Gëzim Mekuli: Shqiptarët në Norvegji: Filmi norvegjez ”Blodsbånd” ofendon dhe nënçmon familjen dhe shqiptarët në përgjithësi

Ne filmin e produksionit norvegjez të regjisuar nga Marijus Holst, shqiptarët duke u përgjithësuar paraqiten si popull që i përket kulturës dhe traditës orientale. Filmi fokusohet në elemente të një religjioni; atij islam. Regjisori përjashton fetë, vlerat dhe kulturën tjetër që kanë shqiptarët. Në mënyrë eksplicite regjisori përjashton shqiptarët si pjesë të Evropës. Kjo veçanërisht të bie në sy në muzikën (voice over) e sfondit, ku dëgjohet diku në largësi zëri dhe muzika që vjen nga një xhami e qytetit. Ky zë dominon tërë skenën prej disa sekondash.
Përderisa në filmin ”Blodsbånd”, shqiptarët paraqiten si mafiozë, gangsterë dhe njerëz që shfrytëzojnë sistemin dhe shoqërinë norvegjeze, në anën tjetër, norvegjezet, këtu paraqiten si një komb i padjallëzuar, i sinqerte, naiv, besnik, punëtor dhe mikëpritës. Po ashtu është me rëndësi të ceket se gjuha shqipe në këtë film është e dhunuar dhe nuk ka pastërtinë dhe vokalin artikulues. E kjo për shume shkaqe: në një anë për shkak se në rolin kryesor luan artisti italian, Enriko La Verso, ku duket ky nuk e di gjuhën shqipe, por komunikimi i tij në gjuhën shqipe i mundësohet nga sinkronizimi i dobët, e në anen tjetër fjala gjuha shqipe nuk ka qartësi as nga aktori i ri, djaloshi 15 vjeçar, Nazif Muharemi, ”Mirushi”. Filmi dominohet nga një e gjuhë dialektikore dhe nuk i jepet aq shume rëndësi shprehjeve gjuhësore, sintaksës dhe as gramatikës së gjuhës shqipe.
Duhet nënvizuar se i riu, Nazif Muharremi, shkëlqen për mrekulli ne këtë film.
Edhe ne anën teknike e artistike filmi ka mëkatet e veta dhe çalon: regjisori i filmit tenton të imitojë sekuencat e filmit brazilian ”City of God”.
Veçanërisht kjo shihet në sekuencat filmike, ku në plan të dytë e të largët paraqitet një qytet i Kosovës, i ndarë me ndërtesa te bukura, me ngjyra shume dhe të theksuara, e ne afërsi paraqitën shtëpitë e varfra, të pangjyra e të vjetra. Nëpërmes kësaj simbolike (te imituar) regjisori tenton qe t’i ofroj’ opininit norvegjez se kufiri në mes varfërisë dhe pasurisë në Kosove është i forte dhe se varfëria është shumë e afërt, ndërsa pasuria dhe mirëqenia është e largët e pa arritshme. Një kritikë e qartë i drejtohet po ashtu regjisorit Marijus Holst, i cili ne filmin e tij nuk tenton të krijojë një baraspeshë apo një zbutje ne mes ”te keqes” dhe ”së mirës”. Filmi që nga hyrja, pra qe nga shtjellimi i ngjarjes, (konflikti, dramatikja dhe zgjidhja e konfliktit) paraqet familjen shqiptare si ”djallëzore” dhe ”te keqe”, e ndërsa në anën tjetër, si ”ëngjuj” dhe ”te mirë” paraqiten ”të tjerët”, pra norvegjezet.
E keqja është se filmi me plot paragjykime, ”Blodsbånd”, përgjithëson dhe nuk ka aftësi artistike e dramatike që të izolojë krimin si dukuri individuale prej asaj kombëtare.
Si rrjedhim mund të themi se ky film nuk është ndihmesë për komunikim ne mes kulturave të ndryshme që jetojnë në Norvegji: ky film ndërton mure në vend se t’i rrënojë këto.
Shqiptarët në përgjithësi si etnikum reflektohen si agresiv, dhunues, mashtrues, vrasës, mafioz dhe plaçkitës. Dhe ky qëndrim dhe vlerësim vetëm sa përforcohet në mbarim te filmit. Publiku nuk ka mundësi që të ketë një alternativë për të simpatizuar dhe për të pasur mëshirë për shqiptaret.
Mashtrimet, jo burrëria, kurvëria dhe krimi paraqiten si veçori dhe element përbërës kulture i familjes shqiptare. Babai dhe prindi shqiptar paraqitet si vrasës e kriminel, ndërsa rinia dhe nëna norvegjeze si e pastër dhe bujare. Porosia nga ky film artistik na del se femra dhe nëna shqiptare është e shfrenuar dhe gënjeshtare, dhe se mbi të gjitha në këtë shoqëri mbijeton dëshira për para dhe për boten materiale. Kjo me se miri paraqitet në skenën kur e ëma e ”Mirushit” zihet në shtrat nga dashnori i saj, dashnori i cili blenë trupin e saje me një televizion të lirë e të vjetër. E, në anën tjetër nëna norvegjeze paraqitet si shtyllë e familjes, e cila di të presë mysafiret dhe të shtroje drekën edhe ”armiqve të birit të saj”, të cilët ia thyen gishtërinjtë pa hak e pa hile.
Norvegjezet në ”Blodsbånd” paraqiten tolerantë, bukëdhënës dhe të edukuar. Si përfundim do e citoj një mik norvegjez, i cili pas shikimit të filmit më telefonoi dhe me tha: ”nuk e kuptoj se si mund të krenohen shqiptarët me një film të tillë norvegjez. Ky është film përjashtues dhe diskriminues.
Reagime te shumta ndaj këtij filmi norvegjez kanë arritur në redaksinë tonë. Blodsbånd”, premiera e te cilit është duke u shfaqur ne kinematë norvegjeze, ka zhgënjyer komunitetin shqiptar ne Norvegji. 
Mendimi dhe vlerësimi i shumë shqiptarëve, që nxirret nga letrat e tyre kanë si përfundim se, ky film përforcon paragjykimet për shqiptaret si komb, i cili nuk njeh ligje e rend shoqëror, por vetëm anarkinë, krimin e dhunën.
Në këtë film familja shqiptare paraqitet e kriminalizuar, ku kriminaliteti fillon që nga hierarkia e vetë familjes.

Kontrolloni gjithashtu

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Bab’, ma gjej “Hamletin” Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot …