ADIL OLLURI: Premisë për një lexim të “Emrit të trëndafilit”

“ – Sa e bukur bota e sa të shëmtuar janë labirintet- thash i lehtësuar. – Sa e bukur do të ishte bota sikur të kishte një rregull për të kaluar nëpër labirintet- m’u përgjigj mësuesi im.”

Romanin “Emri i trëndafilit” të Umberto Ekos po e fillojmë me këtë referencë tekstuale që mund të shërbejë si sintagmë nistore për një kërkim semantik rreth këtij teksti. Këtë e bazojmë në faktin që kjo mikro-sentencë mund ta shënjojë vetë mënyrën e leximit,interpretimit, ngase edhe rrjedha e rrëfimit në këtë roman mund të identifikohet me një labirint, me atë labirintin,bibliotekën e abacisë, e cila shënjohet brenda tematikës së tekstit. Është një rrjedhë që e ngatërron lexuesin, i cili sa herë që mendon q ia ka gjetur fillin njohjes, prapë i dalin në rrugë lakesat të cilat e kthejnë në pikën fillestare të kërkimit. Kështu që, ai gjatë gjithë leximit, deri në pjesën e fundit, vetëm mund të mund të supozojë modalitet e përfundimit, të cilat vazhdimisht i ngatërrohen. Pra, teksti është labirint. Dhe për të kaluar nëpër të lexuesit i nevojitet një çelës interpretimi i cili i lidhë shenjat e tekstit dhe i bën të dialogojnë mes vete, mënyrë kjo që mund t’i shërbejë si rregull për një premisë leximi. Por, gjithmonë relative, modale. 

I. Statusi

Nëse flasim për statusin kategorial të tij, ky tekst mund të përcaktohet si roman policor. Këtë e themi nga shkaku se tema e tij strukturon një intrigë policore, që e përcjellë tekstin fund e krye, pavarësisht nga idetë e tjera që i mbështillen tekstit, të cilat ndërlidhen reciprokisht me temën, por nuk ndikojnë në përcaktimin zhanror, sepse zhanrin nuk e përcaktojnë idetë e tekstit, por modeli i tij tematik dhe statsusi i tij formal. Dhe ky model tematik që na jep një hetim policor për ta zbuluar të vërtetën strukturohet brenda diskursit prozaik, si formë e tij. Një zbërthim i tillë teksti na jep zhanrin evident: Roman policor. 
Pikë tjetër më rëndësi është edhe pozita e narratorit në këtë roman. Narratori këtu është edhe personazh veprues, pra kemi të bëjmë me një narrator a rrëfimtar që inkorporohet brenda tekstit. Adsoni prej Melku është narrator që edhe rrëfen situata, por edhe vepron në këto situata të rrëfyera. Kjo ndodh pasi që Adsoni tentohet të paraqitet si kronist i ngjarjeve të rrëfyera. Adsdoni është narrator subjektiv, homodiegjetik, që rrëfen nga veta e parë “Unë”. 

II. Shenja e intertekstit 

Edhe ky roman, si shumë tekste të post-modernes, ka shenjen e intertekstit. Këtë e jep në mënyrë eksplicite edhe vetë autori: .
Më 16 gusht 1968 më ra në dorë një libër i shkruar nga pena e njëfarë abati Valet “ Dorëshkrimi i Dom Adsonit prej Melku”, përkthyer frëngjisht sipas botimit të Dom I. Mobijon ( Në Pres de l’Abej de la Surssë, Paris 1842). .
Nëse merret parasysh kjo paradigmë si shenjë e sigurt për të vënë relacione, atëherë mund të flasim për një relacion të qartë intertekstual ndërmjet romanit dhe tekstit në fjalë Dorëshkrimi i Dom Adsonit prej Melku, i cituar në peritekstin e romanit të Ekos. Por, një referencë e tillë intertekstuale ndërmjet dy teksteve në fjalë mund të vihet në dyshim ashtu siç mund të vihet në dyshim çdo njohje ekzistuese. Këtë dyshim na shton edhe një paradigmë metatekstuale që Ekoja e thekson gjatë autointerprtimit që i bën romanit të tij: 

“ Ç’është e vërteta nuk vendosa vetëm të rrëfej për mesjetën. Vendosa të rrëfeja në mesjetë, dhe me gojën e një kronisti të asaj kohe.” 

