leoni

Adil Fetahu

Adil Fetahu: MBLEDHJA E PËRBASHKËT, HISTORIKE, E QEVERISË SË KOSOVËS DHE ASAJ TË SERBISË (9 qershor 1990)

*Qeveria e Kosovës refuzoi zbatimin e politikës së Serbisë në Kosovë. Aty “u nda shapi prej sheqeri” midis Kosovës e Serbisë.  Pas asaj mbledhje u intensifikua ofanziva e akteve dhe veprimeve për suprimimin e plotë të autonomisë së Kosovës

Pas amandamenteve për ndryshimet dhe plotësimet në Kushtetutën e Republikës së Serbisë, të cilat gjoja i miratoi Kuvendi  i Kosovës në seancën embajtur  më 23 mars 1989, me të cilat reduktohej statusi i autonomisë së Kosovës, në autonomi kulturore dhe territoriale, pa asnjë element të shtetësisë,- politika zyrtare, Kuvendi, Qeveria dhe organet e tjera të Republikës së Serbisë, akoma pa u miratua Kushetuta me amandamente, filluan zbatimin rigoroz, duke anticipuar amandamentet, duke imponuar e zbatuar vendime e veprime në favor të Serbisë unike, unitariste, gjoja për të stabilizuar gjendjën politike e të sigurisë në Kosovë, për të mbrojtur serbët dhe malazezët “e rrezikuar” dhe për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e Serbisë e të Jugosllavisë nga irredenta shqiptare.  Me të gjitha masat dhe vendimet e marrura, gjendja e përgjithshme në Kosovë sa vinte e keqësohej dhe  ashpërsohej, duke parë tendencën e Serbisë për shuarjen e plotë të autonomisë së Kosovës. Në këtë frymë, dy qeveritë: ajo e Kosovës dhe e Serbisë ishin marrë vesh për të mbajur një séancë të përbashkët, në të cilën do të merreshin vesh për aktivitet  të përbashkët në tejkalimin e problemeve ekonomike, sociale, politike dhe të sigurisë në Kosovë.

Mbledhja  e përbashkët e të dy qeverive (të cilat atëherë quheshin: këshilla ekzekutive të kuvendeve përkatëse) u mbajt në vilën zyrtare në Gërmi, më 9 qershor 1990, në të cilën morën pjesë komplet të dy qeveritë.  Në Qeverinë e Kosovës ishin:

