Adil Fetahu

Adil Fetahu: Shoqata e Shkrimtarëve të Serbisë, Laborator i propagandës antishqiptare

Propaganda, si term dhe nocion e ka bazën religjioze, të cilën e ka përhapur kisha: “Congregatio de propaganda fide” (Kongregacioni për përhapjen e besimit-fesë). Në kontekst të luftës, së cilës zakonisht i paraprinë propaganda, serbët nga përvoja e tyre, e kanë një thënie: “Prvo dolaze popovi, pa topovi, pa lopovi” (të parët vijnë popat (priftërinjtë), pastaj topat, pastaj hajnat-plaçkitësit). Këtë varg, në një këngë të vetën një kohë e këndonte një këngëtar (serb) nga Vojvodina (Gjorgje Ballasheviq), ndërsa unë në komentet e mia të shumta, të botuara në B=92 dhe në mediat tjera serbe, e kam cituar disa herë, në kontekst të caktuar.

Propaganda politike e luftarake, ka kuptimin e ndikimit në opinionin publik, për të pranuar e përkrahë deri në konsensus ide,  mendime, sjellje dhe veprime të caktuara të pushtetit e të përfaqësuesve. Përhapja e propagandës zhvillohet përmes formave adekuate të organizimit shoqëror: parti politike, pushteti, kisha, organizata të ndryshme profesionale e joqeveritare. Mjetet e zhvilluara të teknikës bashkëkohore: shtypi me fotografi, televizioni, radio, interneti, filmi, kanë bërë të mundur përhapjen e shpejtë e të gjërë të propagandës dhe instrumentalizimin e masës, duke u shërbyer me shtrembërimin dhe keqpërdorimin e fakteve, miteve dhe historisë, për të bërë ndikim e për të krijuar konsensus nacional.

Në përhapjen e propagandaës në Serbi, një rol të veçantë  kanë pasur (dhe kanë) elitat intelektuale: shkencore, kulturore, fetare. Në mesin e këtyre elitave, Shoqata e Shkrimtarëve të Serbisë, me selinë e saj të njohur si “Francuska 7” në Beograd, ka luajtur rolin e zëdhënësit të propagandës destruktive pas demonstratave  në Kosovë të vitit 1981, e tutje. Nën ndikimin e “babait të kombit” serb, Dobrica Qosiqit, ajo Shoqatë, si dhe Akademia e Shkencave dhe Arteve e Serbisë, në bashkëveprim me Kishën Ortodokse Serbe, në koordinim me partitë dhe grupacionet e ndryshme ultranacionaliste, duke keqpërdorë mitet dhe historinë nacionale serbe, stigmatizuan Shqiptarët, Kroatët dhe Myslimanët si armiqë të përbetuar të kombit serb, arsyetuan dhunën, luftën dhe krimet kundër “armikut”.

Elita e shkrimtarëve të Serbisë, të tubuar në  Shoqatën e tyre, u bë zëdhënëse e propagandës politike-lufënxitëse e shtetit të Serbisë, duke krijuar një model të veçantë të diskursit, të gjuhës së urrejtjes,  të glorifikimit të miteve e të historisë nacionale, nga njëra anë, dhe urrejtjes e akuzës kundër armiqëve të stigmatizuar, nga ana tjetër. Kështu, shkrimtarët serbë e keqpërdorën statusin e “ndërgjegjës së kombit”, për t’u shëndërruar në etër (baballarë) të kombit, me në krye D.Qosiqin.

Shoqata e Shkrimtarëve të Serbisë, si një organizatë parapolitike e paramilitare e regjimit,  takimet e veta të rregullta e të jashtëzakonshme gjoja letrare, i shndërronte në takime protestuese, ku shkruheshin peticione e pamflete, ftoheshin serbët dhe malazezët e Kosovës për të organizuar tubime protestuese, mitingje, për të simuluar shpërngulje kolektive, për të shkuar në Beograd për t’iu ankuar organeve republikane dhe atyre federative për “presionin e padurueshëm nga shqiptarët”. Gënjeshtrat që thuheshin aty, në Shoqatën e Shkrimtarëve, i botonte shtypi ditor dhe ai revial, i transmetonte radio e televizioni, i botonin edhe revistat profesionale “Knjizevne novine”, “Praxis” “Glas crkve” etj. Gazeta “Politika” kishte një rubrikë të përhershme “Odjeci i reagovanja” (jehonat dhe reagimet), në të cilën botoheshin pothuajse çdo ditë broçkullat e propagandas së shkrimtarëve, sociologëve e filozofëve të Serbisë, mbi “gjendjen  e padurueshme” të serbëve e malazezëve në Kosovë.

