leoni

Teuta Zymberi: LUNGJËRIA NË ELEGJI

( Janinës ç’ i panë sytë….) 
Shumë net e shumë ditë kishin ikur në formë vargjesh, në formë eseu, në formë këngësh, në formë elegjie, në formë aksionesh, në formë ëndrrash, në formë librash, në formë romansash, në formë legjende, në formë meditimesh… 
Gjithnjë këto frymëzime të këndshme e të ëmbla i kisha shkruar duke pasur në sy valët e detit dhe një anije, një velo, një palmë, një diell e një qiell….Por të gjitha ndjenjat e kishin një emër aq të këndshëm aq pasionues: valë deti. Një det përballë syve kisha dhe një valë kisha në shtratin e bregut…
Natën deti flinte nën tingujt e pianos së vjetër dhe zgjohej në mëngjes me valët plot ëndrra dërguar nga larg…askush nuk do ta dinte se ç’aromë kishte deti në syrin tim…Mbase nuk më ka munguar shija për ta ndjerë artin në thellësi të shpirtit, unë i dhashë detit ngjyrat më artistike dhe i dhurova po ashtu zërin e një artizane, që siç thoshte Fromi: dashuria është art. Kisha menduar rrallë në jetën e përditshme njerëzit pos ndjenjës së zakonshme mund ta kthejnë dashurinë në art!
Asnjëherë nuk kam dashur ta krahasoj vetveten me data historike, apo me figura të para epokës sime, sepse kam dëshiruar të jap nga vetja ime pikërisht epokës që unë i takoj. Jo rrallë, gjithnjë kam dashur të përdorë emra ledhatues, emra që kanë aromë dhe emra që kanë ndjenja e të japin ndjenja, dhimbje, plagë, ëmbëlsi e ngrohtësi…Pikërisht rrallë njerëzit dinë ta përdorin në intuitë filozofinë e krahasimit! 
Ishte një kohë kur mbaja për simbolikë sidomos emërtime më shumë artistike duke i vënë në mesenzher për kënaqësi më tepër se sa për reklamë.
Gjithnjë kisha dëshirë emrat e filmave që unë i doja dhe që na kishin frymëzuar nga studio “Shqipëria e Re”. Udha e shkronjave, Dora e ngrohtë, Hije që mbetën pas, Fije që priten, Nëntori i dytë, Apasionata, Mësonjëtorja, Shoku ynë Tili, Malet me blerim mbuluar, Gabimi, Flutura në kabinën time, E dua Erën, Gjeneral Gramafoni, Shi në plazh, e shumë filma të bukur që të sjellin kënaqësi në motivet e ndryshme në përmbajtje. 
Në bibliotekën time që posedoj, shpesh i rilexoja librat duke filluar nga shkenca, letërsia, filozofia, psikologjia etj. Kadarenë e kam ndjekur gjithnjë në veprat e tij, Dritëro Agollin, Petro Markon, Jakova Xoxa, Poradecin, Naim Frashërin, Migjenin, e mos të them tërë plejadën e shkrimtarëve të Rilindjes kombëtare e deri në realizmin socialist e deri tek kohët e letërsisë bashkëkohore. Se kam lënë aspak anash Letërsinë botërore, që pa e njohur edhe këtë letërsi s’ka se si të mendohet ndryshe. Mitologjinë e kam lexuar dhe koha antike është një dimension që ka buruar në vargje të poetëve të mëvonshëm.
Thuhet: libri është shoku më i mirë i jetës apo dritarja prej nga shpirti e shikon botën. 
Me këngën jam shoqëruar përherë në shoqërim të zemrës e të vargjeve. Kam adhuruar muzikën e lehtë pa u ndarë asnjëherë nga këngët në Shqipëri, të cilat, edhe arritën të riprodhojnë emisionin në Tiranë : Këngët e shekullit.
Mbase mendoja se mund të isha një zë për t’i përcjellë ngjyrat muzikale e të vlerave artistike në ndonjë medium, mbeti kjo vetëm një ëndërr e dashur “brenda mureve” apo për t’u arkivuar në një kohë, e cila kohë nuk punonte për mua! 
Kështu më kalonin netët e ditët përplot pasion dhe filozofia e pasionit për art dhe vlera njerëzore sikur më ngjanin mu si Kulla e Babilonit apo si Kështjella e Rozafës. Në rastin kullës, ditën më ngritnin, e natën prishnin…në rastin e dytë më ngjante ditën këndohej për tamël ninulë e natën forcohej kështjella në gur e mur. 