1. Jusuf Zejnullahu, kryetar i Këshillit Ekzekutiv të Kuvendit të KSA të Kosovës

2. Gjorgje Aksiq, nënkryetar i Këshillit Ekzekutiv

3. Mazllum Beqa, nënkryetar i Këshillit Ekzekutiv

4. Rexhep Haxhimusa, sekretar i Këshillit Ekzekutiv

5.  Sllobodan Bojiq, sekretar krahinor për mbrojtjen popullore

6. Jusuf Karakushi, sekretar krahinor për punë të brendshme

7. Rifat Zylfiu, sekretar krahinor për jurisprudencë dhe administratë

8. Shefqet Cana, sekretar krahinor për financa

9. Radman Millosavljeviq,sekretar krahinor për ekonomi

10. Lekë Berisha, sekretar krahinorpër bujqësi dhe pylltari

11. Selajdin Skeja,sekretar krahinor për transport e lidhje

12. Muhamet Bicaj, sekretar krahinor për arsim e kulturë,

13. Lekë Vuksani, sekretar krahinor për punë, shëndetësi, politikë sociale,  çështje të luftëtarëve dhe

        invalidëve

14. Radovan Vujoviq, sekretar krahinor për urbanizëm dhe punë komunale-banesore

15. Isa Mustafa, sekretar krahinor për zhvillim, shkencë, informatikë dhe bashkëpunim ndërkombëtar

       shkencor-teknik

16. Tomisllav Sekulliq, anëtar i Këshillit Ekzekutiv (pa portfel)

17. Rashida Muhoviq, anëtare e Këshillit Ekzekutiv (pa portfel)

18. Bajram Maraj, sekretar i Sekretariatit për Legjislacion

19. Jorgovanka Milllojeviq, sekretare e Sekretariatit për Informata

Nga Qeveria e Serbisë,  në séancë kanë marrë pjesë kryetari Stanko Radmilloviq, pesë nënkryetarë: Filip Grujiq, Dushan Mihajlloviq, Zhivadin Stefanoviq, Mirosllav Mishkoviq, Momçillo Trajkoviq, pastaj sekretarët republikanë të  njëzet resoreve e dikastereve të ndryshme: Budiimir Jaukoviq, Miorag Jokiq, Radmillo Bogdanoviq, Andrija Merenik, Sreten Vlladisavleviq, Danillo Zh.Markoviq, Millan Rankoviq,  Jovan Zebiq, Nikolla Shainoviq, Velko Simiq, Kostadin Bozhiq, Petrashin Petrashinoviq, Sojka Gjorgjeviq, Boshko Markoviq, Vlladimir Petroviq, Gjorgje Rosiq, Dragan Nikolliq, Dragomir Petkoviq, Petar Zhebelan dhe Njegomir Klajiq

Mbledhjen e ka kryesua  kryetari i Qeverisë së Serbisë, Stanko Radmilloviq, kurse në rend dite ishte vetëm një pikë: Problemet themelore në Kosovë dhe marrëveshja për punë të mëtejme. Duke hapur mbledhjën, kryesuesi  kishte theksua se pika e propozuar e rendit të ditës është mjaft e gjërë,  në kuadër të së cilës mund të trajtohen të gjitha problemet. Në hapje të séancës, Radmilloviqi  ka folur në vija të përgjithshme për gjendjen shumë të rëndë në Kosovë dhe ka apelua për diskutim parimor, se si të punohet bashkarisht për tejkalimin e gjendjes  dhe përmirësimin e situates, në dobi të popullit të Kosovës e të Serbisë.

Fjalën hyrëse të séancës së përbashkët, e ka mbajtur Jusuf Zejnullahu, kryetar i Qevrisë së Kosovës, duke raportuar për gjendjen e përgjithshme politike, ekonomike e të sigurisë, për  rrethanat dhe kushtet e vështira në të cilat vepron Qeveria e Kosovës, për pengesat që i bëhen Qeverisë nga strukturat politike të Kosovës dhe nga organet e Serbisë.

Theksime nga fjala e kryetarit të Qeverisë së Kosovës, Jusuf Zejnullahu

Fjalimin e tij Jusuf Zejnullahu vetëm e kishte konceptuar në disa teza dorëshkim, e jo ndonjë referat të përgatitur me shkrim.  Në fjalën e tij, që kishte zgjatur një orë e gjysëm, kishte theksuar se: “Situata e prgjithshme në Kosovë është tejet e rëndë, më e rënda në kohë paqeje, që kërkon gjidhje  që do të sjell stabiliet të plotë dhe të qëndrueshëm. …Gjendja  e sotme në Kosovë është e tmerrshme. Është bërë ndarje e përgjithshme nacionale dhe distancë e madhe ndëretnike, që ka shkaktuar blokadë të proceseve të jetës normale. Vetëm frika dhe brengosja për të ardhmën janë të përbashkëta. Kjo gjendje mund të tejkalohet vetëm në shtetin e përbashkët fedeativ dhe me të drejta të barabarta të të gjitha subjekeve që e përbëjnë atë. Ky është orientim edhe i popullit shqiptar të Kosovës, i cili nuk mund të kualifikohet si popull nacionalist, separatist dhe armiqësor ndaj popujvet jerë dhe ndaj shtetit.  …Zgidhja politike e kësaj situate nënkupton se duhet pasur qëndrim të drejtë, parimor dhe objektiv edhe ndaj kërkesave të shqiparëve dhe pozitës së tyre. Mast represive  që një kohë të gjatë janë në fuqi, nuk kanë dhënë as nuk japin asnjë rezultat. Me dekada në Kosovë janë bërë dhe po bëhën gabime,  të sjelljes dhe diferencimeve politike ndaj kuadrove, duke larguar ekipet e afta dejtuese nga pozitat e ndryshme në organet, institucionet dhe ndërmarrjet . Alternativa politike është realiet në tërë vendin, prandaj edhe në Kosovë dhe ajo ka ndikim të madh në popull. Edhe ajo është për bashkëjetesë, por është kundër propozimit të Kushtetutës së re të Serbisë që redukton autonominë e Kosovës.  Kërkon vendosmëri në ruajten e autonomisë së Kosovës dhe subjektivitetit në Federatën jugosllave. Në asnjë mënyrë nuk është i pranueshëm përjashtimi i Kosovës nga statusi i subjektit të Federatës. Kjo gjendje, krahas nacionalizmit shqiptar ka shfaqur nacionalizmin serb që është në ekspansion dhe ofansivë. Ndaj organeve legjitime të Kosovës është zhvilluar një fushatë me kritika të baza, me synim për të dominuar mbi Kosovën…”.