Në karrocën e propagandës urrejtëse kundër shqiptarëve, por edhe kundër Kroatëve dhe Myslimanëve, ishin  ngjitur forume dhe organizma të ndryshme: Akademia e Shkencave dhe Arteve e Serbisë, Kisha Otodokse Serbe, Shoqata e Shkrimtarëve e Serbisë, Shoqata e Sociologëve të Serbisë, Shoqata e Filozofëve të Serbisë, Universiteti i Lirë,  Këshilli për Mendimin e Lirë,  shtëpitë botuese: “Srpska knjizevna zadruga”, “Praxis”, “Politika” , e të mos flasim për “Ilustrovana politika”, “Duga”, etj. Të gjitha në mënyrë të koordinuar orkestronin propagandë antishqiptare, antikroate e antimyslimane, me të cilën e përgatitën opinionin për luftërat e përgjakshmë që ndodhën pastaj, prej vitit 1991-1999.

Një shkrimtar serb, Mirko Kovaç, në librin e tij: “Elita gora od rulje” (Elita më e keqe se hajnat,banditët), botuar 2009, analizon angazhimin e shkrimtarëve në kohën e luftës dhe, ndër të tjera shkruan: “Luftërat e përgjakshme (1992-1999), si asnjëherë më parë u përgatitën nga elita intelektuale, shkrimtarët dhe klerikët nacionalistë”.

Marrëdhëniet e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës me atë të Serbisë

Pas vdekjes së J.B. Titos (1980), pas demonstratave në Kosovë (1981), pas publikimit të Memorandumit të AShAS (1986), dhe veçmas në kohën e fillimit të ndryshimeve të kushtetutës federative dhe asaj republikane (të Serbisë) dhe të Kosovës (1988-89), marrëdhëniet serbo-shqiptare u acaruan në të gjitha sferat dhe në të gjitha nivelet. Kjo atmosferë e acarimit u manifestua edhe në marrëdhëniet midis Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës dhe asaj të Serbisë, por edhe midis shkrimtarëve shqiptarë me shkrimtarët serbë, brëndapërbrënda Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.  Shkrimtarët serbë e malazezë në Shoqatën e Kosovës ishin “kali i Trojës” i Shoqatës së Shkrimtarëve të Serbisë. Në një takim të Shoqatës së Shkrimtarëave të Kosovës me ata të Serbisë, me temën bosht: “Serbët dhe Shqiptarët në Jugosllavi sot”, që u mbajt në Beograd (më 26 e 27 prill 1988), e që ishte takimi i fundit i përbashkët midis këtyre dy shoqatave, shkrimtarët serbë e malazezë nga Kosova ishin ftuar dhe kishin shkuar atje veçmas nga Shoqata e Kosovës. Në atë takim, ku kishte edhe shumë mysafirë e gazetarë të huaj, Ibrahim Rugova kishte paraqitur një referat (“Strategjia negative”), në të cilin kishte elaboruar strategjinë e përpunuar antishqiptare që zhillonte propaganda serbe.   Ja një pjesë e atij referati: “Fatkeqësisht, sot nocioni për Kosovën në Jugosllavi, e sidomos në Serbi, po vdes dita-ditës. Kjo do të thotë se për Kosovën nuk ka më kuptim njerëzor, ndaj ka rënë në shkallën më të ulët të mundshme (…). Nëse vetëm pak më kujdesshëm e shohim këtë sistem të etiketave, do të kuptojmë se kemi të bëjmë me një çështje krejtësisht të njëjtë, me një strategji antishqitpare, së cilës tash e shtatë vjet po i prinë një pjesë e shtypit të Beogradit, pastaj një pjesë e institucioneve kulturore e shkencore dhe asociacione të tjera. (…) Thënë më qartë, e tërë kjo strategji e ka fillin në strategjinë e përpunuar antishqiptare nga ana e borgjezisë serbe nga fundi i shekullit të kaluar dhe nga fillimi i këtijshekulli, e cila si e tillë për të gjithë ne është e njohur.(…) Kjo do të thotë se këtu kemi të bëjmë me ngjalljen e logjikës udbashe të veteve ’50 dhe ’60 ndaj Shqiptarëve.(…) Ajo stategji ka për qëllim që shqiptarët t’i bëjë të gjunjëzohen përpara masave të reja, që elementi shqiptar të zvogëlohet, të bëhet i durueshëm, dhe simbolik”.

