Afrim Hysenaj: Valmiri i Deliajve para 22 viteve, u bë zani i Kosovës!

Afrim Hysenaj: Valmiri i Deliajve para 22 viteve, u bë zani i Kosovës!

Elegji për Valmir Deliun, nga;
(Dean Moore, The Washington Post):
Valmir me xhupin trëndafil, faqet vishnjë
Valmir, o bec, që pin qumësht, fytin prerë
Valmir, me buzët në biberonin e bukur
Si ëngjëll rrëzuar me shigjetë, fytin e prerë.
Valmir, përse ke ndenjur te shkurret?
Përse nuk u bëre i madh menjëherë,
të merrje te doçka një pushkë të madhe
Të shkoje ushtar me fytin e prerë ?
Valmir, o qumësht, ç’ke bërë që të mbytën?
O zogu i mamit të vdekur që ke pranë.
Po mami për ty s’do të ngrihet më natën,
E ti me buzë s’do të puthësh babanë.
Po këtë trikon rozë, mo, mami ta veshi
Që të thonin të gjithë “sa kukëll e bukur“
Që mami të hiqte mënjanë duke qeshur,
Kur të suleshin si qenushë për të puthur?
Kush është ai burrë të të marrë, Valmir,
Me krahë përbindshi të të vërë në qivur?
I duhet të flakë tej zemrën mbi Shkëlzen
Mes lotësh në vend të saj të verë një gur.
Valmir, mes pyllit, sikur të kish gjetur
Ashtu, duke fjetur me biberonin në gojë
Edhe ditë, edhe javë të kish qenë pa ngrënë
S’të shqynte, por nënë do të bëhej një Ulkonjë.
Kush ishte kjo qenie që s’të la, o Valmir,
të pije qumshtin, e vraftë perëndia!
Ai që ka mbytur në gjak tërë Kosovën
dhe njëzet njerëz përnjëherësh të familjes Deliaj!
Rrëfimi i Gjyshit Arif Gashani nga fshati Tërstenik – Drenas!
I nderuar Mësues!
U kërkoj ndjesë në rast se u ngjall emocionet e dhimbjes mbi ngjarjen e Deliajve… Ju jeni babai i Mihanës dhe gjyshi i Valmirit, në fillim do të lutesha të na rrëfesh pak për fëmijën tuaj të parë, për Mihanën ?
Unë jam martuar në vitin 1969, me Nailen nga Klina e Skenderajt dhe isha vetëm 16 vjeçarë. Mihanja është fëmija i jonë i parë, kur ka lind Mihanja në vitin 1970 kisha vetëm 17 vjet. Emrin ia ka ngjit nana jem, emrin e motrës së nanës sime e ka pas Mihanja. Qysh në fëmijërinë e saj, është dalluar me zgjuarsinë e saj, një fëmijë i qetë dhe hiq fare i lazdruar. Ka qenë fëmijë i dhanë mbas nënës duke u bazuar në kohën dhe rrethanat që ishin, ne prindërit e ri e kishim vështirë t’i përkëdhelim fëmijët në atë kohë. Mësuesi i parë i saj ka qenë Idriz Aliu, njëkohësisht Idrizin e kisha edhe shokë që nga bankat e para të shkollës, e kisha edhe koleg diku afër 50 vite kemi qenë bashkëpunëtor. Mihanja ka qenë nxënësja në grupin e ngushtë të nxënësve më të mirë, ajo është marrë edhe me aktivitete të lira në kuadër të shkollës, sidomos në këndim.
Pas përfundimit të shkollës së mesme, për shkak të rrethanave të kohës, Mihanën nuk arritëm ta regjistrojmë në fakultet…edhe pse ishte dëshirë e madhe e saj. Pasi nuk shkoj në fakultet, filluan nga të afërmit e familjes sonë hallat, motrat, kërkesa e biseda për fejesën e saj. Kemi pas shumë oferta për fejesën e saj, por ne e fejuam tek familja e Salih Deliut për djalin e tij, Ademin.
Për jetën e saj pas martesës pos kujdesit të burrit të saj, me një përkushtim të madh është përkujdes edhe Imeri, kunati saj, të cilin e kam falënderuar gjithmonë. Imeri e ka kuptuar se ajo vinte nga një familje e shkolluar dhe pasioni i saj ishin librat, ajo kishte bibliotekën e saj në familjen time. Por edhe në familjen e burrit gjithmonë kishte libra. Më pastaj ju lind djali Valmiri.
Mësues, si e kujton Ti Valmirin si gjysh i tij… ? Me lindjen e Valmirit unë dhe bashkëshortja ime, Nailja për herë të parë u bëmë gjysh dhe gjyshe. Tek i gjithë farefisi ynë dhe gjenerata jonë, u ndjemë shumë të privilegjuar sepse në moshën fare të re u bëmë gjyshër, disa nga moshatarët e mi ishin akoma të pa martuar, ishte një gëzim i pa përshkruar për neve, ishim shumë krenar me ardhjen në jetë të Valmirit. Valmiri ka qenë një fëmijë shumë simpatik i dashur dhe i afërt me neve. Pas lindjes së tij unë dhe Nailja mezi prisnim vizitat e vajzës dhe nipit tonë , na bënin aq të hareshëm sa vështirë ta përshkruan atë ndjenjë kënaqësie njeriu.
A ju kujtohet takimi i fundit me vajzën tuaj, Mihanën dhe nipin Valmirin? Ishte vera e vitit 1998, dhe lëvizjet filluan të vështirësohen, në kohën kur jemi takuar ne për herë të fundit me Mihanen, Ademi me familjen e vet ka qenë në Gllobar e nga aty ka dalë në Fushë Mollë. Edhe ne kemi qenë aty, një natë para se me u nisë për Abri e kemi kaluar së bashku në Fushë Mollë. Ditën e nesërme herët me krejt insistimin e vet, Ademi ka arrite me i marr familjen me lëvizë nga aty për Abri sepse diçka po hetohej njëfarë lehtësimi i gjendjes në Abri. Është nisë me familje, me ta ka shkuar edhe Mihanja me Valmirin. Aty në Fushë Mollë, jemi parë dhe jemi ndarë për të fundit herë me Mihanën, Valmirin, Ademin dhe gjithë familjen e tij. Disa shokë të lagjes Gjokaj nga Tërsteniku më kanë thënë se e kanë parë Ademin kah ka lëvizë për Abri. Ata i kishin sugjeruar të rrijë aty por Ademi ishte i vendosur të shkojë në Abri.