Fjala e  kryetarit të Qeverisë së Kosovës  i kishte befasuar kryetarin dhe anëarët e Qeverisë së Serbisë. Ata kishin pritur se për gjendjen e rëndë në Kosovë, Zejnullahu do t’i fajsonte shqiptarët, e jo t’i paraqet këta si viktimë  të një politike nënshtruese dhe diskriminuese. Njeni nga nënkyetarët e Qeverisë së Serbisë (?), pa përmbajtur mllefin ndaj fjalës së Zejnullahut, ishte shprehur: “Po të kisha qenë i penguar për të marrë pjesë në këtë mbledhje, ose të kisha vdekur para saj, do ta kisha humbur rastin jetësor për të kuptuar se çfarë është mendimi i shqiptarëve sot. Atë që e tha këtu sot kryetari i Qeverisë së Kosovës është mendimi i tij, por nuk ka asnjë dyshim se ai sot është mendimi i të gjithë shqiparëve të Kosovës”. Ndërsa një tjetër anëtar i Qeverisë së Serbisë, ishte mllefosur aq shumë sa kishte thënë haptas: “Tash e tutje me shqiptarët mund të bisedohet vetëm  përmes grykës së pushkës” (cituar sipas librit të Jusuf Zejnullahut: “Rezistenca e thyer”, Prishtinë 2019, fq.102).

Menjëherë ka reaguar kryetrari i Qeverisë së Serbisë, Radmilloviq, i cili lexon referatin e tij (12-13 faqe tekst) të përgatitur me shkrim, përmbajtja e të cilit ishte përplot smadhime për gjendjen e rëndë të serbëve e malazezëve në Kosovë, për nevojën që me kushtetutën e re të Serbisë të arrihet unitet i plotë në veprime të organeve të Serbisë në Kosovë. Problemin e krizës në Kosovë ai e sheh në dritën e refuzimit të politikës së Serbisë në Kosovë,që sipas tij këtë politikë nuk e pranojnë  separatistët shqiptarë,të cilët nuk e pranojnë se Kosova është pjesë  integrale dhe e pandashme e Serbisë. Në fund të fjalimit të tij, Radmilloviq i ofron Zejnullahut një fletë në të cilën ishin të shkruara konkluzat, të parapërgatitura për t’u miratua nga mbledhja e përbashkët dhe do të jepeshin si komunikatë për opinion e të bëheshin program i veprimit të përbashkët të të dy qeverive. Konkluzat ishin shkoqitur në 5 (pesë) pika, me këtë përmajtje:

1.Këshilli Ekzekutiv i Serbisë dhe Këshilli Ekzekutiv i Kosovës janë pajtuar që bashkarisht dhe veç e veç, në mënyrë strikte dhe angazhuese të realizojnë politikën e Serbisë mbi Kosovën, në të cilën element kryesor është autonomia e Kosovës e çveshur nga elementet e shtetësisë;

2.Këshilli Ekzkutiv i Serbisë dhe Këshilli Ekzekutiv i Kësovës, bashkarisht dhe veç e veç, do të angazhohen në sigurimin e rendit dhe qetësisë publike, si dhe të sigurisë së jetës e të pasurisë dhe barazisë së qytetarëve të Kosovës;

3. Këshilli Ekzekutiv i Serbisë dhe Këshilli Ekzekutiv i Kosovës, në mënyrë efikase do të veprojnë kundër separatizmit dhe nacionalizmit shqiptar dhe çdo nacionalizmi tjetër, pa marrë parasysh se  me çfarë preteksti paraqiten;

4. Këshilli Ekzekutiv i Serbisë dhe Këshilli Ekzekutiv i Kosovës ploësisht do të bashkëpunojnë në përgatitjen e ligjeve të Serbisë që kanë të bëjnë me Kosovën;

5. Këshilli Ekzekutiv i Serbisë dhe Këshilli Ekzekutiv i Kosovës janë pajtuar dhe i kanë dhënë detyrë Sekretariatit të Punëve të Brendshme të Serbisë dhe Sekretariatit të Punëve të Brendshme të Kosovës që të oranizojnë kryerjen unike të të gjitha punëve në Kosovë.