Duke u nisur nga kjo shenjë, mund të theksojmë se interteksti i shënjuar pak më parë është intertekst hipotetik, iluziv, i krijuar nga vetë autori, që mund të këtë shërbyer si maskë për të rrëfyer për mesjetën në mesjetë me gojën e një kronisti mesjetar. Ekoja këtu ndoshta kërkon narrator i cili do të rrëfejë nga këndshikimi i mesjetës, do të rrëfejë për mesjetën, duke u futur në mesjetë. Ndoshta teksti i Ekos ka një ndërlidhje me kronikat mesjetare, të cilat ndoshta do të kenë pasur një temë analogjike apo autori mund t’i ketë përdorur për ta krijuar një ritëm të rrëfimit mesjetar. Por, sidoqoftë, relacioni e tilla paraqesin një ndërtekstualitet universal për të gjitha tekstet, si shenjë e postmodernitetit, ku tekstet flasin për tekste, dhe një rrëfim jep një rrëfim tjetër. Eko luan me referenca fiktive, por edhe të mundshme, duke krijuar kështu një maskë intertekstuale. 

III. Metafizika e kërkimit 

Hetimi policor të cilin e bëjnë Uilliami dhe Adsoni, një murg rishtar, zhvillohet në një abaci mesjetare, e cila nuk tregohet se në cilin vend ndodhet. Ky hetim bëhet për ta gjetur të vërtetën mbi vrasjet enigmatike të disa murgjve. Uilliami dhe Adsoni e kryejnë funksionin e detektivit që kërkon zbardhjen e krimeve, po të shikohen nga këndvështrimi policor. Siç thuhet, në tekst, në abaci ndodhet një bibliotekë në formë labirinti, ku ndodhen shumë libra të lejuar e të ndaluar për lexim. Krimet kanë lidhje me bibliotekën dhe enigmat që fshihte ajo. Tash do ta shohim. 

a. E fshehta 

E tërë struktura e rrëfimit këtu sillet rreth një të fshehte, një të panjohure, e cila është sfidë për njeriun, sidomos për njeriun e ditur. 
“këtu janë kryer një sërë krimesh për penguar mjaft njerëz që ta zbulonin diçka të që s’duhej zbuluar” 
Duke u nisur nga kjo referencë mund ta shohim që në këtë roman rrëfehet për dy të fshehta: E fshehta e krimit që duhet ta zbulojnë Uilliami dhe Adsoni dhe e fshehta e bibliotekës që duhej/s’duhej ta zbulonin murgjit. Dhe për të gjetur të vërtetën e së fshehtës bëhen kërkime përtej së mundshmes, ku edhe rrezikohet vetvetja vetëm për ta gjetur një të vërtetë. Kërkimet e Uilliamit dhe Adsonit, dhe kërkimet e murgjve për njohjen e së fshehtës së labirintit i lidhë një pikë e përbashkët : Kureshtja për konkretizimin e abstraktës, kureshtja e njeriut të ditur për njohjen, prekjen e abstraktes. Ky shënjim e çon kërkimin në fjalë kah metafiziaka. 

b. Zbulimi

Kërkimi metafizik paraqitet më së qarti në tentimet e murgjve për ta njohur të fshehtën që mbante në vete labirinti. Ky insistim i tyre nuk është vetëm kureshtje për t’i lexuar tekstet që nuk lejoheshin për t’u lexuar, por ky insistim konoton edhe në një tendencë apo vetënxitje të njeriut për ta zbuluar veten, botën dhe misteret e saj natyrore dhe hyjnore. Por, këtë gjë njeriut të mesjetës së tekstit nuk ia lejonte gnoseolgjia konceptuale e kohës së rrëfimit, e cila i mendonte gjërat në mënyrë deduktive, ku duke u nisur nga dogma e përgjithshme nxirrte përfundime edhe për të veçantat. Pra, ishte koha e shënjuar që nuk i linte njeriut shteg për të menduar induktivisht. Ky koncepcion gnoseologjik mund të jetë edhe protoshkak për vdekjen e murgjve kuriozë. 

c. Antikrishti

Gjetja e fajtorit dhe zbulimi i së fshehtës sjell një përfundim të cilin lexuesi as që mund ta parashikonte gjatë leximit. Dhe ky është ai efekti estetik që e mbanë pezull lexuesin, dhe e bën deri në fund të pyes: Kush është fajtori? Çka fsheh biblioteka brenda? 
Fajtori për të gjitha krimet e abacisë është Jorgeja, një murg plak dhe i verbër, i cili nxitë dhe kryen vrasjet. Ai është edhe shkaktari djegies së bibliotekës. Lexuesi mund t’i duket sa befasuese, aq edhe ironike që një plak i verbër të mund t’i kryejë të gjitha ato krime, prandaj edhe rrëfimi i tekstit e identifkon Jorgen me figurën e Antikrishtit. .