Më kujtohej Balada e Gurit, Balada e Kurbinit e shumë balada tjera…më kujtohej Besa e Konstandinit, legjenda për Mujin, pastaj Ajkuna qanë Omerin e deri tek këngët e moçme shqiptare kreshnike… 
Por unë nuk po jetoja në kohën e legjendave! Unë po jetoja në kohën oksidentale që dita ditës po ma zinte frymën…Po jetoja në kohët “moderne” ku degjenerimi i karaktereve njerëzore po vepronin me projektet si në Kullën e Babilonit, si në Kështjellën e Rozafës apo për të mos shkuar edhe në antikë, si me Trojën.
Tashmë, thonë koha ka ndryshuar. Monstrume e bajloza sjellë deti. Tashmë balenat paskan gëlltitur yllin e detit…Një kohë përplot projekte, varianta, spekulime, mashtrime, ndoshta më shumë një kohë tinëzare, unë nuk e di, pse gjithë kjo stuhi, hipokrizi apo ndoshta koha që mori emrin:politika dhe mafia, apo dashuria dhe hipkrizia.
Mbase rruga e gjatë e një dhimbje aq të gjatë u shfrytëzua me aq shpejtësi për t’u realizuar projekte negociatash e aleancash në takime të fshehura për të vënë para aktit të kryer sjelljen e Pakos për ta bërë copë-copë Kosovën!
Mbase kjo Pako në marrëveshjet më të fshehura ishte krijuar dhe ishte gatuar nga një grup mos i thënçin Unitet!
Filozofia e veprimit në fshehtësi dhe pazaret e Unitetit sollën edhe filozofinë e protestave, të cilat, tokës i dhanë flijimin. Toka përsëri me lot e dhembje, me ngjyrë të kuqe të gjakut e me varre, sikur nuk duroi gjëmën e krimit e tradhtisë që po bëhej mbi Kosovën dhe padashur Qeveria të krijonte baladën për të vrarët, toka përsëri krijoi legjendën e këngës së flijimit për pishtarët e lirisë.
Dhe në këto simbolika krahasimi Dielli nuk nxenë për të gjithë njësoj, sjellë atë më të dhimbshmen se Dielli nuk mbulohet me shoshë, e më së paku Dielli nxeu për Qeverinë!
Në këtë rast mu kujtuan malet e Lungjërisë. I kujtova me aq mall dhe me aq dhimbje. Në malet e Lungjërisë binte një dëborë e ftohtë, një rrebesh shiu përbiu malet, një diell që nxen me dhëmbë, nuk i ndriçon malet, thotë populli…Megjithatë, Lungjëria po shikonte hijerëndë tërë botën me halle…dhe sytë i mbetën atje larg tek Rrapi në Mashkullor…dhe syri i saj as nuk e ktheu shikimin fare nga Qeveria!
Mbase edhe klanet çmendurake u trazuan nga protestat e kohës dhe Vaji i bilbilit dëgjohej matanë detit…edhe kalorësi erdhi nëpër valët e detit hyri në zemrën e Lungjërisë, në malet që prisnin besnikërinë si në virtytet e legjendave…por mbase gjarpërusha, që i kanë dalë në pritë të malit dhe nuk i njihnin virtytet e baladave, kalorësi nuk shaloi atin në Lungjëri tek vajza e detit…. 
Lungjëria mbeti megjithatë, në një shkëmb pranë detit, mbeti valë të rrjedhë si këngët që në çdo stinë flasin për historinë, e ndoshta edhe si një krua valësh për t’i dhënë një pikë ujë kalorësit tek Kështjella mbi Barbanë…
Mbase trimi thonë nuk vajtohet, por plaga e madhe shkruante elegjinë Vaje në Lungjëri dhe oh…atë këngën që na ka përvëluar shpirtin gjithmonë në dëshpërime: Janinës ç’i panë sytë….Kjo ishte Lungjëria e protestës për ringjallje dhe revoltë kundër flamujve melankolikë të Qeverisë….

Kontrolloni gjithashtu

Albert Zholi

-Albert Z. ZHOLI: Flasin për Ditën e Verës: Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka

Flasin Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka -Dita e Verës nuk …