***

Në tekstin e ofruar, Zejnullahu bënë ndryshimin e pikës së parë, duke hequr fjallët: “të realizojë politikën e Serbisë mbi Kosovën”, e zëvendësuar me fjalët: “angazhohen në realizimin e Kushetutës së Kosovës”,  e duke hequr fjalët tjera pas kësaj. Zejnullahu bënë ndryshimin edhe në pikën e tretë, ku pas fjalëve  “…nacionalizmi shqiptar”,  shton fjalët: : ”,, dhe nacionalizmi serb dhe hegjemonia serbomadhe”.’

Kryesuesi i mbledhjes, Radmilloviq, së pari lexon tekstin e vet të konkluzioneve, e pastaj tekstin e ndryshuar  nga kryetari Zejnullahu. Reagimi i anëtarëve të Qeverisë së Serbisë ndaj tekstit të Zejnullahut ishte ulurues! Ata kishin ardhur në Kosovë si me një ultimatum që nga Qeveria e Kosovës të sigurohej përkrahja e plotë politikës së Serbisë ndaj Kosovës. Refuzimin e asaj politike nuk e kishin pritur nga Qeveria. Kjo i kishte befasuar.

Pas qëndrimit këmbëngulës të kryetarit dhe anëtarëve shqiptarë të Qeverisë së Kosovës për të mos e pranuar politikën e Serbisë ndaj Kosovës, ashtu siç e mendonte Qeveria e Serbisë dhe siç ishte paraparë me amandamentet kushtetuese të Serbisë, debati në mbledhje kishte marrë  zhvillime dramatike dhe kishte zgjatë deri pas mesnate. Folësit ndërroheshin herë prej njërës palë, herë prej palës tjetër, me qëndrime e argumente diametRalisht të kundërta. Kishte polemika të ashpra, ndërhyrje deri në ofendime, sado që kryesuesi përpiqej të mbante një rend debati, duke u angazhuar edhe vet sa e sa herë dhe insistuar qe Qeveria e Kosovës të pranonte veçmas konkluzën për zbatimin e politikës së Serbisë në Kosovë. Bënte e ofronte formulime të ndryshme, duke bërë lojë fjalësh e ndërruar vendin, por gjithnjë duke insistuar që të pranohej politika e Serbisë. Nga leximi i stenogramit  mbi 200 faqe,të mbajtur si procesverbal i mbedhjes, mund të fitohet përshtypja e atmosferës së ndezur gjatë debatit. Me qenë se në mbledhje nuk u arrit marrëveshje, u konkludua që Qeveria e Kosovës  të mendohej dhe brënda tri ditëve t’ia dërgojë Qeverisë së Serbisë pëlqimin në konkluzionet e ofruara nga ajo Qeveri. Natyrisht, Qeveria e Kosovës nuk e dha pëlqimin në ato konkluzione, prandaj Kuvendi dhe organet tjera të Serbisë filluan ofansivën e tyre me ligje e vendime dhe veprime për marrjen me dhunë të pushtetit në Kosovë, ndër të cilat të përmendim:

1) Më 26 qershor 1990, Kuvendi i Serbisë miraton Ligjin mbi veprimin e organeve republikane në rrethana të posaçme (“Slluzhbeni gllasnik SR Srbije”, nr.30/1990);

2) Po atë ditë, në të njëjtën mbledhje (26 qershor), ai Kuvend merr Vendim mbi vërtetimin se në KsA të Kosovës është krijuar gjendje e posaçme (“Sll.gllasnik SR Srbije”, nr.31/1990), në bazë të të cilit mund të aplikohej Ligji mbi veprimin e organeve në rrethana të posaçme, futjen e masave të dhunshme në organet, institucionet dhe ndërmarrjet ekonomike të Kosovës, duke ndryshuar tërësisht strukturën udhëheqëse të tyre.

3) Pas Deklaratës kushtetuese që miratuan deputetët shqiptarë të Kuvendit të Kosovës, më 2 korrik 1990, tri ditë më vonë (më 5 korrik) Kuvendi i Serbisë merr Vendim mbi ndërprerjen e punës së Kuvendit dhe të  Këshillit Ekzekutiv të Kosovës (“Sll.glasnik SR Srbije”, nr.33/1990), dhe po atë ditë forca të mëdha policore të Serbisë uzurpuan objektin e Kuvendit, Radiotelevizionin e Prishtinës dhe të NGB “Rilindja”.