Për referatin e Ibrahim Rugovës, të paraqitur në atë takim, akademik Rexhep Qosja,  që është një kundërshtar i zjarrtë i Rugovës, në “Ditarin” e tij, në librin e kujtimeve, thotë se Ibrahim Rugova në atë takim  paraqiti një referat që ishte më i mirë së që kam pritë unë, dhe se ç’ kanë pritur shkrimtarët e Kosovës.

Duke treguar përshtypjet e tij nga ai takim, akademik Qosja që me fjalën e tij në atë takim shkaktoi reagim të vrazhdë të shkrimtarëve serbë, thotë se megjithëse kryesuesi i tubimit, Aleksandar Popov, kryetar i ShShS e kishte kufizuar diskutimin (fjalimin) në 15 minuta, unë  sapo e mora fjalën i thash se “do t’i them para jush të gjitha ato që kam menduar se është e nevojshme t’i them, kurse ju, besoj, nuk do të jeni pa kurreshtje që të më degjoni. Kryesuesi, heshti dhe nuk e kundërshtoi përgjigjen time. Unë i hoqa 4 faqe nga referati im, që më dukeshin më pak ndikuese. Kur fillova ta lexoj pjesën e referatit për Konferencën e Bujanit, dëgjuesit reaguan: uuu! Kur e lexoja pjesën për ardhjen e popave në Pejë, dëgjoj reagimin e dytë më të gjatë: uuuuuu! Kur e lexoja pjesën për shpërnguljën e serbëve e malazezëve, si pasoje e moszhvillimit të Kosovës dhe e mospajtimit për barazi me shqiptarët, e jo pasojë e ndonjë trysnie, e dëgjoj reagimin e tretë, që zgjatë sa dy reagimet e para:uuuuuuuu! Kur e lexoja pjesën për privilegjet e jashtëzakonshme që po u krijohen serbëve e malazezëve në Kosovë, dhe padrejtësitë e mëdha që po u bëhen shqiptarëve, reagimet: uuu… , zgjasin dhe zërat ngritën jashtëzakonisht shumë. Kryesuesi Popov i qorton reaguesit dhe kërkon heshtje. E vazhdoj fjalën, duke pritur goditje në kokë me ndonjë gjë prej dëgjuesve (…)”, thotë profesor Qosja.

Në përfundim të ditës së dytë të atij takimi, ishte konkluduar që të vazhdohet biseda serbo-shqiptare, në takimin tjetër që do të mbahej në Shkup, në muajin maj, por që ai takim, dhe asnjë tjetër nuk u mbajt më, ngase S.Millosheviqi në një telefonatë që u kishte bërë udhëheqësve të Kosovës, u kishte thënë: “Dosta tih pljuvotina” (mjaft më me ato pështyrje, jargitje). Për vete, akademik Qosja thotë, se Sinan Hasani kishte kërkuar nga shkrimtarët tjerë shqiptarë që të distancohen nga Qosja dhe fjalimi i tij nacionalist.

Pas atij takimi, shkrimtarët serbë e malazezë të Kosovës (27 sish), në tetor 1988, kishin dhënë dorëheqje kolektive nga Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës, me shpresë se kështu do të shuhet aktiviteti dhe Shoqata, por hesapi nuk iu doli ashtu, ngase Shoqata e Kosovës u bë edhe më aktive, sikurse edhe Shoqata e Serbisë që vazhdoi propagandën e saj me intensitet të shtuar kundër shqiptarëve,  me të gjitha mjetet që kishte në dispozicion, duke shpifur dhe etiketuar me epitetet më të vrazhda e të ndyta.

Kontrolloni gjithashtu

FADIL REXHA: KUR MUNGON LUANI MAJMUNËT BËHEN MBRETËR

Fadil Rexha: LARGIMI NGA VENDLINDJA

Ishte një mëngjes i ftohtë pranvere me bore e shi. Me lot në sy, u …