Ku ke qenë kur ke dëgjuar për herë të parë për masakrën e Familjes Deliu? Kur kam dëgjuar për herë të parë, kam qenë në lagjen tonë, tash atij vendi i themi “Te përmendorja” e kemi një odë aty, aty ishim tubuar me disa kushërinjtë, dhe njëri nga ata kishte dëgjuar se ka ndodh diçka…ai hezitojë me më tregu. Në mbrëmje e kam marrë vesh që ka ndodh masakra e Deliajve…atë natë si kam tregu bashkëshortes sime Nailes…ajo më pa që diçka po i fshihja, me pyeti – “Arif a ke dëgjuar diçka e s’po më tregon…? ” në fillim me pyeti për familjen e saj, pastaj për motra edhe për Abri, por atë natë si tregova…i thash – “Jo nuk kam dëgjuar asgjë…” Të nesërmen tash e kam parasysh momentin, e kam bere bisedë edhe me vëlla e me nanë, se babën nuk e kishim gjallë, edhe jemi ardhur në përfundim se duhet me i tregu sepse mund te rrjedhin fjalë dhe i trego dikush apo mund të ia shënosh kryet dikush, pa e dijt se nuk e di kjo…jemi marrë vesh dhe i kemi tregu.
A mund të na i përshkruani pak çastet e përjetimit të lajmit…? E kemi përjetua tepër rëndë…vështirë me përshkrua… janë 18-të netët ku unë dhe Nailja s’kemi vu gjumë në sy, as s’kemi fjet, jo orë por 18-të netë s’kemi fjet, këtë po e them si prindër të Mihanës dhe si gjyshër të Valmirit. Mëngjesi na gjente duke i kujtuar çastet me ta…duke e ngushëlluar njani tjetrin, dhe duke i dhanë forcë njani tjetrit….e kemi pas nanën gjallë atëherë por si kemi tregu që s’po shtim gjumë në sy…
Zoti na ka ndihmua sepse me pa vajzën dhe nipin në një gjendje të tillë është diçka që vështirë përshkruhet. Pastaj Nailja e ka përjetuar shumë rënde, por si një burrneshë me karakterin e saj të fort ka qëndrua, asnjëherë nuk na i ka prish ndejat, me pa atë duke u mërzit tepër, sepse më pas kemi pas edhe gëzime familjare, martesa fejesa etj. Gjithmonë ka ditur të përmbahet, pastaj ka pas tragjedi edhe në familjen e vet, gjatë luftës ju ka vrarë baba nana dhe një çike e vëllait 21 vjeçare ishte studente.
Nailja ka qenë për me i marr lakmi për qëndresën qe e ka treguar, atë dhimbjen e saj për çikë të vet e ka shpreh në atë mënyrë që nuk ka mund kurrë me harru, as sot se harron , por është ruajt shumë që mos me ja prish dikujt as motrave të mia as çikave të mia, një disponim të jetës mos me ua prish. Na 18 netë ndejtëm pa fjete po u deshtë me ja nis me fjet edhe me punua edhe me hëngër e me pi e kështu, s’patëm rrugë tjetër, jeta po vazhdojke…vetëm për shkake të dhimbjes dhe emocioneve, shoqja më tha s’po mundem të flas asgjë…përmes teje i përcjell të gjitha përjetimet.
Pas rastit që keni dëgjuar a jeni shkuar në vendngjarje dhe kur…? Në vend ngjarje jemi shkuar kur kemi shkuar në kryeshëndoshë me kushërinjtë te Imeri, pastaj jemi shkuar në vend ngjarje te varret ku kanë qenë të varrosur së pari. Kur jam shkuar unë aty Zoti më ka ndihmuar se kur e kam pa unë aty dy prej anëtarëve të masakruar u kanë çika edhe nipi jem…fuqia e Zotit ish e madhe, edhe forca e Imerit na ka ba tanve mu nie ma leht, Zoti i ka ndihmu edhe Imer Deliu dhe anëtarëve tjerë të gjallë të familjes Deliu.
Si prindër të Mihanës dhe Gjyshër të Valmir Deliut…a ju kanë vizituar ndokush nga ndonjë organizatë jo qeveritare, institucion apo gazetarë, për të ju ofruar ndonjë tretman qofte ne aspektin mjekësor qoftë vetëm për të rrëfyer përjetimin që keni pas, si prindër, keni humb vajzën me nip, Nailja edhe prindërit dhe mbesën…?
Ne si familje për aq sa kemi dhimbje për humbjen e më të dashurve, po aq ndjehemi krenar se kësaj lirie dhe kësaj pavarësie të këtij shteti, i kemi dhënë gjak nga gjaku jonë, kështu e patëm fatin e shkruar. Dua thjesht të shpreh një mendim pa dashtë me kritiku askënd, por më habit fakti se kanë kaluar 20 vite dhe askush nga ndonjë gazetë a shkrimtar nuk na ka vizituar kurrë me na pyet diçka si prindër të Mihanës as si gjyshër të Valmir Deliut, as gjyshërit e Jetonit, Menduhijes dhe Diturije Deliut, nuk kam dëgjuar se i ka marrë ndokush ndonjë rrëfim a përjetim të tyre.
Kjo masakër e ka trondit botën dhe gjithë opinionin ndërkombëtar. Me keqardhje po e them njerëzit e penës të Drenicës mua më kanë borgj, e them me keqardhje, se gjyshin e Valmir Deliut me fotografinë e të cilit u hi në senatin amerikan Bob Dol, gazetarët dhe njerëzit e shkrimeve të Drenicës, nuk po i them askujt me emër, por të gjithë janë në të njëjtin grup, mos me pa të arsyeshme me ba një bisedë me ata gjyshër që kanë pësuar në këtë masakër. Mua më është vra edhe vëllai në luftë edhe më ka lënë më keq se Mihanja, po dhimbja për Mihanen e Valmirin ka qenë më e madhe, sepse vëllai është një hallk më larg a bima e zemrës është e zemrës.
Krejt ata që merren me shkrime borgj më kanë si Arif, nuk më ka mbet hatri po ua kam parë për të madhe pse nuk shkruajnë më shumë. Nuk mbaj mend se më ka kërkuar ndonjë gazetë, TV, radio apo dikush për intervistë e që nuk jam përgjigjur.