4) Më 13 korrik 1990, Parlamenti Europian miratoi Rezolutë për Kosovën, me të cilën, në pikën e parë dënohet suspednimi i Parlamentit të Kosovës dhe vënia nën kontrollin e pushtetit serb të RTV të Kosovës  dhe më tutje (pika 4) kërkon nga pushteti serb të njohë me konsekuencë dhe të respektojë Kushetutën e vitit 1974; të njohë të drejtën e autonomisë kulturore dhe politike të kombit shqiptar; të ndërpresë përndjekjet, viktima të të cilave janë shqiptarët e Kosovës dhe të ndërpresë pasojat e “rikolonizimit”.

5) Më 26 korrik 1990, Kuvendi i Serbisë miratoi Ligjin mbi marrëdhëniet e punës në rrethana të posaçme (“Sll.gllasnik SR Srbije”, nr.40/1990; ndryshimet dhe plotësimet në “Sll.glasnik SR Srbije”, nr.54, dt.27 shtator 1990)), sipas të cilit u përjashtuan prej pune, pa kurrëfar procedure të rregullt mbi 140.000 punëtorë shqiptarë.

6) Më 29 korrik 1990, Kuvendi i Republikës së Sllovenisë miratoi një Deklaratë për Kosovën (“Uradni list”nr.29/1990), me të cilën përkrahë Deklaratën Kushtetutese të Kosovës.

7) Delegatët shqiptarë të Kuvendit të Kosovës, në mbledhje të fshehtë të mbajtur në Kaçanik, më 7 shtator 1990, miratuan Kushtetutën e Republikës së Kosovës si shtet anëtare e Bashkësisë së Jugosllavisë (mendohej sido që të jetë Jugosllavia: federatë apo konfederatë).

 8) Më 28 shtator 1990, Kuvendi i Serbisë miratoi Kushtetutën e asaj Republike, me të cilën të dy krahinat autonome: e Kosovës dhe Vojvodinë, u  çveshën nga autonomia e tyre substanciale politike e juridikke dhe nga të gjitha elementet e shtetësisë, ashtu që kishin mbetur me autonomi territoriale dhe kulturore, pjesë integrale e Serbisë unike. Me këtë u realizua synimi i kahershëm i nacionalshovinizmit serb, i paraparë në Memorandumin e AShAS, i përsëritur në të gjitha tubimet, valavitjet dhe protestat serbe gjatë të ashtuquajturit “revolucioni antiburokratik” dhe “jogurrt-revolucioni” ,në të cilat klithej: “Srbija iz tri dela, postace cela” (Serbia  prej tri pjesësh, do të bëhet një e tërë).

Dihen pastaj hapat e tjerë që ndërmorën edhe njena edhe pala tjetër. Delegatët e Kuvendit dhe anëtarët e Qeverisë së Kosovës u arratisën nëpër botë, ngase regjimi serb i kërkonte dhe akuzonte për veprimtari armiqësore të rrezikimit të integrietit territorial të Serbisë e Jugosllavisë. Ndërkaq, pushteti i instaluar serb mbi Kosovën vazhdoi me masa të dhunshme, represion, kolonizim, integrime, eksploatim dhe shfrytëzim të pasurive të Kosovës.

Mbledhja e përbashkët e të dy qeverive, e mbajtur në Gërmi më 9 qershor 1990, ishte pikë kthese e organit kushtetues – Qeverisë së Kosovës, në kundërshtimin e haptë të politikës hegjemoniste të  Serbisë mbi Kosovën dhe për këtë shkak mund të quhet historike. Deri atëherë, organet shtetërore të Kosovës nuk e kishin kundërshtuar kështu hapur dhe me vendosmëri. Tek pas asaj mbledhje, delegatët shqiptarë të Kuvendit të Kosovës ndërmorën veprimet e duhura: shpalljen e Deklaratës Kushtetuese dhe miratimin e Kushtetutës për Kosovën shtet sovran, si të gjitha republikat e tjera në bashkësinë e Jugosllavisë poqese ajo do të vazhdonte të jetojë në formë federate apo konfederate.

Adil FETAHU

Kontrolloni gjithashtu

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRAT E VITIT 1981 NË KOSOVË - I

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRAT E VITIT 1981 NË KOSOVË – I

Dokumentet britanike për Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë, sjellin para lexuesit informacione të rëndësishme, …