh të joneve në ajrin e tuneleve. Përkundër pohimeve e
mohimeve, vetëm puna dhe koha do ta vërtetojë: ka apo nuk ka piramida ilire në
Bosnje?

Kontrolloni gjithashtu

SEJDO HARKA; “Artisti i Popullit” Reshat Arbana në gjurmët e një ‘’bestselleri’’  tek Libri i Albert Zholit  

Të shkruash për ‘’Artistin e Popullit’’ Reshat Arbana, është si të gdhëndësh një  statujë prej …