A.Q: Pretendimet për rishkrimin e historisë sipas mendësisë së bashkim vëllazërimit të dikurshëm dhe multietnicitetit aktual

Pikërisht në kohën kur ka rifilluar dialogu: Kosovë-Serbi, i imponuar nga Bashkimi Evropian, me qëllim për ta dëmtuar pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, në kohën kur Serbia rikonfirmon se kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e saj, në kohën kur mohohet autoktonia e shqiptarëve në trojet e tyre etnike,  një grup “historianësh” të dikurshëm të kohës  bashkim vëllazërimit të perënduar,   janë tubuar në Mitrovicë për të promovuar idenë e kamotshme, “të shkrimit të historisë pa konflikte”. Në këtë konferencë, të cilën e ka organizuar “kosovari” kontravers, Nexhmedin Spahiu, drejtor i Radio-Televizionit të Mitrovicës, janë tubuar profesorë nga Beogradi, Novi Sadi, Shkupi, Athina e Turqia, dhe ndonjë historian titist i Kosovës, të cilët kanë shfaqur mendimet e idetë e tyre për “rishkrimin e historisë, në atë mënyrë që ajo të mos nxis konflikte mes popujve”.


Kjo konferencë u mbajt vetëm një javë pas manifestimeve me përmasa gjithëkombëtare të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë dhe fuqizimit gjithnjë në rritje të idesë së bashkimit kombëtar. Ky homogjenizim i shqiptarëve ka shqetësuar shpirtrat e ikanakëve e dështakëve shqipfolës si dhe pleqtë senilë të Beogradit, Shkupit e Athinës.


Kjo ide e imponuar nga administrata e UNMIK-ut dhjetë vjet më parë, e pranuar edhe nga Instituti i Historisë së Kosovës, ka qenë dhe po mbetet një përpjekje konstante, për ta rishkruar dhe për ta gjymtuar historinë e rezistencës sonë kombëtare, meqë kjo rezistencë nuk akordon me pikëpamjet shoviniste e hegjemoniste të Beogradit, Athinës dhe Ankarasë.


Ky grup historianësh, fundërrina të bashkim vëllazërimit të dikurshëm, po bëjnë përpjekje që në emër të paqes dhe vëllazërimit të popujve, edhe historia të shkruhet ndryshe, duke hequr nga tekstet e historisë tema, të cilat sipas tyre, glorifikojnë të kaluarën. Ata po pretendojnë të  relativizojnë  krimet, duke fshirë kufirin mes luftërave pushtuese e atyre çlirimtare. Është e kuptueshme që në këtë konferencë kanë shfaqur idetë e tyre “avangarde e multietnike”  disa “beter-historianë” dhe ndonjë “biçim-analist”, me qëllim për ta ndihmuar “pajtimin” mes serbëve e grekëve, gjithnjë okupatorë e hegjemonistë dhe shqiptarëve të sunduar me shekuj nga turqit, serbët e grekët.


Nuk habit fakti se në mesin e këtyre pjesëmarrësve nga Kosova janë tubuar të gjithë ata që kanë shkruar terr e zi kundër luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kundër forcave militante kombëtare. Kjo fundërrinë “intelektualësh” me organizime të tilla të aranzhuara e të paguara nga qarqet e Beogradit, Athinës e BE-së pretendon të dalë në sipërfaqe në emër të “humanizmit” bashkëjetesës së kombeve e kombësive, gjithnjë sipas dogmës proletare, por të kamufluar me  idetë e integrimit në BE.


Kjo ide retrograde vjen në kohën kur një klan i historianëve zyrtarë të Sali Berishës, po ashtu një klan i të vetëshpallurve akademikë të Kosovës e më gjerë, po bëjnë përpjekje për të degraduar historinë e rezistencës shqiptare, me qëllim për t’ ia prerë hovin aspiratave gjithnjë në rritje të bashkimit kombëtar të shqiptarëve, aspirata këto që u manifestuan fuqishëm me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.


Frika nga homogjenizimi pozitiv i shqiptarëve, frika nga mundësia krejtësisht e natyrshme bashkimit të tyre në një shtet të vetëm, apo në një union të tri shteteve shqiptare në Ballkan: Shqipëri-Kosovë-Iliridë, ka bërë që këta zëra sorrëshkinash të zgjedhin pikërisht qytetin e ndarë të Mitrovicës, për të promovuar idetë e tyre të bashkim vëllazërimit dhe të historisë multietnike.


Këta zëra pleqsh senilë, pensionistë të RFSJ-së së dikurshme nuk mund të ushtrojnë  kurrfarë ndikimi në zhvillimet politike e shoqërore të Kosovës. Ata, janë tubuar vetëm për të treguar se ende janë gjallë, se nuk i kanë ndërruar bindjet e tyre dhe se ëndërrojnë ta rikthejnë kohën e artë të titizmit, tashmë kur gjithçka nga koha e tyre ka perënduar dhe është shpërfytyruar.


Mendësia e bashkim vëllazërimit e rikthyer në multietnicitet dhe integrim, po e përforcon krahun militant nacionalist shqiptar, i cili me të drejtë kërkon bashkimin e të gjithë shqiptarëve, ide kjo e cila gjatë dy tri viteve të fundit ka marrë dhe po merr përmasa të një lëvizjeje gjithë-kombëtare, forcë  kjo, e cila  tashmë ka trokitur fuqishëm  në kokat e kreut politik në Tiranë, Prishtinë dhe në Shkup.


Manifestimet shumëdimensionale kombëtare në 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, gatishmëria që treguan shqiptarët për ta ruajtur traditën, historinë e rezistencës, me kërkesë të natyrshme për bashkimin e trojeve në një shtet të vetëm, i ka trembur tejmase mendjet e robëruara dhe të retarduara.

Kontrolloni gjithashtu

Ylli Mece

YLLI MEÇE: POLITIKANËT TANË ME “TANGA ROZË” DHE….  GJYSËM EFENDIKO BEJLERI

Një prej problematikave që kanë zënë faqet e shtypit të përditshëm është dhe ngelet, për …