Afrim Hysenaj: Ka dalë nga shtypi monografia: “Shtëpia me gjak në mure”

Të dashur miq, ka dalë nga shtypi monografia ime “Shtëpia me gjak në mure” e cila trajton krimin më çnjerëzor në fundshekullin 20, e njohur në opinion si Masakra e Poklekut e kryer nga forcat e armatosura serbe më 17 prill 1999. Për më shumë se dy vjet punë dhe angazhime të pandalshme, në bashkëpunim të ngushtë me familjet Muçolli, Elshani, Caraku dhe Hoxha, arritëm ta botojmë. Ky libër burim kryesor ka kujtesën dhe arkivin e gjashtë të mbijetuarve, si dhe arkivin e kujtesës së familjeve që pësuan në këtë masakër, etj…
Fokusi im kryesor në këtë libër është krimi i 17 prillit, si dhe përkushtimi ynë maksimal, që botimi i librit të bëhet pikërisht në 25-vjetorin e kësaj tragjedie. Në libër flasin të mbijetuarit dhe dëshmitarët. Kujtesa e tyre ende është e freskët. Traumat e tyre u vlojnë në shpirt dhe mendje. Gjurmët e krimit ende janë aty në shtëpinë e shpallur muze.
Brenda librit ka dramë të përjetuar mbi trupat e gjallë dhe lëkurën e të mbijetuarve. Ata panë me sy vrasjen dhe djegien e anëtarëve të familjes. Janë edhe dëshmitë e familjarëve dhe të dëshmitarëve okularë të cilët janë ballafaquar me ndjeshmërinë, emocionet dhe mbledhjen e mbetjeve mortore të eshtrave dhe nxjerrjen e trupave të hedhur në bunar.
Përzemërsisht i falënderoj për bashkëpunimin e ngushtë anëtarët e familjeve Muçolli, Elshani, Caraku dhe Hoxha. Pa angazhimin e tyre do të ishte i pamundur realizimi i kësaj monografie. Ata ishin motivi im kryesor.
Bijtë dhe bijat e këtyre familjeve, përjetë do të jetojnë në kujtesën time, për lotët dhe emocionet që i kanë shfaqur gjatë rrëfimeve të tyre.
Falënderim e konsideratë të thellë për bashkëpunëtorin dhe mikun tim, shkrimtarin dhe poetin e madh, Adem Gashi, i cili, fatkeqësisht, ndërroj jetë më 16 janar 2024, një ditë para se t’ia dërgoj dorëshkrimin e këtij libri për redaktim. Ademi ka merita të mëdha për nxitjen për shkrimin dhe botimin e kësaj monografie.
Faleminderit gjithë bashkëpunëtorëve, redaktorit të kësaj monografie, z. Berat Dakaj, njëkohësisht drejtor i shtëpisë botuese “Armagedoni”, recensentit Durim Abdullahu për parathënien dhe sugjerimet, përkthyeses së gjuhës angleze, prof. Besarta H. Demaku, fotografit Xhevat Qorri etj.
Faleminderit të gjithë miqve dhe njerëzve dashamirë, që u kërkova bashkëpunim dhe më ofruan, duke më motivuar për publikimin e kësaj monografie. Faleminderit edhe atyre që refuzuan të bashkëpunojnë.
Falënderim të veçantë për Ministrinë e Kulturës, ministrin Hajrullah Çeku, për znj. Merita Nrecaj, drejtoreshë për Trashëgimi Kulturore dhe drejtorin e AMMK-së, z. Imer Hakaj, të cilët morën përsipër subvencionimin e kësaj monogarfie.
Çlirimi i Kosovës i ka rrënjët në gjakun e derdhur të dëshmorëve, të fëmijëve, të djemve dhe vajzave, të nënave dhe të baballarëve tanë. Duke e lexuar këtë libër, mund ta çmojmë edhe më shumë lirinë sesa e kemi çmuar deri më sot.
Shpresoj që kjo monografi sadopak t’ua lehtësojë dhimbjet familjarëve të kësaj tragjedie kombëtare, të cilët presin drejtësi.
Për promovimin e librit do t’ju njoftoj herën tjetër.
A.H
5 Maj 2024

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Otorinolaringologu shkrimtar dhe shkrimtari otorinolaringolog, Aziz Mustafa është krijues shumë i talentuar

Mjeku  i njohur edhe  shkrimtar, Aziz Mustafa,  në radhë të parë më sjellë në vëmendje, …