“Antikrishti është vërtet pranë, se s’mbeti më asnjë dije që t’i bëhet gardh. Pastaj edhe ne ia pamë surratin sonte. Po them për Jorgen. Në atë fytyrë të prishur nga urrejtja për filozofinë pashë për herë të parë portretin e Antikrishtit. 
Vërtet Jorgeja paraqet një analogji me figurën e Antikrishtit, sepse duke ia mbyll rrugën dijes dhe së vërtetës, duke menduar se këtë e bënte për ta shpëtuar Frymën e Krishtit, në këtë rast ai nuk ngjet në asnjë tjetër pos në një Antikrisht. Jorgeja identifikohet me dogmatistin mesjetar, një tip ideologu i cili për ta mbrojtur të vërtetën e tij është i gatshëm t’i eliminojë të gjitha të vërtetat e tjera. Ai mendon që e vërteta që e beson ai është Logos, njohje absolute. Jorgeja ishte murgu që e dinte të fshehtën e labirintit/bibliotekës, ku gjendeshin disa dorëshkrime, disa tekste filozofike të antikitetit, midis të tjerash Poetika e dytë e Aristotelit, konkretisht poetika e komedisë, të cilën Jorgeja mundohet ta gris dhe ta kapërdijë për t’ia humbur gjurmët. Ndoshta, këtu Ekoja luan me shenjën e së vërtet-dukshmes, duke shënjuar kështu ekzistimin e poetikës së dytë dhe zhdukjen e saj nga mesjeta. Kjo mund jetë një hipotezë e mundshme, pasi që një doktrinë e bazuar në katarsisin e tragjikes është e mundshme të mos e pranojë një katarsis të mundshëm të komikes. 

IV. Premisa antagoniste 

Teksti i Ekos mund të vrojtohet edhe si makrokosmos semiologjik, ku shenjat e tekstit konotojnë në premisa dhe ideografema antagoniste, si në vetvete ashtu edhe nga jashtësia e tyre. Teksti paraqet një botë të premisave aksiologjike që qëndrojnë në dy tehe, një botë të rrëfyer të gnoseologjive kundërthënëse, të cilat strukturohen në hapësirën dhe kohën e kallëzimit. Këto janë ato efekte të cilat ndoshta kanë rëndësi më të madhe se sa vetë intriga e kërkimit policor, gjë që mund ta bëjë lexuesin që të ecë më shumë kah leximi i ideve skepticiste dhe ideve dogmatiste, se sa kah leximi i rrjedhës së intrigës fabulative. 
Këtu do të paraqesim disa ideografema dihotomike, bivalente, si bie fjala idetë e murgjve françeskanë dhe atyre domenikanë mbi ardhmërinë e Kishës, ku françeskanët predikojnë varfërinë e Kishës që konotonte në varfërinë e Kishës së ardhshme, që për ta nënkuptonte idealitet. Ndërsa, domenikanët predikonin praktikisht të kundërtën e françeskanëve. Pra, bënin interpretime të ndryshme të Ungjillit. Premisë tjetër antagoniste janë edhe debatimet teologjike ndërmjet Uilliamit dhe Jorges, të cilët gjithmonë shprehin aksioma të ndryshme nga njëri-tjetri. Ku idetë e Jorges shënjojnë koncepcionet obsukurantiste të mesjetës, kurse ai ai identifikohet me tipin e një dogmatisti idiomatik. Ndërsa, idetë e Uilliamit pasqyrojnë konceptet e një reformatorit teologjik. Një shenjë tjetër që jep një premisë antagoniste është edhe biblioteka, e cila funksionon si shenjë kundërthënëse në vetvete, sepse ajo përfaqëson njëherit vendin për kërkimin e dijes, por në anën tjetër ajo paraqet edhe vendin për fshehjen e dijes, të së vërtetës. Duke u nisur nga këto referenca ideografike që i rikontekstusalizon rrëfimi, mund të theksojmë se teksti i Ekos paraqet një botë diegjetike të ndërtuar nga teoritë kundërthënëse. Pra, një botë dialektike. 