Falë Zotit nuk kemi pas nevojë për ndonjë tretman mjekësorë pas ngjarjes, nuk na është ofruar ndokush për ndonjë tretman cili do qofte ai. Sa i përket institucioneve tona, ato kanë bërë sipas meje, aq sa kanë ditur të bëjnë, dija është element shumë i rëndësishëm i udhëheqësve. Sa kanë pas mundësi kanë bërë aq sa kanë ditur. Me pas pyet dikën që nuk ka qenë udhëheqës, nuk është marre me pyet një këshilltar të vetin, ndoshta edhe më shumë gjana kishin me qenë më mirë

Miqësia dhe raportet tuaja me familjen e Imer Deliut vazhdojnë edhe sot e kësaj dite…?

Unë shkoj shpesh tek Imeri, duke u bazuar në sjelljet tepër fisnike të tij dhe gjithë familjes së tij, edhe veç që se kam çiken gjallë, se e konsideroj dhe e kam tamam mik sikur të gjithë miqtë tjerë ku i kam çikat. Imeri më viziton edhe më shpesh se sa unë atë, por edhe unë shkoj. Në çdo përvjetorë e vizitojmë dhe na viziton dhe kemi raporte shumë të mira miqësore.

Nga libri “Toka skuq e qielli nxin” A. Hysena

KU ËSHTË DREJTËSIA VENDORE DHE AJO NDËRKOMBËTARE, PYESIN, DELIAJT

Kontrolloni gjithashtu

Agim Musliu dhe Gurakuç Kuçi: SKENARËT PAS BANJSKËS DHE LUFTA HIBRIDE RUSO-SERBE NË KOSOVË

Në përvjetorin e sulmit në Banjskë, qëllimet e këtij akti të dhunshëm rifreskohen me një …