V. Erotika 

Brenda strukturës së rrëfimit shihet edhe një sekuencë dashurie, që e përjeton murgu i ri Adson. Kjo gjë për botëkuptimin e abacisë së kohës në nënkupton vetëm një dalldisje erotike e murgut të ri pas etjes, qejfit seksual, gjë e cila ishte e ndaluar për murgjit e kësaj kohe. Por, për Adsonin kjo nuk nënkupton vetëm një kënaqësi të mishit që duhej ndaluar për shpirtërorët, njerëzit që predikonin frymën hyjnore, por për Adsonin dashuria dhe bashkimi seksual nënkuptonte një pasion të pastër që ndodhë në mënyrë të natyrshme. 
“Sot pas kaq e kaq vitesh që kanë kaluar, ndërsa ende e qaj me hidhërim gabimin, nuk mund të harroj se pata ndier një kënaqësi të madhe dhe do të mëkatoja ndaj të Sipërlartit, që i ka krijuar të gjitha gjërat e mira e të bukura, po ë mos pranoja se edhe në atë veprim të dy mëkatarëve ndodhi diçka që në mënyrë të natyrshme ishte e mirë dhe e bukur”. 
Duke u nisur nga kjo, mund të themi se këtu paraqitet Adsoni plak që me një diskurs sentimental përkujton pasionin erotik të moshës së tij rinore, të cilin padashur e quan mëkat jetësor të tij. Por, ky veprim që quhej mëkat ishte diçka e natyrshme, e mirë dhe e bukur. Siç duket edhe murgu kishte një pasion të fshehtë, të cilin ai ia zbulon vetes gjatë përjetim erotik. Pra, ky pasion natyral ishte dashuria, seksi. .

VI. Metaforika e Titullit 

Titulli i romanit, Emri i trëndafilit, për rrjedhën e rrëfimit është një send ekstern, dhe për lexuesin empirik mund të mbetet thjesht jashtë leximit narrativ, sepse thënë shkurt ai nuk shënjohet askund në rrjedhën fabulative. Kjo gjë mund t’i ndodh shpesh edhe lexuesit model, sepse titulli në fjalë përmban një tip simbolike tejet të stërholluar. Titulli Emri i trëndafilit është një figurë metaforike, që pikësëpari shënjon një efekt nominal, ku emërtimi këtu nuk funksionon si shenjë për t’i qartësuar idetë, por përkundrazi për t’i ngatërruar ato, këtë e thotë edhe vetë Ekoja në autointerpretimin që i bën tekstit të tij. 
Për ta zbërthyer semantikën e titullit metaforë të këtij teksti na duhet një lexim i tij duke u nisur prej një semiotike të konotacionit. Pra, titulli duhet të lidhet me tematikën me anë të konotimit të referencave tekstuale dhe kontekstuale. Shembull ta marrim si referencë kontekstuale Luftën e Dy Trëndafilave, një referencë historike që shënon një luftë të ndodhur, që emërtohet me këtë emër. Ky konotim na shpie te rrjedha e ideve kundërthënëse që përmban romani. Kështu që, edhe në romanin tonë ndodh një “luftë” e tillë premisash e idesh të kundërta. Referencë tjetër e mundshme mund të jetë edhe biblioteka si referencë tekstuale në relacion me trëndafilin si lule kopshti. Trëndafili i kopshtit është një lule me aromë dhe pamje të bukur, shikuar nga jashtësia e tij. Por, në brendësinë e tij edhe ai e ruan një mister: Gjembat në kërcellin e tij. Që për vrojtuesin e mundshëm janë të padukshëm nëse i shikon nga largësia, por nëse e vrojton dhe e prek trëndafilin, kërcellin nga afër ai mund edhe ta thumbojë. Por, a nuk ndodh e njëjta gjë edhe me bibliotekën e abacisë së romanit? Një bibliotekë me nam si ajo, që përmbante një kompleks dijesh në vete kishte edhe ajo sekretin e saj, që i gëlltiste gjithë ata që i afroheshin. 
Këto ishin disa referenca të mundshme që konotojnë te një ngjashmëri ndërmjet titullit dhe semantikës së romanit. Por, këto referenca konotative asnjëherë nuk mund të jenë përfundimtare, por ato janë thjesht relative, ashtu siç mund të jetë i tërë leximi i ynë: Një premisë relative leximi. 
Prishtinë, 2007
(Teksti fitues në konkursin letrar të organizuar nga Biblioteka Ndërkomunale ” Hivzi Sylejamni” – Prishtinë)

Kontrolloni gjithashtu

FADIL REXHA: KUR MUNGON LUANI MAJMUNËT BËHEN MBRETËR

Fadil Rexha: LARGIMI NGA VENDLINDJA

Ishte një mëngjes i ftohtë pranvere me bore e shi. Me lot në sy, u …